E hene, 06.05.2024, 07:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Faton Mehmeti: Pasqyrim i rrjedhave të poezisë

E shtune, 14.12.2013, 04:28 PM


VËSHTRIM

PASQYRIM I RRJEDHAVE TË POEZISË BASHKËKOHORE SHQIPTARE

Sinan Sadiku: “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare” – Botoi ShB “Beqir Musliu”, 2013.

Nga Faton MEHMETI

Në kohët e sotme kur kriza e vlerave ka kapluar shoqërinë tonë, në veçanti antivlerat në letërsi kanë marrë hov të madh, për sihariq Sinan Sadiku na vjen me një vepër paksa më ndryshe nga ato që botohen në ditët e sotme. Autori duke qenë i përkushtuar që të zbardhë sa më mirë rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe na sjellë veprën me titull “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”. Për ta shkruar veprën në fjalë atij si bazament kryesor i kanë shërbyer veprat “Strategjia e kuptimit” e Ibrahim Rugovës dhe “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe ( 1945-1980 )”, e Agim Vincës, por edhe librat e tjerë të këtyre dy kritikëve të cilat i plotësojnë dhe i kompletojnë vlerësimet e tyre. Megjithatë në krijimin e rendit të vlerave në poezinë bashkëkohore shqipe kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe njohësit e tjerë të kësaj poezie, qoftë përmes vështrimeve, analizave dhe studimeve, qoftë përmes hartimit të antologjive. Andaj Sadiku për ta dhënë një pasqyrë sa më të plotë në këtë fushë i shqyrton dhe analizon edhe vlerësimet e Sabri Hamitit, të Ali Aliut, Bashkim Kuçukut, Ali Podrimjes, Ismail Sylës, Xhemal Ahmetit, Ferdinand Lahollit dhe në fund të Robert Elsit. Sa ju përket vlerësimeve të Rugovës dhe të Vincës autori gjen edhe ngjashmëri e edhe dallime. Ngjashmëritë kanë ardhur në shprehje te vlerësimi i poezisë së etapës së parë, te vlerësimi i poezisë që është krijuar deri në vitet e gjashtëdhjeta. Edhe te vlerësimi i poezisë së brezit të viteve gjashtëdhjetë nuk ka dallime të mëdha. Megjithatë ato vijnë në shprehje te vlerësimi i krijimtarisë së Din Mehmetit, krijimtarinë e të cilit më lart e vlerëson Vinca se sa Rugova. Dallime të mëdha midis këtyre dy njohësve dhe vlerësuesve të poezisë kanë ardhur në shprehje te vlerësimi i krijimtarisë poetike të poetëve që janë shfaqur apo afirmuar gjatë viteve të shtatëdhjeta. Fjala është për krijimtarinë e Sabri Hamitit, Eqrem Bashës, Beqir Musliut, Musa Ramadanit, Shaip Beqirit etj. Derisa Rugova këta poetë i konsideron më të mirët poetë bashkëkohorë shqiptarë, Vinca në krijimtarinë e tyre gjen shumë të meta, mangësi dhe mungesa artistike.

Sadiku në veprën e tij me objektivitet dhe maturi prezanton fakte dhe argumente për temën që e trajton, porse në raste të caktuara, kur studiuesit e poezisë e kanë tepruar me vlerësime subjektive, qofshin ato pozitive apo negative të ndikuara nga raportet e vlerësuesit me të vlerësuarin etj., ai nuk ngurron që me argumente ta vërtetojë dhe ta kundërshtojë një veprim të tillë.

Sadiku nuk e lë pa theksuar se tek antologjia e Agim Vincës “Muza e mëmëdheut” mungojnë poezitë e disa shkrimtarëve më në zë siç janë: Fahredin Gunga, Adem Gajtani, Teki Dervishi, Musa Ramadani, Eqrem Basha, Shaip Beqiri etj.

Autori brenda strukturës së tij studimore ndërton konceptin e përfshirjes së elementeve kryesore, të cilat e karakterizojnë letërsinë shqiptare, në veçanti poezinë bashkëkohore shqiptare.

Përveç paraqitjes së vlerësimeve nga autorët shqiptarë ai paraqet në formë trajtimi librin e botuar nga Robert Elsie “Historia e letërsisë shqiptare” ( 1997), të cilën e konsideron se është historia më e kompletuar e letërsisë shqiptare prej fillimit të saj e deri në vitin 1990. Sinan Sadiku në veprën e Robert Elsit paraqet vlerësimet për poezinë në Shqipëri në Kosovë dhe në diasporë, duke shkruar se integrimi i Shqipërisë në bllokun sovjet solli edhe modelet letrare sovjetike. Ndërsa tek letërsia në Kosovë, duket se ai e mbështet vlerësimin e Elsit “Letërsia e sotme e Kosovës është po aq dinamike sa edhe ajo e Shqipërisë, kurse për sa i përket larmisë dhe forcës shprehëse të poezisë së saj, shpesh ia kalon edhe tokës amë”.

Në pjesën e dytë të librit të titulluar “Poezia shqiptare e tri dekadave të fundit” autori shkruan për poezinë si përcjellëse e idealeve të lirisë dhe të humanizmit, për kultin e poezisë që ka ekzistuar veçmas gjatë viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar , për poezinë e viteve të nëntëdhjeta të shekullit XX dhe për poezinë e dekadës së parë të shekullit XXI, pastaj për kritikën letrare të tri dekadave të fundit, si dhe për ndryshimet që janë bërë në rendin e vlerave të poezisë bashkëkohore shqipe gjatë dy dekadave të fundit.

Sa i përket ndryshimit në rendin e vlerave të poezisë bashkëkohore shqipe gjatë dy dekadave të fundit autori thekson se rendit të parë, pra më të mirëve i janë bashkangjitur : Martin Camaj, Zef Zorba, Bilal Xhaferri, Mihal Hanxhari, Visar Zhiti dhe të rinjtë nga Shqipëria Agron Tufa, Ervin Hatibi, Luljeta Lleshanaku etj. Duke u bazuar në librat dhe shkrimet e njohësve të poezisë, pra të kritikëve më të njohur letrarë dhe të hartuesve të antologjive Sadiku thekson “Megjithatë ende në Shqipëri nuk ka mundur të lëkundet treshja e madhe, apo “triumvirati poetik”, siç i quan Vinca: Kadare – Agolli- Arapi. Këta ende janë poetët më të çmuar, më të vlerësuar të poezisë së sotme shqipe”.

Një letërsi me vlera të verifikuara dhe të pranuara nuk mund të jetë e tillë nëse nuk ka kritikë objektive . Sipas Sadikut personalitet letrare si Qosja, Rugova, Vinca, Hamiti, Aliu, Podrimja etj. kanë dëshmuar edhe aftësi e edhe guxim intelektual duke bërë vlerësime profesionale të krijimtarisë poetike të shkrimtarëve shqiptarë, disa nga të cilët i kanë kontribuar më shumë e disa më pak zhvillimit dhe pasurimit të poezisë së sotme shqipe.

Në pjesën e tretë të librit të titulluar “Sprova kritike” autori shkruan për librat: “Paqja e brishtë” të Sabit Rrustemit, “Ndrydhja e pikës K” të Nexhat Rexhës, “Matja e kohës së ndalur të Aziz Mustafës, “Zogu i Qyqes” të Baki Krasniqit, “Porta e hapur” të Fehmi Ajvazit, “Strehim i qenies” të Gani Sadikut, “Lutje të lagura” të Bilall Maliqit, “Perdja e diellit” të Arif Kutleshit dhe “Kufij kam në mes” të Shpresë Ajvazit. Shumica e poetëve për librat e të cilëve shkruan janë të së njëjtës trevë me autorin, pra të regjionit të Gjilanit. Për librin “ Paqja e brishtë” të Sabit Rrustemit, shkruan se është një vepër që në esencë të saj përmban portetretin e shqiptarit në rrjedhat e historisë. Për librin “Ndrydhja e pikës K” të Nexhat Rexhës, shkruan se përmes figurave letrare na e sjell atmosferën e dhunës e të tmerrit që ushtroi okupatori serb kundër popullit shqiptar. Temën patriotike e has tek vepra e dytë me poezi e autorit Baki Krasniqi “ Zogu i qyqes”. Në kërkim të motiveve Sadiku hulumton në mitologji e deri tek lirikat sociale që i has në librin “Lutje të lagura” të Bilall Maliqit, pastaj te lirikat e mirëfillta erotike të cilat i has në librin “Strehim i qenies” të Gani Sadikut dhe në numër më të vogël edhe te librat e tjerë.

Libri është shkruar me një gjuhë të qartë, të rrjedhshme dhe të saktë shkencore, me një gjuhë të pasur, e cila shoqërohet me gjithë atë gamë të materialit kritik, shkencor dhe letrar, ka një rrjedhë kronologjike përmes të cilës autori vë në pah mangësitë që e kanë shoqëruar poezinë shqiptare pas luftës së dytë botërore e këndej, duke mos harruar të përmend edhe vlerat që e kanë shoqëruar atë e që nuk janë të pakta.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora