E premte, 02.05.2025, 10:04 AM (GMT+1)

Faleminderit

Tomë Mrijaj: Nikollë Mrijaj (1911-1999)

E enjte, 12.12.2013, 09:31 PM


Nikollë Mrijaj (1911-1999) - intelektual, atdhetar e kuvendar i odave të burrave

Nga Tomë Mrijaj, New York

Fillimi shek. XX dhe fundi i tij, në analet e historisë së popullit tonë, kanë mbetur si ngjarje të rëndësishme të zgjimit të ndërgjegjës kombëtare, plot luftra e përpjekje të pareshtura për liri dhe pavarësi.

Ishte viti 1911, kur më 6 Prill, nacionalistët shqiptarë, të udhëhequr nga trimi i maleve kreshnike të Hotit e Grudës Dedë Gjon Luli, në majë të Bratilës së Deçiqit, ngritën flamurin e Gjergj Kastriotit, pas një robërie të gjatë 5 shekullore të kolonizatorëve osmanë.

Ngjarjet vijnë njëra mbas tjetrës. Kështu dy vjet më vonë, më 1913, Dardania e lashtë (sot Kosova), shkëputet nga trungu amë dhe trojet etnike shqiptare, do të copëtohen padrejtësisht, kur fëmija Nikollë, sapo kishte mësuar fjalët e para në gjuhën e nënës.

Këto ndjenja të thella atdhetare, ai do t’i marrë qysh në djep nga prindërit e tij të dashur babai Preni, një intelektual i shquar i kohës dhe nëna e tij Liza, të cilët sëbashku, vinin nga familje me një taban të hershëm me tradita të pasura kombëtare.

Atdhedashuria, që u munduan prindërit e Nikollës të kultivojnë me pasion tek i biri u ngulit thellë, që nga fëmijëria e hershme dhe deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, nga nata e gjatë e sketerrës së pushtuesve serbosllavë.

Mirëpo, asnjëherë nuk duhet harruar, se kjo ishte karakteristikë e të gjithë viseve shqiptare, të zonave, ku, historia është vulosur përmes grykës së ngrohtë të pushkës.

Ditët do të kalojnë, duke ia lënë vendin muajve dhe vitëve, që në kohë të ndryshme të kalendarit, kanë të gdhendur me gërma të arta emërat e shumë figurave të shquara të Lugut të Drinit, një pjesë e të cilëve i përkasin me dinjitet edhe familjes Mrijaj, gjatë rrjedhave të historisë, mbasi aty është derdhur gjaku i fatosave të lirisë, ku, është shkruar me pushkë në dorë lavdia dhe qendresa e pamposhtur heroike e shqiptarëve.

Gjatë kësaj periudhe hedh shtat edhe i riu enërgjik Nikolla, që është dëshmitar i shumë ngjarjeve në Rrafshin e Dukagjnit e më gjerë, të cilat, i ka mësuar në odat e burrave, mbasi babai i tij e merrte gjithkund pranë vetës.

Klika e egër e Beogradit, gjithnjë kërkonte ç’kombëtarizimin e Kosovës, kthimin e saj në një shtëpi të dytë për kolonët ardhacakë serbë.

Si në vegim, tek shfletoj faqet e dhimbshme të shkruar për martirët dardanë, më parakalojnë imazhet e mbijeteses së popullit tim, që mbi gjakun e bijve më të denjë, ka shkruar epopenë e lavdishme të historisë së saj, duke e merituar me të drejtë epitetin ‘Kosova martire’.

Kryetar komune mbas tetë vitesh…

Ajo që dua të theksoi, qysh në fillim, është fakti apo përputhja historike e moshës me besimin, që kishin vendasit, për t’i dhënë gjyshit në fillim, në moshën 20-vjeçare dhe më pas babait tim, po në këtë moshë, detyrën e lartë të Kryetarit të Komunës së Zllakuqanit.

Kësisoj, në moshën 20-vjeçare, pas tetë vitesh të kalimit në amëshim të babait të tij Prenit, detyrën zyrtare të gjyshit tim e vijon i biri Nikollë Mrijaj, duke qenë një nder më të rinjtë, në drejtim të Komunës së Zllakuqanit.

Për të riun, kishin filluar hallet dhe problemet e komunitetit të tij. Ai në moshë të re, i kishte qëndruar gjithnjë pranë të atit, në odën e burrave dhe përcjellë me shumë vemëndje bashkbisedimet me miqtë e tij.

Kësisoj nga babai Preni, im atë Nikolla, mësoi sekretet e punës me popullin, se si duhet të sillej, komunikonte dhe të respektonte përherë votën e sovranit, shqetësimet, brengat dhe gëzimet e bashkëfshatarave të tij.

Tashmë jeta e kishte pjekur para kohe, duke e burrëruar dhe fisnikëruar gjithnjë këtë njeri zemërbujar.

Nikolla fëmijë, hapat e para të dijes, do t’i marrë në shkollën e Kishës në Zllakuqan. Asokohe dyert e shkollës së parë shqipe, i kishte hapur meshtari françeskan, martiri Atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. (1873-1929) në vitin 1889.

Si mësues të parë, që për herë të parë e mësoi në gjuhën e nënës abc-në, shkrim e këndim, ka qenë françeskani i kulturuar Atë David Pepaj O.F.M.

Në vitin 1917, gjatë kohës, që vepronte në Kishën e Zllakuqanit, Atë Davidi, mblodhi si bleta punëtore fëmijët e fshatrave, për t’u mësuar me pasion dhe dashuri rrezet e dijës, në gjuhën e bukur të nënës me shkrim, këndim dhe historinë e popullit shqiptar, duke vijuar udhën e diturisë për femijët në shkollë, nën shembullin e intelektualit të shquar Atë Shtjefën Gjeçovi O.F.M.

Për dëshirën e madhe, që kishte babai im për shkollën dhe librat, që i ruante si sytë e ballit, këto vlera apo thesare të çmuara kombtare, kur mbaronte vitin shkollor, flet edhe libri i botuar kohët e fundit, me titull: “Famullia e Zllakuqanit” (1997), shkruar dhe botuar në 100-vjetorin e themelimit të saj nga meshtari Don Lush Sopi.

Kështu babai im, i kishte dhuruar mbas shumë dekadave, në vitin 1997 (përafërsisht mbas 90 vjetëve), Bibliotekës së Kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan, një relike shumë të çmuar, të cilin e kishte ruajtur me përkujdesje. Është fjala për një libër, që ai kishte mësuar asokohe, i cili, mban titullin: “Historija shejte” (Për Shkolla të Para të Shqypnis, Shkalla e Parë, Botimi i Tretë).

Për më shumë, në librin monografik të famullisë, shkruhet: “Libri “Historija e Shejte për Shkolla të Para të Shqypniës”, që është përdorur për nxënësit në besim feje, gjatë vitëve 1916-1919, në shkollat shqipe me mjaft kujdes edhe sot e kësaj dite e ruan nxënësi i Patër David Pepës, Nikollë Mrijaj nga Pataqani.” (Don Lush Sopi, “Famullia e Zllakuqanit” (1997, f.69)

Falë zgjuarësisë, urtësisë, aftësive intelektuale dhe zotësisë, për t’i zgjidhur me kujdes hallet dhe shqetësimet e banorëve, ku, ai punoi me përkushtim, kujtoi se babai im gjatë jetës së tij, punoi si nëpunës në disa komuna, si: Zllakuqan, Gurrakoc, Istogu (Burimi) dhe Klinë.

Partia Komuniste Jugosllave e dënoi tre herë me burgim për shkak, se ai nuk iu bind asnjëherë urdhërave të tyre dhe për ketë disa herë ia morën librezën e partisë. Për herë të fundit, është dënuar, kur ai kryente detyrën e sekretarit dhe arkëtarit, në një sipërmarrje komunale të komunës së Klinës me drejtor asokohe Millan Bashanoviqi.

Baba im, asnjëherë nuk e deshti këtë librezë dhe bënë shumë mirë, që ia morën, për të mos ia kthyer më.

Sipas një shkrimi të gazetës “Politika” e Beogradit, të vitit 1939, shënohet, se një delegacion shqiptar nga Lugu i Drinit të kryesuar nga Patër Tomë Xhaja, sëbashku, me Nikollë Mrijaj, Adem Dushin (i cili, ishte deputet në Parlamentin e ish Jugosllavisë), Llesh Gjon Lleshi, Ukë Sahiti, Ukë Paloka, Mark Duhani, Mark Përgjoka dhe Mark Laska, u takuan në Beograd me Kryeministrin Dr. Vllatko Maçek. Ky delegacion, kishte ngritur zërin e protestës, kundër kolonizimit serb e malazias në këto treva dhe për reformën e përfolur agrare.

Procesi i gjatë e i gjërë i kolonizimit të trojeve shqiptare, mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (1918), kur nisi të formohet shteti jugosllav, filloi sërisht faza e kolonizmit me hapa të përshpejtuara agresive, nën maskën e të ashtëquajturës Reforma Agrare. (Jusuf Osmani, “Lënda arkivore për kolonizmin dhe reformën agrare në Kosovë”, 1996).

Sikurse dihet asokohe, qëllimi kryesor ishte të bëhet ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë së pastër të Kosovës.

Im atë, me bashkëvendasit dhe idealistët atdhetare asokohe, luftoi shumë, për të ruajtur vlerat e pastra kombëtare, të shprehura në shumë drejtime të aktivitetit të tij patriotik edhe kur ishte funksionar në zyrat e pushtetit lokal, kudo, ku, ai punoi me përkushtim gjatë gjithë kohës së tij.

Dihet se qysh nga viti 1912 në Kosovë, filloi zbatimi i projekteve raciste kundërshqipatare apo planeve sllavizuese hap pas hapi, për të bërë kësisoj realitet ëndrrën e Serbisë së Madhe, të projektuar nga Vaso Çubralloviç, Ilia Garashanini, e shumë shovinistë ekstremist të tjerë serb, që janë disa nga autorët e platformës së politikës serbe, për shfarosjen dhe fshirjen nga harta e Ballkanit të trojeve shqiptare dardane...

Nikollë Mrijaj e Adem Dushi takohen në Tiranë me Ministrin e Arsimit Prof. Ernest Koliqin

Nga fundi i vitit 1940, një delegacion nga Lugu i Drinit, i kryesuar nga babai im Nikollë Mrijaj, me mikun e tij të pandashëm në idealet kombëtare (aktivisti patriot ish kryetar i Komunës në Zllakuqan) Adem Dushi, me disa bashkëvendas të tjerë, si: Llesh Gjon Lleshi, Mark Duhani, Zef Cub Përnoka, Mark Përgjoka, Mark Lasken etj., u gjenden në Tiranë, në zyrën e Ministrit të Arsimit shkrimtarit Prof. Ernest Koliqit, ku, kërkuan gjatë bashkëbisedimit, që t’u dërgojnë sa më shpejt, që të jetë e mundur në Kosovë arsimtarë, për të mësuar shkrim e këndim, mbasi politika sllavizuese e Beogradit, për ç’kombëtarizimin e vendasve autokton ishte shumë e madhe.

Atdheu ynë, kishte shumë nevoj, që bijtë të vijonin të flisnin gjuhën shqipe, e cila gjendej gjithnjë përballë presionit dhe asimilimit të egër të gjuhës cirilike sllave.

Pas takimit shumë të rëndësishëm, menjëherë Prof. Ernest Koliqi, me cilësinë e Ministrit të Kulturës dhe Arsimit, dërgoi Akademik Prof. Rexhep Krasniqin, Mati Logoreci, Prof. Ahmet Gashi, sëbashku me shumë profesorë dhe arsimtarë të tjerë nga qyteti i Shkodrës dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë, që iu përgjigjen njëzëri thirrjes kombëtare të Ministrit.

Mendohet, se të kësaj periudhe janë edhe hapja e mbi 200 shkollave në gjuhën shqipe në Kosovë, ku, dominon shumë kontributi i intelektualëve nga qyteti i Shkodrës.

Sot, mbas shumë dekadave, duke rikujtuar ngjarje dhe data nga mesi i shek. XX, natyrshëm lind pyetja e drejtë:

Cili ishte shkaku i udhëtimit të delegacionit nga Lugu i Drinit për në kryeqytetin e shtetit amë në vjeshtën e vitit 1940!?

Para disa viteve zbardha dhe botova në organet e shtypit në vendlindje dhe diasporë një tregim të Prof. Dr. Rexhep Krasniqit, rrëfyer në zyrën e Komitetit “Shqipnia e Lirë” në Manhattan New York.

Kështu në vitin 1982, pas përfundimit me sukses të Kogresit III të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1982), ku, u zgjodh kryesia e re, dhe unë u zgjodha Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes III të Prizrenit në mërgim, me zyrat e saj qendrore në New York, SHBA.

Edhe para Kongresit në fjalë dhe më pas sëbashku me Kryetarin e Lidhjes III të Prizrenit, aktivistin e palodhur të çështjes kombëtare, pinjollin e familjes së Ukë Sadik Ramë Gjurgjevikut të famshëm, Ismet Berisha, rregullisht dy herë në javë, jemi këshilluar me Profesor Krasniqin, në zyrën e mirënjohur të Komitetit “Shqipnia e Lirë”, për mirëvatjen e punës së organizatës patriotike gjithëkombëtare.

Kësaj radhë, ndryshe nga rastet e tjera, personaliteti i shquar Prof. Krasniqi, u ngrit në këmbë dhe me shumë ngrohtësi më uroj detyrën e re, mbasi isha më i riu emigrant nga Kosova, që kisha arritur të nderohem në këtë mision fisnik, në shërbim të kombit dhe Atdheut tim të dashur.

Gjatë bisedës së ngrohtë dhe miqësore të zhvilluar atë ditë, ndër të tjera, më tha, se:

“Mbiemëri Mrijaj, më kujton një kohë kujtimesh të kaluara plot nostalgji. Si sot e kam parasysh, ardhjen e një delegacioni nga Kosova në Tiranë.

Asokohe, unë gjendesha në zyrën e Ministritit të Arsimit dhe Kulturës Prof. Ernest Koliqit. Ministri, pjesën e madhe të kohës qëndronte në këmbë. Ai ecte i qetë dhe bisedonte me miqtë, që i kishte në zyrë.

Profesori, kishte shumë dëshirë të sodiste natyrën e bukur në dritare, në kohën me diell apo kur fillonte rënia e flokëve të para të dëborës…, duke medituar dhe marrë përherë frymëzim, për shkrimet, veprat e tij letrare dhe kritike. Ishte shumë i ndjeshëm, ndaj nënës natyre...

Ai, po vështronte me endje një grup njërëzish të panjohur malësorë, të veshur me kostume shumëngjyrëshe kombëtare, që gjendeshin në oborrin e Ministrisë. Disi papritur, Ministri, kthehet nga unë dhe më thotë: “I shikon ato njerëz atje në oborr, të lutem shumë, shko takohu përzemërsisht dhe pyeti nga janë dhe për çfarë po presin!?”

Menjëherë u gjenda para tyre, ku në bisedë e sipër më treguan, se ishte një delegacion i ardhur nga Kosova dhe presin të takohen me Ministrin e Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj. Mbasi u ktheva në zyrë, e njoftova Ministrin Prof. Koliqin, të cilit i thashë, se ata ishin një delagacion i përzgjdhur burrash të mirënjohur nga Lugu i Drinit Kosovë.

Pasi më dëgjoi me vëmendje, sërisht me tha: “Të lutëm shumë Rexhep, thuaju të porsardhurve, nëse kanë mundësi, që të vijnë të gjithë për një vizitë në zyrën time, se kam shumë dëshirë t’i takoi dhe të zhvilloi bisedë me ato burra fisnik nga Kosova. Unë e kam dashur dhe e dua shumë Kosovën, sepse ka nxjerrë trima të njohur të pushkës dhe pendës.

Delegacioni i Lugut të Drinit, pranoi me shumë kënaqësi të takohet me Ministrin e Kulturës. Ai, pasi u uroi mirëseardhjen në zyrën e tij, i ftoi të uleshin. Profesori, njihte shumë mirë traditat shqiptare dhe zakonet e trevave të ndryshme të Kosovës, ç’ka la një përshtypje shumë të mirë tek delegacioni.”

Shkrimtari i shquar, i pyeti një nga një për emërin e çdo përfaqsuesi nga Kosova dhe më pas u zhvillua një bisedë e ngrohtë dhe mbrësëlënëse, e cila u ruajt thellë në kujtesën e çdo anëtari të delegacionit.

Në bisedë e sipër, Ministri ishte i interesuar të dinte, si ishte gjendja e arsimit dhe shkollave shqipe në Kosovë dhe në krahinën nga ata kishin ardhur. Delegacioni i bëri Ministriti të Kulturës një panoramë, mbi gjendjen e mjeruar të arsimit në Kosovë, mungesën totale të shkollave dhe mësimdhënesve në gjuhën shqipe…

Tek flisnin, duke përshkruar gjendjen e shkollave dhe arsimit, Prof. Koliqi (i cili, po i dëgjonte me shumë vemendje dhe dhimbje), filloi të skuqej, për situatën e rëndë, ku, serbët e kishin lënë arsimin dhe shkollën shqipe në Dardani…

“Këtë përshtypje shumë të mirë, ato ma pohuan mua, kur i përcolla deri tek hoteli i qytetit. Para se të largohen nga zyra, Ministri Prof. Koliqi, u tha, që të qëndrojnë si mysafirë të nderuar në Tiranë. Ai i sqaroj të pranishmit, se Ministri i Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj, nuk është sot këtu, sepse ka udhëtuar për një punë me shumë rëndësi në qytetin e Shkodrës. Ju sado që të rrini në Shqipëri, i keni të gjithë shpenzimet e paguara nga Ministria.”, tregon Prof. Krasniqi.

Mbasi i përcolli të gjithë pjesëtarët e delegacionit nga Kosova, Akademiku Prof. Rexhep Krasniqi (1906-1998), u kthye në zyre tek Prof. Koliqi, ku, menjëherë u zhvillua kjo bisedë interesante:

“I nderuari Krasniqi, i dëgjuat me kujdes si ishte gjendja e arsimit në Kosovë?! Unë pohova, se gjendja e shkollave është në një nivel të lartë analfabetizmi, mbasi Serbia, asnjëherë nuk ka qenë e interesuar për të shkolluar fëmijët dhe rininë tonë.

Që nga ky moment z. Krasniqi, ju jeni i ngarkuar me një detyrë të re apo mision fisnik shumë të rëndësishme, si Komisar i Lartë i Shkollave Shqipe në Kosovë (Ministër)…

Ishte një gëzim i madh për mua. Gjatë asaj vjeshte e dimëri, udhëtuam në Kosovë disa herë, për t’u njohur për sëafërmi me gjendjen e arsimit dhe përgatitur në të ardhmen për vitin shkollor…”

I zhytur thellë në kujtime të shkuara Drejtori i Arsimit të Mesëm, pranë Ministrisë së Arsimit në Shqipëri Prof. Krasniqi, ktheu vështrimin sërisht nga unë dhe më tha:

“Më kujtohet shumë mirë ky mbiemër Mrijaj. Si tani e kam parasysh atë burrë, në krye të delegacionit nga Kosova Nikollë Mrijajn, një kosovar i pashëm dhe fisnik në shpirt, i cili, sikurse mësova nga antarët e delegacionit, ai ishte i nderuar dhe respektuar nga të gjithë dhe gëzonte autoritet, si: në Kosovë, Mirditë, Shkodër etj...”

Mbasi e lashë të fliste për disa çaste, me modesti i thashë, se burri që ju përshkruat me shumë respekt është babai im.

Ish n/Kryetar i Lidhjes II të Prizrenit (në Prizren Kosovë), Profesor Krasniqi, i cili, më dëgjoi me shumë vemendje dhe habi, u ngrit menjëherë në këmbë nga vendi, ku, ishte ulur m’u afrua dhe me një buzëqeshje çiltërsie, më përqafoi ngrohtësisht, duke më uruar në të njëjtën kohë për detyrën e re, si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së III të Prizrenit (1962), mbas përfundimit të punimeve të Kongresi III (New York, 1982), që u mbajt në diasporë…

Para se të largohem nga zyra e Akademikut të parë shqiptar (që ka marrë gradën Akademik, për çështjen e Kosovës dhe posaçërisht për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në Universitetin e Vjenës (Austri), shënimi im T.M.) Prof. Rexhep Krasniqit, i thashë, se babai im këto ditë vjen nga Kosova, për vizitë dhe do t’a sjell patjetër, që të takohet me ju.

Personalitetit të shquar të diasporës shqiptare Profesor Krasniqit, i qeshën sytë dhe pashë se ishte shumë i gëzuar nga lajmi që i dhashë. Ai më tha, se ka shumë dëshirë të takohet me babain tim (Nikollë Mrijaj), sepse ruan kujtime për kohë të shkuara dhe për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, nën pushtimin mizor të kolonizatorëve serb.

Mbas pak ditësh mbërriti babai im në Amerikë. Ditën e tretë u gjenda në zyrën e ish Ministrit të Arsimit në Shqipëri Profesor Rexhep Krasniqit. Porsa hymë brenda, Profesori i buzëqeshur, u ngrit në këmbë dhe përqafoi mikun e vjetër, ku, i tha babait, se: “Të vetmin ndryshim në ju e shoh nga ajo ditë e largët vetëm në zbardhjen e flokëve…”

Në bisedë e sipër, ish drejtori i Gjimnazit të Parë të Shkollës në Gjuhën Shqipe në Prishtinë, gjakovari Profesor Krasniqi, shtoi: “Ardhja e juaj ishte dita më e madhe e gëzimit dhe karrierës time. Tashmë vdes me gëzimin, se i shërbeva Kosovës time nga e cila kam ardhur edhe unë…”

Ai, ishte një kundërkomunist e kundërserb i vendosur. Kështu, më sa më ka treguar edhe ai vetë, se në vitin 1956, thirret nga Ministria e Jashtme Amerikane, për të marrë pjesë në riorganizimin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”.

Për më shumë, për herë të pare, atë ditë, mësova se Prof. Krasniqi vjen nga familja e famshme e patriotit të madh Bajram Currit. Mbas bisedës së ngrohtë, Profesori, më dha adresën e restorantit në Flashing (Queens, NY), ku, na ftoi në darkë…

Një darkë e paharruar

Rreth orës 7:00 të darkës, me babain tim dhe Kryetarin e Lidhjes së Prizrenit Ismet Ukë Berishën, u gjendëm në vendin e caktuar. Por sa hymë brenda, pamë se kishin ardhur para nesh dhe gjendeshin në restorant, burrat e mëdhenj, si lisat e bjeshkëve tona: Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku dhe Prof. Rexhep Krasniqi, ndërsa pak kohë më vonë erdhi mes nesh edhe meshtari i dashur i komunitetit tonë, patrioti dhe lideri shpirtëror, themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë, shkrimtari Mons. Dr. Zef Oroshi.

Bisedat e personaliteteve të botës shqiptare në diasporë, ishin shumë interesante, sidomos për mua, që isha më i riu në këtë kuvend burrash të shquar, të komunitetit shqiptaro-amerikanë.

Babai im, ndjehej si në shtëpinë e vet, mes miqve të tij të dashur. Kanë qenë momentet më të bukura të jetës së tij, të cilat, i përmendte me nostalgji, sa herë që binte biseda, për çdo njerin prej tyre. Pyetje të ndryshme për Kosovën, iu drejtuan babait atë natë të paharruar...

Mons. Oroshi, ishte shumë i përqendruar në përgjigjet e babait dhe përshkrimet e tij. Ai i tha, se i dukej si fytyrë e njohur, që e kishte parë dikund në Kosovë, duke sjellë detaje.

“Më kujtohet, vijoi Mons. Oroshi, se kur u arratisa nga Shqipëria dhe dola në Kosovë, më quan në Spitalin e Mitrovicës, mbasi kisha marrë një plagë në fyt, në përpjekje për t’i shpëtuar forcave komuniste të ndjekjes së Sigurimit. Mbas dy ditësh, pashë pranë krevatit tim, një frat dhe dy burra të veshur me veshje tradicionale popullore vendase. Njëri nga ata dy burrat, më duket keni qenë ju Nikollë!?”

Babai, u mundua të risjellë në kujtesë këtë episode dhe mbas disa minutash i tha, se i kujtohet shumë mirë ky rast. Kishim dëgjuar asokohe, se një meshtar katolik ishte arratisur nga Mirdita, i cili, gjatë udhëtimit kishte marrë një plagë dhe na thanë se gjendet në Spitalin e Mitrovicës.

Im atë shtoi, se sëbashku me Pader Tomën dhe Mark Përgjokën, u nisëm për t’a vizituar meshtarin e plagosur në spital. Babai, u gëzua shumë, që ai prifti, që kishin vizituar dikur në qendrën shëndetsore të Mitrovicës, kishte shpëtuar dhe sot është mik e kumbarë i nderuar dhe respektuar i familjes tonë.

Kur e pyetën babain, për delegacionin nga Kosova në Tiranë, ai tregoi në detaje qëllimin e vizitës me Ministrinë e Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj.

“Ardhja dhe koha e qëndrimit të Italisë fashiste, për Kosovën dhe trojet e tjera etnike shqiptare, ishte shpëtim nga kthetrat kolonizuese të sllavizmit serb.

Tashmë, kufiri shqiptaro-shqiptarë ishte i hapur dhe shqiptarët, për herë të parë, që nga koha e ardhjes së pushtuesve serbë ishin të bashkuar në një shtet të vetëm etnik. Por nga ana e tjetër, në Kosovë, me partinë fashiste, filluan të rekrutohen shumë personalitete shqiptare.

Njeriu, që i rekrutonte ishte Pashuk Bibë Mirakaj, i vëllai i Kolë Bibës. Më vonë, Pashuku, mori edhe hapa të tjerë, ku, filluan menjëherë ankesat e popullatës së vendit.

Në zyrën time, vinin çdo ditë shumë ankesa pakënaqësie. Unë duke e ditur, se Pashuku kishte marrëdhënie shumë të mira me Gjokë Domgjonin, një mbrëmje sëbashku me Llesh Gjolleshin dhe Adem Dushin, shkuam në shtëpinë e Gjokës, ku, i treguam për ankesat e vendasve, ndaj Pashukut. Gjoka, mu drejtua mua si një mik i shtëpisë. Nikollë mirë se keni ardhur! Ju e njihni shumë mirë Pashukun. E vetmja rrugë, për t’i ndalur hovin atij, është që ju të shkoni në Tiranë, tek i vëllai Kola. Gjatë rrugës e diskutuam me Ademin, i cili, ra dakord, që të organizohemi me disa burra të zgjedhur të vendit për atë udhëtim.

Ademi, ishte një njeri bujar. Ai ishte shumë i pasur dhe e donte shumë vendin dhe banorët, për hir të së cilëve u rikthye nga emigracioni i largët (Siria) në vendlindje. Si humanist, patriot dhe një njeri shumë i njohur në odat e burrave, i mori përsipër shpenzimet e udhëtimit.

Nga ana e tjetër, atij i interesonte të dinte më shumë për shtetin amë, kryeqytetin e vendit, politikën, ekonominë, kulturën, traditat e njërëzve dhe zonave, që ai nuk i kishte shkelur më parë. U bashkuam në ditën e caktuar 8 vetë dhe dy shoferët, që i kishte caktuar Ademi, për të drejtuar makinat ushtarake, të përshtatshme për zonat malore, me të cilat, do të bëhej udhëtimi deri në Tiranë.

Sa mbërritëm në kryeqytet, ndodhi ajo që tha sot Akademik Profesor Dr. Rexhep Krasniqi, në zyrën e tij. Ne po prisnim në oborr, kur erdhi Prof. Krasniqi, na takoi dhe na ftoi të takohemi me Ministrin e Kulturës Koliqin, i cili, kishte shprehur dëshirën të takohej me delegacionin tonë. Në fund të takimin të ngrohtë dhe tepër miqsorë, ai na premtoi, se viti i ardhshëm do të jetë një vit i mbarë, për arsimin në Kosovë. Dhe ashtu ndodhi. Profesor Koliqi e mbajti fjalën…

Të nesermen, në hotel na njoftuan, se Ministri i Mbrendshëm ishte kthyer nga Shkodra dhe na pret. Kështu në mirëkuptim me të tjerët u vendos, që unë, Adem Dushi dhe Llesh Gjon Lleshi të shkojmë në zyrën e tij.

Sa hymë Brenda, Ministri, na priti me shumë përzemërsi. Unë fillova për t’i treguar, për qëllimin e udhëtimit dhe vizitës, por Kola, më ndaloi pa e kryer bisedën. Ai, na tha: “Delegacioni i juaj, ka marrë emër të mirë. Në faqet e gazetave, sot shkruhet, se një delegacion nga Lugu i Drinit (Kosovë), u takua me Ministrin e Kulturës dhe Arsimit Prof. Ernest Koliqin, ku, kërkonin hapjen e shkollave në gjuhën shqipe…”

Shqetësimet, që më thatë mua për Pashukun, mos i diskutoni më, se kjo punë është e kryer. Unë, do të flas menjëherë me Pashukun, për ankesat mëse të drejta tuajat… Por, unë e di, se ju keni dëshirë me vizitu Kapidanin e Mirditës Gjon Markagjonin, në kullën e tij në Shkodër. Unë u jap përcjellësin dhe e lajmëroi Kapidanin, që t’u pret ju si delegacion. Kështu u plotësua edhe një dëshirë e madhe e jona…”

Vijon…



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx