Faleminderit
Ndue Dedaj: Ndue Shyti - Mbreti i çiftelisë shqiptare
E marte, 03.12.2013, 07:23 PM
NDUE SHYTI, MBRETI I ÇIFTELISË SHQIPTARE
- “Artisti i Popullit” së fundi mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” –
NGA NDUE
DEDAJ
Ndodh që shihesh shumë vonë me njerëz që je nisur për t’u takuar qysh herët. Kështu na ka ndodhur me “Artistin e Popullit” Ndue Shyti, dekoruar së fundi me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Mund të ishte ky rast shtysa për të udhëtuar drejt tij, por dhe mosha rreth të 80-ave e artistit, apo “pengu” i mbetur prej vitesh. Nëse për Moxartin është thënë se ai ishte vetë muzika, për Ndue Shytin mund të thuhet se ai simfoninë e tij muzikore e krijoi vetëm me çiftelinë me dy tela prej drurit të manit dhe bilbilin prej gështenjë. Dy tela aq të thjeshtë mjaftuan për të ndezur “llampën” e tij melodike përjetësisht të pashuar.
I
trokitem në portën e shtëpisë së bashku me studiuesin nga treva e tij Mark
Mesuli, shkrimtarin Salvador Gjeçi, publicistin Gjon Marku, që do t’i merrte
dhe një intervistë mjeshtrit për një libër në proces. Nuk udhëtuam drejt
Gojanit, aty ku është kulla e vjetër e Ndue Shytit, por drejt qytetit të Durrësit,
ku ai banon në një vilë private, larg flladit të pishave të Munellës, Suçelit e
Terbunit, por pranë valëve të detit. Flasim për rreth tre orë me Nduen, buzagaz
e mirësjellshëm dhe në fund ai ngrihet për të bërë disa fotografi me ne, dhe se
ka mbi dhjetë vite me paralizë në këmbë. Vërtet që këtë fillim nëntori jemi ne
miq në shtëpinë e tij, por më parë kanë qenë dhe muzikologia e njohur Sabrie
Nushi, Esat Ruka, Sulejman Sula, Fran Vukaj, që pak kohë më parë realizuan një emision
kushtuar atij në TVSH, apo Riza Tafilaku që ka botuar një libër kushtuar tij.
Ndue Shyti ka 60 vjet në Radio dhe Televizion me pjesët e tij instrumentale. Në koleksionin e tij ka 17 çmime, urdhëra e medalje kombëtare e ndërkombëtare dhe 4 çmime lokale, teksa ai vetë tashmë është një çmim, pasi për instrumentistët popullorë ka disa vite që jepet Çmimi “Ndue Shyti”. Alfabeti i çiftelisë ishte prej kohësh, si dhe “fjalët” e saj, nëse mund t’i quajmë kështu në mënyrë të figurshme meloditë, por ai me talentin e pashoq krijoi gjuhën e kësaj vegle, i dha dyzenit pasaportën ndërkombëtare perëndimore. Ai e përfshiu çiftelinë e trojeve mirditore në një familje të tërë veglash muzikore moderne, që deri atëherë nuk e kishin përfillur, madje duke e vënë atë në krye të herës e duke krijuar njëlloj polifonie orkestrale të Veriut. Atëbotë e mbrapa çiftelia do të ishte dhe ajo e para, parakja e traditës, që do të binte e vetme në oda dasmash, por dhe kryesuesja e një formacioni orkestral prej një dyzine veglash. Dhe e gjitha kjo ndodhte në shekullin e shkëlqimit të folklorit, po dhe të rënies së tij.
Biseda me Nduen nuk ka protokoll, madje ai nuk “bindet” kollaj hullisë nga duan ta çojnë pyetjet e gazetarit, do që t’i marrë gjerat shtruar e me rend si në kuvendet e Mirditës. Nga njerëzit e politikës, si demokrat i thekur që është, përmend Sali Berishën, jo vetëm si mjek që i ka shëruar zemrën, por dhe si politikan, Azem Hajdarin, por dhe Rexhep Mejdanin, që e ka takuar në Pukë në një veprimtari kulturore. Lavdëron fort Mark Mesulin, me të cilin ai thotë se njihemi pa qenë partitë, si të thuash përtej politikës. “Ka qenë kryetar i komunës së Gjegjanit në vitet 2000, kur erdhi në shtëpinë time, nuk e këqyri që unë isha demokrat. Marku më ka ardhur dhe në fatkeqësi, prandaj në anën njerëzore më asht tregue vëlla e shkue vëllaut. Ndihem i nderuar se gjithnjë vlerësimin e kam marrë vetëm prej artit…”
Mrekullia
e “simfonisë me dy tela”
Ndue
Shyti ka lindur me 10 shtator 1934 dhe qysh fëmijë ai i binte çiftelisë në vendlindjen
e tij në Gojan, buzë Fanit të Madh, pa e shkuar nëpër mend se vegla me dy tela
do ta bënte një nga artistët më të mëdhenj të kombit të vet.
Shyti vinte nga trevat e Prendush Gegës e Mat Dod Pepës, Gjin Shkozës e Tom Nikollës, Frrok Haxhisë e Fran Palit, Preng Koticës e Simon Beleshit, Fran Vorfit e Mark Nikollës, Nikoll Preçit e Gjergj Pacanit. Prej atyre trevave do të ligjëronin Dava Gjergji e Vitore Rusha, Zojë Pali e Vitore Matoshi. Rapsodia po shuhej, duke ia lënë vendin një këngë të re me mbrujtje qytetare. Ishin të huajt, që kur kishin parë në skenë vërshimin e 104 vetëve me çifteli në duar dhe me një laryshi veglash të tjera, e kishin quajt atë “simfonia me dy tela”. Mrekullia kishte ndodhur tashmë. Druri i manit kishte sfiduar për një çast drurin e ullirit, nëse mund të ishte ai një dru i shenjtëruar, apo të tjerë drurë kulte të njerëzimit.
“Paganini shqiptar i çiftelisë”
Çiftelia e tij e nisi udhën në vitet ’50, kur ai për herë të parë, pas fshatit të tij, i ra asaj në Durrës për vullnetarët e njërës nga hekurudhat që po ndërtohej. Ishte viti 1958 kur u ngjit në skenën folklorike të Pukës, ku dita-ditës aftësohej si interpretues dhe në pesë vegla të tjera muzikore, si sharkia, dy lloje bilbili, zumarja, fyelli, për të qenë një ditë krijuesi dhe dirigjuesi i orkestrës më të madhe të muzikës popullore në vend. Ai nuk përdorte partiturë, notat e tij ishin të shkruara në mëndje, njëlloj si doket e maleve. Ishte me fat pasi bota ende nuk kishte dalë nga muza e folklorit. Në vitin 1957 në Moskë Tom Nikolla mori “Medaljen e Artë” me një këngë, Gjin Shkoza “Medaljen e Argjendtë”, kurse shkëlqimi meteorik i çiftelisë, nën një emër të përveçëm, do të priste Francën e 15 viteve më pas.
Vitet ’60
institucionalizuan punën me folklorin dhe ai ka shumë mbresa nga ajo kohë. “
Ai beson se në Luvër gjendet një portret i tij, i bërë mbase nga ndonjë piktor... në Dizhonin e 70-s. Pse jo? A nuk janë atje dhe të tjetër “mbretër” të artit botëror si ai?
“Gjerdani i Artë” në Dizhon të Francës, kulmi i shkëlqimit të folkut shqiptar
Ai e rrëfen
pa pushim atë ngjarje madhore si të ketë ndodhur dje, një javë e
paharruar, 30 gusht - 4 shtator 1970 në Dizhon
të Francës. “Prej asaj dite kujtoj shumë gjera. Ka qenë dita ma e lumtun për
mue, po dhe për kombin tim. Unë kisha pjekurinë artistike të instrumentistit
dhe isha në kulmin e rinisë sime. Shqiptari e ka të veçantë krenarinë artistike,
o me ba ma të mirën, o, në rastin tim, me e thye çiftelinë. Dhe ia arrita. Kisha
ambicien artistike, po dhe dëshirën me e nderue Shqipninë. Programi na u
shkurtue në 15 minuta, vetëm katër numra, dy valle popullore të Besim Zeksthit,
një kangë e Ibrahim Tukiçit dhe melodia ime me çifteli. Mbasi u shkurtue
programi kam hy në skenë me një inat të madh, se më thanë me e shkurtue dhe unë
pjesën time. Unë e luajta shpejt dhe kështu e shkurtova!…” Ishte i mrekulluar
kur shihte që gjithë ajo skenë ishte nën pushtetin e tingujve të tij. E kishte
fituar betejën artistike në metropolin botëror të kulturës. Sa herë kishte thënë
me modesti e nderim se ai nuk do ta kishte arritur atë sukses po të mos kishte
qenë në duart e tij çiftelia e punuar nga Gjin Shkoza. “Nuk do ta arrija pa çiftelinë
e Gjinit. Nuk kishte çifteli ma të mirë se ajo. U ngrit kryetari i jurisë së festivalit
nga vendi ku ishte dhe tha: “Ju zini vend të parë në botë.” E megjithatë ai
kujton se francezët e këqyrën çiftelinë me shumë interes, po dhe me vërejtje, a
thua kishte përbrënda ndonjë zemrek, që i kurdiste ato meloditë e tij magjike. Por
nuk gjetën asnjë mekanizëm në trupin e saj, ajo ishte e lehtë pupël, pa asgjë të
huajin përbrenda. U grumbulluan rreth tij instrumentistë të njohur, laureatë nga
më të mirët e botës, të buzukut grek, bilbilit egjyptian, veglave popullore
spanjolle etj. Nuk ishte shaka, virtuozi shqiptar kishte marrë “Gjerdanin e Artë”
të festivalit të Dizhonit, që për kurreshtjen e lëxuesit peshonte 3 kg e 860
gram. Ia sillte vendit të tij si një trofe artistike të rrallë. Ishte ende herët,
por nuk do të vononin të tjera lajme shqiptare nga
Krijuesi i orkestrinës popullore me 104 instrumentistë
Ndue
Shyti nuk e mbajti çiftelinë për vete. Ishte një hop i paparë, që nga një rënës
monofonik tradicional i çiftelisë, qysh se kjo vegël ishte shpikur, te një “kompani”
çiftelirënësish, sa mezi i zinte skena. Kjo tregonte fuqinë që mund të kishte
ky instrument në dirigjimin e një mjeshtri si ai, që dikush e quan jo vetëm të përmasve
shqiptare, por dhe botërore. Dhe vërtetë nuk dimë të këtë patur një instrumentist të çiftelisë si ai, askund
ku ajo bie në Ballkan. Kulmin si orkestër e kemi arritë në një koncert në vitin
1979, ku numri i instrumentistëve shënoi rekordin 104 vetë, 6 prej tyre femra. “Më
pyeti Enver Hoxha si ke mujt me e ba një orkestër të tillë? Ndërhyni ministri i
Arsimit, Thoma Deliana e i tha: “E ka ba Ndoi vetë, me iniciativën e tij, pa asnjë
përkrahje.” Ai thotë se Mirdita artin e veglave muzikore e ka pas të varfër,
mezi baheshin një fyll e një çifteli bashkë, jo ma një orkestër me 13 vegla
popullore. Në orkestrinën e tij janë përdorur: çiftelia, fyelli, bilbili,
sharkia, lahuta, zumarja me dy pipa, gajdja, gjethja, daullja, fisarmonika,
kitara, çiftelitë e temperuara etj. Nuk ka qenë e çelur rruga e këtij artisti,
ai nga statusi social ishte thjeshtë një punëtor sharrash në fillimet, pastaj
instrumentist në pallatin e kulturës në Pukë për 28 vjet. Ai thotë se nuk
kishte ndonjë preferencë nga drejtuesit e Ansamblit të Shtetit për ta marrë me
vete, por si mjeshtër i çiftelisë që ishte bënte vetë vend në shfaqjet jashtë shtetit.
Ka dhënë koncert e ka luajtur pjesë instrumentale jo vetëm para publikut e udhëheqjes
së vendit në Tiranë, duke marrë disa herë përgëzimet e vetë të kreut të vendit,
por dhe para Mao Ce Dunit në
Folku
shqiptar është autentik në melodi, vegla, interpretim
Ndoi u bë zoti i çiftelisë. Thotë se ka qendruar 6 muaj pranë punishtes së mjeshtrit të njohur të punimit të çiftelive Marka Zef Përshefa në Bisakë (Fani Vogël) të Mirditës, si me thënë për t’iu vënë “notat” muzikore atyre. Gjithë “fisi” Përshqefa ishte çiftelibërës, traditë që e vazhdojnë dhe sot. Çiftelia ka kupën dhe kunjat prej drurit të manit, kapakun prej bredhi, bishtin prej ahu dhe “shkamin” ku mbështetën telat prej bronzi. Sigla “M. Z. Përshefa” mbi çiftelitë e gdhendura mjeshtërisht nga ustai i tyre, jo vetëm qe ngjitur në skenat shqiptare të folkut në Gjirokastër e kudo, por pati shtegtuar dhe jashtë shtetit si dhuratë. Në vitet ’80 në Shkodër studentët kosovarë që kishin mundur të vinin për vizitë në ILP, të parën gjë që kërkonin në “Pazar” ishte çiftelia e këngëve patriotike.
Ndoi ngulmon në mrekullinë e çiftelisë, bilbilit, zumareve, duke sjellë gjithnjë shembuj. “Ja, ansambli “Puka” pas 90-s zuri vend të parë në Europë, me vegla të bamë nga duart tona, me melodi të trevave tona, me interpretimin tonë autentik shqiptar.” Nuk është për t’u habitur që ai gjatë gjithë bisedës ka aq shumë stacione në Europë, ku ka shkelur folku shqiptar dhe ai si një zë i shkëlqyer i tij. I ka qëlluar t’i këputet njëri tel i çiftelisë me 1974 në Turqi, por melodia nuk është këputur. “U këput teli kryesor, po e çova melodinë në fund me telin tjetër.” Atij i krijonin tinguj jo telat dhe druri i manit, por gishtat, “telat” e shpirtit. Dritan Haxhia, biri i mikut dhe kolegut të tij, rapsodit të mirënjohur Frrok Haxhia, shkruan: “Kjo trashëgimi interpretimi dhe tingulli e ka ngritur Ndue Shytin, ka mote, në lartësitë ku vetëm shqiponjat ngjiten. E, pra, ai është një “shqiponjë” që gjithçka e shikon nga lart. Vetë tingulli i instrumenteve të tij është hyjnor, origjinal, i shkrirë me natyrën, që të sjell një frymëmarrje prej bjeshkëve të Mirditës ku ky artist i madh burimor, “autodidakt”, na sillte sa herë prekte telat e çiftelisë, apo fyellin? dhe bilbilin, zumaren dhe gjethen.”
E pyesim Nduen rreth konceptit që ai ka për rapsodin. Rapsod i mirëfilltë, thotë ai, është ai që e krijon, e shoqëron me vegël muzikore dhe e këndon këngën. Por dhe ai që kryen vetëm njërin nga funksionet, ose e krijon këngën (tekst e melodi), ose vetëm e këndon atë. Unë quhem instrumentist, por mund të quhem dhe rapsod, pasi unë krijoj meloditë foklorike me çifteli, bilbil etj. Kam krijue 13 pjesë instrumentale dhe disa këngë. E pyesim dhe për krahinën nga rrjedh e ai thotë: “Për mue gjaja ma e madhe që ka pas Mirdita ishte se kur fliste njani, të gjithë të tjerët mbanin vesh. Jo veç Mirdita, po krejt Shqipnia kështu e ka pas zakon. Por tani gjerat nuk janë më si dikur, habitesh kur djali ia pret fjalën babës, vëllai i vogël vëllait të madh, shoqi mikut e kështu me radhë.
Rri e dëgjon këtë mjeshtër, në shtëpinë e tij, tash që është në kohën e tij të kujtimeve, dhe thua me vete: mbase Festivali i Gjirokastës do të kishte qenë e udhës të ishte zhvilluar jo me konkurim në bazë rrethesh, por të ansambleve të trevave, se po të marrim për shembull kulturën muzikore mirditore, ajo ishte e ndarë në disa ansamble muzikore, të Mirditës, Pukës, Shkodrës, Lezhës, Burrelit, Kurbinit etj. Ajo duhej të ishte e përfaqësuar vetëm nga një njësi të mirëfillta folklorike, ashtu dhe Luma, Malësia e Madhe, Rrafshi i Dukagjinit, Elbasani, Korça, Dibra, Myzeqeja, Labëria, Çamëria, Dropulli e çdo krahinë tjetër etnologjike, lë të ishin më shumë a më pak se 26 rrethet administrative të asaj kohe.