E premte, 02.05.2025, 12:23 AM (GMT+1)

Editorial

Ahmet Selmani: Dy kafka për Hashim Thaçin

E marte, 12.11.2013, 10:04 PM


Në shënjestër

DY KAFKA PËR HASHIM THAÇIN

Shkruan: Ahmet Selmani

Ai që vjedh popullin e tij, që vjedh votat e qytetarëve, që shpërlan paratë e këtij populli të varfër, asnjëherë nuk mund ta ndërtojë atdheun, as paqen, as lirinë. Atë nuk e vret ndëgjegja për atë që bën në mes të ditës. Në qoftë se dy kafkat e shqiptarëve, që psikopati serb i ka bërë llambadarë, një ditë i merren për t’u kthyer në Kosovë, së pari duhet t’ia çojnë Hashim Thaçit për t’i vendosur në dhomën e tij të gjumit. Ndoshta atëherë do t’i kujtohet pak se Kosova nuk ndërtohet ashtu, por ndryshe

Seç më bie ndër mend njëri nga filozofët e qindvjetshit XX i cili thotë se atdheun nuk e prishin armiqtë, por çlirimtarët. Ndonëse duket paradoksale dhe e shëmtuar kjo gjë, prapëseprapë, nuk është edhe për ta hedhur poshtë. Atëherë si mund ta ilustrojmë thënien në fjalë pikërisht me aktualitetin tonë?

Për shembull, le ta kujtojmë pak luftën e përgjakshme në Kosovë e cila ende është e freskët për ata që e përjetuan. Pa dyshim, ajo shpërtheu si rezultat i shtypjes së egër nga regjimi gjakatar i S. Millosheviqit. Dhe qysh në ato momente u definuan qartë rolet atyre që u përfshinë në të; pra në njërën anë qëndronin agresorët serbë dhe, në anën tjetër çlirimtarët shqiptarë. Sigurisht, në ato rrethana konfliktuale, po të na e përmendte dikush mendimin e mësipërm të filozofit, jo vetëm që kurrë nuk do ta besonte një gjë të tillë, por do t’i dukej edhe çmenduri. Por, ja që edhe koha e bën të vetën, ndryshon rrënjësisht duke i dhënë të drejtë filozofit në atë thënie aq fodulle.

E dimë fort mirë se, pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, të ashtuquajturit çlirimtarë ia mësynë turravrapthi gjithandej për të zaptuar sa më tepër që ishte e mundur, duke filluar që  nga banesat, shtëpitë, tokat, e deri te objektet e tjera me karakter shoqëror. Për të qenë paturpësia edhe më e madhe, ai që mbërrinte i pari aty e ngjiste një copë letër ose teneqe, duke e shkruar në mënyrë gjysmanalfabete: “Mos prek, pronë e UÇK-së".

Gjithsesi, është e dhimbshme ta thuash një gjë të tillë edhe pas kaq vitesh, por e vërteta vlen të rikujtohet sa herë që të jetë e nevojshme. Pikërisht këta njerëz, të stolisur me emblemën e çlirimtarëve të këtij vendi, duke plaçkitur pa fije turpi, rrahagjokseshin se kishin nisur ta ndërtonin Kosovën e lirë. Sado që gjithë kohën e lume angërdufeshin me të madhe se e kishin çliruar vendin e tyre, nga ana tjetër, të paktë ishin ata që u besonin, për të mos thënë edhe s’kishte asnjë të tillë. Me sa duket, çlirimin e Kosovës nga ana e tyre, nuk e besonin as vetë ata. Prandaj, duke qenë të kompleksuar nga kjo gjë, filluan gjithnjë e më shpesh të thoshin: “Ne e çliruam Kosovën”, “Ne e fituam luftën” etj. Por, me këtë tregoheshin aq të pacipë sa askund nuk e zinin ngoje as NATON-n e cila bëri namin me fuqinë e saj.

Mirëpo, në një vizitë të tij, ish presidenti amerikan, Bill Klinton, ju tha haptas: “Ne e bëmë luftën, ju bëjeni paqen”. Kështu, miti i çlirimtarit nisi të thërmohet sa çel e mbyll sytë. Porosia historike e B. Klintonit për ta bërë paqen, nuk ishte aq e lehtë për ta honepsur e pranuar, e lëre më për ta zbatuar në praktikë. Kjo për shkak se ta ndërtosh paqen, do të thotë ta bësh shtetin. E si mund ta ndërtonin atë duke vjedhur pa kurrfarë turpi?

Pikërisht të tillë ishin të ashtuquajturit çlirimtarë në krye me liderin e tyre Hashim Thaçi. Tanimë të gjithë e dimë se deri në ç’përmasa ka arritur grabitja e pashpirt e tyre. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se janë kredhur aq shumë në këtë baltë të ndytë, sa ia kanë zënë frymën zhvillimit të Kosovës dhe mirëqenies së popullit të saj, i cili nga dëshpërimi çdo ditë po ik duke kërkuar azil në shtetet perëndimore. Madje, mund të thuhet se çdo perspektivë të tij e kanë vrarë këta çlirimtarë që s’ngopen duke grabitur në çdo pëllëmbë. Brenda këtij paradoksi të shëmtuar, Hashim Thaçi si kryeministër, bashkë me rrethin e tij të ngushtë, kanë krijuar pozicionin e feudalëve të pamëshirshëm; ata kontrollojnë çdo biznes të mundshëm, shesin pa mëshirë pasurinë kombëtare, shpërlajnë para marramendëse. Bie fjala, vetëm për autostradën Suharekë - Prizren, sipas tyre, një kilometër rrugë ka kushtuar diçka mbi dhjetë milionë euro.

Me këtë sjellje të paparë shtazarake, janë tërbuar aq shumë, sa kanë harruar çdo gjë që ka të bëjë me realitetin. Mbi të gjitha, e kanë harruar popullin e përvuajtur të cilit ende i kullojnë gjak plagët dhe ende jeton me dhembje nga traumat e panumërta. Në vend se ky kryeministër t’i shërbejë denjësisht këtij populli hekakeq, sidomos t’u ndihmojë atyre që e kanë pësuar më keq gjatë luftës, ai noton haptas në ujërat e ndotura të bizneseve marramendëse të tij.

Megjithatë, ironia edhe më e madhe është kur historinë e përgjakshme të këtij populli po ia kujtojnë armiqtë e tij. Pra, kohëve të fundit, shtypi serb po sjell dëshmi tronditëse për masakrat dhe dhunimet e kryera nga serbët ndaj popullatës shqiptare.

Kështu, gjatë këtyre ditëve, Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi i ka akuzuar dy oficerë serbë, Pavle Gavriloviq dhe Rajko Kozlina, se më 25 mars 1999 kanë vrarë 27 qytetarë shqiptarë në afërsi të Suharekës. Për këtë krim ajo mbështetet në rrëfimet e dy dëshmitarëve serbë, D. M. dhe M. E., pjesëtarë të dikurshëm të ushtrisë të cilët kishin refuzuar urdhrin për t’i vrarë shqiptarët e pafajshëm.

Po ashtu, shtypi serb ia kujton mjaft mirë Hashim Thaçit se serbët kanë bërë edhe krime të të tjera të pafytyrueshme. Dhe, siç shkruan po ky i njëjti shtyp, një anëtar i Çetës së Pirotit ia kishte prerë kokën një shqiptari. Pastaj, me ditë të tëra e kishte zier në një tenxhere, duke ia hequr katër dhëmbë të florinjtë. Në fund, siç thuhet, kafkën e shqiptarit e kishte bërë llambadar. Mandej, të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me kokën e një gruaje shqiptare. Dhe tani pa kurrfarë frike thotë me tallje se në dhomën e tij e ka një çift.

Krahas këtyre dëshmive të frikshme, në vazhdim shtypi serb ia kujton Hashim Thaçit edhe shumë krime të tjera. Sipas tij, njëri nga dëshmitarët serbë, Sllobodan Stojanoviq, komandant i pensionuar, flet për qindra e qindra krime ndaj shqiptarëve; për vrasje foshnjash, fëmijësh, grash, pleqsh, të sëmurësh, të çmendurish, për plaçkitje, djegie, shkatërrime etj. Dhe pikërisht ky serb i guximshëm, në vitin 2000 i kishte dërguar një letër prej shtatë faqesh ministrit të brendshëm serb, Vlajko Stoilkoviq, duke e informuar për atë që kishte ndodhur, sado që përgjigje nuk kishte marrë asnjëherë. Pa dyshim, ky njeri i rrallë, jo vetëm që i quan kriminelë bashkëkombasit e vet që kishin bërë krime të tilla, por njëherësh i quan edhe sadistë, psikopatë, kanibalë etj.

S’do mend, nuk është vetëm kjo që mund t’ia kujtojë Hashim Thaçit se çfarë ka ndodhur në Kosovë me bashkëkombasit e tij, ka edhe shumë e shumë dëshmi të tjera tronditëse të cilat i sjell shtypi serb. Në këtë varg shumë të gjatë, ky shtyp sjell edhe dëshminë e serbit Lakiq Gjoroviq. Sipas këtij, për shkak të tmerreve që kanë bërë ndaj shqiptarëve, dy nga oficerët e tyre i paskan vrarë dy ushtarë serbë, sepse nuk kanë mundur t’i durojnë skenat makabre. Në këtë vazhdë tejet rrëqethëse, dëshmitarët e tillë sjellin edhe rrëfimin tronditës për dhunimin e 100 vajzave shqiptare, duke i ndarë nga turma dhe duke i dhunuar barbarisht në grup para prindërve të tyre. Këtu përmendet edhe një shqiptar që ishte në shërbim të serbëve, i cili e kishte rrëmbyer një vajzë 14 vjeçare dhe e kishte dhunuar mu para syve të familjes së saj.

Natyrisht, rrëfimi i këtillë nuk merr fund asnjëherë, është tepër i gjatë. Aq i gjatë sa nuk të mjafton një jetë e tërë për ta dëgjuar deri në fund.

Përballë kësaj, shtrohet pyetja: Çfarë ka bërë Hashim Thaçi për këta fatkeqë që s’dihet se ku kanë përfunduar? Çfarë ka bërë për familjarët e tyre që kanë mbetur gjallë? Çfarë ka bërë për ata njerëz që me vite të tëra para Qeverisë së Kosovës, me lot në sy, i kërkojnë kufomat e të dashurve të tyre? Asgjë, pikërisht asgjë, përveç biznesit të tij të ndytë që tanimë ka nxjerrë brirë të llahtarshëm. Jam i bindur se po t’i pyesësh ata fatkëqinj se ndaj kujt kanë repekt më të madh, pra ndaj serbëve që po sjellin dëshmi tronditëse, apo ndaj kleptokratit Hashim Thaçi, me siguri do të shpreheshin në favor të dëshmitarëve serbë.

E pra, duhet thënë me keqardhje se ky është i ashtuquajturi çlirimtar i Kosovës që ende po qëndron në karrigen e kryeministrit. Sipas filozofit të cituar më sipër, pikërisht ky është ai që e prish atdheun, dhe jo armiku i tij. Tanimë shqiptarët e kanë kuptuar këtë gjë më mirë se kurdoherë tjetër, ndaj po e ndëshkojnë thuajse çdo ditë në forma të ndryshme. Prej tij po ikin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë si Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj. E po ai që vjedh popullin e tij, që vjedh votat e qytetarëve, që shpërlan paratë e këtij populli të varfër, asnjëherë nuk mund ta ndërtojë atdheun, as paqen, as lirinë. Atë nuk e vret ndëgjegja për atë që bën në mes të ditës. Në qoftë se dy kafkat e shqiptarëve, që psikopati serb i ka bërë llambadarë, një ditë i merren për t’u kthyer në Kosovë, së pari duhet t’ia çojnë Hashim Thaçit për t’i vendosur në dhomën e tij të gjumit. Ndoshta atëherë do t’i kujtohet pak se Kosova nuk ndërtohet ashtu, por ndryshe.



(Vota: 13 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx