| E marte, 12.11.2013, 10:04 PM |
Në shënjestër
DY KAFKA PËR HASHIM THAÇIN
Shkruan: Ahmet Selmani
Ai që vjedh popullin e tij, që vjedh votat e qytetarëve, që shpërlan paratë e këtij populli të varfër, asnjëherë nuk mund ta ndërtojë atdheun, as paqen, as lirinë. Atë nuk e vret ndëgjegja për atë që bën në mes të ditës. Në qoftë se dy kafkat e shqiptarëve, që psikopati serb i ka bërë llambadarë, një ditë i merren për t’u kthyer në Kosovë, së pari duhet t’ia çojnë Hashim Thaçit për t’i vendosur në dhomën e tij të gjumit. Ndoshta atëherë do t’i kujtohet pak se Kosova nuk ndërtohet ashtu, por ndryshe
Seç më bie
ndër mend njëri nga filozofët e qindvjetshit XX i cili thotë se atdheun nuk e
prishin armiqtë, por çlirimtarët. Ndonëse duket paradoksale dhe e shëmtuar kjo
gjë, prapëseprapë, nuk është edhe për ta hedhur poshtë. Atëherë si mund ta
ilustrojmë thënien në fjalë pikërisht me aktualitetin tonë?
Për
shembull, le ta kujtojmë pak luftën e përgjakshme në Kosovë e cila ende është e
freskët për ata që e përjetuan. Pa dyshim, ajo shpërtheu si rezultat i shtypjes
së egër nga regjimi gjakatar i S. Millosheviqit. Dhe qysh në ato momente u
definuan qartë rolet atyre që u përfshinë në të; pra në njërën anë qëndronin
agresorët serbë dhe, në anën tjetër çlirimtarët shqiptarë. Sigurisht, në ato
rrethana konfliktuale, po të na e përmendte dikush mendimin e mësipërm të filozofit,
jo vetëm që kurrë nuk do ta besonte një gjë të tillë, por do t’i dukej edhe çmenduri.
Por, ja që edhe koha e bën të vetën, ndryshon rrënjësisht duke i dhënë të drejtë
filozofit në atë thënie aq fodulle.
E dimë fort
mirë se, pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, të ashtuquajturit çlirimtarë
ia mësynë turravrapthi gjithandej për të zaptuar sa më tepër që ishte e mundur,
duke filluar që nga banesat, shtëpitë,
tokat, e deri te objektet e tjera me karakter shoqëror. Për të qenë paturpësia
edhe më e madhe, ai që mbërrinte i pari aty e ngjiste një copë letër ose
teneqe, duke e shkruar në mënyrë gjysmanalfabete: “Mos prek, pronë e UÇK-së".
Gjithsesi,
është e dhimbshme ta thuash një gjë të tillë edhe pas kaq vitesh, por e vërteta
vlen të rikujtohet sa herë që të jetë e nevojshme. Pikërisht këta njerëz, të stolisur
me emblemën e çlirimtarëve të këtij vendi, duke plaçkitur pa fije turpi,
rrahagjokseshin se kishin nisur ta ndërtonin Kosovën e lirë. Sado që gjithë kohën
e lume angërdufeshin me të madhe se e kishin çliruar vendin e tyre, nga ana
tjetër, të paktë ishin ata që u besonin, për të mos thënë edhe s’kishte asnjë të
tillë. Me sa duket, çlirimin e Kosovës nga ana e tyre, nuk e besonin as vetë ata.
Prandaj, duke qenë të kompleksuar nga kjo gjë, filluan gjithnjë e më shpesh të thoshin:
“Ne e çliruam Kosovën”, “Ne e fituam luftën” etj. Por, me këtë tregoheshin aq të
pacipë sa askund nuk e zinin ngoje as NATON-n e cila bëri namin me fuqinë e saj.
Mirëpo, në
një vizitë të tij, ish presidenti amerikan, Bill Klinton, ju tha haptas: “Ne e
bëmë luftën, ju bëjeni paqen”. Kështu, miti i çlirimtarit nisi të thërmohet sa çel
e mbyll sytë. Porosia historike e B. Klintonit për ta bërë paqen, nuk ishte aq
e lehtë për ta honepsur e pranuar, e lëre më për ta zbatuar në praktikë. Kjo për
shkak se ta ndërtosh paqen, do të thotë ta bësh shtetin. E si mund ta ndërtonin
atë duke vjedhur pa kurrfarë turpi?
Pikërisht
të tillë ishin të ashtuquajturit çlirimtarë në krye me liderin e tyre Hashim
Thaçi. Tanimë të gjithë e dimë se deri në ç’përmasa ka arritur grabitja e
pashpirt e tyre. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se janë kredhur aq shumë në
këtë baltë të ndytë, sa ia kanë zënë frymën zhvillimit të Kosovës dhe mirëqenies
së popullit të saj, i cili nga dëshpërimi çdo ditë po ik duke kërkuar azil në shtetet
perëndimore. Madje, mund të thuhet se çdo perspektivë të tij e kanë vrarë këta çlirimtarë
që s’ngopen duke grabitur në çdo pëllëmbë. Brenda këtij paradoksi të shëmtuar,
Hashim Thaçi si kryeministër, bashkë me rrethin e tij të ngushtë, kanë krijuar
pozicionin e feudalëve të pamëshirshëm; ata kontrollojnë çdo biznes të mundshëm,
shesin pa mëshirë pasurinë kombëtare, shpërlajnë para marramendëse. Bie fjala,
vetëm për autostradën Suharekë - Prizren, sipas tyre, një kilometër rrugë ka
kushtuar diçka mbi dhjetë milionë euro.
Me këtë sjellje
të paparë shtazarake, janë tërbuar aq shumë, sa kanë harruar çdo gjë që ka të bëjë
me realitetin. Mbi të gjitha, e kanë harruar popullin e përvuajtur të cilit
ende i kullojnë gjak plagët dhe ende jeton me dhembje nga traumat e panumërta. Në
vend se ky kryeministër t’i shërbejë denjësisht këtij populli hekakeq, sidomos
t’u ndihmojë atyre që e kanë pësuar më keq gjatë luftës, ai noton haptas në ujërat
e ndotura të bizneseve marramendëse të tij.
Megjithatë,
ironia edhe më e madhe është kur historinë e përgjakshme të këtij populli po ia
kujtojnë armiqtë e tij. Pra, kohëve të fundit, shtypi serb po sjell dëshmi
tronditëse për masakrat dhe dhunimet e kryera nga serbët ndaj popullatës
shqiptare.
Kështu,
gjatë këtyre ditëve, Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi i ka akuzuar dy
oficerë serbë, Pavle Gavriloviq dhe Rajko Kozlina, se më 25 mars 1999 kanë vrarë
27 qytetarë shqiptarë në afërsi të Suharekës. Për këtë krim ajo mbështetet në rrëfimet
e dy dëshmitarëve serbë, D. M. dhe M. E., pjesëtarë të dikurshëm të ushtrisë të
cilët kishin refuzuar urdhrin për t’i vrarë shqiptarët e pafajshëm.
Krahas këtyre
dëshmive të frikshme, në vazhdim shtypi serb ia kujton Hashim Thaçit edhe shumë
krime të tjera. Sipas tij, njëri nga dëshmitarët serbë, Sllobodan Stojanoviq,
komandant i pensionuar, flet për qindra e qindra krime ndaj shqiptarëve; për
vrasje foshnjash, fëmijësh, grash, pleqsh, të sëmurësh, të çmendurish, për plaçkitje,
djegie, shkatërrime etj. Dhe pikërisht ky serb i guximshëm, në vitin 2000 i
kishte dërguar një letër prej shtatë faqesh ministrit të brendshëm serb, Vlajko
Stoilkoviq, duke e informuar për atë që kishte ndodhur, sado që përgjigje nuk
kishte marrë asnjëherë. Pa dyshim, ky njeri i rrallë, jo vetëm që i quan
kriminelë bashkëkombasit e vet që kishin bërë krime të tilla, por njëherësh i
quan edhe sadistë, psikopatë, kanibalë etj.
S’do
mend, nuk është vetëm kjo që mund t’ia kujtojë Hashim Thaçit se çfarë ka ndodhur
në Kosovë me bashkëkombasit e tij, ka edhe shumë e shumë dëshmi të tjera
tronditëse të cilat i sjell shtypi serb. Në këtë varg shumë të gjatë, ky shtyp
sjell edhe dëshminë e serbit Lakiq Gjoroviq. Sipas këtij, për shkak të tmerreve
që kanë bërë ndaj shqiptarëve, dy nga oficerët e tyre i paskan vrarë dy ushtarë
serbë, sepse nuk kanë mundur t’i durojnë skenat makabre. Në këtë vazhdë tejet
rrëqethëse, dëshmitarët e tillë sjellin edhe rrëfimin tronditës për dhunimin e 100
vajzave shqiptare, duke i ndarë nga turma dhe duke i dhunuar barbarisht në grup
para prindërve të tyre. Këtu përmendet edhe një shqiptar që ishte në shërbim të
serbëve, i cili e kishte rrëmbyer një vajzë 14 vjeçare dhe e kishte dhunuar mu
para syve të familjes së saj.
Natyrisht,
rrëfimi i këtillë nuk merr fund asnjëherë, është tepër i gjatë. Aq i gjatë sa
nuk të mjafton një jetë e tërë për ta dëgjuar deri në fund.
Përballë kësaj,
shtrohet pyetja: Çfarë ka bërë Hashim Thaçi për këta fatkeqë që s’dihet se ku
kanë përfunduar? Çfarë ka bërë për familjarët e tyre që kanë mbetur gjallë? Çfarë
ka bërë për ata njerëz që me vite të tëra para Qeverisë së Kosovës, me lot në sy,
i kërkojnë kufomat e të dashurve të tyre? Asgjë, pikërisht asgjë, përveç biznesit
të tij të ndytë që tanimë ka nxjerrë brirë të llahtarshëm. Jam i bindur se po t’i
pyesësh ata fatkëqinj se ndaj kujt kanë repekt më të madh, pra ndaj serbëve që po
sjellin dëshmi tronditëse, apo ndaj kleptokratit Hashim Thaçi, me siguri do të shpreheshin
në favor të dëshmitarëve serbë.
E pra,
duhet thënë me keqardhje se ky është i ashtuquajturi çlirimtar i Kosovës që ende
po qëndron në karrigen e kryeministrit. Sipas filozofit të cituar më sipër, pikërisht
ky është ai që e prish atdheun, dhe jo armiku i tij. Tanimë shqiptarët e kanë kuptuar
këtë gjë më mirë se kurdoherë tjetër, ndaj po e ndëshkojnë thuajse çdo ditë në forma
të ndryshme. Prej tij po ikin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë si Jakup
Krasniqi dhe Fatmir Limaj. E po ai që vjedh popullin e tij, që vjedh votat e
qytetarëve, që shpërlan paratë e këtij populli të varfër, asnjëherë nuk mund ta
ndërtojë atdheun, as paqen, as lirinë. Atë nuk e vret ndëgjegja për atë që bën
në mes të ditës. Në qoftë se dy kafkat e shqiptarëve, që psikopati serb i ka bërë
llambadarë, një ditë i merren për t’u kthyer në Kosovë, së pari duhet t’ia çojnë
Hashim Thaçit për t’i vendosur në dhomën e tij të gjumit. Ndoshta atëherë do t’i
kujtohet pak se Kosova nuk ndërtohet ashtu, por ndryshe.