E diele, 02.06.2024, 09:41 AM (GMT+1)

Editorial

Aurel Dasareti: Për dashurinë e vendit ata e pranuan vdekjen

E marte, 29.10.2013, 08:00 PM


Për dashurinë e vendit ata e pranuan vdekjen

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake- psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Unë brengosem, dhe kjo është alarmante, sa pak vetë-njohuri kanë politikanët, qeveritarët dhe një pjesë e konsideruar e intelektualëve shqiptarë. Një gjë është që të mos kesh ndonjë talent, por është shumë më e keqe kur personi nuk e kupton mungesën e tij.

Shoqëria shqiptare nuk është demokratike por një shoqëri e sëmurë, e sunduar nga kriminelët në të gjitha nivelet - prej mediumeve, përmes gjyqësorit, ekonomisë ...ku hajdutët, vrasësit e paskrupullt, politikanët antikombëtar i paraqesim si martirë. Kërkojmë dhe gjejmë simpati për ta. Në sajë të shoqërisë sonë dhe të sistemit moral me zemrën e sëmurë, njerëzit nuk e dallojnë më të mirën prej së keqes. Turp për ne.

Hashim Thaçi (me përfituesit tjerë të luftës) shkeli mbi gjakun e dëshmorëve që për dashurinë e vendit e pranuan vdekjen. Rrallë një njeri ka rrënuar aq shumë për kaq shumë.“Komandantët” e dikurshëm përdorin edhe haraçin për t`u pasuruar në mënyrë të paligjshme. Kanë “harruar” se populli asnjëherë nuk lufton për ideja, për diçka që jeton në kokë. Njerëzit luftojnë për përfitime materiale, të jetojnë më mirë në paqe, të përjetojnë përparim në jetën e tyre, dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Lufta Nacionalçlirimtare kundër kolonizatorëve, ndërtimi i paqes dhe përparimit - pavarësia – është dhe mbetet e pakuptimtë për popullin, nëse ajo gjithashtu nuk çon në një përmirësim real në standardin e tyre të jetesës.

Nga përvojat historike e kam kuptuar se nuk ka fat për ata të cilët fatin dhe pasurinë e tyre e ndërtojnë mbi vuajtjet dhe ankthin e njerëzve të tjerë.

Populistët na pjellin ide bombastike me qëllim të fitojnë duartrokitje nga shqiptarët naiv. Ata kritikojnë politikën ekzistuese dhe nganjëherë vijnë me zgjidhje shumë të thjeshta për problemet serioze që kërkojnë zgjidhje shumë më komplekse. Qëllimi i tyre kryesor është për të fituar vota, prandaj mbështesin zgjidhje përgjysmore të çështjeve, në vend që të paraqesin një politikë gjithëpërfshirëse e cila jo domosdoshmërish do të kishte të njëjtën mbështetje në mesin e votuesve.

Shqiptarëve u mungon modestia, janë mendjemëdhenj. Bota e civilizuar është ndryshe. Kur një oficer i lartë i një ushtrie Perëndimore morri medalje për përpjekjet e luftës, deklaroi:

Është shumë e padrejtë, ndjehem fajtor ndaj oficerëve tjerë që nuk fituan medalje. Unë vetëm e bëra punën time”.

Patriotizmi është ndjenjë e lidhjes, dashurisë dhe përkushtimit ndaj vendit të vet. Ajo mund të jetë e kushtëzuar - motivuar nga aspekti kulturor, etnik dhe politik. Patriotizmi dhe nacionalizmi i kuptueshëm pozitivisht u bë një dukuri e përhapur sidomos gjatë dhe pas Revolucionit Francez.

Është absurditet, primitivizëm që shqiptarët e diasporës, në vend të huaj themelojnë parti politike. Na nevojitet vetëm një, ”Kongresi Shqiptar i Diasporës”, i përbashkët për të gjithë.

Shqiptarët, historikisht, kanë një prirje të grinden midis tyre, janë në një pozitë të vazhdueshme "ndërmjet dy zjarreve". Diaspora duhet të jetë e pavarur, subjekt ndërmjetësimi në shuarjen e zjarreve e jo t`u hedhim benzinë me dënglat tona, lëvdatat me fjalë të bukura por pa vlera, pallavra për partitë, liderët dhe politikanët tonë të zemrës. Më e rrezikshme është kur vetë zjarrfikësit ndezin shtëpitë, atëherë nuk ka kush do t`i shuan zjarret. Ju e dini shumë mirë se “idhujt e juaj” përfillin vetëm interesat që u sjellin përfitime private, luftojnë për pushtet e jo për shtet. Kam fatin që njoh shumë pak prej tyre, përndryshe sa më shumë që të njohësh këtë far soji aq më tepër do t` i doje kafshët.

Me shumicën prej jush kam miqësi të sinqertë, prandaj edhe grindjet duhet t`i kemi të ndershme.

Unë nuk mund të dëgjoj asgjë që nuk janë fakte por interpretimet e tua. Për mua nuk është me rëndësi se sa kundërshtarë kam por kush janë ata”, - i thash një mikut.

Jam i pavarur nga pikëpamja ideologjike dhe politike, konkluzionet e mia për gjërat dhe sendet, për të vërtetën, bazohen në metodat shkencore e jo nga ideologji dhe politika të ndryshme.

Një teori e vërtetë çështjesh të ndryshme mund të jetë e rreme dhe një teori e rreme mund të jetë e vërtetë. Them se nocioni ynë përgjithësisht i pranuar i së vërtetës ka nevojë të rishikohet. Ne nuk mundemi edhe më tutje të pranojmë vetëm dy kategoritë – e vërteta dhe e rrema. Nuk është e logjikshme të mëtojmë se pohimet që nuk janë të vërteta janë të rreme ose pa kuptim. Teoritë që prekin brendësinë së cilës i referohen janë e kundërta e atyre të pakuptimta. Ato mund ta shndërrojnë realitetin. Ato simbolizojnë rolin aktiv që mendimi mund të luajë në formësimin e realitetit. Kemi nevojë të bëjmë ndryshimin në konceptin tonë për të vërtetën; për mua ekziston: e vërteta, e rrema, dhe refleksivja.

Përderisa ekziston një dallim midis mendimit dhe realitetit, një sistem shpjegimesh i shkon një situate të caktuar më mirë se një sistem tjetër. Rezultatet nuk janë të gjitha njësoj të favorshme; shpjegimet nuk janë të gjitha njësoj të vlefshme. Realiteti afron nxitje për të zgjedhur dhe kriter për të gjykuar atë që zgjedh. Së dyti, përderisa kuptimi ynë për realitetin është i mangët, kriteri i gjykimit për atë që zgjedhim nuk është plotësisht brenda mundësisë sonë për ta kuptuar. Për rrjedhojë, njerëzit jo gjithmonë bëjnë zgjedhjen e duhur dhe, edhe po ta bëjnë, jo të gjithë e pranojnë një zgjedhje të tillë. Përveç kësaj, zgjedhja e saktë përfaqëson vetëm më të mirën e të gjitha zgjedhjeve të mundshme. Në çdo çast mund të lindin ide dhe interpretime të reja. Edhe këto mund të jenë me të meta dhe mund të hidhen poshtë kur këto të meta të bëhen të dukshme. Nuk ka përgjigje përfundimtare, por vetëm mundësi për t`u afruar shkallë-shkallë. Nga kjo del se zgjedhja midis alternativave është një proces i vazhdueshëm shqyrtimi kritik e jo një zbatim mekanik rregullash të ngulitura. Prandaj mund të japim mendimin tonë për sendet e çështjet, por në mënyrën kritike të menduarit. Në këtë botë në ndryshim të gjithë nuk janë pa paragjykime. Njerëzit ende mund të t`i përmbahen pa rezerva një pikëpamjeje të caktuar; por ata nuk mund ta bëjnë këtë gjë pa qenë të paktën të vetëdijshëm për pikëpamjet e tjera. Mënyra tradicionale e të menduarit i pranon shpjegimet pa diskutim, por, në një shoqëri në ndryshim,askush nuk mund të thotë “kështu janë gjërat, prandaj nuk mund të jenë ndryshe”. Njerëzit duhet t`i mbrojnë pikëpamjet e tyre me argumente, e jo ofendime. Përndryshe nuk do të bindin këndë veç vetes, kurse të besosh pa kushte në vetvete është çmenduri.

Politika jonë e jashtme domosdoshmërish të jetë në interesin e vendit, assesi jo nënshtruese ndaj të huajve. Po respektit të dyanshëm. Jo nënshtrimit. Jo nënshtrimit ndaj turqve, grekëve, serbëve, bullgarëve, malazezëve...

Ekonomia dhe ushtria janë bazat e një shteti serioz. Stabiliteti me fqinjët grabitqarë bazohet në balancë. Stabiliteti nuk bazohet në mirësi. Nuk ka stabilitet nëse thuhet: shqiptarët janë të mirë, hajde t`u japim diçka. Jo, në at rast kërkojnë të marrin edhe më tepër nga hisja e juaj.

Në politikë është me rëndësi cilit mundesh t`ia çrregullosh interesin politik, sa më shumë që ti mundesh t`ia çrregullosh dikujt interesin politik aq më tepër e ke vlerën, nëse askujt nuk mundesh me ia çrregullua interesin politik atëherë asnjë vlerë nuk ke.

Intelektuali shqipfolës që me vetëdije thotë gjëra të rreme, mbështet gënjeshtra e mashtrime, nuk vepron vetëm kundër ligjeve themelore të natyrës porse ai, pavarësisht nga dukja, nuk i bën mirë as shoqërisë, të cilën e dëmton rëndë, ndot mendimin dhe të drejtën, si dhe përkrahë forcat e së keqes dhe përçarjes.



(Vota: 109 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora