Kulturë
Rezart Palluqi: Ju flet këmba e majtë e shqyer!
E merkure, 18.09.2013, 07:22 PM
Ju flet këmba e majtë e shqyer!
Nga Rezart Palluqi
Unë që po ju flas,jam këmba e majtë që u shkëput nga një trup dashur prej predhës së armikut, gjatë një lufte, si qindra luftrat e tjera para-ardhëse në këtë Tokë. Një shqiponjë, kur më pa në luginën e ulët ku unë fluturova si degë ulliri, (sa mirë që ajo i ka sytë e mprehtë) u prek aq shumë saqë ajo më fali zemrën e saj. Shqiponja nënë, vdiq, duke lënë jetime tre shqiponjëzat e vogla, dhe mua, këmbën e majtë, që falë zemrës së saj tashmë fluturon kudo.
Derisa mbaroi lufta, madje edhe dy vite mbas saj, unë u tregova e duruar. Vizitoja vetëm ish trupin tim, që rastësisht ishte një luftëtare, bukuroshe, trime dhe me shpirt të gatuar me dritën e lirisë. Sepse përpara se unë të shqyhem barbarisht nga trupi im, ecja nëpër koridoret e fakultetit të letërsisë në Prishtinë. Ndjehesha aq krenare, që unë, këmba e majtë, fqinje e drejtpërdrejtë e zemrës së saj, sëbashku me këmbën e djathtë, mbaja me besnikëri të patundur në këmbë,në një ekuilibër për të pasur zili, gjithë atë trup, që vlonte nga ëndrrat, ashtu si edhe miliona femrat e meshkujt e tjerë, për liri, mirëqënie dhe begati kulturore.
Përpos gjithë ketij luksi dhe fati, atëherë, unë vura lirinë e atdheut tim, mbi edukimin dhe formimin tim si personalitet. E braktisa pra fakultetin, krevatin e ngrohtë(dhe kjo për një grua në një vend mysliman, ku burri shikohet si shtylla e shtëpisë, s’është pak) hodha pushkën në shpatulllën time femërore të butë, që burrat e ledhatojnë me aq joshje, e u ngjita në mal sëbashku me këmbën e djathtë, e cila për fat të mirë i shpëtoi predhës.
Por durimi im, humbi, sepse sa herë e vizitoja ish trupin tim, sa herë flisja me motrën time, këmbën e djathtë, ajo më ankohej gjatë.
-Jam e izoluar! Por më shumë ndjehem e harruar, përbuzur. Armiku, edhe pse u dëbua, dhe liria erdhi si një fener gjigand, ne po injorohemi keq. Disa prej luftëtarëve,përkrah të cilëve ne luftuam, po sillen si elefantë me hundë të fildishtë.
Jo vetëm që nuk na kujtojnë më, por po na zhysin në mjerim afrikan!
Ata cikin pafund gotat e shampanjës, u dhurojnë kamarierëve njëqind ose dyqind euro bakshish, flenë në vila të mëdha që edhe vetë udhëheqësit e vendeve të mëdha s’i kanë, ndërkohë që ne jemi zhytur në skamje dhe harresë barbare.
Sa më dhimbset ky trup, që dikur e mbanin drejt, krenar, në balancë, ndërsa sot, unë e mjera, e vetme këmbë, bëj të pamundurën, por nuk janë të paktë momentet kur trupi lëkundet, ndalon një çap duke u mbështetur tek këmba e drunjtë, paterica, më pas bën edhe nja pesëdhjetë hapa të tjerë, ndalon, shfryhet, ndonjëherë edhe qan. Por ama, vazhdon me këmbëngulje të ecë- rrëfen motra ime, këmba e djathtë.
E ngushëlloj sa herë që e takoj motrën time, duke i thënë: motër, motërzë e dashur: e di që fizikisht torturohesh për të mbajtur e vetme trupin. E di, e di, por mos harro, se ka sa të duash këmbë të pandara që mbajnë në peshë trupe të kalbur, me zemër katile, mendje të larë me zift, vrer, ndërsa ti mban në peshë një trup me një zemër të madhe, që nuk dorëzohet, e gjen ngushëllimin tek vetvetja. Më mirë me një këmbë dhe trup në harmoni, se sa me dy këmbë dhe trup në luftë me botën dhe vetveten- i dhashë kurajë motrës time të stërlodhur dhe pikëlluar.
Prandaj, sot në mëngjes, e flaka durimin në koshin e plehërave, pranë sheshit të lirisë,ose më saktë, pranë parrullës së madhe: New Born.
Mbasditja sapo ra si një gur në pusin e errët të natës dhe unë po i afrohem duke u rrotullohuar në ajër si një bisht pa sopatë, vilës marramendëse të njërit prej ish bashkëluftëtarëve të mi. Vendosa të hy fshehurazi në kuzhinë. Kuzhinieri sapo shkoi në banjo dhe unë futa tërë mllef në tenxheren e gjellës së ngrohtë të gatuar me mish thëllëze dhe erëza speciale, pesë qime të gjata sa gishti i mezit, të cilat i shkula me dhimbje nha këmba. E përzieva gjellën, me qëllim që qimet të mos duken.
Për fat të mirë jam e padukshme për syrin e njeriut. Kuzhinieri u kthye, shtjeu tre garuzhde me gjellë në pjatë sëbashku me qimet e shkoi tia servirë tërë salltanet punëdhënësit të tij.
-Zgërdhihem me lot kur dëgjoj ulërimën e gruas së bashkëluftëtarit.
-Qime- qime, flokë në gjellë? Kuzhinier,hajvan, ku i pate sytë?
Kuzhinierin e mjerë e shkarkuan menjëherë.
Po atë mbrëmje, ndërsa çifti aristokrat(oh, më vjen ta mbërthej prej fyti, këtë palaço, që dikur në mal më prralliste fjalë të mëdha për lirinë tonë, armikun e katronte me mallkime e dëshirë për t’u hakmarrë) po çukishte gotat e shampanjës, së shtrenjtë, unë i theva ato me sqepin e shqiponjës, të ngjitur me gjakun e dëshmorëve në gishtat e këmbës.
Kësaj here u tmerrua jo vetëm thëllëza, këmbëhollë, qafëngjalë, me gishtat e lyera me manikyr dhe veshur me fustan të bardhë të blerë sa frëngu pulën në vitrinat e shtrenjta parisiane.
Ah sa mirë, që ky fustan iu njollos me shampanjë. Po, po, sa mirë! Ndërsa në gotën e bashkëluftëtarit tim hodha thoin e këmbës time, të përlyer me gjak.Thoi notoi frikshëm në pellgun e vogël të shampanjës, lëngu i saj i verdhë u përskuq shpejt. Gjaku i mpiksur pesëvjeçar, u tret vetëtimthi në lëngun egzotik që shkumëzonte ende fort.
Bukuroshi bashkëluftëtar, i cili pozohet babëzisht para kamerave, vuri britmat si fëmijë.
-Roje, roje, çfarë bëhet ktu bre? Po na bajn puç armiqtë. Po na helmojnë më duket?
Roja, një trupmadh, një plep me këpucë të gjata me maja, rendi drejt tij, mbeti në këmbë për pak si i hutuar, dhe mbasi e shkundi fanitjen, vrundulloi si stuhi drejt të gjitha dhomave.
O zot, oj shqiponjë, m’ i jep krahet e tuaja, ta mbys këtë besëthyes të paparë. Të lutem oj shqiponjë, sepse vetëm me një këmbë nuk ia përdredh dot kokën, këtij hipokriti. Kur u bë ky për t’u ruajtur me roje? Unë e kam ruajtur këtë njeri në mal, ndërsa ai flinte i plagosur nga plagët. E ruaja nga ujqërit dhe tyta e armikut, ndërsa sot, ky, qen bir qeni, sot që armiku u zbyth, sillet si pasha turk. Instikti piratik shqiptar u zgjua në damarët e këtij dhe dhjetera ish luftëtarë të tjerë.
Vendosa të bëj një armëpushim. Pak më vonë mendova të befasoj ose ngri gjakun disa urithëve të tjerë, ish luftëtarit e mi gjithashtu, që banojnë disa milje më tutje, në një kodër të mbjellur jo me ullinj e lisa, por vila nga më përralloret.
Grumbullova disa koka heroike të vdekura, i vendosa me kujdes në hapësirën e kopështit përrallor, të rrethuar me bimë të qethura me durim aristokratik, dhe i godita ato fort drejt xhamarive të vilave të tyre.
M’u duk sikur kokat e heronjve të vdekura fluturuan më fort se sa fuqia e këmbës time. Ato fluturuan midis trëndafilishtave, rrëzuan qindra petale rozë dhe të kuq (disa prej tyre ngjitën në kokat e përgjakura).
Fluturimi në ajër ndodhi me një shpejtësi galaktike. Ato u bënë mish i grirë në xhamat e trashë luksozë, të mbuluar me perde të errëta. U thërrijëmëzuan pa mëshirë duke shkaktuar çuditërisht një zhurmë, zhaurimë të kristaltë. Flokët e tyre ngjitën kudo në faqet e qelqta të dritareve. Godita mbi tridhjetë koka. E tërë kodra e vilave u shkund si nga një tërmet i kristaltë nga gjumi i mëndafshtë.
Gratë, si gjithmonë, u arratisën të parat drejt kodrës me pisha, të veshura në këmishat e natës. Pëlhurat e tyre shumëngjyrëshe dhe pajisura me temina e gurë të çmuar, vezulluan shumë komikotragjike në errësirën e shenjtë të kodrës. Ushtria, policia u mobilizuan menjëherë, dhe vërshuan në rrugicat elegante të vilave, të ndriçuara pa kursim nga qindra neonet shumëformësh.
Kuptohet që ata u larguan me duarbosh. Unë jam një këmbë e shenjtë, që u shpëtua nga një shqiponjë vetësakrifikuese. Unë mbart zemrën e saj, dhe askush nuk e mposht zemrën e saj të strehuar në damarët e këmbës time, jetime.
Të nesërmen, u vunë me qindra xhamapastrues për të larë sa më shpejt miliona piklat e gjakut të kuq, të trashë. Ishte logjike se ato pika gjaku depërtuan në damarët e qelqtë, dhe s’ishte e mundur që t’i fshije, zhdukje as edhe me ilaçin kimik më të fortë, apo duart më të palodhuara.
-Gratë, kur e panë këtë, vunë kujat dhe ia mbathën jo me automjetet luksoze, por në këmbë duke vrapuar si rosa patoke drejt qendrës së qytetit. Disave prej tyre, i pickova me sqepin tim të mprehtë. sisët vezake të mbështjella me sytjena që kushtojnë më shumë se të tëra orenditë e ish zonjës time. Disave të tjera, ua shkula me sqepin tim të përthyer, vathët e florinjtë ose prej diamandi, nga veshët egërsisht.
Hoxhallarët dhe priftërinjtë menduan se kjo ndodhi kishte natyrë magjistare, ishte organizuar nga shejtani në bashkëpunim me motrën e tij errësirën, dhe vëllezërit e tyre, amiqtë tanë shekullorë ballkanikë.
Udhëheqësit aprovuan me zë histerik dyshimet e shërbëtorëve të zotit, priftërinjve dhe hoxhallarëve. Atyre iu bashkëngjitën edhe shumë historianë dhe pseudo-poetë.
O hipokrizi, o helm më i hidhur se sa helmi i nëperkës. Kanë gojë këta urithë dhe akuzojnë armiqtë për sabotazh dhe shkatërrim. Këta janë krimbi i pemës se tyre…
Priftërinjve dhe hoxhallarëve u shkula nga një grusht mjekërr. Udhëheqësve ua quka hundën e gjatë, të kërcyer me majë përpjetë si bisht banane. Historianëve ua mbajta gishtat e mi të përgjakur para hundës, po, po, që t’i marrin erë këmbës time, jo të përlyer me gjakun e armikut, por gjakun e kokave të heronjve që i përdora pardje si top futobolli, ndërsa poetëve me vetulla dhe fytyra të vrenjtura e seriozë, ua theva që të dhjetë gishtat dhe shkrova në faqen e bardhë të fletoreve të tyre: bota ndryshon duke fillluar nga vetvetja, dhe jo duke ia bërë me gisht një jetë të tërë drejt të tjerëve.
Poetët fytyrëpambuktë, që në vargjet e tyre flasin për lot dhe vuajtje, por fytyrën e kanë të rrafshuar,në të nuk dallon as edhe një vijëz, rrugëtim të krijuar nga gërryerja e lotëve, ia mbathën si lepurushë në drejtim të paditur.
Kaq për këtë herë. Tani po drejtohem për në shtëpinë e motrës time, këmbës së djathtë. Do shkoj të flas me të, t’ia dëgjoj me veshti të madhe hallet që i kanë trokitur si gurë zevzekë në xhamat e dritares së zemrës së saj.
Unë , ju premtoj nga ana ime, se do vazhdoj të bëj të pabëra. Edhe pse shqiponja, nuk po m’i jep krahët që tia përdredh kokën ish bashkëluftëtarëve të mij besëprerës, si pula të prekura nga kolera, unë nuk do të dorëzohem.
Në damarët dhe muskujt e këmbës time të shkulur nga predha, rreh zemra e shqiponjës së ndjerë. Kjo jetë çaloke, më ka stërvitur mjaft, sidomos gishtat e këmbës i kam shumë të shkathët dhe të fuqishëm. Me to, herën tjetër, unë do ia mbërthej hundët fort kapitenëve tradhtarë. Mundem gjithashtu që me sqepin tim të fortë, t’i mbërthej prej unazave të tyre metalforta, e t’i ngre në ajër dhe flak ata në gjirin e detit Adriatik ose Jon. Mirë u dëgjofshim herën tjetër!
Besnikja juaj: këmba e majtë e shkulur, fluturake dhe luftarake…
Komentoni
Artikuj te tjere
Sejdi Berisha: Balada e heshtjes për detin
Bislim Gashi: Gjendja aktuale e trashëgimisë
Armela Hysi: Dëshira e ditëlindjes
Demir Krasniqi: Si të ruhen traditat e dasmës
Hazir Mehmeti: Në shijim të atdheut
Ramiz Dërmaku: Ylli i natës bukureshtare
Hyqmet Hasko: Isuf Hoxha - “Frymë pranvere''
Adem Zaplluzha: Mëkati i Hijes
Thani Naqo: Më mjaftojnë dy guriçka
Drita Lushi: Kur fjala peshon më shumë se guri
Kujtim Mateli: Mazhani me famë në histori
Ksenofon Dilo: Shpresa e shqiptarit
Poezi nga Shahin Ibrahimi
Murat Gecaj: Kujtime të pashlyera
Adem Zaplluzha: Një zog prej uji
Ismet Azizi: A është i vdekur Aqif Blyta
Ramiz Lushaj: Qytetërimi i bjeshkëve të mia
Ilir Muharremi: Drama vendore larg asaj botërore!
Ilir Muharremi: Kosova Sot mes guximit dhe arsyes
Resmi Osmani: Leka i Madh dhe gratë