E diele, 28.04.2024, 01:53 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Tushi: A është moderne shoqëria pa moral?

E hene, 19.05.2008, 06:06 PM


A është moderne shoqëria pa moral?

Nga Gëzim Tushi

NJË ANALIZË SOCIALE

Shoqëria shqiptare po ndeshet me probleme e deformimeve morale të mënyrësjelljes së njerëzve. Të gjithë jemi të shqetësuar për kursin që ka marrë shoqëria jonë. Shqetësimet e sjelljes, të deformimit të moralit, zgjerimi i krimit, prostitucionit, drogës, alkoolit, shtimi katastrofik i divorceve, vrasjeve dhe vetëvrasjeve, rritja e intensitetit të dhunës në familje, sidomos mbi fëmijët dhe gratë, sjelljet e pacipa në rrugë, dhunimet dhe përdhunimet e shtuara kohët e fundit, brutaliteti në rrugë, mungesa të qytetërimit në ambientet publike, janë tregues të situatës morale të shoqërisë tonë. Nuk mund të mohohet fakti që shoqëria jonë jo vetëm është e "sëmurë", por me sa duket akoma nuk jemi bindur që merremi si duhet me të. Shumë probleme të sjelljes individuale dhe sociale, janë të lidhura me mungesën apo më mirë braktisjen në mënyrë absurde të punës edukative, formimit qytetar të njerëzve tanë, veçanërisht të rinisë.

Edukimi moral i të rinjve, nuk bëhet me module të vjetra. Ai nuk është zotërimi mekanik, shkollaresk i një sasie rregullash të pranuara konsensualisht nga shoqëria si mënyrë sjellje sociale e individit. Ne duhet të ndryshojmë strategjinë e punës edukative për krijimin e "karakterit shoqëror" të njeriut me mjete kulturore të qytetërimit modern. Nga sa kam mundur që t'i studioj këto defekte morale të institucioneve edukative, duket se shkaku kryesor duhet kërkuar në dobësimin e komponentit moral të punës edukative në familje, shkollë dhe shoqëri. Shkolla shqiptare e ditëve tona, është dhënë e tëra pas mësimdhënies dhe mësimnxënies. Familja është e okupuar nga nevojat materiale, të sigurimit të jetës apo të mbijetesës. Ato kanë harruar të vënë në përdorim atë "kod moral", që duhet për të formuar "karakterin shoqëror" të njerëzve tanë, veçanërisht të moshave të reja. Dhe ky defekt shfaqet pikërisht në ato institucione që trajtojnë të rinj pikërisht në moshën adekuate, kur procesi i formimit të karakterit dhe personalitetit është gjurmëlënës në jetën e njeriut. Nuk duhet të jemi të qetë, me faktin që shoqëria shqiptare ka prishur ose ka të çoroditur "kodin moral" si dhe mënyrat me të cilat ajo duhet të bëjë procesin e natyrshëm të përcjelljes së vlerave morale në brezin e ri. Ky defekt është edhe në shkollë dhe në familjen shqiptare, ngaqë prindërit dhe mësuesit nuk janë si duhet në rolin e ndërmjetësuesit apo të përcjellësit të normave sociale të sjelljes. Ata po punojnë gjithnjë e më pak për skalitjen morale të të rinjve, ndaj dhe janë shtuar kaq shumë shqetësimet e sjelljes amorale në shoqërinë shqiptare. Humbja e misionit edukativ të shkollës dhe familjes është një dëm i madh me pasoja të rënda, për ndërtimin dhe funksionimin e shoqërisë sonë sipas parametrave të jetës moderne. Nuk ka mekanizma çudibërës për edukimin moral të njeriut, përveç funksionimit me përgjegjësi të institucioneve bazë të edukimit.

Nëse duam të ndryshojmë realitetin moral të deformuar të shoqërisë sonë, duhet të rivlerësojmë rolin e pazëvendësueshëm edukativ të shkollës, familjes dhe komunitetit. Nuk është normale, që në shkollë dhe familje po i mëshohet më shumë zhvillimit të aftësive natyrore, të instinkteve të përshtatjes për sukses personal, të adoptimit me jetën moderne, duke neglizhuar nevojën e zhvillimit të tipareve humane dhe sociale të njeriut.

Koha kërkon që shoqëria jonë, veçanërisht familja, shkolla dhe komuniteti të kthejnë sytë nga edukimi, duke mos e lejuar shoqërinë tonë të deformohet në ingranazhet e perceptimit anarkist të lirisë morale. Shoqëria jonë do të bëhet moderne, kur njerëzit tanë të vetedukohen dhe të mësohen me jetën sociale, kur parimet dhe idetë morale të shoqërisë të përthithen organikisht, të bëhen pjesë e personalitetit të tyre. Shoqëria jonë ka sot më shumë se kurrë nevojë që konsensualisht të pranojë, të përpunojë dhe të transmetojë tek njerëzit, një sasi normash dhe rregullash morale, pa të cilat nuk mund të krijohet kohezion dhe shoqëria nuk mund të bëhet moderne…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora