E diele, 28.04.2024, 06:14 PM (GMT+1)

Mendime

Veton Surroi: Fshehtesia e syve qe nuk pane dhe vesheve qe nuk degjuan

E diele, 18.05.2008, 11:23 AM


Veton Surroi
Fshehtesia e syve qe nuk pane dhe vesheve qe nuk degjuan

Nga Veton Surroi

1.

Historia e pasluftës në Shqipëri u përcaktua në masë të madhe nga kapaciteti i të konsumuarit të uiskit të një britaniku. Ai punonte në një zyrë në Washington, afër zyrës së Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, si ndërlidhësi i dërguar nga Londra. Pasdite, së bashku me James J. Angleton, në vjeshtën e vitit 1949, zbraznin një shishe uiski, pasi që më parë kishin pirë disa gota xhin. Angleton, shefi i kundërzbulimit në CIA, do t‘i rrëfente britanikut hollësitë e operacionit në Shqipëri.

Ishte ndër operacionet e para të CIA-s, agjencisë e cila sapo kishte lindur nga organizata pararendëse e Luftës së Dytë Botërore, OSS, Zyra për Operacione Speciale. Organizata e re lindte në lindje të Luftës së Ftohtë, pas një kablli urgjent britanik drejtuar Presidentit Truman, ku shprehej se Greqia e Turqia do të binin në duart e komunistëve brenda disa javësh, aq javësh sa të përfundonte ndihma ushtarake e materiale britanike. Dhe, brenda kësaj organizate lindte Zyra e Operacioneve të Fshehta që në pesëdhjetë vitet e ardhshme do të determinojë në masë të madhe jo vetëm natyrën e veprimit të spiunëve amerikanë, por edhe politikën e jashtme amerikane e marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi, shpjegon gazetari amerikan Tim Weiner, në librin e tij tronditës "Legacy of Ashes, The History of the CIA" (Trashëgimi hiri, Historia e CIA-s, botoi Doubleday, New York).

Ideatori i operacioneve klandestine, Frank Wisner (babai i ndërmjetësit amerikan për çështjen e Kosovës, me të njëjtin emër), do të ngarkonte me një shpejtësi marramendëse një operacion të tillë për Shqipërinë, me shpresë se do të nxitej një kryengritje popullore kundër Enver Hoxhës. Pas rekrutimit në Romë, trajnimit në Mynih, CIA do t‘i niste avionët e saj nga aeroporti i vet në Athinë, me pilotë polakë dhe vullnetarët e trajnuar shqiptarë që do të hidheshin me parashutë në vendet e përcaktuara në Washington, m‘u aty ku do t‘i prisnin forcat e sigurisë së Shqipërisë.

Shoku i pijes i J.Angleton, shefi i kundërzbulimit të CIA-s ishte Kim Philby, agjenti sovjetik i cili nga zyra e tij në Washington lajmëronte Moskën për operacionet në Shqipëri, informata që arrinin menjëherë në Tiranë nga Moska.

2.

Episodi i Shqipërisë shpjegon në librin e tij autori, ishte ndër të parët (pas një përpjekjeje të ngjashme me Ukrainën), por gjithsesi njëri në listën e gjatë të dështimeve, me atë të fundit të regjistruar, mungesën e informatave për armët të shkatërrimit në masë në Irak, që ishin shkasi i okupimit të këtij vendi.

Lexuar kështu, historia e CIA-s, një organizatë e filluar nga të diplomuarit e universiteteve më prestigjioze amerikane, fëmijë të familjeve të kamura, një organizatë me buxhet që matej e matet me miliarda dollarë dhe që punëson me mijëra spiunë aktivë me rrogë qeveritare, është një histori e dështimeve dhe e misionit bazik të papërmbushur. Agjencinë e cila qe themeluar për të mbledhur informata për kundërshtarin çdo zhvillim politik do ta gjejë të painformuar e papërgatitur. Presidenti amerikan e sekretari i Shtetit do të befasoheshin çdo herë: edhe kur Kastro të merrte pushtetin në Kubë, edhe kur në Guatemala do të fitonte Presidenti Arbenz, edhe kur bëhej grushtshtet në Irak e Siri, edhe kur zhvillimet në Indokinë eskalonin në luftë të hapur, që më vonë do të shndërrohej në luftën e Vietnamit...Gjatë tërë Luftës së Ftohtë, SHBA-të, nëpërmjet rrjetit impozant informativ që kishte krijuar, megjithatë nuk do të dinte në asnjë moment me saktësi a përafërsi, fuqinë ushtarake sovjetike.

Pastaj është edhe leximi paralel, ai me të cilin identifikohet CIA në përshtypjen e përgjithshme, madje globale, që identifikohet me këtë organizatë, ai i operacioneve klandestine, siç ishte ai i Shqipërisë. Lexuar kështu, historia e CIA-s është në fakt historia e marrëdhënieve ndërkombëtare gjatë Luftës së Ftohtë, dhe krizave që qenë krijuar gjatë saj.

Me këtë lexim, historia duket e thjeshtësuar. Junta në Greqi fiton sepse ajo qe krijuar më herët nga CIA, e përfaqësuesit e saj, në shenjë falënderimi do të mbledhin para për fushatën e Presidentit Nikson. Pushtimi i Qipros, në përpjekje bashkimi me Greqinë, është bërë po ashtu me pëlqim të shefit të CIA-s në Athinë. Në Amerikën Latine, vala e puçeve ushtarake fillon me atë kundër Presidentit të zgjedhur Arbenz, i cili i mori toka kompanisë amerikane "United Fruits", e cila i shfrytëzonte për plantacione bananesh dhe ua dha fshatarëve në reformën më impozante agrare deri atëherë.(Termi "Banana republikë" vjen nga kjo periudhë dhe gjeografi). Në Irak, puçistët e rinj, në mesin e të cilëve edhe koloneli i ri Sadam Husein, marrin pushtetin falë ndihmës së CIA-s. Në Iran, Kryeministri Mossadeq, i cili donte të mbronte pasurinë kombëtare të naftës, zëvendësohet me dhunë nga Shahu i ri Reza Pahlavi, në një operacion të përbashkët mes shërbimeve amerikane dhe britanike. Mbreti Husein i Jordanisë është monarku i parë që gjendet në listën e rrogave të CIA-s, ndërsa ai që do të bëhej dora e fortë e Indonezisë dhe që do të niste fushatën më vrastare ndaj komunistëve, Suharto, mbërriti aty pas rekrutimit inicial si oficer me perspektivë nga CIA.

Nuk ekziston ngjarje me rëndësi në botën e Luftës së Ftohtë ku nuk gjendet shenja e operacioneve klandestine. Sipas këtij libri, këto shenja, siç dëshmojnë shembujt e sipërm, kanë sjellë gjithnjë e më shumë probleme të reja.

3.

Referenca ndaj shqiptarëve, apo problemeve të tyre, në këtë libër mbetet ajo e episodit me parashutistët. Kësaj do t‘i shtohet edhe kalimthi bombardimi i ambasadës kineze në Beograd, gjatë luftës ajrore të NATO-s për Kosovën më 1999. Atëbotë, në vend të Drejtoratit të Prokurimit, avionët amerikanë i ranë përfaqësisë diplomatike kineze, duke përdorur hartat e tejkaluara turistike të Beogradit për të caktuar lokacionin e vërtetë.

Ç‘është e vërteta, ka ekzistuar një sukses i dukshëm i CIA-s, por në këtë libër nuk është përmendur. Në tetor të vitit 1990, CIA bëri paralajmërimin dramatik të asaj që do të ndodhte në Jugosllavinë e atëhershme. Agjencia paralajmëroi Presidentin dhe publikun, se Jugosllavia do të ndalej së funksionuari brenda një viti dhe do të çintegrohej brenda një periudhe dyvjeçare. Sipas këtij paralajmërimi, Serbia do të përpiqej të pengonte pavarësimin e Sllovenisë dhe Kroacisë, do të nxiste revoltën e serbëve në Kroaci dhe Bosnje, ndërsa në Kosovë do të zhvillohej zvarrë një konflikt i armatosur kundër Serbisë.

Kur të shkruhet edhe një histori e ngjashme e CIA-s, duke u shërbyer me dokumentet autentike, siç shërbehet autori, ndoshta do të dalin detaje të reja, siç ishte edhe ky i paralajmërimit të tetorit të vitit 1990. Në mesin e tyre, me siguri do të jetë interesant të shihet se si ka vendosur CIA kontaktet me shërbimin e fshehtë të Shqipërisë, pas rrëzimit të komunizmit. Transformimi nuk ka si të bëhet më dramatik: në vendin ku dështonin operacionet e para klandestine të CIA-s, dhe ku pushteti krenohej se i kishte bërë ballë imperializmit amerikan, pushtetarët e rinj arrinin në fazën ku krenoheshin se kishin hangër drekë me shefin e CIA-s për Shqipëri, apo se i kishte vizituar dhe i kishte informuar për këtë apo për atë.

Në një kohë tjetër dhe gjithsesi në kontekst tjetër historik kjo ndodhte në Amerikën Latine. Pas fitores së Kastros në Kubë, CIA vendosi që të ndërhynte drejtpërsëdrejti në punët e këtij kontinenti, nga frika e vërshimit të komunizmit. "CIA përkrahte liderët e 11 vendeve të Amerikës Latine. Kur një herë ta merrte pushtetin një qeveri mike, shefi i stacionit të CIA-s kishte pesë mënyra për mbajtjen e ndikimit mbi liderët e huaj", thotë autori në libër, duke cituar shefin e divizionit të Amerikës Latine për periudhën 1965-1967, Tom Polgar. Njëra prej tyre ishte se "duhet të bëheshe shërbimi i tyre i jashtëm inteligjent. Ata nuk dinin se çka po ndodhë në botë, kështu që u jepje një brifing javor...".

Dhe, si në Amerikën Latine, ashtu edhe në Afrikë e në Azi, CIA do të ishte instrumentale për të ndërtuar shërbimet e fshehta të regjimeve "mike". Me pak para dhe trajnim do ta bënin në Kongo, Nikaragua, Indonezi apo në Iran. Këto do të ishin "veshët dhe sytë" e Washingtonit, siç cekin themeluesit e CIA-s misionin e tyre global, pa marrë parasysh se disa prej këtyre shërbimeve ishin brutale ndaj qytetarëve të vet. Në Luftën e Ftohtë, konsideratat për të drejtat e njeriut dhe vlera të tjera të ndërtuara brenda sistemit amerikan nuk kishin kurrfarë vlere në komunikimin e CIA-s me shërbimet mike.

4.

Një lloj historie e CIA-s është duke u shkruar këto ditë në Kosovë. Gjatë këtij viti, Kosova duhet ta ketë shërbimin e vet të fshehtë, AKS (Agjencia Kosovare e Sigurisë), dhe ky doemos do të ndërtohet nën mbikëqyrjen e shërbimeve të fshehta perëndimore, ku rol prijës do të ketë CIA.

Në fakt, kjo histori ka filluar të shkruhet që më herët. Dokumentet që do të hapen pas 20 a 30 vjetësh do të rrëfejnë këndvështrimin e CIA-s për luftën në Kosovë, e në veçanti do të jetë interesant të shihet se çfarë ka qenë relacioni me së paku dy shërbime të fshehta partiake kosovare, ai i PDK-së dhe ai i LDK-së. Të ndërtuara si partiake në fund të një lufte e cila po kundër okupatorit serb kishte edhe aspektin e luftës së ndërsjellë politike mes fraksioneve kosovare, këto dy shërbime u zhvilluan në Kosovën e pasluftës në dy dimensione të rëndësishme. Për CIA-n dhe ndonjë shërbim tjetër zbulimi, këto shërbime qenë "sytë dhe veshtë", posaçërisht në një kontekst të vështirë politik e të sigurisë çfarë është Kosova dhe në një kohë kur kryqëzatën globale të Luftës së Ftohtë e ka zëvendësuar lufta kundër fundamentalizmit islamik. Në këmbim të këtij favori, këto dy shërbime partiake (njëri prej të cilëve, ai i LDK-së, ka pësuar goditje të madhe me ndarjen e LDK-së) kishin të drejtë qytetarie në një Kosovë e cila, sipas përshkrimit të bashkësisë ndërkombëtare, po bënte hapa të rëndësishëm drejt demokracisë.

Në qershor, kur duhet ndërtuar një shërbim i fshehtë i tipit perëndimor, këshilltarët e huaj do të ballafaqohen me së paku dy realitete. Në njërin, për shembull, do të ketë nevojë që të bëhet regrutimi profesional, me projeksion të një shërbimi të fshehtë që do të jetë pjesë e rrjetit euroatlantik të shërbimeve të fshehta. Në tjetrin, do të ekzistojë presedenca e një shërbimi partiak, i cili, sikundër edhe partia, është shërbyer me krijimin e monopoleve , siç është ai i naftës, për t‘u financuar. Trekëndëshi i Partisë-Shërbimit-Pumpave është më afër shërbimeve të fshehta që kanë lindur në gjirin e KGB-së së dikurshme sovjetike, se sa shërbimeve të sotme evropiane.

5.

Për shtetet e brishta si të sapodala nga komunizmi si Shqipëria, apo të sapoçliruara e në ndërtim e sipër, si Kosova, relacioni mes shërbimeve të fshehta dhe kontrollit demokratik është sfidë e jashtëzakonshme. Në Shqipëri, dimensionet e thyerjeve të shërbimit të fshehtë dhe ndërtimit të një të riu kanë përcjellë amplitudën e thyerjeve në shoqëri në përgjithësi. Në Kosovë, lindja e shërbimit të fshehtë kosovar është po aq traumatik sa edhe lindja e shtetit.

Në Kosovë, në veçanti, mungesa formale e shtetit për një periudhë të gjatë, ka krijuar një gjendje ku strukturat partiake të sigurisë do të mund të sfidojnë në mënyrë të përhershme demokracinë. Për qytetarin e Kosovës, i cili sot është fare i pambrojtur nga shërbimet partiake të fshehta (përfshirë edhe teknikën e tyre të përgjimit elektronik dhe të survejimit) mund të përsëriten kohë dramatike, ku shërbimet përdoren qoftë për përfitim materiale, qoftë politike.

Por, kjo ka ndodhur edhe në demokracinë më të avancuar, atë amerikane. Në vitin 1994, ambasadorja amerikane në Guatemala dhe shefi i stacionit të CIA-s në këtë vend kishin politika të ndryshme. Ambasadoren Marilyn McAffee, e cila fliste haptas për nevojën e respektimit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut, e survejonte shërbimi i fshehtë guatemalas, "sytë dhe veshët" e CIA-s. Nga incizimi i këtij shërbimi i dhomës së fjetjes të rezidencës së saj dilte se ambasadorja kishte marrëdhënie seksuale me sekretareshën Carol Murphy. Dosja akuzuese u dërgua deri në Kongres, duke akuzuar ambasadoren, një grua konservatore e të martuar, për shfrytëzim të pozitës së saj për të pasur një aferë seksuale me sekretareshën. Pas një analize të një komisioni, u vërtetua se ambasadorja ishte e pafajshme: ledhatimet e incizuara që ajo ia bënte Murphyt, ishin për Murphyn, qenin e saj poodle, jo sekretareshën Carol Murphy.

Në një demokraci të avancuar ishte e mundur që të sqarohej ky rast, anipse shumë raste të tjera do mbeteshin të pazbardhura. Por në këtë demokraci qe e mundur të shkruhet edhe ky libër, duke u shërbyer m‘u me dokumentet e zbardhura, si pjesë e obligimit ndaj demokracisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora