E hene, 29.04.2024, 02:04 AM (GMT+1)

Mendime

Xhaferri: Blushi me Ishullin vijon identitetin e shqiptarëve

E premte, 16.05.2008, 06:56 PM


Arbën Xhaferri
Nga Elira Canga

Nje kendveshtrim tjeter per librin e Ben Blushit "Te jetosh ne Ishull" jep shkrimtari Arber Xhaferri. Per te libri eshte pjesë e vijimit të debatit për identitetin e shqiptarëve, hapur kohë më parë nga Qosja dhe Kadare. 

Politikani Arbën Xhaferri u bë pjesë e debatit për librin e publikuar nga Ben Blushi "Të jetosh në Ishull". Xhaferri nuk flet dhe aq për vlerat artistike të librit ndërsa është i prirur të merret më shumë me trajtimin politik dhe historik të çështjes. Xhaferri e sheh këtë libër në një këndvështrim krejt ndryshe nga ajo që është bërë gjatë gjithë këtyre kohëve dhe për komentet për librin 'Të jetosh në Ishull" ndërkohë që e quan atë si një pjesë të vijimit të debatit për identitetin e shqiptarëve, hapur kohë më parë nga Qosja dhe Kadare.

Publikimi i librit të Ben Blushit "Të jetosh në ishull" ka ngjallur shumë reagime në Shqipëri. Si e shikoni këtë libër si një vepër letrare, historike apo një libër që me fantazinë e tij cenon në një farë mënyrë Shqipërinë dhe shqiptarët?
 
Shqipërinë e rrezikon korrupsioni, krimi i organizuar, mos funksionimi i shtetit ligjor dhe jo libri, pavarësisht nga përmbajtja e tij. Them që libri i z. Blushi me arsye ka ngjallë interesim të madh, ngaqë për herë të parë hapen temat që janë tepër të ndjeshme për identitetin kombëtar, për ngjarje dhe personalitete historike kombëtare. Ende s'kam përfunduar leximin, por nga aq sa lexova, 200 faqet e para, mund të them se jam i befasuar nga euridicioni z. Blushi, nga guximi që të bëjë një viviseksion, një introspekcion (një inspektim të brendshëm) të asaj çka ka ndodhur me ne në një periudhë historike. Unë personalisht kam pasur nevojë për një informacion të këtillë, për shkak se, si shqiptar i kësaj pjese të habitusit kombëtar, pranoj se kam paragjykime ndaj ortodoksisë, ndaj atij varianti që sllavët e praktikojnë. Si unë, ashtu edhe shumë shqiptarë të tjerë, të kontaminuar me këto paragjykime kemi nevojë për një zbrazje, për një çlirim, për një katarsis. Unë me këtë rast nuk do të flas për cilësitë letrare të librit, këtë do ta bëjnë profesionistët, por për konotacionet politike, të natyrave të ndryshme.
Në këtë fazë, kur ende nuk është përkufizuar sistemi i ri vlerave kombëtare, debatet e kësaj natyre janë skizmatike, ngaqë përplasjet lidhur me këto tema kanë peshë globale, kështu që njerëzit, shpeshherë pa vetëdije rreshtohen në këtë, apo në atë anë. Kjo u pa shumë qartë me rastin e polemikës ndërmjet Kadaresë dhe Qosjes. Në debatet e kësaj natyre nuk ka fitues, por vetëm rreshtim antagonist, pro dhe kundër. Por ç'duhet bërë? Përgjigja për këtë pyetje duhet kërkuar te sistemi i vlerave. Në sistemin perëndimor të vlerave mbrohet dhe garantohet liria e fjalës, e diversitetit të mendimit, e opinionit ndryshe. Sëkëndejmi, në këto kontekste qytetëruese librat që botohen nuk destabilizojnë as relacionet ndërnjerëzore e lë më shtetin. Unë "... Ishullin" e Blushit e kundroj me aparaturën që është në përputhje me sistemin e vlerave perëndimore. Vlerësoj se pas leximit te librit shumëkush nga ne do t'i korrigjojë paragjykimet e trashëguara. Po ashtu besoj se libri do te përkthehet në shumë gjuhë...
Sipas studiuesve perëndimorë zgjerimi i hapësirës së lirisë, sidomos në Shtetet e Bashkuara në Amerikës është arritur fale lejimit të funksionimit të sekteve të ndryshme të spektrit të krishterë, veçmas atij protestant, siç janë metodistët, kuekerët, mormonët, baptistët, anabaptistët etj. Këto sekte kanë fituar të drejtën e ekzistimit edhe pse e kontestojnë dogmën e religjionit primar. Pra, duke lejuar ekzistimin e së drejtës për kritikë, madje edhe të dogmave të shenjta të religjionit bazë, politika e ndjekur nga SHBA ka zgjeruar hapësirën e lirisë së mendimit, rrjedhimisht dhe të besimit. Nga kjo pikëpamje, për të qene i drejtpërdrejtë në pyetjen tuaj, librin e z. Blushi e perceptoj si një shikim ndryshe të ngjarjeve dhe të personazheve historike dhe fetare. Nëse ne veten e shohim si pjesëtarë të sistemit të vlerave perëndimore ky libër as që do të bëhej objekt kundërthëniesh. Më lejoni t'ju përkujtoj se në botën perëndimore, ku respektohet liria e fjalës, e mendimit, e vlerësimit objekt i kritikës, shpesh herë nihiliste dhe përbuzëse janë papët,apostujt, madje vetë Jezu Krishti dhe kjo askënd nuk e brengos. Si duket është kuptuar se Zoti nuk ka nevojë për bodigardë, se ai është i pacenueshëm.

Pas publikimit ka pasur reagime nga Komuniteti Mysliman lidhur me cenimin e harmonisë fetare në Shqipëri si dhe cenimin e historisë dhe vlerave të islamit në vend? Cili është komenti juaj lidhur me këtë?

Përgjigje: Nuk jam i njohur në detaje me natyrën e përplasjeve dhe të argumenteve që janë shtruar, por mendoj se vlerat islame nuk mund të cenohen nga ata që nuk e praktikojnë këtë besim. Vlerat islame cenohen , apo bastardohen nëse vetë myslimanët e praktikojnë në mënyrë të gabueshme, duke mos iu përmbajtur parimeve islame. Me këtë rast mendoj se është me rëndësi që të përkufizohet nocioni tolerancë. Ky nocion është i pakuptimtë nëse njerëzit kanë bindje të njëjta. Toleranca ka kuptim po qe se lejohet të ekzistojë mendimi ndryshe për fenomene,madje edhe për dogmat fetare. Bie fjala, feja islame mohon diçka që është më e shenjtë për krishterimin, natyrën hyjnore të Jezu Krishtit. Siç dihet feja islame e pranon ekzistimin e Jezu Krishtit si profet, por jo edhe si Zot. Ky mohim nuk ngjall antagonizma dhe nuk mobilizon energjitë destruktive për ta detyruar palën tjetër që ta pranojë vlerësimin zyrtar të besimit krishterë.
Sidoqoftë kjo çështje, perceptimi ndryshe i së njëjtës, në mjedise të ndryshme megjithatë krijon tensione, prandaj dita ditës po intensifikohen përpjekjet ekumenike për t'i eliminuar dilemat, për ta gjetur modusin e pranueshëm për të gjithë.
Me rastin e publikimit të librit të z. Blushi hapen tema që nuk kanë të bëjnë gjithaq me librin "Të jetosh në Ishull", siç është çështja e apostazisë, konvertimit të shqiptarëve në myslimanë. Ata që e hapin këtë temë kryesisht mendojnë me kategori ideologjike, apodiktike, me kategori përjashtuese: disa thonë se shqiptarët janë konvertuar me dhunë, disa të tjerë thonë me dëshirë. Realiteti është gjithsesi tjetër. Ka pasur të atillë që e kanë pranuar me dëshirë, të tjerë që janë nisur nga interesi si dhe të atillë nga dhuna. Kjo është një çështje komplekse që e merr parasysh edhe z. Blushi në librin e tij.
Sa i përket dilemës pse vetëm një pjesë e shqiptarëve dhe boshnjakët e ndërruan fenë, ndërkaq grekët dhe sllavët nuk e bënë këtë, me hezitim të madh e marr guximin të them se përgjigja duhet kërkuar në raportet ndërmjet Perandorise Osmane me Bizantin (me ortodoksinë) dhe me Vatikanin (me katolicizmin). Siç dihet Perandoria Osmane e pushtoi kryeqendrën e ortodoksisë, Konstandinopolisin dhe një pjesë të madhe të territoreve të Bizantit i qeveriste falë marrëveshjes dhe bashkëpunimit me patriarkun e Konstadinopojës. Perandoria Osmane arriti që të sundojë me Bizantin më se 5 shekuj meqë vetë u bizantizua. Vetëm turqit, duke pranuar kulturën dhe mënyrën e qeverisjes së Bizantit arritën kaq gjatë të sundojnë me këto hapësira. Pushtuesit tjerë lindorë që nuk pranuan teknologjinë e qeverisjes bizantine kanë qëndruar në këto hapësira më së shumti dy vite. Nga ana tjetër, Perandoria Osmane nuk arriti asnjëherë ta mposhtë, ta sundojë hemisferën perendimore krishtere me qendër në Vatikan. Prandaj osmanët kishin një dozë të tepruar të mos durimit ndaj katolikëve të cilët i takonin juridiksionit të Vatikanit. Ky fakt, nuk tolerohej nga Perandoria Osmane, prandaj trysnia mbi katolikët ishte shumë më e madhe sesa ndaj ortodoksëve të cilët ishin nën juridiksionin e patriarkanës së Stambollit që tregonte, sipas marrëveshjes, luajalitet ndaj sunduesit. Asnjë sundues nuk ka lejuar që brenda territorit të sundimit të ekzistojë dualizmi i juridiksionit. Siç dihet kishat katolike tregonin luajalitet Vatikanit. Të vetmit katolikë në këtë zonë të Ballkanit Jug-perëndimor ishin shqiptarët. Prandaj mbi ta është ushtruar një presion i paparë për konvertim. Për këto çështje Pjetër Bogdani në mënyrë dramatike e informonte Vatikanin, mirëpo nuk pati ndërhyrje energjike për ta ndalur këtë proces konvertues. Procesit të islamizimit iu shmangën vetëm katolikët që jetonin në zona të pashkelura siç ishte Mirdita,përfshirë edhe ndonjë hapësirë tjetër.
Mirëpo e gjithë kjo i takon historiografisë, hulumtuesve ta zbërthejnë të vërtetën e asaj periudhe. Ekzistimi dhe mbijetesa e mëtutjeshme e popullit shqiptar tanimë është e lidhur ngushtë me harmoninë dhe tolerancën fetare, përkatësisht me tolerimin e së drejtës për mendim dhe perceptim ndryshe. Nëse kjo do të kuptohet drejt, ndarja jonë në katër besime nuk do të jetë më hendikep, por përparësi, shembulli unik për të gjithë planetin. Prandaj duhen shmangur debatet që dramatizojnë një situatë që në fakt është beninje.

Shumë figura historike janë personazhe në këtë libër dhe janë paraqitur në mënyrë të tillë që çmitizojnë figurat e rëndësishme historike të Shqipëri si Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena etj. Ç'mendim keni lidhur me këtë çmitizim? A e cenon ai historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve?

Shqiptarët vonë kanë hyrë në procesin e shkruarjes së historisë. Para shkrimit jemi mbështetur në gojëdhëna dhe jo në libra të shkruar nga kronistë, apo historianë. Po ashtu shqiptarët nuk kanë pasur traditën e të menduarit kritik. Shpesh herë e vërteta është zbuluar përmes pohimeve të autoritetit, qoftë ai prindi, kryetari i fisit, kleriku, apo pushtetari. Mirëpo edhe mendimi kritik ka kufirin e vet, kur ai shndërrohet në nihilizëm. Kultura shqiptare është në një fazë tranzitore ku ky kufi ende nuk është i përcaktuar qartë, por gradualisht po ndriçohet.
Çdo popull ka mitet e tij. Bie fjala, populli serb, dhe ai grek e përjetësojnë mitin. Ndërkaq tek shqiptarët nuk shoh një tendencë të tillë të hyjnizimit të mitit. Në Serbi sot e kësaj dite ekziston tendenca për krijimin e një kishe të veçantë që quhet Svetosavska (e Shën Savës). Sveti Sava ka qenë një klerik që ndërmori fushatën për çrrënjosjen, shfarosjen e herezisë së bogomileve që, si monofizitët e tjerë e mohonin Triadën e Shenjtë. Ai, sipas kronistëve të kohës ka bërë gjenocid mbi një popull që ka menduar, besuar ndryshe. Serbët atë jo vetëm që e shpallën si shenjtor, por ka tendenca që të jetë fondament i një kishe të veçantë. Me këtë shembull desha të them se shqiptarët, në krahasim me të tjerët, janë gjithsesi më pak të lidhur me mite.
 
Në libër thuhet se Voskopoja është djegur nga turqit. A mendoni se kjo e ndryshon historinë e Shqipërisë, a e cenon atë?
 
Shqiptarët nuk mund të mbajnë barrën e veprimeve të sunduesve të ndryshëm. Fqinjët e shqiptarëve, grekët dhe sllavët kanë shfrytëzuar rastin historik që t'i dënojnë shqiptarët për veprat që i kanë bërë turqit, apo italianët. Lidhur me rastin konkret, Voskopojën, ç'faj mund të kenë shqiptarët nëse turqit e kanë bërë këtë akt? Është e pakuptimtë imputimi i tezës se nëse turqit e paskan djegur Voskopojën, po ndryshuaka historia e shqiptarëve, ose dëmtuaka imazhi i myslimanëve. Edhe vetë historianët turq dëshmojnë për mizoritë gjatë pushtimit të krahinave, qyteteve, fshatrave, etj. Në këtë aspekt nuk shoh asnjë ndërlidhje. Por për këto çështje duhen nxitur të flasin historianët që merren me atë periudhë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora