E hene, 29.04.2024, 08:49 AM (GMT+1)

Mendime

Rezear Kola: Bujqësia në moshën e internetit

E premte, 16.05.2008, 07:07 PM


Bujqësia në moshën e internetit

Nga Rezear KOLA

Nga koha e vegjëlisë kujtoj përherë me dashuri gjyshen time. Atë fisnike të labërisë, e cila pas çlirimit la Tiranën duke u rikthyer në vendlindjen buzë malit të Çikës në shtëpinë e të parëve. Ishte kjo një përpjekje për të mbrojtur nga varfëria fëmijët dhe të shoqin, një ushtarak i diplomuar në Itali, aso kohe papunë.
Megjithë vështirësitë e kohës, ata dy njerëz e jetuan si zotërinj jetën e tyre. Ishin vitet 80-të, ajo periudhë gri e depresionit të madh ekonomiko-shoqëror që kaploi vendin, koha gjatë së cilës ajo grua e dashur u largua nga jeta ime. E kujtoj ende atë ditë të trishtueshme dhe shtëpinë dy katëshe prej guri në fshat, me fotografinë e Enver Hoxhës mbi oxhak.
Pas viteve 90-të, në një përvjetor të vdekjes së saj, ime më, më tha një gjë gati të pabesueshme. Ajo më tregoi se si në raftin ku gjyshja mbante dikur sendet e saj personale, kishin gjetur edhe dy fotografi të tjera burrash. Ata ishin: Jezu Krishti dhe Franklin Roosvelt.
U habita shumë. U habita se si këto tre fotografi, këta tre burra, kishin “jetuar” për dekada të tëra aq pranë njëri-tjetrit. Në fakt, në hapësirën e përbashkët prej guri, prapa këtyre fotove, kishte diçka; ajo që i ndante ishte më shumë se sa një mur. I pari ishte një burrë që luftoi për çlirimin e vendit, duke mos u bërë dot një shpëtimtar. Dy burrat e tjerë ishin pa dyshim shpëtimtarë. Ata ishin shpëtimtarë të botës: njëri prej mëkatit, dhe tjetri prej varfërisë!
Varfëria gjatë gjithë kohërave ka qenë dhe është një përbindësh. Ai është një përbindësh i pandjeshëm. Varfëria përpin vullnetin dhe vret shpirtin njerëzor. Duket e çuditshme, por edhe për Migjenin tonë të madh, njësoj si për gjithë të mëdhenjtë e penës, varfëria perceptohet gjithashtu si diçka e pandjeshme. Janë padyshim botërore vargjet:
…oh si s’kam një grusht të fuqishëm
malit që s’bzan n’zemër me ja ngjesh
t’a shoh si dridhet nga grushti i paligjshëm
dhe une tknaqem tknaqem tu’i qesh…
Pothuaj të gjitha fetë merren me këtë problem. Një nga pesë shtyllat e Islamit është gjithëdhënia (almsgiving) - që synon të ndihmojë të varfërit. Në shkrimet e shenjta kristiane të hebrejve është dizenjuar një sistem i tërë ekonomik, i cili në thelb synon eleminimin e varfërisë.
Ka ligje të përshkruara aty, të cilat detyrojnë njerëzit, që një sasi e caktuar drithi të rezervohet përherë për më të varfërit. Aty madje gjenden ligje që e ndalojnë huadhënësin të përfitojë interes nga të varfërit. Kaq i fuqishëm ka qenë përkushtimi i hebrejve në luftën kundër varfërisë, saqë çdo 7 vjetë, borxhet e pashlyera faleshin.
Kishat gjithashtu kanë luajtur rol në kufizimin e varfërisë.
Nuk është çudi pse Bibla është mbushur me vargje të tilla: ”Të lumtur janë ata që ndihmojnë të varfërin, Zoti do t’i ndihmojë ata kur të jenë në vështirësi”; “Kur jepen para për një të varfër, është sikur i jepen Zotit; Zoti do t’i kthejë pagesat”. Edhe ceremonia festive e Jezusit në vendlindjen e tij, në Nazaret fillon me fjalët mbreslënëse: ”Shpirti i zotit është mbi mua, sepse ai më ka caktuar mua për lutjen e lajmeve të mira për të varfërit”.
Hebrejtë shquhen gjithashtu si njerëz që gjelbëruan hapësirat përreth vendbanimeve duke ndërtuar rrugë të reja, të gjera, për më të rinjtë! Qysh në fillim ata qëmtonin nxënësit e mirë dhe njerëzit e aftë (ndaj sot janë shoqëri e zhvilluar). Rrugët dhe parqet gjithashtu nuk lejohej të përdoreshin për qëllime private. Vini re. Prej mijëra vjetësh egziston koncepti se, sa më shumë pasuri publike të zotërojë një shoqëri, aq më pak kërcënohet nga varfëria ajo.
Dhe kjo ndodh për faktin se ndaj pasurisë publike ne kemi akses të gjithë. Në momentin e tanishëm psh, një ndërtesë e caktuar mund t’i jepet me qera të favorshme një shtëpie botuese, e cila përkushtohet në edukimin e shoqërisë duke prodhuar libra me çmim të lirë për njerëzit. Në një kohë të dytë, të themi se kjo mundësi inkurajuese mund t’i jepet një organizate që përkujdeset për të moshuarit në vështirësi, etj. Pa dyshim pasuritë publike janë armë shumë efikase në luftën kundër varfërisë.
Ajo që dua të them është se përmasat e varfërisë në vend janë shumë më të mëdha se sa pranohet sot zyrtarisht. Kjo vjen për shkakun e thjeshtë se ende shteti së pari nuk “njeh” si duhet mënyrën se si matet varfëria, apo ndoshta nuk do, ndërkohë që asnjë qeveri në 17 vjet nuk është marrë seriozisht me këtë armik shekullor që vret shpresën tonë duke bërë që njerëzit të migrojnë brenda dhe jashtë vendit përherë.
Duke e prekur sipërfaqësisht problemin, duhet të them se sa kohë që ne jemi një vend që nuk kemi të rregjistruar ende popullsinë, çdo definicion lidhur me rritjen ekonomike, varfërinë etj, është thjesht i pabesueshëm. Ka ligjësi në ekonomi që dëshmojnë, se si ritmet e rritjes së popullsisë me më shumë ose më pak se 2% mund të jenë shkatërrimtare për një ekonomi të caktuar. Disa njerëz thonë se Shqipëria ka 6mln banorë. Sikur kjo shaka të vërtetohet është vërtet problem i madh.
Trashëgimnia jonë është gjithashtu e lidhur ngushtë me varfërinë. Jam shumë dakort me shkrimin e z. Nazarko para disa ditësh drejtuar ambasadorit të SHBA-së, z. Uithers. Ishte nje artikull i qartë dhe me koncepte mbi luftën ndaj varfërisë.
Po çfarë është në të vërtetë varfëria. Varfëria absolute është ajo sasi monetare që nuk mund të plotësojë dot nevojat ushqimore në kalori të individit (përjashto njerëzit në dietë dhe të moshuarit që nuk marrin këtë sasi kalorish). Kufiri minimal i kalorive për një individ të rritur është rreth 2 500 në ditë, që do të thotë se, meqënëse jemi popull me moshë mesatare të re, sigurimi i kësaj vlere ushqimore është dhe mbetet prioritet. Kuptohet, për t’u bërë e arritshme blerja e këtyre kalorive duhet një sasi parash.
Sipas përllogaritjeve, “receta” ushqimore prej 2 500 kalorish, pavarësisht kombinimit të ushqimeve të përditshme, në tregun botëror deri në vitin 1997 kushtonte rreth 2,5 – 3,5 $. Në vitin 2006 kjo shifër ishte rreth 5 – 5,5 $ ndërkohë që aktualisht besoj se kjo shifër do të ketë një rritje të forte (është temë tjetër, pse).
Gjithsesi le të supozojmë se ende me 5$ në botë vazhdojnë të blihet kjo sasi kalorish. Mirëpo që këto kalori të vijnë deri në tryezën tonë, duhet përfshirë transporti (! importojmë gjithçka), tvsh, doganë, taksa, fitim qarkullimi, etj. Për lehtësi arsyetimi le të supozojmë sërish se shteti ynë është shtet social, që reagon menjëherë në favor të konsumatorëve, duke i ngarkuar vetëm me TVSH këto produkte. Pra 5$ + 20% që është TVSH = 6$, që është vlera monetare, e cila na duhet përditë, në mënyrë që këto produkte të bëhen të arritshme për çdo konsumator. Të mos harrojmë: që njeriu të përmbushë qetësisht gjithë funskionet e tij jetësore duhet kjo sasi kalorish.
Pra me pak aritmetikë, kuptojmë se një familje shqiptare me katër individë, duhet të ketë të ardhura rreth 8 760 $/vit (6$ X 4 persona X 365 ditë = 8 760 $ në vit/familje) minimalisht vetëm për të siguruar ushqimin normal të anëtarëve të saj. Këtu nuk kemi përfshirë taksat, energjinë, ujin, shpenzimet e tjera, siç janë: veshja, librat, pushimet, apo edhe ndonjë biletë kinemaje, pra gjëra që dëshmojnë se ende jemi qënie shoqërore. Familjet me të ardhura nën këtë shumë parash, rrjedhimisht konsiderohen të varfëra; dmth në pragun absolut të varfërisë.
Pa koment, kushdo le t’i bëjë vetë llogaritë. Mësuesi, mjeku, avokati, punëtori, pensionisti, deputeti etj, vetëm se një gjë është e sigurtë; varfëria është problem i problemeve në këte vend!
Po pse është i rëndësishëm zhvillimi i bujqësisë. Sepse bujqësia është e para, dhe jo vetëm në kohë; jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje! Ajo është e para në pikëpamjen që gjithë shoqëria njerëzore përmes bujqësisë ka çelur aktivitetin e saj të larmishëm ekonomiko - shoqëror.
Pas çlirimit të vendit, Enver Hoxha në vetëm një vit kreu reformën e tokës, dmth e mori, i’ua dha fshatarëve, dhe i’u tha: keni 1,2,3 të drejta, dhe 1,2,3, detyrime, pikë. Pas dy vjetësh nisi intensivisht zhvillimi i vrullshëm i saj. Unë mendoj se ai veproi drejtësisht. Eshtë shumë e qartë për të gjithë, se çdo ekonomi fillimisht orjentohet nga bujqësia. Pra, pavarësisht rendit ekonomiko shoqëror, ekonomitë e vendeve klasifikohen sipas zhvillimit në: agrare, agraro - industriale dhe industriale. Sot kemi gjithashtu kapitalizmin e post korporatave (për shkak të industralizimit dhe kooperimit të tejskajshëm).
Rreth viteve 70-të u tha se Shqipëria ishte një vend agraro - industrial. Unë mendoj se ishte. Nëse e krahasojmë me sot strukturën tonë ekonomike është e trishtueshme. Ne nuk jemi vend që kemi industri fare, ndërkohë që bujqësia për nga rendimentet dhe marrëdhëniet e pronësisë është e prapambetur. Unë mendoj se ne jemi një vend i prapambetur agrar.
Nuk mund të konceptohet një shoqëri njerëzore e civilizuar që përjashton ose nuk përfshin në programet madhore të saj pjesën që i siguron vetë-egzistencën fizike. Në këtë pikëvështrim, edhe përcaktimi “republikë bananesh” për një shoqëri që nuk ka sa duhet demokraci, për mendimin tim lidhet drejtpërsëdrejti pikërisht me një veçanti të këtyre vendeve, të cilat pavarësisht se mund të kenë ndriçim të mirë djellor (aq sa duhet për kultivimin e bananes), nuk kanë demokraci të zhvilluar për arsyen e thjeshtë, se bananja nuk është një komoditet bazik për egzistencën tonë.
Se çfarë quhet të bësh bujqësi e kemi lënë në dorën e ministrit. Ligji i ri që komentohet me të madhe në ndihmë të fermerëve është një turp i madh. Ai nuk është gjë tjetër veçse një dështim dhe hapësirë e pafund korrupsioni. Do vijë koha dhe kjo gjë do faktohet. Ministri është i vetmi njeri në vend që shpjegon “arritjet” në derexhen ku kemi mbet. PS ka të arkivuar qysh në fillimvitin 2006 një draft absolutisht konceptual dhe llogjik, lidhur me zhvillimin e bujqësisë në atë kohë. Koha sërish do gjykojë.
Dikur kam bërë disa shkrime të njëpasnjëshme lidhur me pronën, rëndësinë e zhvillimit të bujqësisë në veçanti, por edhe prodhimtarisë në tërësi. Rezultati ishin disa njerëz që nxituan të përgjigjen duke thënë se fillimisht duhen rrugët. Nuk i kushtova kohë dhe nuk kam ndërmend t’i kushtohem; këto janë muhabete. Diskutimet kanë sens kur njerëzit kanë afri konceptuale mbi pikëpamjet.
Po e mbyll sërish me një metaforë. Meqënëse kur shkoja në fshat, isha heroi që çirrej dhe bëhej cop e çik në “luftën” me hithrat, ferrat dhe gjithë gjëmbaçët e botës, ime më nuk harronte të më jepte libër me vehte që mos merresha me idjotësira; dhe ka bërë mirë. Kujtoj gjithmonë mëngjezet, kur me librin “Spartaku” në dorë, i lexoja gjyshes që rregullonte trëndafilat në oborr pjesën kur Spartaku i rrëmbente gruan perandorit Sul. Ajo fillimisht thoshte: “T’kam zemër...ma lexo…ma lexo prapë nënës jote..”. Unë si një makinë idjote riprodhoja sërish rrjeshtat pa e kuptuar thelbin, ndërsa ajo më thoshte shprehjen e paharruar: “Ka patur burra..ka patur..a t’keqen nëna jote..ka patur..”!
Në darkë kthehej “borxhi”. Ajo më tregonte historinë se si në rrethimin e Krujës, Skënderbeu në përpjekje për të larguar armiqtë, si një burrë i mënçur, kishte hedhur një kalë nga bedenat. Armiqtë ishin afruar dhe kur kishin parë barkun e kalit nginjur me ushqim, ishin larguar të mundur.
Shkurt dua të them se, nëse për të shpjeguar disa detaje në jetën tonë duhen 30 vjet, për disa të tjera nuk ka nevojë. Prej mijëra vjetësh është e qartë se liria dhe zhvillimi ynë nuk dëshmohen me faktin se sa bojë flokësh apo gravata kanë shqiptarët. Duhet të luftojmë armikun përpara se të jetë vonë!



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora