E diele, 28.04.2024, 10:04 AM (GMT+1)

Mendime

Ali Podrimja: Pse nuk dëgjohet diaspora?

E diele, 18.05.2008, 03:56 PM


Ali Podrimja
Pse nuk dëgjohet diaspora?
 
Nga Ali Podrimja

Duhet pranuar publikisht se në kohë robërie diaspora e ka mbajtur gjallë Kosovën, nuk ka lejuar të shuhet shkolla shqipe as ca segmente të tjera të shtetësisë, po ashtu kontributi i saj është i pamohueshëm në organizimin e lëvizjeve politike dhe kulturore. Si të harrohen marshimet e saj shesheve të metropoleve të Evropës e Amerikës. Fatkeqësisht ka vite që diaspora nuk dëgjohet e as nuk është e organizuar. Fajtor për heshtjen e saj jemi ne, sepse e hodhëm margjinave, e fyem dhe ca e vodhën në emër të patriotizmit. Propaganda serbe veproj ndryshe. Themeloi qerthuj kulturorë, hapi katedra të sllavistikës nëpër metropolet më të njohura, angazhoi trurin. Te ne ndodhi diçka tjetër, përmes bajraqeve filluam marshimin. Nuk bën të harrohet, po ashtu se askush nuk e shuan diasporën e vet. Shikojeni atë kroate, mbet vendimtare në krijimin e shtetit të vet. Diaspora jonë rrëshqiti kah fundi, pra shteti ynë duhet ta ngjallë atë. Tek e fundit, nga gjitha ato klube që i patëm bën t’i formojmë tri-katër qendra kulturore midis Evropës e pse jo edhe Amerikës. Dikush duhet t’i kundërvihet propagandës së egër serbe, mbasi shtetin e kemi ende të ri.

Mendonim se pas pavarësisë Serbinë do ta mbajmë te hoduti, por realiteti është ndryshe. Është te hoduti kjo ndoshta, por harrojmë se nëpër metropole e qendra të vendosjes propaganda serbe kurrë nuk ka qenë më e madhe se tani. Me dhjetëra libra pamfletesh linçohen përmes autorëve serbë e të huaj, duke rrënuar imazhin e Kosovës dhe shqiptarisë. Se propaganda e saj forcohet, e dëshmon shtangia e shteteve rreth pranimit të pavarësisë së shtetit tonë. Besonim se shtetet myslimane do na pranojnë një zëri, por harruam se ato ishin dhe mbeten vasalë të pansllavizmit, nuk mundën që të lirohen nga kthetrat e tyre dhe askush nuk i moli më mirë sa ish-regjimi jugosllav.

E ledhatuara e Evropës vazhdon të dëgjohet më shumë se ne, ndërsa ne merremi me do gjëra triviale duke ia plotësuar qejfin vetes. Besonim se bota nuk na harron dhe do të frymojë pranë nesh. Por çfarë u ofruam miqve tanë? Një doracak për të vërtetën mbi Kosovën dhe shqiptarët nuk mundën ta botonin dhe t’ua shpërndanim qendrave të vendosjes jo për hirin tonë, por për të zhveshur shpifjet serbe rreth Kosovës dhe lashtësisë sonë. Mungonin financat ndoshta, por jo truri.

Tani për tani diasporës i duhet organizim kualitativ, përndryshe ne mund të humbasim një forcë që e patëm krah në momente më të vështira. Atë duhet ta kemi pranë dhe të frymojmë e mendojmë bashkërisht rreth çështjeve të ndryshme qenësisë tonë. Diaspora e tanishme nuk është e viteve të gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta: e krahut të punës e Hauptbahnhof-ave, e qajxhihaneve e çibritave; kemi një diasporë krejt tjetër: e intelektualëve, e krijuesve të të gjitha rrafsheve, ku kontributi i të cilëve mund të jetë i madh. Shteti ynë duhet t’i ofrojë ata, të cilët mund të bartin ca përgjegjësi tek udhëheqin qendrat kulturore po qe se themelohen. Kërkohet pra organizimi e përkrahja nga Shteti. Nuk bën ta lëshojmë shansin ton jetik. Për shqiptarët, pa e marrë parasysh se nga janë, kontributi i tyre është i mirëseardhur.

Në vitin 1993 Serbia kishte rrënuar thuajse tërë institucionet tona, duke bërë çmos që të përdhosnin edhe “Abetaren” e gjuhës sonë. Të rebeluarit e gazetës “Rilindja”, me në krye z. Adem Demaçi, u ngujuan në katin e shtatë të “Pallatit të Shtypit”. Kishim qëndruar në grevë urie plotë 11 ditë. Unë nuk do ta harroj kurrë takimin letrar me një klub të diasporës nga Kopenhagën-i. Plot një gjysmë ore kishte zgjatur takimi ynë përmes telefonit: duke lexuar poezi unë, e duke shtruar pyetje ata, që ishin tubuar në një sallë të kryeqendrës së Danimarkës, megjithëse ishim të rrethuar nga bandat e Arkanit dhe dinim ç’na priste. Mandela ynë ishte ai që na jepte kuraje; na kishte urdhëruar po qe se na sulmojnë paramilitarët të mos u biem në dorë. Ne nuk kërkonim asgjë tjetër pos të mbronim librin dhe gjuhën shqipe. Më 27 maj 1993, sapo e kishim lëshuar fortifikatën tonë, kisha deklaruar: Greva jonë kishte vetëm një qëllim, të zgjojë ndërgjegjen e njeriut për një dinjitet dhe që dhunën të mos e pranojmë si fat të fundit të shekullit XX. Ne bëmë grevën, jo për të frikësuar ndokënd, por për të dëshmuar se edhe ne kemi të drejtë për të jetuar. Brenda mundësive ishim përpjekur të mbrojmë identitetin, gjuhën dhe kulturën, pa cenuar lirinë dhe qetësinë e të tjerëve. Ky ishte edhe mesazhi ndaj shumë miqve tanë nga Diaspora, që nuk pranin të pyetnin rreth fatit tonë. Mendoj se për atë duhet ofruar dhe besuar në potencialin e saj njerëzor e intelektual. Është koha prapë të dëgjohet marshimi i saj. Të mos harrojmë se diaspora jonë nuk është ajo e viteve ‘60.

Dergoi per Zemra Shqiptare z. Shefqet Dibrani



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora