E diele, 28.04.2024, 01:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Identiteti i gjinisë asnjanëse (VII)

E shtune, 01.06.2013, 07:18 PM


RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPE

Nga Dr. Nuhi Veselaj

VII. ÇËSHTJE TË HAPURA SPECIFIKE RRETH ASNJANËSIT NË SHQIPEN E SOTME

Ndonëse pothuaj krejt punimi i paraqitur në krerët e mëparshëm mund kuptohet se e trajton gjininë asnjanëse si çështje të hapur, megjithatë, ne, në këtë krye të parafundit, do të shkëpusin si më specifike disa çështje të një natyre paksa më të veçantë, po në kuadër të çështjeve të hapura, edhe pse ndonjëra prej tyre, në njëfarë mënyre, mund të jetë përmendur a trajtuar, por  do si do më përpara.

Konkretisht do të bëjmë fjalë tash fill për këto katër çështje:

së pari, rreth  përkufizimit terminologjik të tre tipave të asnjanëse të identifikuar të rasës emërore,

së dyti, rreth identifikimit të asnjanësit në tofjalësha e shprehje ndajfoljore në rasën rrjedhore,

së treti, çështje rreth përforcimit të përkufizimit  të fushave semantike të asnjanësve dhe

së katërti, disa vërejtje të veçanta lidhur me asnjanësit.

1) Rreth përkufizimit terminologjik të tre tipave

të identifikuar të asnjanësve

Siç e pamë nga analiza e deritashme studiuesit jo vetëm nuk kishin ide e së këtejmi as qëndrim të qartë rreth funksionimit të asnjanësve, madje ata nuk ishin as të një goje edhe rreth emërtimeve dhe interpretimeve përkatëse lidhur me ta. Kështu, bie fjala, nga disa studiues e dashamirës të gjuhës asnjanësit e tipit të parë konsideroheshin si asnjanës të vetëm, të cilët edhe vazhdojnë të quhen asnjanës të mirëfilltë ose  asnjanës primitivë, Po ashtu edhe dy tipat e asnjanësve të paranyjëzuar jo të definuar mirë nga disa gjuhëtarë siç del në burime të caktuara, andaj quhen edhe me emërtime të ndryshme si p.sh.: të dy tipat e paranyjëzuar quhen emra abstraktë të gjinisë mashkullore (A. Xhuvani),  nga ndonjë tjetër asnjanës të nyjshëm ose asnjanës të nyjëzuar, asnjanës të paranyjëzuar (Sh. Demiraj), madje u quajtën edhe si emra abstraktë të gjinisë gjysmëasnjansëse / gjysmëmashkullore (Kostallari), d.m.th pa u ndarë në tipa të veçantë, të cilët dallohen sipas prejardhjes: prejmbiemërore ose prejpjesore. Ka raste që si asnjanës të paranyjëzuar të quhen vetëm emrat prejfoljorë ose vetëm prejpjesorët. Ashtu i ndeshim të emërtuar b.f. te libri shkollor, Gjuha shqipe 6, Tiranë 2003, f. 12, po edhe në punimin e studiueses Rosana Rushiti. (Shih: Seminari 26/1 f. 365)  Po këtë tip prof. K. Topalli e quan të formuar nga mbiemra prejfoljorë që shoqërohen me nyjën e përparme, ndërsa nga autorët e tjerë quhen edhe vetëm si emra foljorë.

Ne edhe pse nuk pretendojmë se kemi plotësisht të drejtë, duke marrë për bazë  njëjësin e emërores si formë përfaqësuese të emrit në trajtën e pashquar, për të tre tipat i kemi përvetësuar kryesisht këto emërtime:

- tipi i parë, asnjanës i mirëfilltë i paparanyjëzuar;

- tipi i dytë, asnjanës i paranyjëzuar prejmbiemëror  dhe

- tipi i tretë, asnjanës  prejpjesor i paranyjëzuar.

Natyrisht trajtat si shembuj në analiza janë përdorur më dendur kryesisht në njëjësin e shquar. E thamë kryesisht, sepse ne varësisht nga konstrukti a konteksti i fjalisë kemi përdorurur edhe variante të tjera rasore, por kur është çështja tek emërtimet p.sh. tipin e parë kemi quajtur edhe si asnjanës primitiv, asnjanës i mirëfilltë emëror, asnjanës i paparanyjëzuar etj.; tipin e dytë: asnjanës prembiemëror ose prejmbiemëror asnjanës dhe tipin e tretë asnjanës prejpjesor. Madje, për këta dy tipat e fundit e kemi futur në përdorim shpesh herë edhe termin asnjanësit paranyjëzorë ose paranyjëzorët e rasës emërore (kuptohet si trajtë përfaqësuese). Në analiza e kemi përvetësuar më tepër si koncept të formës përfaqësuese  të asnjanësit të paranyjëzuar, njëjësin e shquar të rasës emërore.

Sidoqoftë, edhe pse mendojmë se edhe rreth emërtimeve që bëmë ne,  ashtu edhe nga të tjerët lypset vënë rregull. Fundi i fundit, nuk do të ishim kundër që në të ardhmen asnjanësit e të dy tipave paranyjëzorë të pagëzohen mbase edhe ndryshe, ndoshta edhe vetëm si emra abstraktë të gjinisë mashkullore të një tipi të veçantë(!), e ku ta dimë, sepse, kjo çështje si emërtim tash për tash për ne nuk heq aq në peshë, sa ka rëndësi përcaktimi i fushës kuptimore që mbulojnë asnjanësit në fjalë, varësisht nga tipi i tyre. Prandaj, duke e lënë këtë çështje (të emërtimeve) të hapur, si punë për ekspertët, më poshtë e shohim të arsyeshme të bëjmë fjalë rreth asnjanësve me shprehje ablativale (prejrrjedhore).

2) Rreth identifikimit të asnjanësit  ablatival (në shprehje prejrrjedhore)

Siç dihet asnjanësin e mirëfilltë emëror të paparanyjëzuar sipas ndërtimit, në njëjësin e rasës emërore si formë përfaqësuese në njëjësin e shquar, e karakterizon nyjë-mbaresa e prapme –t(ë): misht-të, ujë-t, ndërsa prejmbiemërorët dhe prejpjesorët përveç nyjës së prapme –t(ë) i karakterizon edhe nyja e përparme si p.sh. mirë-t, të keq-: menduar-i/t, të ecur-i/t, mirëpo në gjuhën tonë dalin edhe disa asnjanës zakonisht prejmbiemërorë e prejpjesorë apo nga ndonjë njësi tjetër leksiko-gramatikore i ndeshim sishprehje prejrrjedhore në funksion të shprehjeve sindajfoljore, qoftë së njësi të veçanta ose në kuadër të një togfjalëshi të lirë foljor, siç janë shembujt: së kënduari, së foluri; së pari, së koti etj., ku tiparet nyjëzore të parme e të prapme të shquarsisë së emrit të këtij tipi ndaj tre tipave të mësipërm, u ndryshojnë, jo vetëm nyja e prapme –t(ë) në zero mbaresë ose në –i fundore të trajtës së pashquar të emrit të gjinisë mashkullore e asnjanëse, por edhe nyja e përparme së, sepse s’kemi të bëjmë me të njëjtën fjalë-formë përfaqësuese, njëjësin e rasës emërore, por me trajtën arkaike të rasës rrjedhore. Atëherë shtrohet pyetja, ku u bazuam të tjerët para nesh, po edhe ne, që këta shembuj të quhen asnjanës, madje pse ne po i trajtojnë si tip më vete, kur në fjalorët normativë shpjegues (1980, 1984, 2002, 2006) nuk i ndeshnin të shënuar fare shembujt të tillë si asnjanës. Sidoqoftë, meqë këto forma asgjëkundi nuk kategorizohen si tip më vete asnjanësish, atëherë shtrohet pyetja shembujt e tillë janë injoruar apo nuk njiheshin, pasi nuk ishin studiuar në thellësinë e duhur.

Sido që të jetë, ne në vijim po përpiqemi që, sado pak, ta zbardhim këtë çështje, duke u mbështetur në këta katër faktorë a burime, ku përmenden a trajtohen në një farë dore shembujt e tillë, siç janë: 1) Gramatika e Akademisë, 2) Studimi e prof. Shaban Demirajt rreth kësaj teme, 3) Konstatimi e prof. Kolec Topallit po mbi këtë temë dhe 4) materiali i regjistruar në Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe (Tiranë 2011).

T’i shohim tash fill si trajtohen asnjanësit prejrrjedhorë ose format në fjalë sipas faktorëve a burimeve të sipërcekura.

1.  Nga Gramatika e Akademisë

Ndonëse në mënyrë simbolike, mbase aq sa e meritojnë, apo jo, asnjanësit e tillë dalin të pranishëm në Gramatikën e Akademisë (2002) ose në Gramatikën e gjuhës shqipe 1 dhe 2, Tiranë 2002, d.m.th., edhe në morfologjinë edhe në sintaksën e  shqipes.

Së këtejmë, ne volëm materialin nga këto dy burime, ku bëhet fjalë për këtë tip asnjanësish dhe sipas displinave që u paracekën, me ndonjë fjalë sqaruese tonën, po e paraqitim më poshtë.

a) Nga morfologjia e gjuhës shqipe

Në Gramatikën e gjuhës shqipe – morfologji (Tiranë 2002), ku bëhet fjalë rreth formimit të ndajfoljeve, pika c), thuhet shprehimisht:

Një grup më vete përbëjnë fjalët (d.m.th. grup ndajfoljesh n.v.) që lidhen me formën e ngurosur të rrjedhores së mbiemrave të emërzuar asnjanës: së afërmi, së andejmi, së brendshmi, së gjalli, së gjati, së jashtmi, së këtejmi, së koti, së largu, së larti, së mbari, së qeti, së sipërmi, së shprejti, së tepërmi, së toku, së voni etj. që përdoren rregullisht si ndajfolje. Ndajfoljet e këtij tipi kanë humbur çdo lidhje me klasën e mbiemrave të emërzuar, nga kanë dalë. Disa janë edhe analogjike, si: së toku, së bashku.

Dhe në fjalitë ilustruese jepen këta dy shembuj: së bashku, së tepërmi. Mirëpo, për mos me thënë vetëm kaq, në të vërtetë, është me interes të ceket se te ndafoljet përcaktore sasie, ndër shembuj të tjerë përfaqësues sinonimikë del edhe shembulli: (për) së tepërmi (Aty f. 362), ndërsa te ndajfoljet rrethanore kohe del shembulli: së lashti (Aty f. 363), madje edhe te shkallëzimi i ndajfoljeve del shembulli antonimik i këtij tipi: më së keqi ndaj më së miri dhe ky i fundit ilustrohet me fjalinë: E kreu punën më së miri. (Aty f. 370.)

Pra siç mund të shihet krijimet e tilla cilësohen aty si grup më vete dhe se numri i tyre i shënuar në atë burim, kap shumën mbi 20 dhe përfundon me treguesin etj., megjithatë me sa pamë, numri i tyre i regjistruar në fjalorët përkatës nuk është edhe aq i madh. Sillet aty rreth 30-shit.

Si e veçantë tjetër që del nga konsultimi i këtij burimi është se pa marrë parasysh faktin se aty janë shënuar, ndoshta rastësisht, vetëm dy shembuj të tillë ilustrues përkatësisht në kuadër të ndajfoljeve përcaktore sasie (së tepërmi) dhe te ndajfoljes rrethanore kohe (së lashti), sipas temës fjalëformuese që kanë ose që marrin trajtat e tilla mund të kuptohet se shembujt e këtij grupi kanë shtrirje edhe në llojet e tjera të ndajfoljeve përcaktore e sidomos atyre rrethanore, po për këtë kërkohet verifikimi nga ana e ekspertëve. Sido që të jetë, del i drejtë konstatimi se mbiemrat si dhe ndonjë kategori leksiko-gramatikore tjetër të emërzuar tani si asnjanës dalin vetëm në funksion ndajfoljeje. Ku përveç shkallëzimit shprehjet e tilla ndajfoljore mund të përforcohen edhe me parafjalët përkatëse në mjaft  raste, siç është parafjala për si:

për së shpejti, për së mbari, për së afërmi, për së dyti, për së gjati,  për së gjeri, për së holli, për së mbari, për së largu,  për së drejti (drejtpërsëdrejti) etj,

të cilat edhe i ndeshim të shënuara në burimet përkatëse normëzuese, por në realitetin tonë gjuhësor ndeshim edhe shembuj të tillë me parafjalë të tjera, si b.f. me parashtesën prej, si:

prej së largu a prej së largti, prej së afërmi, prej së larti a prej së nalti,  prej së brendshmi, prej së jashtmi, prej së tepërmi, prej së thelli, (mos u ço peshë) prej së miri, prej së keqi, e ndonjë tjetër;

pastaj në shprehje të tjera  me parafjalëzimet përkatëse, si:

(Po ta them) pikë së pari se..., (E mundova) pak së tepërmi, (U paraqit) si më së miri,  e ndonjë tjetër

Meqenëse shembuj si këta të fundit nuk i ndeshëm as në burime të tjera përkatëse normative që konsultuam, prandaj kërkohet nga gramatikanët e gjuhës sonë që të sqarojnë mungesën ose pse kanë ndodhur anashkalimet e tilla. Sidoqoftë duhet t’i vlerësojnë shembujt e tillë dhe nëse është e mbëhishme le të plotësojnë atë mangësi, apo jo?!

Pra, mund të përfundojmë se zakonisht mbiemrat e emërzuar në këtë formë të konvertuar si asnjanës të rasës rrjedhore të këtij grupi dalin të specifikuar vetëm në funksion ndajfoljeje dhe është mirë të gjurmohet e vërteta se a mund të kenë ndonjë lidhje kuptimore, me asnjanësin e grupit tjetër të formuar ose të trashëguar po sipas kësaj mënyre përftimi, nga rasa rrjedhore, apo jo. Po theksojmë faktin se po në këtë burim (morfologji), aty ku bëhet fjalë për foljet që shprehin mënyrën e veprimit nën pikën ç), trajtohen togfjalëshat e tipit të veçantë që kanë si gjymtyrë të dytë jo asnjanësin prejmbiemëror si më sipër, po asnjanësin prejfoljor po të rasës rrjedhore. Shprehimisht aty thuhet kështu:

Për të shprehur mbarimin e një veprimi, në gjuhën shqipe përdoret edhe togfjalëshi i tipit mbarova së foluri. Në këtë tip togfjalëshi si gjymtyrë e parë përdoret kryesisht folja mbaroj ose pushoj, e ndjekur nga forma e ngurosur e rrjedhores së një emri prejfoljor asnjanës në trajtë të pashquar. Në kuptimin e përgjithshëm të togfjalëshave të këtij tipi rolin kryesor e luan gjymtyra e dytë (emri prejfoljor asnjanës), kurse gjymtyra e parë shërben për të shprehur vetëm mbarimin  e veprimit të emërtuar nga gjymtyra e dytë. (Aty f. 265.)

Dhe për ilustrim brenda 5 fjalive sa jepen aty dalin këta shembuj me togfjashat përkatës:

mbaronte së foluri, nuk pushuan së mbledhuri..., kishte mbaruar së referuari, mbaroi së rrëfyeri, pushojmë së ekzistuari.

Pra nga  ajo që u paraqit më sipër, sipas trajtimit morfologjik del se tipi asnjanësit me prejardhje mbiemrore i rasës rrjedhore si trajtë e ngurosur është ndajfoljezuar plotësisht si tip i veçantë ndajfoljesor, ndërsa asnjanësi prejfoljor mbi bazë pjesoreje po i rasës rrjedhore si formë e ngurosur është togfjalëzuar plotësisht si tip i veçantë togfjalëshor. Natyrisht kjo formë e ngurosur funksionon, pothuajse si ndajfolje, kategori kjo që si pjesë e pandryshueshme e ligjëratës emërton një tipar të veprimit si dhe rrethanat në të cilat vërtetohet ky veprim etj. Pra asnjanësi prejrrjedhor në fjalë tani funksionon, si me thënë, me tipare morfologjike që ka ndajfolja, por po ashtu konstatohet  se kjo formë e asnjanësit prejpjesor funksionon si trajtë e ngurosur, edhe në kuadër të togfjalëshit përkatës.

Sidoqoftë, kur dihet se togfjalëshi si njësi sintaksore strukturore përftohet nga bashkimi gramatikor e kuptimor  i dy ose më shumë fjalëve kuptimplota të bashkuara me lidhjen  e nënrenditjes që tregon marrëdhënie midis sendeve, dukurive, etj. të shohim tani se trajtohet asnjanësi i tillë prejpjesor brenda togfjalëshit në sintaksën e gjuhës shqipe.

b) Nga sintaksa e gjuhës shqipe

Në pjesën tjetër të Gramatikës së Akademisë, Gramatika e gjuhës shqipe 2 (sintaksë), lidhur me togfjalëshat  thuhet se:

Togfjalëshat sintaksorë të mirëfilltë shprehin 1) marrëdhënie objektore, 2) marrëdhënie përcaktore dhe  3) marrëdhënie rrethanore.

Ndërsa lidhur me temën tonë, përkatësisht rreth asnjanësit prejrrjedhor të togfjalëzuar ose të ndajfoljezuar, tek togfjalëshat foljorë të zgjeruar pa parafjalë ndeshim këtë shpjegim:

Kallëzuesi i përbërë i formuar nga një folje gjysmëndihmëse si mbaroj a pushoj në format kohore të dëftores, më rrallë në format kohore të lidhores, të habitores a të dëshirores. dhe nga një emër foljor asnjanës në rrjedhore shpreh mbarimin e veprimit. Folja gjysmëndihmëse shpreh mbarimin e veprimit dhe lidhjen me kryefjalën, kurse emri foljor asnjanës shpreh përmbajtjen leksikore. (Aty, f. 187.)

Dhe brenda fjalive përkatëse janë dhënë këta shembuj: do të mbarojnë së mbjelli, kishin pushuar së korruri, pushoi së thyeri, mbaronte së mbjelli dhe pas fjalive me këta shembuj ilustrues  vazhdon shpjegimi:

Në formën mohore, duke mohuar mbarimin e veprimit ky kallëzues shpreh një veprim që zgjat

dhe për ilustrim brenda fjalive jepen këta shembuj: s’pushonin së hedhuri (bomba), s’pushonte së foluri.

Po aty lidhur me kuptimësinë e shembujve të tillë thuhet:

Togfjalëshat folje + emër në rrjedhore janë të kufizuar nga kuptimi leksikor i emrit ose nga kuptimi leksikor i foljes. Pranë disa foljesh trajta e rrjedhores njëjës e një emri të pashquar tregon shkakun e veprimit, si p.sh. u lodha së nxituari, U ngjira së kënduari (Aty f. 91),

po më poshtë përforcohet po ky fakt:

Me disa folje dhe me emra rëndom abstraktë mund të shprehen marrëdhënie më së tepërmi shkakore, si p.sh.: Foshnja u këput nga të qarit. I dhemb koka nga të ftohtit. (Aty f. 92.)

Po në këtë burim si shembull të një rrethanori shkaku pa parafjalë jepet shembulli: këputeshin së qeshuri. (Aty f. 275.)

Edhe pse pritnim më shumë tekst dhe saktësi më të madhe lidhur me asnjanësit prejpjesorë të rasës rrjedhore, megjithatë na u desh të mjaftohemi me kaq.  Sidoqoftë  nga sa u tha në këtë burim mësojmë se togfjalëshi folje + emri asnjanës në rrjedhore është shprehje e përbërë prej dy gjymtyrësh të lidhura kuptimisht, folja  gjysmëndihmëse si gjymtyrë e parë i prin asnjanësit në fjalë, i cili shërben ose bën pjesë në përbërje të kallëzuesit, pra është në funksion të kallëzuesit të përbërë foljor një siemëror dhe që të dyja gjymtyrët e togfjalëshit zakonisht në mënyrën dëftore dhe në mënyra të tjera shprehin mbarimin e veprimit ose zgjatjen e veprimit, qoftë të natyrës pohore, qoftë të asaj mohore. Në raste të tilla folja ruan lidhjen me kryefjalën dhe rrjedhojën e veprimit, ndërsa asnjanësi përmbajtjen leksiko-gramatikore, pra gjymtyra e dytë (asnjanësi, si të themi i ndajfoljezuar) në kuptimin e përgjithshëm ka rolin kryesor, ndërsa folja shërben për të shprehur vetëm mbarimin.

Siç mund të shihet, edhe pse në gramatikën e gjuhës shqipe, si në morfologji ashtu edhe në sintaksë, ne na duket se ky tip asnjanësish zë vend, pothuajse, simbolik, megjithatë brenda tërë kompleksit ose mozaikut të strukturave përkatëse leksiko-gramatikore asnjanësi i tillë zë një vend jo aq anësor, madje edhe prodhueshmëria dhe aktiviteti i tyre, varësisht nga konteksti, nuk del i përçmuar.

Sigurisht koncepti ynë lidhur me këtë tip do të jetë më i plotë dhe më i qartë, pasi të konsultojmë edhe burimet e tjera, sidomos punimin e të ndriturit prof. Shaban Demiraj.

2. Nga punimi i prof. Shaban Demirajt

Studiuesi ynë i mirënjohur prof. Shaban Demiraj në veprën Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Prishtinë 1988, me sa dimë, paraprin në trajtimin e këtij tipi asnjanësish, eksluzivisht të grupit prejpjesor ablatival, ngase në mënyrë mjaft të hollësishme dhe në thellësi si në planin historik, ashtu edhe në atë sinkronik, zbardh mjaft çështje që nuk njiheshin mirë më përpara dhe që nuk i ndeshëm të sqaruara qartë, jo vetëm në gramatikën e Akademisë, por as në burime të tjera.

Sido që të jetë, autori në punimin e tij si shembuj ilustrues përfaqësues shënon këta dy togfjalësha:

mbarova së foluri dhe plasa së qari

dhe shpjegon  se togfjalëshi i tillë përbëhet nga dy gjymtyrë dhe se gjymtyra e dytë nuk është “gjë tjetër, veçse një rrjedhore e emrit prejpjesor asnjanës”, pra, prof. Sh. Demiraj i quan asnjanës prejpjesor të rasës rrjedhore.

Kështu nga studimi i prof Shaban Demirajt, edhe pse këtë rast nuk i trajton asnjanësit e grupit tjetër në shprehjet ndajfoljore, por vetëm asnjanësit prejpjesorë ablativalë, siç u cek pak përpara, mësojmë dhe do t’i kemi më të qarta mjaft gjëra, lidhur me këtë temë. Së këndejmi ne këtu më poshtë po i shënojmë disa nga mësimet që na u servuan nga ky punim, të cilat në tetë pika po i japim përmbledhtas, të parafrazuara prej nesh:

E para, këto shprehje si togfjalësha me asnjanës prejpjesorë në përbërje të kallëzuesit i kemi të trashëguara në të dy dialektet, të cilat  nuk dalin njëgjymtyrësh, por si dygjymtyrësh. Gjymtyra e parë është folja, e cila i paraprin asnjanësit dhe kështu formohet togfjalëshi gjysmë i lirë, dhe së këtejmi të dyja gjymtyrët janë të pandara gramatikisht e kuptimisht.

E dyta, zakonisht togfjalëshit të tillë nuk i prin çfarëdo folje, po një folje terminative ose aspektore gjysmëndihmëse, si p.sh.

1. mbarova së foluri: dhe 2. plasa së qari.

Te shembulli i parë autori konstaton se emri së foluri në kontekst shpreh marrëdhënie objektore fjalisore d.m.th. asnjanësi del si kundrinë, pra e thënë ndryshe në shqipen e sotme ky koncepti mund të shprehet: me sinonimin përkatës, krahaso: përfundova ose mbarova të folurit / përfundova ose mbarova së foluri, ndërsa te shembulli i dytë, asnjanësi së qari del në marrëdhënie rrethanore, konkretisht të një rrethanori shkaku, e thënë ndryshe, pra koncepti mund të shprehet me sinonimin. krisa (plasa) nga të qarit/ krisa (plasa) së qari. Pra nga dy shembujt përfaqësues kemi të bëjmë me dy nëntipa a grupe nënfushash a profilimesh të ndryshme semantike.

E treta, aty shpjegohet se pjesëza është në të vërtetë nyjë e përparme arkaike e asnjanësit në rasën rrjedhore, e cila, siç mund të shihet edhe nga shembujt tanë arbitrar barasvlerës(!) që i shtuam më sipër në shqipen e sotme sipas lakimit të rregullt në vend  del të. Krahaso: të folurit/së foluri; të qarit/së qari, prandaj shprehjet e tilla më nyjën së, profesori i quan me të drejtë  shprehje arkaike, të vjetra.

E katërta,  fundorja –i, siç e shpjegon autori nuk është zanore anaptetike, por është mbaresa –i e emrit mashkullor e asnjanësit në njëjësin e pashquar të rasës rrjedhore, e trashëguar nga koha, kur  kjo rasë, për këtë tip emrash, ishte më e eptueshme se sot.

E pesta, edhe pse është fjala për togfjalësha, siç e quan ai, gjysmë të  lirë    tipit mbarova së foluri ose plasa së qari, pra, të përbërë nga dy gjymtyrë: folja + asnjanësi prejpjesor i nyjëzuar i rasës rrjedhore, siç u tha pak më sipër, konsiderohen si gjymtyrë të pandara dhe zakonisht a fare natyrshëm këto dy gjymtyrë formojnë një njësi të vetme kallëzuesore me mundësi që shembujt e tillë, sipas kontekstit përkatës, të kenë marrëdhënie kundrinore  ose rrethanore shkaku ose të tjera në kuadër të fjalisë ose të të thënit përkatës, megjithatë trajta e asnjanësit nuk mund të quhet si formë e çemërzuar (d.m.th. e konvertuar plotësisht nga sistemi emëror në atë foljor), ngase ajo trajtë ruan gjithsesi edhe tipare të emrit, përveç atyre të foljes, d.m.th. të kallëzuesit të përbërë foljor. Lidhur me këtë profesori krahason shembujt si: plasa vape ndaj plasa së foluri, ngase që të dyja gjymtyrët e dyta të këtyre togfjalëshave ose shprehjeve arkaike janë emra të rasës rrjedhore (vape/së foluri), sintaksisht në funksion të një rrethanori shkaku.

E gjashta, vërtet, trajtat e shprehjeve në shqyrtim, mendojmë ne, mund të krahasohen sinonimisht edhe me versione të tjera, t’i quajmë, të gjalla sinonimisht, në shqipen e sotme, varësisht nga diateza apo funksioni që ka folja në kontekstin përkatës si gjymtyrë e parë, si b.f.:

mbarova ose u lodha së punuari,  mbarova ose u lodha nga puna ose prej pune, mbarova ose u lodha duke punuar, mbarova ose u lodha me punë

apo një shembull tjetër:

vazhdova së foluri, vazhdova me folë, vazhdova fjalën, vazhdova të folurit (të folët) e ndonjë variacion tjetër,

ku, siç mund të shihet nga versionet e mësipërme, vërtet del se gjymtyra e dytë ka barasvlerësi sinonimike me trajtat e emrave përkatës (nga puna, prej pune, me punë), por edhe me dy format foljore të pashtjelluara: përcjelloren (duke punuar) dhe paskajoren (me folë).

E shtata, autori konstaton se këto shprehje arkaike që ishin të pranishme në gjuhën tonë popullore pas L2B u aktivizuan ose u gjallëruan në gjuhën letrare dhe vazhdojnë të përdoren relativisht më dendur se në të kaluarën, sidomos në veprat e shkrimtarëve tanë të njohur,  ku, sipas tij, shihej një prirje e shkrimtarëve drejt gjallërimit të disa mënyrave të të shprehurit të gjuhës popullore e së këndejmi  edhe  të kësaj forme të të shprehuri.

E teta, madje sipas autorit, ndonëse gjymtyra e parë folja e togfjalëshit në shqyrtim mund të ketë njëfarë kufizimi në përdorim, sepse, e marrim me mend se të gjitha foljet nuk janë terminative ose aspektore në funksion të foljes gjysmëndihmëse, trajtat e gjymtyrës së dytë, përkundrazi, d.m.th. trajtat e asnjanësit prejpjesor nuk kanë kufizim, ngase asnjanësi i tillë potencialisht mund të ndërtohet (përftohet) nga çdo folje, sipas vetave e kohëve, numri, por trajta e asnjanësit mbetet e ngurëzuar, pra ndërtimi e përdorimi i tyre numerikisht ka mundësi të pakufizuar shumimi si gjymtyrë e dytë, madje nga e njëjta folje, si me thënë, paraprirëse (drejtuese). Pra, siç e pamë edhe në shembujt e mësipërm mund të përftohen disa shembuj me gjymtyrën e dytë, por njëherazi, edhe nga disa folje të tilla (nga gjymtyra e parë) mund të përdoret e njëjta formë e gjymtyrës së dytë dhe anasjelltas. Krahaso: U lodha së lexuari (së shikuari, së punuari, së recituari, së dëgjuari ... etj), në njërën anë,  por dhe nga ana tjetër, po shtojmë ne, dalin shembuj jo të aq të kufizuar, si:  U lodha (u molisa, u kënaqa,  u kënaq, u kënaqën, u josha, u  joshët, u frymëzova, ishin frymëzuar, u ngroha...etj) së punuari.

Pra një mundësi e tillë shumimi të shprehjeve me të dyja gjymtyrët, veç e veç,  pa e dëmtuar kuptimin  e shprehjes përkatëse, në shqipen e sotme është e pakufizuar.

Sidoqoftë edhe pse nga punimi i prof Sh. Demirajt mund të nxjerrim edhe kontribute të tjera, ne, këtu, po mjaftohemi me kaq.

3. Nga konstatimi i prof. Kolec Topallit

Prof. Kolec Topalli, siç e pamë në fillim të këtij punimi konstaton drejt kur thotë se, edhe pse i goditur prej shekulli në shekull, nga forma të tjera të dy rasave aktive gramatikore: mashkullore e femërore, asnjanësi në përgjithësi ka mbijetuar dhe pikërisht për tipin e fundit të asnjanësit në trajtim autori përmend shembuj nga të dyja grupet: prejpjesorët e paranyjëzuar të rasës rrjedhore dhe shprehjet ndajfoljore po të kësaj rase. Dhe këtë e bën në dy pika të veçanta:

së pari, tek emrat prejpjesorë në rasën rrjedhore, si trajta përfaqësuese shënon këta tre shembuj:  mbarova së foluri, plasa së qari dhe u lodha së punuari dhe

së dyti, si pikë më vete kur bën fjalë për ndajfoljet e shprehjet ndajfoljore, të formuara nga emërzimi i mbiemrave dhe të kategorive të tjera leksiko-gramatikore në rasën rrjedhore shënon këta nëntë shembuj përfaqësues, 5 ndajfolje:  së largu,  së shpejti, së afërmi,  së bashku, së pari dhe 4 shprehje ndajfolëjore:  për së mbari,  për së gjati, për së gjalli, kot së koti.

Pra, si të veçanta nga konstatimet e prof. K. Topallit po veçojmë  këto  tri fakte:

E para, vëmë re se autori jo vetëm  dallon edhe me shembuj konkretë emërzimet e dy grupeve: prejpjesorët dhe prejmbiemrorët ablativalë, por edhe brenda  prejmbimërorëve dallon  ndajfoljet e thjeshta  nga shprehjet ndajfoljore ablativale.

E dyta, të dyja grupet prejpjesorët prejrrjedhorë dhe ndajfoljet e shprehjet ndajfoljore prejrrjedhore, ndonëse të goditur nga format e tjera sinonimike gjatë shekujve, siç thekson ai, kanë arritur t’u shpëtojnë rrymave të kohës nga zhdukja dhe të mbijetojnë deri në ditët e sotme në formën e asnjanësit, pikërisht me elemente arkaike të rasës rrjedhore.

Së treti, kuptojmë gjithashtu se jo vetëm kanë arritur të mbijetojnë, por edhe të kenë përdorim pothuajse normal në strukturat përkatëse, qoftë si togfjalësha në funksion të kallëzuesit të përbërë, qoftë si shprehje në marrëdhënie përcaktore e  rrethanore, madje si ndajfolje a shprehje ndajfoljore, duke u bërë kështu pjesë e mozaikut të strukturës ndajfoljesore për të shprehur segmente a nënfusha përkatëse semantike.

Pra, duke kryer funksione të caktuara aktualisht në formën e asnjanësit në rasën rrjedhore, edhe pse jo si emra të mirëfilltë asnjanës, por të tranformuar sipas procesit të emërzimit a çemërzimit të pjesshëm, qoftë si prejpjesorë, qoftë si prejmbiemërore të konvertuar në ndafolje nuk mund të anashkalohen e të mos kihet parasysh identiteti i tyre si emra asnjanës të tipit të veçantë,  pra si asnjanës prejrrjedhorë (ablativalë).

4. Nga  Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe  (2011)

E kemi cekur po në këtë punim se Fjalori drejtshkrimor (2011) nuk karakterizohet vetëm për shumësi fjalësh që përmbledh, por edhe për diçka të veçantë që ka të bejë me temën tonë, aty ndeshim numër të konsiderueshëm të ndajfoljeve dhe të shprehjeve ndajfoljore mbi bazë të asnjanësit prejrrjedhor, që shembujt e tillë kalojnë 30-shin

Mirëpo për ne edhe më i veçantë del fakti se aty (në këtë Fjalor), dalin të regjistruar në zëra të veçantë edhe këta  emra asnjanës prepjesorë ablativalë:

së kënduari,  së luajturi,  së qeshuri, së prituri, së punuari, së vrapuari

pra, të veçantë janë për nyjën e përparme të rrjedhores dhe për i-në fundore të emrit mashkullor e asnjanës në njëjësin e pashquar.

Mbase për dikë, duket pak e çuditshme, pse në atë Fjalor janë shënuar vetëm gjashtë shembuj, kur kemi parsysh prodhimtarinë dhe aktivitetin e formave të tilla në jetën tonë gjuhësore, ku numri i tyre del më i madh dhe me perspektivë shumimi. Ne konsiderojmë se sa për fillim shembujt e tillë mjaftojnë, nëse konsiderohen si shembuj përfaqësues, kur kemi parasysh faktin se fjalë-format e tilla mungojnë në fjalorët e deritashëm normativë përshkruestë gjuhës sonë. Pritet që në të ardhmen fjalë-format e tilla të figurojnë edhe në burime të tilla, madje numri i tyre me siguri do të jetë më i madh.

Sidoqoftë, edhe kjo prani  e fjalëformave të tilla në Fjalorin  (e ri!) drejtshkrimor ka ndikuar si faktor jo pak i rëndëshëm që ne asnjanësit e tillë t’i merendojmë si  tip  më vete.

*       *      *

Sigurisht lexuesi i vëmendshëm mund të ketë vërejtur edhe gjëra të tjera të veçanta, nga katër burimet a faktorët e sipërpërmendur, përveç atyre që u potencuam prej nesh. Me fjalë të tjera jemi të vetëdijshëm se kanë mbetur edhe disa paqartësi, në kuptimin që duhen hulumtime të mëtejshme rreth asnjanësve nga aspekti i qëndrueshmërisë gramatikore e semantike të tyre, pra edhe të asnjanësve të këtij tipi, prandaj nga ky kontekst është krejt e natyrshme të kërkohen nga ekpertët e gjuhës sonë jo vetëm sqarime, por edhe studime e interpretime përkatësemë të nivelizuar, ngase përveç harmonizimit, verifikimit  të konstatimeve të shprehura deri më tash, nevojiten edhe përplotësime që mund të dalin nga hulumtimet e mëtejshme. Pikë së pari pritet edhe konsolidimi i vetë terminologjisë sa më adekuat të këtij tipi dhe tipave të tjerë të kategorisë së asnjansit në gjuhën tonë..

Sido që të jetë, ne duke pasur për mbështje faktet e mësipërme, e pamë të arsyeshme që në temën tonë Rreth identitetit të asnjanësit në shqipen e sotme, t’i përfshijmë e  trajtojmë  asnjanësit  e tillë, si tip më vete dhe i quajtën kryesisht asnjanës ablatival, ose prejrrjedhor,, d.m.th. të rasës rrjedhore. Siç jemi deklaruar në parathënie të këtij punimi, me këtë emërtim përfshimë si grupin e ndajfoljezuar prejmbiemërorë ashtu dhe ata të kategorive të tjera leksiko-gramaikore, pra, edhe rastet e prejpjesorëve të togfjalshëzuar. Patëm të drejtë apo jo, le të vlerësohet.

Ne, në të vërtetë, rreth profilimeve a nënfushave semantike që mbulojnë  asnjanësit në shprehjet e tilla, qoftë kallëzuesore, qoftë ndajfoljore, ashtu edhe për tipat e tjerë, do të bëjmë fjalë në nëntitullin më poshtë si dhe në kreun vijues, ku bashkë me shembuj  karakteristikë do të sjellim edhe ndonjë kontatim plotësues.

3) Çështje rreth përkufizimit të nënfushës semantike të asnjanësve

Pra, kur është fjala tek çështja e përcaktimit a e përkufizimit të fushës e të nënfushave të qartë semantike që mbulojnë asnjanësit, duhet pasur kujdes së pari rreth njohjes së lëndës e pastaj edhe përcaktimit më me kompetencë të nënfushave semantike, jo vetëm sipas gjasave, po sipas  realieve që  mbulonin ose që realisht mbulojnë sot ose priren t’i mbulojnë në të ardhmen.

Në të vërtetë, lidhur me asnjanësit primitivë të paparanyjëzuar nuk do të ndalemi gjatë, ngase tashmë dihet se shumica e tyre janë shkrirë në dy gjinitë aktive femërore e sidomos në njëjësin e gjinisë mashkullore që po ashtu janë emra sintetikë, por do të ndalemi patjetër pikërisht tek dy tipat e asnjanësve analitikë që i quajmë ndryshe, siç e pamë më sipër edhe asnjanës të paranyjëzuar të rasës emërore, prejardhja e të cilëve është e ndryshme, por fusha kuptimore që mbulojnë, sot për sot ka të bëjë kryesisht me të shprehurit ose me emërtimin e konceptit abstrakt të idesë, cilësisë, gjendjes a të qenit -  për prejmbiemërorët, përkatësisht të konceptit të veprimit të caktuar  -  për prejpjesorët.

Pse po e (ri)theksojmë në mënyrë të veçantë këtë nënfushë semantike të asnjanësve të paranyjëzuar? Menjëherë po përgjigjemi se këtë po e bëjmë për disa arsye, të cilat po i përmendim më poshtë, në pesë pika:

Së pari, sepse kjo nënfushë ose nënprofilet e kësaj nënfushe semantike, sipas burimeve përkatëse, nuk dalin të vërejtura mirë nga studiuesit e deritashëm. Arsyeja qëndron edhe në faktin se sipas gjase ata, asnjanësit e paranyjëzuar në shqyrtim, i kanë shikuar jo mirë vetëm si forma të çemërzuara që në faza më të hershme nuk mbulonin vetëm një fushë të ngushtë semantike lidhur me fushën e abstraksionit, por e kishin më të gjerë fushën e kuptimësisë së tyre, kishin shtrirje edhe në nënfusha të tjera semantike që sot nuk i kanë, dhe nuk e kanë vërejtur faktin se emrat e tillë nuk ndeshen vetëm në raste ose vetëm si gjurmë që ende ruhen si relikte në nënprifile të caktuara kuptimore, por që edhe sot ata (asnjanësit e tillë), gjëllijnë, madje të specifikuar qartë në nënfusha të caktuara semantike.

Kështu themi pasi ka raste, siç është cekur më përpara se asnjanësit e tillë dalin të shënuar në FShS, së pari, jo për kuptime abstrakte, por për kuptime të nënfushave të tjera semantike, qoftë për të emërtuar gjë-sende konkrete ose të ndonjë profili tjetër, siç janë emërtimet e ndonjë sëmundjeje ose të ndonjë gjendjeje të caktuar psikike të njeriut, por që tashti rastet e tilla, në konkurrencë me termat përkatës zyrtarë, siç mendojmë ne, bazuar në realitetin aktual, kanë pak gjasa ta mbajnë plus edhe atë ose ato kuptime të rastësishme polisemantike. E kemi nxjerr në shesh në krerët e mëparshëm se asnjanësit e paranyjëzuar në fjalë janë aktivë dhe produktivë, pikërisht pse e kanë të specifikuar (sipas rregullit të paracaktuar të motivuar nga tema prodhuese) nënfushën e veçantë semantike abstrakte që e mbulojnë, andaj edhe dalin të pazëvendësueshëm me sinonimet përkatëse për atë nënfushë të abstraksionit. Besojmë se lidhur me këtë, në krerët e mëparshëm, kemi dhënë mjaft prova me sqarime të qëndrueshme. Në këtë kontekst po shtojmë se ndonëse ne kemi bindje se konstatimet tona kanë saktësi të qindpërqindtë, megjithatë ajo ende mbetet çështje e hapur, sepse ajo saktësi e qëndrueshmëri duhet të verifikohet, të përkrahet dhe të rekomandohet edhe nga të tjerët, sidomos nga standardologët e gramatikanët e gjuhës sonë.

Së dyti, në kontekst të fakteve, na merr mendja se duhet sqaruar edhe një argument tjetër, jo pak i rëndësishëm. Është fjala se studiuesit e deritashëm, të cilët asnjanësit en bloc i kanë konsideruar si joaktivë ose si relikte mbeturinore, dhe për këtë kanë pasur si bazë vetëm një nënfushë semantike, nënfushën e procesit të veprimit përkatës, ku me të vërtetë edhe asnjanësit e paranyjëzuar në konkurrencë me format rivale më të reja, femërorë e paranyjëzuar si dhe emrat me prapashtesat përkatëse të gjinisë mashkullore ose femërore ka pësuar rrudhje, por ata (studiuesit) nuk kanë mundur të shohin se asnjanësit e tillë, ç’është e verteta, nuk dalin të rrëgjuar plotësisht, por janë përforcuar, jo fort larg nënfushës së atakuar, duke qëndruar po në të njëjtën fushë të abstraksionit, pra, në një nënfushë tjetër ku shprehet koncepti i veprimit dhe pikërisht në atë nënfushë dalin të pozicionuar fort.

Së treti, kur themi të pozicionuar fort kemi parasysh tre faktorë që nuk janë vërejtur sa duhet nga studiuesit e deritashëm e që janë:

E para, tema e qartë motivuese prejmbiemërore ose prejpjesore që si të themi drejtpërdrejt reflektohet tek kuptimi i emrit, d.m.th. tek asnjanësi përkatës i paranyjëzuar;      e dyta, nënfusha e qartë e specifikuar semantike që e mbulojnë emrat në fjalë, e cila ka të bëjë kryesisht me majat e fushës së gjerë të abstraksionit dhe

e treta, duke e pasur temën e qartë motivuese edhe nënfushën e qartë semantike që e mbulojnë aktiviteti dhe produktiviteti i emrave të tillë, varësisht nga konteksti, del me mundësi të pakufizuar shumimi.

Pra, pikërisht këta tre faktorë:

1.tema e qartë fjalëformuese motivuese,                                                                        2. specifikimi i nënfushës së qartë semantike që mbulojnë si dhe                             3. aftësia vepruese dhe prodhimtare e tyre pa kufizim shumimi,

u ka dhënë jetë e fuqi që emrat e tillë jo vetëm të mbijetojnë me sukses përçmimin a mohimin arbitrar, pa mbështetje, të shqiptuar nga disa studiues jo pa emën, por të shënojnë rritje cilësore.

Sidoqoftë, e keqja qëndron se pikërisht këta tre faktorë, si duket, si koncepte u kanë munguar studiuesve të mëparshëm dhe për të vetmen arsye se tema ose lënda në fjalë, nuk ishte trajtuar atëbotë (vitet ’50-‘90 të shekullit të kaluar) në hollësinë, thellësinë dhe gjerësinë e duhur. Rreth kësaj çështjeje, ne, kemi bërë fjalë mjaft gjerësisht në krerët e mëparshëm, këtu do të shtonin se problemi në fjalë kërkon zgjidhje të arsyeshme. Sigurisht pasi të verifikohen të tre faktorët e sipërpërmendur, si të saktë, për çka ne nuk dyshojmë, ngase kemi mbështetje në realitetin tonë gjuhësor, por që duhet të miratohen edhe nga kompetentët, atëherë e menjëherë duhet të merret e masat e sanimit të gjendjes sa më parë aty ku duhet e si duhet, në burimet tona normëzuese.

Së katërti, jo vetëm për pikën  e sipërcekur, por edhe për gjëra të tjera, gjithsesi sa më parë lypset neutralizuar mendimet e pasakta dhe përçmuese që kanë mbetur, jo vetëm tek personat e caktuar që më mirë e kanë studiuar ndonjë gjuhë të huaj se të veten dhe tani pak si vështirë e kanë të ndërrojnë atë botëkuptim që u është pjekur në mendje, por aq më tepër ka rëndësi të bëhen korrigjimet e duhura jo aq te personat e tillë, por në burimet e caktuara normative, siç u cel më sipër, në mënyrë që ky proces t’i kthehet normalitetit institucionalisht. Është fjala për futjen në përdorim të asnjanësit të paranyjëzuar ashtu si edhe të paskajores së mirëfilltë (me + pjesore e shkurtër) në fushën e abstraksionit, ngase mungesa e këtyre dy komponenteve e ka dëmtuar e do t’i dëmtojë edhe më shumë fushat e kumtimësisë, në radhë të parë të asaj abstrakte në gjuhën tonë.

Së pesti, s’do mend se çështja duhet të trajtohet esëll, realisht e pa paragjykime, ashtu siç duhet. Në kontekst të kësaj që thamë po e japim edhe një shembull (fjali-periudhë), që besoj se do të mirëpritet, nga ata që duan ta kuptojnë edhe më mirë se ku qalon ende zgjidhja e problemit:

E dimë  se të shkruarit është një proces i ndërlikuar, por ti vazhdo me shkruarje (së shkruari, me shkrue, të shkruash, me shkrime, me të shkruar!), sepse vetëm shkrimi i përfunduar dhe i publikuar të nderon intelektualisht.

Me fjalë të tjera, po sqarojmë se: me të shkruarit, kuptohet koncepti i veprimit, kurse:  vazhdo: me shkruarje (me shkrime, me të shkruar a së shkruari) kuptohet vetë procesi i veprimit, ndërsa me emërtimin: shkrimi nënkuptohet rezultati i veprimit (të përfunduar a të botuar).

Atë që e thamë se koncepti i asnjanësit. të shkruarit, si koncept i veprimit nuk konkurrohet plotësisht assesi as nga sinonimi shkruarje as shkrimi, që për procesin e veprimit a si ide e konceptuar mund të ndërkëmbehen, ashtu edhe me foljen gjysmëndihmëse vazhdo (me vazhdue) që në shprehjen e ngurosur del: vazhdo + asnjanësi në versionin tjetër: Vazhdo së shkruari ose Me vazhdue së shkruari(!). Nuk e shohim të arsyeshme të komentojmëmë tej versionet e tjera të mundshme sinonimike si: Vazhdo me shkrue, Vazhdo të shkruash, Vazhdo me shkrime ose Vazhdo të shkruarit(!), por po theksojmë edhe diçka që duhet mbajtur mend se për mendimin tonë, nëse dikush tenton ta zëvendësojë asnjanësin të shkruarit me barasvlerësit sinonimikë shkruarje ose shkrim si p.sh. E dimë se shkruarja (!) ose shkrimi (!) është një proces i ndërlikuar, tregon se nuk e njeh mirë natyrën e të shprehurit të shqipes sot. Në të vërtetë, nëse dikush ka menduar a mendon edhe sot se me një veprim të tillë përkrahet thjeshtëzimi në gjuhë, le ta dije se me një thjeshtëzim(!) të tillë lëndohet pikërisht pasurimi trashëgimor i gjuhës, dëmtohet kultura e gjuhës, zhvillimi e pasurimi i saj, pasurim ky, i cili është përherë më i rëndësishëm dhe më frytdhënës se çdo thjeshtëzim arbitrar.

Pra këto ishin disa nga arsyet që ne tërhoqëm vërejtjen për këto çështje, si të thuash, të përgjithshme, sepse del e nevojshme me u njohë e me u precizue më mirë nënfusha e qartë semantike që mbulojnë asnjanësit përkatës, pa mohuar në raste edhe ndërkëmbimin sinonimik, por vërejtje duhet të tërhequr edhe për disa çështje të tjera të veçanta si me thënë, të jashtme, që po i cekim në vijim.

2. Disa vërejtje të tjera për çështje  të veçanta

Këtu më poshtë si çështje të veçanta që duhen tërhequr vërejtje për të tre a katër tipat e asnjanësve do të përmendim disa sosh, të cilat i kemi përmbledhur në këto tetë pika:

E para, asnjanësit e mirëfilltë të paparanyjëzuar, të cilët tashmë kanë kaluar a janë konvertuar me shkrirje në gjininë mashkullore, as që duhet tentuar t’i kthejmë në gjininë e mëparshme, pos atyre që i njeh standardi ose atyre rasteve të rralla, të lejuara për shkaqe shkencore, letrare-artistike  si tipizime, ekzotika, idioma etj.

E dyta, le të dihet se emrat e paranyjëzuar që i ndeshim në shumësin e pashquar në trajtat me mbaresat a fundoret -a ose -e, edhe nëse ende mund të bartin në vete koncepte të pjesërishme të gjinisë asnjanëse, pa mëdyshje, duhet të konsiderohen si emra të gjinisë femërore. Pra, shembujt:

të ëmbëltat, të djerga-t, të qetha-t,

të vermet-t, të pame-t, të kine-të.

dhe të ngjashem a identikë me ta tashmë duhet me i kategorizue në kuadër të emrave të gjinisë femërore. Ata në shumicën e rasteve përveç formës së shumësit e formojnë pothuajse normalisht edhe numrin njëjës po në gjininë gramatikore femërore. Së këndejmi del se konstatimet e tilla me shenjën (siglën) e asnjanësit, që mund t’i ndeshen ende në burime të caktuara, si në Fjalorin e M. Elezit e gjetiu, madje edhe në Fjalorin drejtshkrimor, duhen korrigjuar ose duhen cilësuar si konstatime të vjetruara për letrarishten e sotme,

E treta, trajtat e shënuara sipas ish-variantit letrar të gegërishtes, që i ndeshim në burime të caktuara si dhe disa shembuj në Fjalorin e M. Elezit, si p.sh.:

1) të cirkun –it, të çiluni-it, të dejun-it,  të dekun-it, të djergun-it, të hasun-it, të marrun-it, të vyejtun-it, të pakunit etj.

2) të ambëltuem-it, të burrnuem-it të emnuem-it, të gjatuem-it, të gjimuem-it, të nduem-it,  të qëndruem-it, të rrnuemit, të rryem-it, të sharruem-it, të shtruem-it, të vetuem-it etj.

3) të përbamë-t, të përbimë-t, të zhbëmë-t, të ramë-t, të vumë-t etj.

4) të famë-t, të kshten-ët, të mbarshëm –it,  të mujshëm –it, të cegëm –it të kien-it, të hangërn-it!, të përhijem-it, të përmarrshëm –it etj.

sipas mendimit tonë, është mirë me i përpunue paksa semantikisht, ndërsa drejtshkrimisht, nuk bëhet aspak keq të harmonizohen me normën në fuqi. Por, duam të themi, se gjatë këtij përpunimi a verifikimi, duhet veçuar ndonjë ose jo pak raste si shembuj të veçantë, të cilët mund të jenë të lejueshëm të konkurrojnë edhe në trajtë-formën e ish gegërishtes letrare, nëse   rasti vjen si karakteristikë e jashtëzakonshme ose nëse kemi të bëjmë me shfaqje të një koncepti të ri ose të pambuluar mirë me trajtat e letrarishtes së sotme (toskërishtes), siç janë, b.f. shembujt: të tëpanët, të emnuemit, të burrnuemit e ndonjë tjetër. Rastet e tilla të nevojshme arsyetohen, madje edhe më me shumë të drejtë seç arsyetohen fjalët e shprehjet lapiodare me paskajore wsi dhe shprehjet e huaja karakteristike si slogane që kopjohen në origjinal, ose kalkëzohen, për të cilat për hir të autenticitetit që shprehin gjuha, stili ose situata i pranon, sigurisht kur ka nevojë për to. Nuk është fjala vetëm për terminologji tekniko-shkencore, por edhe për ekzotika a raritete ose për fjalë e shprehje karakteristike të jashtëzakonshme, të cilat, po të përvetësohen me kriter po në atë formë shkrimore gjithsesi do ta pasuronin edhe shprehjen e gjuhës sonë me koncepte të reja pa e rënduar dukurinë e polisemisë. Në të vërtetë, kështu edhe gjuha jone letrare (standarde) duhet të pasurohet me fjalë e shprehje (koncepte) të reja karakteristike të trevave përkatëse, siç është vepruar në FGJSH 2006 me trajtat gege: gjakhupës, lëshuemas, shkueni,  burrni, cucëni, çikëni përkrah vajzëri, çupëri e ndonjë tjetër. Aq më tepër një veprim i tillë është i lejueshëm, kur një e drejtë e tillë universale del e arsyeshme kur koncepti i veçantë mbulohet natyrshëm nga norma globale e vetë gjuhës amtare.

E katërta, të diskutueshme drejtshkrimisht dalin edhe trajtat me fundoren –ë,  si të brutë-it, të çarë-it, të dhimë-it, të hymë-it, të ndrytë-it, të përqethtë-it, të sëmutë-it, të shpejtë-it,  të shumtë-it, të vrantë-it, të cilat, siç e pamë nga shembujt e vjelë nga FShS (2006), sipas rregullës duhet të shquhen me –t jo me –it, pra asnjanësi të brutë-t  sipas rregullës në fuqi duhet drejtshkruar të butët etj., ngase siç u pa nga pasqyra, asnjanësit që mbaronin me   fundore në temë e ruanin ë-në e temës ne trajtën e shquar, kur në shumës marrin nyjë-mbaresën –t. Nuk shohim kurrfarë arsyeje që mos të respektohet kjo rregull drejtshkrimore edhe në rastet e tilla kur kemi të bëjmë me asnjanësit.. Por nuk duhet të na hutojnë shembujt e tillë nga tradita ose nëse i ndeshim me -it mbiemrat e emërzuar të këtij tipi në shumësin e gjinisë mashkullore, krahaso mbiemrin (të emërzuar mashkullor): i butë i buti të butë të butit (emërzim njeriu) ndaj të butët (asnjanës).

Sigurisht kjo rregull që i dallon formantet e shquarsisë në raportin: asnjanës i paranyjëzuar prejmbiemëror / emër (njeriu) i paranyjëzuar prejmbiemëror, si b.f. trajta të drejtët do të përforcohet apo jo, varet nga standardologët tanë. Në drejtshkrimin e rinuar të ardhshëm mund të futet rregulla që  trajtat me -ËT fundore t’i takojë asnjanësit përkatës, kurse trajta tjetër me -IT fundore, tipi i drejti (njëjësi shquar) të drejtit (shumës) t’i takojë emrit të përgjithshëm të njeriut, atëherë do të zgjidhej edhe kjo dilemë. Krahaso, në njërën anë asnjanësit e paranyjëzuar. të përzierët, (g. të përziem’t ose të përzienët, të lyerët (të lyem’t ose të lyenët),, të ngjyer-ët (të ngjyem’t ose të ngjenët)t), të marrët a të çmendurët (të çmendun’t) etj ndaj emrave të përgjithshëm frymorë të gjinisë mashkullore (prejmbiemërorë e prejpjesorë) në anën tjetër: të përzierit (g. të përziemit),, të lyeri-t (të lyemit), të ngjyerit të ngjyemit), të marrit a të çmendurit (të çmendunit). Përndryshe, rastet e tilla mund t’i bashkohen grupit të prejpjesorëve nga foljet përkatëse, ngjashëm si shembujt me prapashtesën –I/T si të ardhurit, të shkëlqyerit etj., me një i/ anaptetike para nyjë-mbaresës -t  të shumësit.

Nuk dimë sa ka të drejtë prof. Kolec Topalli, që përkundër rregullës, të parapëlqejë për asnjanësit nyjë-mbaresën e mashkullores  -it, ndaj asaj të normuarës -ë/t tek rastet:  të ftohtit të ngrohtit. (Shih: Seminari 26/1, Prishtinë 2007 f. 213. Siç e pamë në disa shembuj të folmet veriore përhapje më të madhe ka trajta me –IT. Sidoqoftë, po përsërisim, kjo mbetet punë për standardologët për ta përcaktuar e rekomanduar më mirë zgjidhjen  e duhur.

E pesta, çështja e trajtës përfaqësuese të asnjanësit të paranyjëzuar mbetet problem paksa i hapur. Themi paksa, sepse mbizotëron logjika që si trajtë përfaqësuese e asnjanësit të paranyjëzuar të shërbejë trajta e njëjësit të shquar e jo ajo e pashquara. Kështu është vepruar në të shumtën e rasteve në fjalorët përkatës dygjuhësh që konsultuam, por edhe në raste të trajtimit të temës në fjalë. Sidoqoftë, meqë, siç u cek më sipër, mëdyshja rreth përcaktimit të trajtës së pashquar ose të shquar te asnjanësit, nuk del e zgjidhur edhe sot e kësaj dite, andaj del e drejtë kërkesa që standardologët (komisioni përkatës) ta thonë fjalën e tyre përfundimtare më me kompetencë.

Ç’është e vërteta, për emrat e mbiemrat në përgjithësi (femërorë e mashkullorë) përmendet trajta e pashquar si trajtë përfaqësuese, po a vlen kjo edhe për asnjanësit apo bën përjashtim kjo nënkategori duhet të sqarohet. Siç e pamë në Fjalorin e shqipes së sotme nuk përcaktohet trajta përfaqësuese, ngase mbaresa e shquarsisë ndahet me vizël nga trajta e pashquar, andaj siç u tha, kjo mbetet çështje e hapur. Për mendimin tonë trajta e emrit të paranyjëzuar e njëjësit  të shquar të emërores, si trajtë e ngurosur përfaqësuese, në kontekste të caktuara, del më e përkapshme formalisht e semantikisht, kundrejt trajtës së pashquar. Themi kështu ngase tema bazë e trajtës së pashquar nuk dallohet formalisht nga trajtat e dy gjinive të tjera. Krahaso: m. i mirË, e mirË  ndaj  të mirË, ndërsa njëjësi i shquar përveç nyjës së përparme dallon edhe sa u përket nyje-mbaresave të shquarsisë: m. i mirë i miri-i të mirë të mirët, f. e mirë e mira të mira të mirat, ndërsa  asnjanësi (vetëm njëjës):  të mirë të mirët.

Prof. Sh. Demiraj rreth kësaj teme, ka dhënë shpjegim të pranueshëm me këto fjalë:

“Në gjuhën shqipe  ashtu si edhe në gjuhë të tjera të pajisura me  nyje, përdorimi i emrit me nyjën shquese ose me përcaktorë të tjerë të paravendosur është pakrahasim më i rëndomtë se përdorimi i trajtës së pashquar të paraprirë me  ndonjë përcaktor a parafjalë. Një dukuri e tillë është pasojë e drejtpërdrejtë e kufizimit gjithnjë e më të madh të aftësisë së emrit  për të qenë i vetëmjaftueshëm në gjuhët e pajisura me nyjë, sidomos në një varg funksionesh sintaksore, ku emri përdoret më fort me kuptim të individualizuar, siç janë funksionet e kryefjalës, kundrinorëve, rrethanorëve dhe të përcaktorëve emërore. Në këto funksione trajta e shquar zakonisht i kundërvihet trajtës së pashquar të prirë nga nyja joshquese ose nga ndonjë tjetër përcaktor individualizues”. (Shih: Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Prishtinë, 1988, f. 406.)

Prandaj në përputhje me shpjegimin e prof. Sh. Demirajt edhe ne po shprehemi në dobi që trajta e shquar e njëjësit të asnjanësit të shërbejë si trajtë përfaqësuese(ose mbizotëruese), sidomos në analiza, mirëpo në situata të caktuara varësisht nga konteksti të dyja trajtat e asnjanësit (e shquara edhe e pashquara), mund të përdoren normalisht, sidomos kur është fjala tek shprehjet frazeologjike të trashëguara si dhe në të gjitha rastet e tjera kur natyra e të shprehurit lejon.

E gjashta, çështja e përzgjedhjes së pjesores së shkurtër ose të zgjeruar, sipas praktikës së deritashme të normës në fuqi, pothuajse del e zgjidhur, ngase nuk vihet në dyshim pjesorja e shqipes letrare tek formimi asnjanësit prejpjesor, ashtu si edhe tek mbiemrat prejpjesorë, por në raste të veçanta pjesorja e shkurtër mund të shfrytëzohet, siç ishin shembujt paralelë, tipi: të qeshët (me qeshë) dhe të qeshurit / të qeshunit! (nga qeshur me qeshun) etj.

Pra, për mendimin tonë pjesoret e zgjeruara me –un veç ndonjë rasti tejet karakteristik: të pakunit, të hasunit, me kuptimet e veçanta nga FGjSh 1954), që të gjitha duhet me dalë të zëvendësuara me –ur fundore të letrarishtes, ndërsa ato më pjesore të shkurtër mund të jenë të tolerueshme, pse jo, vetëm si pjesë e rezervës në raste kur paraqesin kuptimësi të veçantë, që mund t’i kundërvihet me ndonjë arsye pjesores së zgjeruar të letrarishtes.

Sido që të jetë, një mënyrë e tillë fjalëformimi që sfidon në ligjërime shpesh qëndron si rezervë e gjallë, po përsërisim, sa herë që e kërkon nevoja, sidomos për ato koncepte që nuk janë mbuluar tërësisht ose kënaqshëm me formën e pjesores së zgjeruar të letrarishtes së sotme dhe kjo mundësi e rezervuar për mendimin tonë mund të quhet si pasuri e heshtur potenciale ose si thesar rezerv që në rast nevoje nga ligjërimi përkatës mund të shfrytëzohet a të gjallërohet edhe në standardin e përbashkët.

E shtata, gjithsesi, mendojmë se nuk duhet përfillur kurrsesi kërkesën që asnjanësit mbi bazë të foljeve apofonike dhe të tjera me pjesore të shkurtër të shkruhen ndryshe nga norma, me arsyetimin se gjoja ashtu kanë përdorim të gjerë në burime të traditës. Pra jo. të nxjerrurit,  të sjellurit,  të qenunit a të qenurit, të marrunit a të marrurit, të pjellurit,  të vjellurit, po: të nxjerrët, të sjellët, të qenët, të marrët, të pjellët, të vjellët, e kështu me radhë.

E teta, edhe tek tipi i katërt asnjanësit në shprehjet ablativale (prejrrjedhore), si p.sh.

Mbarova së foluri, u lodha së prituri, plasi së qari; ecëm së bashku, u përshëndetëm prej së largu a për së largu; së paku e së toku ; për së pari a pikë së pari, së joshuri, së bleri etj.

që përfundojnë padyshim me mbaresën–u ose -i të mashkullores në njësin e shquar, padyshim dëshmojnë konstatimin e drejtë të prof. Sh  Demirajt, që fundorja –i ose –u, është tipar i njëjësit të emrit të pashquar të rasës emërore e rrjedhore, por lidhur me këtë mund të shtrohet edhe këto pesë çështja që kërkojnë sqarim:

Së pari, kjo –i, fundore, (edhe pse refleks arkaik i rasës rrjedhore) sa ka lidhje me reflektimin analogjik te tingulli anaptetik, si te shembujt kur plasi së qari, u kënaqa së pari etj., kur dihet se pjesorja si temë prodhuese e shembujve të tillë pjesorja parë, qarë, përfundon me zanoren –ë (prapashtesa –rë). Krahaso qarë, parë, dhe se asnjanësi prejpjesor mbi këtë bazë, tipi i tretë, siç e pamë, dilte  me –ë/t fundore: të qarët, të parët.

Së dyti, është vërtetë se në ligjërime të lira dëgjohet edhe trajta e emrave  të tillë me –i/t ose –u/t fundore si  b.f: u lodha së priturit, plasa së qarit, pikë së parit: paraqitu së pakut,  përshëndetje prej së largut etj., me fjalë të tjera sa është e lejueshme prirja e tillë e hetueshme që mbaresa e asnjanësi të tillë me kalue në trajtën e  mbaresës së shquar.-i/t ose –u/t.

Së treti, gjymtyra e dytë, (asnjanësi prejrrjedhor, nga shprehjet e tilla si p.sh u përshëndetëm prej së largu (nga larg!), objekti  u kontrollua  (prej) së jashtmi e  (prej) së brendshmi (nga jashtë e nga brenda) mund të ketë edhe marrëdhënie të tjera rrethanore e jo vetëm atë të shkakut që e përmend prof. Sh. Demiraj apo jo?

Së katërti, mendojmë se trajtimi i raportit ndërkuptimor i dy grupeve të asnjanësve prejpjesorë, kur kemi parasysh edhe implikimin e rasave (prejemërore dhe prejrrjedhore), do të na jepte rezultate, jo të parëndësishme, apo jo? Lidhur me këtë tash për tash mund të themi se te dy tipat i lidh procesi i veprimit. Ndërsa asnjanësi prejpjesor i rasës emërore kryesisht del i specifikuar për të shprehur konceptin e veprimit në fushën më të lartë të abstraksionit, ndërkaq anjanësi prejpjesor i rasës rrjedhore del i specifikuar për të shprehur një pikë të atij procesi që ka të bëjë me mbarimin e veprimit ose rrjedhojën (pasojën) e atij veprimi Le të krahasohet konstrukti dhe kuptimi i kësaj fjalie, në tri versione:

Të punuarit bashkë na kënaqi / U kënaqëm së punuari bashkë/Të punuarit së bashku na kënaqi

Së pesti, edhe  lidhur me togfjalëshit gjysmë të lirë, tipi: folje + asnjanësi ablatival si p.sh. mbarova së foluri ose mbarova së ftohti, si veçori e parë konstatohet se vetëm asnjanëse del i ngurëzuar, ndërkaq folja jo. Nga shembujt që i volëm nga burimet përkatëse të përmendura si faktorë kemi këtë gjendje  5 shembuj me foljen mbaroj (me mbarue): mbaronte,  mbaroi,  mbarova, kishte mbaruar + asnjanësi, gjithashtu 5 raste me foljen pushoj (me pushue): pushova, kishin pushuar, pushojnë, pushoi), mirëpo dalin edhe folje të tjera si:  u lodha së.., u ngjira së..., këputesha së... – me fjalë të tjera folja si gjymtyrë e parë nuk është e ngurëzuar, ngase ajo eptohet sipas numrit, vetes, kohës, diatezës.

Sidoqoftë, harmonizimi dhe verifikimi i konstatimeve edhe lidhur me këtë del i nevojshëm.

Sipërfundim

Siç po shihet rastet e hapura janë të lehtëzgjithshme dhe të lehtëpranueshme, vetëm se duhet me pasë vullnet për respektimin e të arriturave të deritashme shkencore dhe njëherazi  shtrohet nevoja  që të bëhen harmonizimet e nevojshme me normën në fuqi të gjuhës shqipe, e cila në ndonjë rast edhe mund të përplotësohet e përkryhet, po kjo ndërhyrje eventuale duhet bërë në mënyrë institucionale.

Po e përmbyllim këtë  krye  të punimit me konstatimin se do t’i ishte mëkat i madh nëse nuk përfillet prodhueshmëria e asnjanësve, përkatësisht nëse vazhdohet edhe më me praktikën përçmuese të deritashme të viteve ‘70-’90, rreth kësaj kategorie gjinore, do t’i bëhej dëm i pafalshëm ndaj gjuhës shqipe, sepse me një veprim të tillë do të vijojë të varfërohej edhe më ligjërimi i shqipes në përgjithësi dhe të shprehurit normal ti natyrshëm i shqipes standarde në veçanti.

Edhe trajtimi i mëtejshëm asnjanësve prejpjesorë të rasës rrjedhore që në këtë punim u trajtua si tip më vete shtron nevojën që kjo temë kur të studiohet edhe më në hollësi e thellësi dijes sonë mbi gjuhën do të sjellë ,me siguri, edhe rezultate të reja.

REZYME

Duke analizuar mënyrën e formimit të emërtimeve të proceseve tekniko-teknologjike dhe përgjithsësisht të dukurive përkatëse si në fushën e konkretizimit, po ashtu e sidomos edhe në atë të abstraksionit, veç emrave të gjinisë mashkullore dhe të asaj femërore na u imponuan edhe emrat e gjinisë asnjanëse. Këtu edhe fillon interesimi ynë për fushat semantike që mbulojnë emrat e tillë në gjuhën shqipe, sidomos në fushën e abstraksionit. Nga literatura modeste që konsultuam morëm sadopak edhe njohuri të para

modeste, megjithatë kjo mjaftoi si bazë që të futemi edhe më thellë në trajtimin e emrave të kësaj gjinie, së këtejmi doli edhe punimi, ta quajmë, monografik: Rreth identititetit të gjinisë asnjanës në shqipen e sotme, i mbarështruar në tetë krerë. Meqë, me sa jemi në dijeni, kjo temë nuk ishte krejt e patrajtuar, por më tepër kishte të bënte me boshtin historik se me atë sinkronik, ne, u orientuam dhe u thelluam kryesisht në identititen e emrave e të kësaj gjinie në rrafshin sinkronik dhe arritëm në mjaft konstatime, të cilat paksa ishin të njohura për gjuhësinë tonë, por jo në nivel të kënaqshëm, madje kishte konstatime e sqarime kundërthënëse që nuk i përgjigjeshin realitetit. të sotëm, andaj në pika të shkurta po i rikujtojmë në këtë rezyme disa nga vëzhgimet tona që mund të quhen  sirisi ose edhe rezultate të këtij punimi:

Së pari, në asnjë burim të deritashëm të shqipen standarde nuk dalin të trajtuar as të emërtuar në mënyrë të plotë integrale të gjithë tipat e asnjanësit në gjuhën tonë, ndërkaq ne përmblodhëm dhe identifikuam katër tipa të emrave asnjanës të shqipes, duke manipuluar kryesisht me  këto emërtime:

1) asnjanësit si emra të mirëfilltë të paparanyjëzuar (tipi: kryet, ujët),

2) asnjanësit prejmbiemërorë të paranyjëzuar (tipi: të mbarët, të bukurit, të  gjallët),

3) asnjanësit prejpjesorë të paranyjëzuar (tipi: të prerët, të ftohurit, të shkruarit) dhe

4) asnjanësit  e paranyjëzuar ablativalë, të rasës rrjedhore që i quajtëm edhe prejrrjedhorë (tipi: së foluri, së mbari, së koti, së pari, së andejmi).

Së dyti, pothuajse të gjithë studiuesit, duke u mbështetur vetëm në emrat e tipit të parë, të cilët duke u konvertuar evolutivisht në shumicën e rasteve në gjininë mashkullore, kanë pësuar, paksim numri, rrudhje, madje edhe zhdukje(!), kanë dhënë konstatime të paqëndrueshme en bloc, edhe për tipat e tjerë, gjoja se asnjanësi i shqipes si kategori është në zhdukje e sipër ose karakterizohet si gjini me karakter mbeturinor(!). Prandaj rreth këtij konstatim të paqëndrueshëm që gjoja ka të bëjë me pasivizimin en bloc të të gjithë tipave të asnjanësve ne shqipen e sotme ne kemi tërequr vërejtjen dhe gjatë tërë këtij punimi, jemi përpjekur me e paraqitë realitetin, i cili e demanton një konstatim të tillë.

Së treti, megjithatë disa nga studiuesit i identifikojnë mirë asnjanësit prejmbiemërorë dhe ata  prejpjesorë, por konstatojnë pa të drejtë se edhe ata ndërkohë janë zëvendësuar ose gjoja po zëvendësohen potencialisht nga emrat e prejardhur, zakonisht prembiemërorët me emrat e prejradhur me  prapashtesën –si (disa versione me –i fundore) si tipi: të mirët – mirësi, të bukurit – bukuri, të gjallët - gjallëri, e kështu me radhë, ndërsa prejpjesorët nga emrat e prejardhur prejpjesorë me prapashtesën –im ose –je, tipi: të punuarit – punim-i ose  të qeshurit – qeshje-a, konstatim ky rreth zëvendësimit potencial që, sipas vëzhgimeve tona realisht nuk qëndron, andaj lidhur me këtë në këtë punim, jo vetëm shprehet rezervë, por edhe kundërshtohet dhe vërtetohet me fakte se trajtat e tilla në shqipen e sotme bashkëjetojnë sinonimisht, pa rrezikuar ekzistencën e njëra-tjetrës, sepse mbulojnë nënfusha paksa të ndryshme të specifikuara semantike, zakonisht po në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit.

Së katërti, për të arritur më binshëm në qëndrueshmërinë e konstatimeve të caktuara që ne i quajtëm të diskutueshme ose të pasakta konsultuam burimet e caktuara normative leksikografike. Fillimisht konsultuam Fjalorin i shqipes së sotme (1984, rib. 2002) ku volën të gjithë asnjanësit e regjistruar aty, numri total i tyre arrinte në 84 shembuj, prej tyre 6 asnjanës si emra të mirëfilltë, 35 prejmbiemërorë dhe 43 asnjanës prejpjesorë, ndërsa në atë burim manipulohej me afro 300 asnjanës. Në të vërtetë, ne, të gjithë emrat e tillë të regjistruar (84 sish) i merenduam sipas tipave ose nëfushave semantike që mbulojnë. Së këtejmi arritëm në përfundim se asnjanësit edhe pse në këtë burim nuk dalin të përfaqësuar denjësisht, sipas nëntipave, profileve apo të grupeve përkatëse, megjithatë ata nuk dalin me karakter mbeturinor, sidomos dy tipat e paranyjëzuar, të cilët madje dalin potencialisht veprues e prodhimtarë.

Së pesti, për të treguar identitetin e asnjanësve të paranyjëzuar sidomos prejmbiemërorë, në fushën e abstraksionit ne u mbështetëm në temën e qartë fjalëformuese të tyre, kuptimi i së cilës bartet edhe tek koncepti që mbulon forma e asnjanësit, kështu edhe asnjanësit u grupuan sipas profileve semantike të nënfushave përkatëse, së pari asnjanësit e regjistruar me kuptimësi cilësie dhe së dyti ata me kuptimësi gjendjeje a të qeni, ndërsa asnjanësit e paranyjëzuar prejpjesorë  që nga burimi vijnë me kuptimësi veprimi u merenduan sipas tipit të foljeve.

Së gjashti, për të vërtetuar faktin se gjoja numri i asnjanësve të paranyjëzuar, sidomos i prejpjesorëve nuk kishte pësuar rrudhje as pakësim numri që nga periudha e Rilindjes e këndej, konsultuam pothujse të gjitha burimet përkatëse leksikografike, duke filluar nga Fjalori i K. Kristoforidhit deri edhe te Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe (2011) dhe vëretuam se konstatimet e disa studiuesve të mëparshëm që përfilleshin si të sakta, sidomos brenda periudhës së viteve të ‘50-’90-a, lidhur me këtë, dilnin ,pothuajse, tërësisht të paqëndrueshme, sepse përkundër qëndrimeve jofavorizuese për emrat e tillë numri i tyre nuk shënon rënie, po rritje sasie e cilësie. Edhe pse ndikimi i konstatimeve të tilla të shqiptuara para viteve të ’90-a vazhdon të mos demantohet ende, sidomos në burimet normative, e vërteta gjithnjë e më tepër po del sheshazi, kështu, b.f. ndërsa në FSHS 2002 (rib. i v. 1984) ndeshëm të regjistruar 84 shembuj në FGJSH 2006 të rihartuar, ndeshim pothuajse dyfishin e atij numri. Shembujt e tillë i afrohen 200-shit, sidomos shënon rritje tipi i asnjanësve prepjesorë.

Së shtati, për të vërtetuar edhe më binshëm se asnjanësi, sidomos ai prepjesor që shpreh koncepte veprimi në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit, duke u pozicionuar në nënfushën më të lartë të asaj fushe, nuk rrezikohet fare nga prejpjesorët e tjerë sinonimikë, siç qenë shprehur, pa të drejtë, disa studiues, dhe jolumnisht, konstatimet e tilla ende qëndrojnë të pademantuara në burimet tona normëzuese, në këtë punim është paraqitur skema e nënfushave përkatëse semantike prej 5 rubrikash, ku shihet qartë se nënfusha semantike që mbulojnë asnjanësit prejpjesorë, ashtu si edhe ata prejmbimërorë aspak nuk rrezikohet nga emrat sinonimikë, të cilët me konceptet e tyre dalin të specifikuar për nënfusha të tjera semantike, sepse  asnjanësit e tillë karakterizohen  parësprisht me konceptin e kuptimit të procesit të veprimit  ose të cilësisë, të gjendjes a të të qenit, në shkallën më të lartë të abstraksionit me një shtrirje të lehtë në tërë nocionin lidhur me atë proces dhe jo aq me emërtimin e vetë procesit ose me rezultatin e atij veprimi.

Së teti, për t’u kuptuar e vërteta, pse nuk rrezikohet qëndrueshmëria e asnjanësve të paranyjëzuar, mendojmë se është me interes të lexohet përkufizimi i mëposhtëm lidhur me këtë realitet:

Ndonëse prejmbiemërorët dhe prejpjesorët i dallon  tema e ndryshme, por e qartë motivuese fjalëformuese sipas prejardhjes, përkatësisht tema mbiemërore / pjesore, këta dy tipa i bashkon nënfusha e njëjtë semantike që e mbulojnë, d.m.th. abstraksioni i veçantë që ka të bëjë pikërisht me konceptin në shkallën më të lartë të procesit në kuadër të fushës së shkallëzuar të abstraksionit.

Pra, veç temës së qartë motivuese e kanë parësorisht pothuajse plotësisht të qartë edhe nënfushën semantike të përbashkët që e mbulojnë.

Së nënti, rreth identitetit të asnjanësve të paranyjëzuar u morën parasysh edhe fakte plotësuese, ku përveç identitit formal gramatikor u morën në konsideratë edhe raporte të tjera ndërsinonimike. Në punim trajtohen 9 raste të tilla ndikuese e ndërndikuese. Ne këtu po e përmendim vetëm ndërlidhjen a ndërkëmbimin sinonimik në raportin paskajore e mirëfilltë/ asnjanësi prejpjesor i paranyjëzuar. Krahaso ndërkëmbimin:

Veprimi (koncepti) i  të shkruarit do të thotë me shkrue.

ose       Folja (veprimi) me shkrue nënkuptoin të shkruarit.

Është e vëretë se në sistemin emëror shkallën më të lartë të fushës së abstraksionit e mbulon asnjanësi i paranyjëzuar, ndërsa në sistemin foljor atë funksion e kryen paskajorja e mirëfilltë me+pjesore. Mjerisht në normën e sotme të shqipes letrare asnjanësi del jo i favorizuar, ndërsa paskajorja del  krejtësisht e përjashtuar?!!

Së dhjeti, në punim në një krye të veçantë analizohet fakti pse në burimet tona normative gjatë periudhës së viteve të ‘50-‘90, me konstatime të nxituara (kuturu) u anashkaluan vlerat reale të asnjanësit në shqipen e sotme, dhe si pasojë pati përfundime e veprime jo të drejta. Shtrohet pyetja pse ndodhi kështu? Si përgjigje jepet si supozim ose si fakt se u bënë veprime të nxituara (paushalle) nga individët e caktuar, zakonisht të ndikuar subjektivisht, qoftë nga gazetarë – përkthyesit e paformuar gjuhësisht, të cilët bashkë me përkthime sillnin edhe kalkëzime spontane të ndikuar nga gjuhët e huaja, qoftë nga  mungesa e koncepteve përkatëse e së këtejmi ranë në atë ndikim edhe vetë studiuesit vendës, të cilët, siç e pamë në fillim të këtij punimi emrat e kësaj gjinie i parashihnin jo me perspektivë për gjuhën letrare kombëtare, ngase i shihnin të zëvendësueshëm me emra përkatës të prejardhur jo të nyjëzuar. Pra, në njërën anë ajo ishte arsyeja e konstatimeve të tila jofavorizuese për ermrat e gjinisë asnjanëse por në anën tjetër ndër shkaqet me më ndikim, për konstatimet për pasivizimit të asnjanëve në përgjithësi, për mendimin tonë, ka shërbyer ndryshimi i metodës së punës rreth hartimit të fjalorit përshkrues normativ të vitit 1980, i botuar në emër të AKSHSH. Kështu në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe(1980), në vend të asnjanësit që referohej (përdorej) në Fjalorin e gjuhës shqipe 1954, tani referohen (parapëlqehen) trajtat e foljes përkatëse. Këtë fakt këtu po e ilustrojmë vetëm me një shembull:

Në FGJSH (1954): gufim – të gufuarit,

Në FGJSSH  (1980) –Veprimi sipas kuptimeve të foljeve gufoj, gufohet.

Kështu me një gjest të tillë me mija emra asnjanës me të cilët manipulohej në FGJSH 1954  nuk dalin të përfshirë fare në FGJSSH 1980.  Pra ky fakt s’do koment.

Së njëmbëdhjeti, ndër çështje të hapura lidhur me asnjanësit në shqipen e sotme, përveç çështjes së  përkufizimit terminologjik të tre tipave të asnjanësve të identifikuar të rasës emërore si rasë përfaqësuese (asnjanësve të mirëfilltë të paparanyjëzuar dhe dy tipave të paranyjëzuar, vend të veçantë në trajtim zë çështja e tipit të asnjanësit ablatival (prejrrjedhor) ose me prejardhje nga trajtat e rasës rrjedhore. Këtë tip emrash asnjanësish e karakterizon pjesëza ose nyja e përparme dhe emri në trajtën e pashquar me fundoren –i të njëjësit të rasës rrjedhore. Këta emra karakterizohen edhe me prejardhje prejmbiemërore, prejpjesore, por edhe nga kategori të tjera leksiko-gramatkore si p.sh:

  mbari, së punuari, së  koti, së dyti, së fundi etj.

Madje po sipas prejardhjes ndryshon edhe implementimi i tyre në praktikë. Kështu prejmbiemërorët e kategoritë e tjera të emërzuara në këtë mënyrë përdoren vetëm si ndajfolje a si shprehje ndajfoljore, ndërsa prejpjesorët të emërzuar në këtë trajtë implemetohen  në kuadër të togfjalëshave të lirë foljorë si: mbarova së foluri,  u kënaqëm së shikuari e kështu me radhë, ku edhe pse si togfjalësh të lirë, janë të pandarë kuptimisht nga foljet përkatëse që e parashoqërojnë.

Së dymbëdhjeti, edhe pse asnjanësit e tipit të katërt (prejrrjedhorët) nuk dalin të trajtuar, madje as të cekur si asnjanës në asnjërin nga fjalorët normativë përshkrues që konsultuam, identiteti i tyre si asnjanës nuk dyshohet, madje në Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe (2011) janë shënuar me siglën as (asnjanës) në zera të veçantë gjashtë shembuj të tillë..Sidoqoftë identiteti i tyre asnjanës del i shënjuar (trajtuar) në gramatikën e Akademisë (morfologji e sintaksë) si dhe në studime përkatëse të autorëve të caktuar, ku sadokudo emërtohen ose identifikohern si tip i veçantë asnjanësish.  Këto fakte ishin të mjaftueshme që në këtë punim asnjanësit e tillë të trajtohen dhe të vlerësohen si tip i veçantë.

Së trembëdhjeti, për të dy tipat e asnjanësve të paranyjëzuar të rasës emërore (si trajtë përfaqësuese), mund të thuhet se janë aktivë e prodhimtarë në shqipen e sotme, sepse asnjanësit e paranyjëzuar të rasës emërore mund të thuhet se janë të pozicionuar fort në standardin e shqipes së sotme për këto tri arsye:

e para, nga tema e qartë motivuese fjalëformuese, qoftë mbiemërore ose ajo pjesore (foljore) që si të themi tema e tillë reflektohet drejtpërdrejt te kuptimi i emrit, d.m.th. tek asnjanësi përkatës i paranyjëzuar;

e dyta, nënfusha e qartë e specifikuar semantike që e mbulojnë emrat në fjalë, e cila ka të bëjë kryesisht me majat e fushës së gjerë të abstraksionit dhe

e treta, duke e pasur temën e qartë motivuese dhe nënfushën e qartë semantike që e mbulojnë aktiviteti dhe produktiviteti i emrave të tillë, varësisht nga konteksti, jo vetëm është i gjallë, por del me mundësi të pakufizuar shumimi.

Së katërmbëdhjeti, në të vërtetë edhe asnjanësi i rasës rrjedhore ka një motivim të tillë, por jo aq të qartë, si dy tipat e paranyjëzuar të sipërpërmendur, por edhe te këta emra ka njëfarë specifike që kushtëzon dhe motivon, qoftë në kuadër të shprehjes ndajfoljore, qoftë në kuadër të togfjalëshit foljor dhe së këtejmi edhe prodhimtaria dhe veprimi i tyre varësisht nga konteksti nuk shënon pasivim ose nuk del i kufizuar në shqipen e sotme letrare.

Së pesëmbëdhjeti, kur është fjala tek asnjanësit e paparanyjëzuar si emra të mirëfilltë në shqpen e sotme nuk ka rigjallërim, madje nuk dalin të përfaqësuar as në fjalorët përkatës normativë të shqipes së sotme, megjithatë ende disa prej tyre nuk kanë dalë nga përdorimi pasi përdoren në gjuhën popullore si nga veriorët ashtu dhe nga jugorët, por edhe nga shqipfolësit në diasporë (ngulitjet e hershme), madje edhe në letrarishtesn e sotme disa trajta të emrave të tillë përkatës janë aktivë, por aq më tepër në frazeologjizma, idioma etj.,  ku e kanë edhe bekimin e standardit. Sidoqoftë asnjanësit e tillë, marrë në përgjithësi, mund të quhen me karakter mbeturinor.

Së gjashtëmbëdhjeti, në punim pas trajtimit të profilimit të nënfushave semantike që mbulojnë asnjanësit në shqipen e sotme rezultati del kështu:

Ndërsa  tek emrat asnjanë të paparanyjëzuar ende gjejnë përdorim, sa me thënë në 3 nënfusha të profiluara, tek emrat asnjanës prejmbimërore janë 6 nënfusha të tilla të nëpërdukshme të profiluara, tek emrat asnjanës prejpjesorë dalin 16, ndërkaq tek emrat prejrrjedhorë 5 nënfusha të profiluara dhe kjo ilustrohet me shembuj konkretë, por edhe këtu mbesin gjëra të hapura ose të paqartësuara mjaftueshëm si duhet.

Edhe pse në këtë punim identiteti i asnjanësit në shqipen e sotme del i trajtuar mjaft në thellësi dhe gjerësi kjo nuk do të thotë se nuk kanë mbetur ende shumë gjera të hapura, madje edhe disa konstatime mund të jenë të diskutueshme, prandaj ky punim le të jetë jo si sfidë, por si bazë mbështetëse nxitëse për standardologët e sidomos për studiuesit  e tashëm e të ardhshëm për të çuar më tej trajtimin edhe të kësaj teme.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora