E hene, 09.12.2024, 07:21 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Aurora Bakalli: Rëndësia e spitalit në Prishtinë

E shtune, 13.04.2013, 01:13 PM


Fjala e deputetes Aurora Bakalli në Kuvendin e Kosovës (11.4.2013)

Rëndësia e spitalit të qytetit të Prishtinës

Të nderuar deputetë,

Diskutimi im sot ndërlidhet me mungesën e Spitalit të qytetit të Prishtinës. Pse Prishtina nuk ka spital të qytetit dhe cilat janë dobitë nga një spital i tillë?

1.         Mungesa e spitalit të qytetit të Prishtinës, në radhë të parë, është hendikep për qytetarët e kryeqytetit. Prishtinasit për shërbime sekondare shëndetësore janë të detyruar të drejtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku duhet të hyjnë në radhë me të gjithë qytetarët e Kosovës që janë udhëzuar për shërbime terciare. Në këtë mënyrë qytetarët e Prishtinës nuk e kanë privilegjin dhe komoditetin e pranimit të shërbimeve sekondare spitalore në Spitalin e qytetit të tyre, i cili sigurisht nuk do të ishte I ngarkuar ashtu siç është aktualisht QKUK. Nga ana tjetër, spitali i qytetit të Prishtinës  do të ndikonte në zvogëlimin e radhëve të gjata të pritjes si dhe listat e pritjes në QKUK.

2.         Rëndësia e dytë e funksionalizimit të spitalit të qytetit të Prishtinës qëndron në faktin se do të bënte që QKUK-ja të merrej vërtet me shërbimet terciare shëndetësore për çka edhe është e dedikuar, e që sot për sot nuk është në nivelin e pritur, pa dyshim edhe për faktin e mungesës së një qendre për ofrimin e shërbimeve sekondare në Prishtinë. Unë thellësisht besoj se prania dhe funksionalizimi i spitalit të qytetit do të ndikonte në shkarkimin e QKUK-së nga  barra sasiore e kjo domosdoshmërisht do të ndikonte në ofrimin e shërbimeve shëndetësore më cilësore dhe më të sofistikuara në vetë QKUK, pra të ofrohen vërtetë shërbime të nivelit terciar.

3.         Dimensioni i tretë i rëndësisë së këtij spitali do të ishte edhe punësimi i specialistëve të rinj. Aktualisht QKUK është e vetmja qendër ku synojnë dhe shpresojnë të punësohen specialistët, e posaçërisht ata që janë qytetarë të Prishtinës. Me keqardhje më duhet të konkludoj se QKUK po shndërrohet në një qendër sociale të mbipopulluar që ka për qëllim të akomodojë specialistët e mjekësisë që kanë investuar vite të gjata shkollimi, por me oferta shumë të vogla për vende të punës, e që të vetmen shpresë për punësim e shohin në QKUK-në e mbipopulluar me mjekë. Vlen të theksohet se nevoja për spital të qytetit të Prishtinës është paraqitur qysh në kohën e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë, por një gjë e tillë atëherë nuk ka mundur të realizohet për shkak të mungesave kadrovike, gjë që nuk qëndron tani.

Por, a do të ketë Prishtina spitalin e vet?

Në Buxhetin e vitit 2011 tek investimet kapitale të Ministrisë së Shëndetësisë parashihej që investimet për Spitalin e Prishtinës të fillonin në vitin 2012 me rreth 1 milion e 130 mijë Euro dhe të vazhdonin në vitin 2013 me rreth 2 milion e 130 mijë Euro. Pra, gjithsej parashihej të investoheshin rreth 3 milion e 260 mijë Euro. Ndërkaq, në Buxhetin e vitit 2012, pikërisht në vitin kur është dashur të fillohej me investimet për Spitalin e qytetit të Prishtinës, kjo rubrikë është hequr nga tabelat. Kjo gjë ndodhi heshturazi, pa u komentuar fare.

Të nderuar deputetë, është koha e fundit që  Prishtina të ketë Spital të qytetit.

Ju faleminderit!

Aurora Bakalli, deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora