Shtesë » Lajme
Jakup Krasniqi: Veriu, problem vetëm i Serbisë
E premte, 22.03.2013, 08:13 PM
Flet
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi: Çështja e veriut të Kosovës,
është problem vetëm i Serbisë
Problemi i Çamërisë është pak i veçantë
Nga Albert ZHOLI
Dje në ambientet e Akademisë së Shkencave në sallën “Aleks Buda”, Dr. Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës përuroi librin publicistik “Pavarësia dhe Personalitete”. Në këtë përurim merrnin pjesë: akademikë, shkencëtarë, shkrimtarë, gazetarë, studiues, politikanë, miq dhe të afërm të z. Krasniqi. Ky libër zgjoi shumë interes në të gjitha rrethet intelektuale, pati shumë diskutime. Vetë mënyra e ideimit të veprës përbënte një risi, ku dalin përtej vijës së llogoreve të ndryshme ideologjike e politike, në të cilat janë shtrënguar të vendosen sot shqiptarët, shpesh herë dhe kundër njëri-tjetrit ndonjëherë, edhe kundër vetë historisë dhe vlerave të saj. Një figurë interesante e këtij libri është dhe Ramiz Cërnica përfaqësues me integritet i popullit të Kosovës, i cili në 10 korrik 1945, në Kuvendin e Prizrenit deklaroi “JO” me forcë bashkimin e Kosovës me Serbinë.
Kohët e fundit ka pasur disa zhvillime midis Kosovës dhe Serbisë. Si do ta vlerësonit ecurinë e këtyre negociatave?
Po, këto kohë ka pasur shumë zhvillime, zhvillime nga më interesantet. Por të gjithë duhet të kemi të qartë se këto zhvillime nuk janë kryer as me vullnetin e Prishtinës apo të Beogradit, por realisht këto bisedime janë rezultat i Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB së, e cila pas Gjykatës Ndërkombëtare i ngarkoi Bashkimit Europian të mbikëqyrë bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës. Këto bisedime kanë kohë që janë zhvilluar dhe qëllimi është normalizimi i marrëdhënieve. Nëse këto bisedime përmbyllen me normalizimin e bisedimeve të dy vendeve sigurisht që, do të ishte një sukses. Në këto bisedime u hapën rrugët që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, ku si kusht është normalizimi i plotë i marrëdhënieve dhe marrëveshja që do të dilte nga këto bisedime, kishte rëndësinë e vetë, përndryshe nis këto bisedime nuk do të kishin formën e plotë, pala kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshëm se çfarë marrëdhënie është duke arritur me palën serbe.
Përsa i përket situatës në veri të vendit, vazhdon të kemi vazhdimisht tensione dhe probleme, si do të zgjidhet kjo situatë dhe a mund të ketë një kompromis midis dy shteteve për zgjidhjen sa më mirë të kësaj situate?
Çështja e pjesës veriore të Kosovës, realisht, nuk është as në Kosovë as në pjesën veriore të Kosovës. Kjo çështje është vetëm dhe vetëm në Beograd. Ky problem ka filluar në Beograd. Institucionet Ndërkombëtare, EULEX, nuk i kanë kryer detyrat e tyre që kanë pas, mbasi organizmat ndërkombëtare nuk kanë pasur parasysh problemet e shqiptarëve që kanë pas shumicën e popullsisë në disa komuna në veri, pasi disa komuna kanë punuar jashtë legjislacionit të kohës, të administrimit ndërkombëtar siç janë dhe jashtë legjislacionit, të kohës sonë. Pra, nëse marrëveshja do të jetë e plotë, udhëzimet duhet të jenë të plota, atëherë Serbia duhet t’i zbatojë ato pa mëdyshje.
Ju kohët e fundit keni pasur një konflikt me Kryeministrin, zotin Thaçi, është folur që ju mund të krijoni dhe një parti të re, a janë të vërteta këto thashetheme?
Demokracia ka bukurinë e vetë dhe demokracia nuk zhvillohet në asnjë vend pa ide dhe mendime të kundërta. Unë me z. Thaçi nuk kam konflikte personale dhe me asnjë figurë politike në Kosovë, por ne kemi konflikte parimore, për çështje të caktuara. Unë kam bërë publike, se çfarë idesh kam për zhvillimin e Kosovës sot, kam bërë publike fenomenet kosovare në përgjithësi, veçanërisht në Partinë demokratike të Kosovës, pra unë jam për në demokratizim të brendshëm në mënyrë që puna e parive politike të jetë sa më e qartë, pasi ajo ndikon në jetën e qytetarëve, por dhe në institucionalizimin e jetës politike në vend. Politika kosovare duhet të jetë një politikë e hapur në shërbim të interesave të qytetarëve të vetë.
Pra, nuk do të shkëputeni nga partia e Thaçit?
Kjo do të varet nga zhvillimet politike në vend, nga sa do të jemi koherent dhe në shërbim të kauzës që ne i kemi vënë vetes.
Cili është qëllimi kryesor që shkruat veprën “Pavarësia dhe personalitete”?
Qëllimi është që të argumentoj vullnetin tim në radhë të parë dhe të përçoj dhe interesin e popullit shqiptar, për të pasur një trajtim ndryshe ndaj një ngjarjeje të caktuar. Nuk e di se sa ja kam arritur, por jam përpjekur që të bëj një trajtim ndryshe, të Pavarësisë duke bërë një krahasim mes dy Pavarësive, Pavarësisë së vitit 1912 dhe Pavarësisë, së 2008-s.
Kush është Pavarësia e 1912 dhe kush është Pavarësia e 2008. Ku qëndron ndryshimi?
Pavarësia e viti 1912-ës, është pavarësie e gjithë shqiptarëve, pasi e kanë përkrahur, mbështetur, shpallur të gjithë shqiptarët. Këtë pavarësi, pas një viti Konferenca e Ambasadorëve në Londër, apo Traktati i Fshehtë i Londrës i ka përgjysmuar kufijtë e Shqipërisë dhe Pavarësia e Kosovës është në kufijtë administrativ që e ka shpallur Kushtetuta e vitit 1974.
Po me Pavarësinë e vitit 2008 çfarë do të keni parasysh?
Pavarësia e vitit 2008 është bërë në këta kufij, është një Pavarësi që është arritur në qershor të vitit 1999, dhe e formalizuar në Kuvendin e Kosovës në 17 shkurt të vitit 2008.
Mendoni se problemi i gjithë kombit shqiptar do të zgjidhet në një të ardhme?
Dëshiroj që të mendoj gjithmonë pozitivisht. Personalisht jam i bindur, që shqiptarët e kanë të ardhmen e tyre përpara.
Një problem kryesor i kombit shqiptar është dhe Çamëria. Mendimi juaj për këtë krahinë martire të kombit shqiptar që zgjidhja e saj nuk duket në horizont?
Problemi i Çamërisë është pak më ndryshe, pasi kjo krahinë martire ka mbetur thuajse e boshatisur nga popullsia çame. Pra, aty aktualisht nuk janë të vendosur banorët çamë, kjo ndoshta është një problem që me të drejtën Ndërkombëtare ka një zgjidhje Ndërkombëtare dhe çamët duhet ta kërkojnë në mënyrë institucionale këtë të drejtë Ndërkombëtare.