Shtesë » Lajme
Ekzekutimi mesjetar në Arabinë Saudite
E shtune, 30.03.2013, 09:27 AM
Ndonëse
në shekullin e XXI, Arabia Saudite vazhdon të ndjekë metodat mesjetare në
ndëshkimin e veprave të rënda penale.
Kështu,
një vrasës u ekzekutua ditën e premte me prerje koke, por trupi i tij i pajetë
më pas u kryqëzua dhe u përdhos në një shesh publik.
Lajmi për
ekzekutimin e shtetasit jemenas Mohammed Rashad Khairi Hussain u njoftua nga
vetë ministri i Brendshëm.
Krimi i
Hussain ngjalli revolta kombëtare në Arabinë Saudite, pasi sipas akuzës, ai
përdhunoi dhe vrau një pakistanez, Pashteh Sayed Khan.
Secili
prej këtyre dy krimeve është i dënueshëm me vdekje në Arabinë Saudite. Jemenasi
u shpall fajtor edhe për grabitje dhe disa krime të tjera më të vogla.
Ndonëse
është kritikuar ashpër për metodat e ekzekutimeve, vendi më i madh eksportues i
naftës në botë nuk është tërhequr dhe vetëm në tre muajt e parë të 2013-s, janë
ekzekutuar me prerje koke 28 persona.
Megjithatë,
disa zyrtarë sauditë kritikuan më parë gjatë marsit ekzekutimin e kësaj forme,
duke sugjeruar atë me pushkatim.
Gjithsesi,
propozimi i tyre nuk lidhej me arsye humanitare, por me vështirësitë dhe kostot
e mëdha të trajnimit dhe formimit të xhelatëve.
Një vit
më parë, në Arabinë Saudite, 76 persona u ekzekutuan me prerje koke me shpatë,
në ekzekutime që zhvillohen në publik. Ky lloj ekzekutimi, së bashku me
gurëzimin në rastet e krimeve morale, janë dy format e realizimit te denimit me
vdekje ne vend.
Këto ekzekutime publike, pavarësisht mizorisë së tyre, konsiderohen një mënyrë efikase e parandalimit të krimit në Arabinë Saudite. Në bazë të ligjit islamik, të dënueshme me vdekje janë veprat penale si vrasja, përdhunimi, blasfemia, grabitja e armatosur, tradhëtia bashkëshortore, tradhëtia ndaj mbretit dhe trafiku i drogës.