Shtesë » Lajme
Avni Klinaku: Jo Uashingtoni, por shovinizmi serb
E merkure, 10.04.2013, 06:01 PM
Jo Uashingtoni, por shovinizmi serb po e mban peng përfundimin e çështjes shqiptaro-serbe
Deklarata
e Daciqit “se me shqiptarët do të merrej vesh për këmbim territoresh, por këtë
nuk e lejon Uashingtoni”, nuk është as e sinqertë e as nuk paraqet të vërtetën
e plotë. Deri sa Serbia e Daciqit vazhdon të mbajë gjallë frymën shoviniste
ndaj Kosovës dhe ia bën asaj të gjitha obstruksionet mundshme ndërkombëtare,
deri sa Daciqi dhe Serbia e tij shtyp pa mëshirë shqiptarët e Kosovës Lindore,
deri sa Serbia dhe daciqët e saj vrasin e dëbojnë shqiptarët nga Mitrovica e
fshatrat shqiptare përreth saj, deklarata e tij “për këmbim territoresh” nuk
mund të merret si serioze dhe nuk paraqet akoma zgjidhjen e plotë të çështjes
shqiptaro-serbe. Gjithkush e ka të qartë se prapa kësaj deklarate fshihet një
shovinizëm i ri. Daciqi dhe Serbia duan që ta marrin veriun e Kosovës deri tek
ura e Ibrit (!), ndërsa qenka të gatshëm t’ia japin Kosovës Luginën e
Preshevës, dhe Kosova të mbetet e mbërthyer për jetë nga Pakoja e Ahtisarit.
Zgjidhje përfundimtare të çështjes shqiptaro-serbe mund dhe duhet të ketë, por ajo mund të arrihet vetëm mbi bazën e një reciprociteti të plotë në mes të shtetit të pavarur të Kosovës dhe Serbisë. Ai reciprocitet duhet të bëhet në mes të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, në njërën anë dhe Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut, në anën tjetër. Mitrovica nuk guxon të mbetet e ndarë dhe nuk duhet hyjë në kuadër të këtij reciprociteti. Në pjesën veriore të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth është kryer spastrimi etnik dhe aty duhet të kthehen shqiptarët. Përpjekja e Qeverisë së Kosovës që sipas Pakos së Ahtisarit ta krijojë një komunë serbe në pjesën veriore të Mitrovicës është krejtësisht e gabuar dhe me pasoja afatgjate. Bisedimet me Serbinë, duke i bërë lëshime shovinizmit serb, nuk kanë dhënë e as që do të japin rezultate.
Avni
Klinaku
Kryetar i
Lëvizjes për Bashkim
Prishtinë,
9.4.2013