Kulturë
Fiona Kopali: Intervistë me juristen Danja Sinani
E marte, 05.02.2013, 06:58 PM
Eutanazia, e drejta për të vdekur dhe një propozim juridik
Nga Fiona Kopali
Një debat
mirëfilli për eutanazinë, në fakt i ka munguar Shqipërisë. Tek-tuk janë shfaqur
ide dhe janë hedhur teza nëse realisht eutanazia është një “vdekje e mirë”, siç
thonë partizanët në mbrojtje të kësaj teze, apo “një vrasje e mirë”, siç
kundërpërgjigjen kundërshtarët e saj. Fakti që dy vende perëndimore në Europë
dhe dy shtete në SHBA e kanë ligjëruar eutanazinë për t’u zbatuar në rastet kur
ajo kërkohet, ka hapur një debat të gjerë në disa vende të Europës dhe në SHBA.
Në Shqipëri ky debat ende nuk është konsumuar, por një vajzë e re juriste e ka
“gërricur” këtë debat në librin “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia” me autore
Danja Sinani, e cila ka kryer studimet në Universitetin “Lumiére Lyon
Shumë personazhe të njohur në botë
kanë dalë shpesh në mbrojtje të eutanazisë, duke artikuluar fushata të shumta
sensibilizuese. Ju, përmes një studimi monografik i ofroni lexuesit dhe
shoqërisë shqiptare një zgjidhje për një nga argumentet më të debatuara dhe më
delikatë të kohës në shkallë botërore, për eutanazinë; thënë më shqip, për
lirinë e njeriut për ta zgjedhur vetë të drejtën e vdekjes. Si lindi ideja për
të realizuar një projekt të tillë?
Eutanazinë
e kam njohur si koncept shkencor juridik gjatë studimeve të mia universitare të
shkallës së parë në Universitetin Lyon 2. Por interesi për ta njohur më gjerë
lindi në kohën kur po mendoja për mikrotezën time të Masterit në Universitetin
Europian në Tiranë. Qëllimi im kryesor ishte zgjedhja e një argumenti
origjinal, të pastudiuar më parë në Shqipëri, por dhe të pranishëm në jetën e
kësaj shoqërie, dhe përmes saj të vija në provë veten time, duke pasur parasysh
se nuk është e thjeshtë të merresh me diçka të re, që për më tepër shihet
deri-diku me armiqësi nga ata pak njerëz që e njohin. Eutanazia nuk njihet
mjaftueshëm në universitete (për të mos thënë, fare) dhe ndoshta nuk përbën
ende interes publik në realitetin shqiptar. Me këtë pohim i referohem faktit se
ka aspekte të tjera ligjore të parregulluara siç duhet dhe që sistemet
europiane ligjore i kanë rregulluar prej shekujsh. Mjafton të përmendet këtu
statusi i pronësisë dhe mënyra e përfitimit të saj (në Shqipëri gjendja është
kaotike). Duke bërë krahasimin me këtë të fundit, ligjbërësit dhe ligjvënësit,
sigurisht që e konsiderojnë eutanazinë si më pak të rëndësishme. Kështu,
fillimisht, projekti im nisi si një temë diplome dhe u zgjerua më tej pasi
shtëpia botuese “Naimi”, që kryen edhe funksione të një studioje letrare, e
gjykoi me vend që të kthehej në një punë për publikun, nëpërmjet një studimi
monografik. Ishte i rëndësishëm botimi i këtij libri, sepse një temë diplome
mbetet thjesht në arkivat e universitetit e lexohet nga një grup shumë i
ngushtë profesorësh të nderuar, ndërkohë që është thelbësore që të gjithë ta
njohin, të informohen dhe të pozicionohen në lidhje me të.
Është eutanazia një problem edhe
në shoqërinë shqiptare, apo është produkt i temave të stërholluara të mjediseve
akademike europiane, ku ju keni studiuar e jeni formuar?
Pyetje me
vend. Eutanazia është një problem botëror, kështu që nuk mund të përjashtohet
as vendi ynë nga kjo çështje. Ajo ka një histori disashekullore dhe nuk është
një koncept bashkëkohor, i imponuar prej jetës moderne. Po e theksoj këtë,
sepse në disa mjedise e grupime të ndryshme mendohet se akti eutanazik ka
lindur në “shekullin e modernitetit”, si pjesë e ekstravagancës së mendimit e
të jetesës. E vërteta është se eutanazia ka filluar të përbëjë shqetësim në
dhjetëvjeçarët e fundit dhe vende të ndryshme europiane po tentojnë ta
depenalizojnë atë ose ta ligjërojnë në kuptimin e plotë të fjalës, por jo se
nuk ka ekzistuar më herët. Ajo po kërkohet gjithnjë e më shumë e për këtë arsye
edhe ligjbërësit po mundohen të gjejnë një gjuhë të përbashkët, me qëllim që e
drejta e jetës të ruajë statusin e së drejtës më të shenjtë në hierarki (si një
e drejtë ekstrapatrimoniale), që të gjitha të drejtat e njeriut të ndërtohen në
respekt të saj, por njëherësh dhe që t’i mundësohet individit dinjiteti edhe në
çastin kritik, duke parandaluar përdorimin e së drejtës për të vdekur për
qëllime kriminale apo thjesht përfitimi, si marketingu i organeve të
transplantueshme. Sigurisht që, në vendet ku eutanazia konsiderohet ende si
atentat ndaj jetës, si krim apo si një vrasje e çfarëdoshme, përpjekjet për të
provuar të kundërtën janë të mëdha. Statistika të shumta kanë provuar se në ato
vende kur eutanazia ndalohet, praktikimet e jashtëligjshme të saj janë gjithnjë
më të mëdha. Nga ky arsyetim, mund të deduktojmë që eutanazia mund të jetë edhe
një fenomen shqiptar. Nuk është çudi të mendojmë se një pacienti në koma mund
t’i shkëputet ushqimi apo frymëmarrja artificiale, t’i hiqet kontrolli me
aparatura me anë të aprovimit të familjarëve, duke i sjellë kështu vdekjen,
pavarësisht se për këtë nuk ka rregullim ligjor. Kjo nuk është gjë tjetër,
veçse një formë eutanazie e paligjshme. Nuk është, gjithashtu, çudi që një
pacient i prekur nga një sëmundje e pashërueshme të refuzojë trajtimin. Në një
rast të tillë, mjeku është i detyruar t’i bindet pacientit të tij dhe,
rrjedhimisht, shkaktohet një eutanazi pasive. Kjo e fundit është për më tepër e
parashikuar ligjërisht në Kodin e Deontologjisë Mjekësore, megjithëse në
kundërshtim me Betimin e Hipokratit, i cili parashikon se detyra themelore e
mjekut është mbrojtja e jetës së të sëmurit. Studimi im është një pasqyrim i
realitetit europian në përgjithësi, në rrafshin e standardeve juridike, në
funksion të shqetësimeve për të njëjtën çështje në realitetin në Shqipëri.
Mjedisi shqiptar duket më
konservator lidhur me dilema të tilla si “vdekja e planifikuar”, si të thuash,
apo që në një familje dikush, një i afërm, mjeku, apo vetë individi i sëmurë të
vendosë për fundin e vet, të përshpejtojë vdekjen. Kush jua jep të drejtën të
futeni në këto raporte, duke këshilluar apo sugjeruar rrugëzgjidhje, madje,
edhe drafte juridike?
Ju keni
të drejtë që më drejtoheni me kaq vendosmëri me një pyetje të tillë. Por
përpara se t’i përgjigjem pyetjes suaj, do të doja të sqaroja disa koncepte
bazë me fjalë shumë të thjeshta. Eutanazia është, në thelb, një akt i kryer me
qëllim për të përshpejtuar vdekjen për ata të sëmurë të pashërueshëm që vuajnë
nga dhimbje të mëdha e të pakontrollueshme, fizike dhe psikologjike, të cilët e
kërkojnë aktin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me vullnet të plotë në mënyrë të
përsëritur e të qartë. Që akti eutanazik të aprovohet, duhet plotësuar një numër
i madh kërkesash. Ndër to mund të përmendim faktin që i sëmuri duhet ta
shqiptojë kërkesën e tij në mënyrë të përsëritur dhe me shkrim, të jetë shuar
çdo dyshim mbi mungesën e aftësisë së tij për të menduar, mjeku ndjekës të jetë
konsultuar me një mjek të dytë për të marrë opinionin e tij mbi situatën
shëndetësore, të jetë shuar çdo dyshim mbi raste depresioni mbi pacientin etj.
(për detaje të mëtejshme, çdo i interesuar mund të lexojë ligjin belg,
holandez, luksemburgez…). Nga kjo kuptojmë se që të arrish një akt eutanazik
nuk është diçka e thjeshtë dhe lehtësisht e arritshme për çdo lloj sëmundjeje
dhe, rrjedhimisht, rrudhet ankthi që vjen nga ideja e abuzimit me ligjshmërinë
e eutanazisë. Kështu, unë nuk mendoj se po e tradhtoj të drejtën për të jetuar,
pavarësisht se paraprakisht e di që një pjesë e njerëzve, madje, edhe doktorë
të nderuar, mendojnë kështu. Një parashikim ligjor mbi eutanazinë nuk do të
ishte i gabuar e nuk do të sillte pasoja negative, nëse do të detajohej më së
miri. Përkundrazi, do të ndihmonte shumë njerëz që ndodhen në kushte të
vështira. Së dyti, kur diskutohet për eutanazinë, thuhet se ajo respekton të
drejtën e njeriut për të vdekur në dinjitet. Nëse dinjiteti është një ndjenjë
që njeriu e koncepton me sytë e tij, atëherë ai mbetet një variabël dhe një
jetë dinjitoze për dikë, mund të mos jetë dinjitoze për dikë tjetër. Kur një
pacient kërkon të vdesë, arsyeja kryesore lidhet me mungesën e dëshirës për të
jetuar në kushte të rënda fizike dhe psikologjike. Pjesa më e madhe përfshin pacientët
e prekur nga sëmundje degjenerative, me aftësi të kufizuara, të cilët nuk
lëvizin dot asnjë gjymtyrë të trupit e që organet e tjera të brendshme u
shkatërrohen me kalimin e kohës deri në humbjen e funksioneve të tyre vitale.
Në kushte të tilla, jeta sipas syve të tyre nuk është më dinjitoze dhe prandaj
kërkohet eutanazia. Kështu mund të ndodhë edhe me sëmundje të tjera të rënda,
që mund të lënë pasoja të ndryshme së jashtmi dhe së brendshmi, por mbi të
gjitha që nuk japin shpresë për shërim. Së fundi, akti eutanazik nuk është
vetëm ai që kryhet me anë të injeksionit vdekjeprurës. Siç u përmend, eutanazia
pasive kryhet me mosmarrjen e mjekimit të duhur, sepse pacienti e refuzon
kategorikisht. Kjo sjell vdekjen në mënyrë më të ngadaltë, megjithatë finaliteti
është i njëjtë. Eutanazia indirekte është një formë tjetër që kryhet nëpërmjet
marrjes së substancave që zbusin dhimbjet, por në të njëjtën kohë sjellin dhe
vdekjen. Ndërsa e para përbën problem në të gjithë Europën, dy të tjerat janë
të praktikueshme në mjedise spitalore dhe nuk duhen parë si luftë kundër jetës,
por si respekt ndaj saj. Këto argumente më bëjnë të mundur të flas si juriste,
por edhe si një njeri i thjeshtë për eutanazinë. Megjithatë, duhet kuptuar se
qëllimi im nuk është të propagandoj eutanazinë, por ta bëj të njohur për
lexuesin. Edhe projektligji i vendosur në fund të studimit shërben si një
ndihmesë për të krijuar ide më të qarta. Nëse do të shërbejë në të ardhmen, atë
nuk e dimë ende. Megjithatë, është më mirë të nisesh kur ke disa baza, sesa nga
zeroja.
Nuk është në modelin e studimeve
shqiptare që të ofrojnë, krahas trajtimit teorik apo historik të një argumenti
apo teme, edhe zgjidhje praktike. Ju e keni shoqëruar monografinë tuaj edhe me
një draft-ligj, madje edhe me modele procedurash në zbërthim të këtij
projektligji. Pse e keni bërë këtë?
Edhe unë
ia kam bërë vetes këtë pyetje. A duhet të kishte studimi im dhe një propozim
juridik? A nuk është kjo një e drejtë vetëm e ligjvënësve? Unë doja të sqaroja
që në fillim se propozimi im është thjesht për qëllime njohjeje. Të gjitha
dokumentet që ndodhen në shtojca janë të rëndësishme për të plotësuar konceptin
e eutanazisë nga ana praktike. Çdo çështje që sjell diçka të re në fushën e
drejtësisë duhet të parashikojë edhe se si do të ishte një rregullim i mundshëm
ligjor. Projektligjin e përpiluar prej meje do ta konsideroja si kurorëzim të
një pune skolareske, që do të mbetet agjitative pa një propozim juridik. Nuk
duhet të mjaftohemi vetëm duke mësuar çdo gjë teorikisht, siç jemi edukuar të
bëjmë që në moshë të vogël. Gjithashtu, projektligji është një nismë personale
për t’u krijuar njerëzve një ide sa më të qartë për atë çka do të ishte një
ligj i ardhshëm shqiptar. Praktikisht, drafti në fjalë është mbështetur në
legjislacione të tjera europiane që e praktikojnë eutanazinë dhe që nuk kanë
patur efekte anësore prej saj. Megjithatë, çdo lexues mund të bëjë krahasimin
vetë midis tyre dhe do të kuptojë që, megjithëse thelbi i të gjitha
legjislacioneve është i njëjtë, secili prej tyre ka karakteristikat e veta,
ashtu sikurse edhe varianti që kam propozuar unë. Për sa u përket dokumenteve
të tjera plotësuese, ato janë po aq të rëndësishme sa vetë ligji, sepse në
raporte të tilla pasqyrohet ana procedurale e aktit, të gjitha të dhënat e pacientit
dhe të sëmundjes që ai vuan, të mjekut e të personave të tretë të përfshirë në
këtë çështje. Kjo do të thotë se ata shërbejnë si prova shkresore në rast se do
të viheshim përballë një çështjeje gjyqësore. Dokumente të tilla dëshmojnë
gjithashtu se procedura e aprovimit të një kërkese për eutanazi nuk është e
thjeshtë. Çdo e dhënë e mundshme mbahet atje shënim, në mënyrë që askujt të mos
i dëmtohet jeta.
Mund të na thoni për lexuesin
tonë, me pak fjalë, se cili është opinioni juaj për eutanazinë: është një krim,
apo një e drejtë e individit?
Ky është
pikërisht thelbi i çështjes, ajo që ndan opinionet, shpesh, rreptësisht. Në
shoqërinë e ditëve të sotme jeta e ka humbur vlerën e vërtetë. Mjafton të
përmendim faktin që marrja e jetës në mënyrë të padrejtë, vrasjet e plagosjet,
aksidentet rrugore, keqtrajtimet deri në vdekje, po shtohen gjithnjë e më
shumë. Kështu, jeta e njeriut është e pasigurt dhe kompetenca për të vendosur
deri diku për rrjedhën e saj nuk duket se po i takon vetë atij. Në këtë aspekt do
të doja të thosha se legjitimimi i së drejtës së njeriut për të vendosur për
fundin e jetës së tij duhet të jetë një e drejtë e tij. Sigurisht, vija ndarëse
midis një eutanazie-krim dhe një eutanazie-e drejtë e njeriut mund të bëhet e
paqartë dhe mund të krijojë hapësira abuzive, por nëse rregullimi ligjor është
i saktë, i detajuar deri në elementë dytësorë, akti eutanazik do të vihej në
shërbim të të sëmurit. Pra, e drejta për të vdekur duhet të respektohet ashtu
sikurse zgjedhja për të jetuar edhe në kushte të vështira shëndetësore. Vrasja
e individit në të drejtën penale konsiderohet krim dhe në varësi të rrethanave
dhe elementëve të vrasjes, ajo dënohet me burgim duke pasur në thelb cenimin e
së drejtës së jetës. Në thelb, vrasja ka elementin e qëllimit për t’i sjellë
tjetërkujt vdekjen. Në aparencë duket se nuk ka dallim midis saj dhe
eutanazisë, por realisht kjo e fundit nuk vjen si pasojë e një vullneti të
jashtëm; nuk vjen si pasojë e vendimit të një personi të tretë dhe, mbi të
gjitha, një vrasje e çfarëdoshme nuk vjen për t’i shpëtuar një sëmundjeje të
pashërueshme, ashtu siç ndodh në rastin e eutanazisë. Ky krahasim bën të mundur
të kuptojmë se eutanazia nuk duhet të konsiderohet krim.
Në mijëvjeçarin e tretë, ende nuk
e mundim dot “racën” tonë. Akoma vazhdon lufta e zemrës me mendjen. Dhe kjo,
edhe në vendet më të zhvilluara e të emancipuara. Është mirë, apo është keq?
Kjo është
një pyetje me shumë mend dhe unë ju falënderoj që ma drejtoni. Të sëmurët e
pashërueshëm e kërkojnë eutanazinë për t’u shpëtuar dhimbjeve, për t’i dhënë
fund një jete anormale për ta. Nganjëherë, edhe për t’u hequr një barrë të
rëndë përkujdesjeje të afërmve të tyre. Zakonisht, zemra dhe mendja në të tillë
pacientë shkojnë në të njëjtin drejtim. Duhet thënë se, për të shuar çdo lloj
mundësie luhatjeje në mendim, tek pacientët që kanë marrë konfirmimin e një
eutanazie, si në kushtet e eutanazisë aktive, si në kushtet e asistencës në
vetëvrasje, ata pyeten deri në momentin e fundit (para kryerjes së aktit dhe
filmohen gjatë deklaratës së tyre, në mënyrë që të shërbejë si mjet prove në
rast konflikti); nëse janë të sigurt për vendimin që kanë marrë. Ndodh, gjithashtu,
që zemra dhe mendja të mos kenë të njëjtin drejtim. Në raste të këtij lloji
është më mirë të mos konsiderohet kërkesa fare. Është mjaft e kollajshme për
psikologët dhe psikiatrit që diskutojnë me të sëmurët për të kuptuar nëse
vendimi i marrë është i kthjellët, i pandryshueshëm dhe i dëshiruar. Të dyja
rastet mendoj se janë normalë, ndodhin dhe do të vazhdojnë të ndodhin. Për sa i
përket dhembshurisë, mendoj se edhe koncepti i saj ka ndryshuar me kalimin e
viteve. Them kështu, sepse sipas anketimeve të shumta, një pjesë e madhe e të
anketuarve kanë pranuar se janë në favor të eutanazisë dhe dhënies fund të
vuajtjeve në fund të jetës. Kjo ide pranohet si shenjë respekti ndaj të sëmurit
dhe jo si formë larje duarsh ndaj tij. Megjithatë, njerëzimi është mësuar
historikisht t’u qëndrojë pranë të sëmurëve deri në momentin e fundit. Ajo çka
duhet të kuptojmë është se në fund të fundit, vendimi nuk iu takon personave që
i qëndrojnë afër të sëmurit, por vetë këtij të fundit. Kështu që kjo ndjenjë
dhembshurie do të pasqyrohet në një mënyrë apo një tjetër tek të tjerët
rrotull.
Janë dy qëndrime: njeri, i përfaqësuar nga Danja, dhe tjetri, nga një masë njerëzish, kryesisht, të afërm të fatkeqve, që rezistojnë dhe e duan në jetë me çdo kusht, sidoqoftë jeta, dhe nuk e tolerojnë dot eutanazinë. Cili është qëndrimi më human nga këta? Personalisht nuk do të guxoja të flisja as në emër të të sëmurit dhe as në emër të të afërmve të tij. Gjithsesi kam një qëndrim të caktuar, që nuk do të thotë se është i vetmi dhe më i sakti. Qëndrimi që kam mbajtur vetë ndaj kësaj të drejte mendoj se është po aq human sa ai i të afërmve. Është e rëndësishme që e drejta për të vdekur të njihet ligjërisht, pastaj çdokush ka të drejtën ta zgjedhë ose jo atë. Është shumë më e logjikshme që një shtet të ketë një rregullim ligjor, për arsye se shteti e ka për detyrë të përkujdeset ndaj qytetarëve të vet. Si rrjedhojë e këtij rregullimi, individi ka të drejtën për të vendosur mbi jetën e tij, sepse fundja, jeta është e vetja dhe e askujt tjetër. Për sa u përket të afërmve, në përgjithësi ata nuk e pranojnë dhe as nuk tentojnë ta pranojnë vendimin e marrë nga i sëmuri për eutanazi. Për ta, mundësitë për të provuar medikamente të reja, teknika të reja, forma të ndryshme ndërhyrjesh kirurgjikale, janë gjithmonë opsione më të mira sesa eutanazia. Të afërmit mund të ndërhyjnë në raste të tjera, ku i sëmuri nuk është në gjendje të përgjigjet vetë, ose, më saktë, në rastet e komave. Edhe në koma, familjarët shpeshherë tejkalojnë të gjitha afatet përpara se të kërkojnë atë që në gjuhë popullore quhet “heqje e prizës”. Kjo për shkak të shpresës që shoqëron njeriun se, ndoshta i sëmuri do të zgjohet në mënyrë të papritur. Nuk mund të mohohet se ky quhet humanizëm.