Mendime
Vangjush Saro: Çka jemi në shqiptarët, komikë, tragjikë...
E premte, 01.02.2013, 05:59 PM
Çka jemi
në shqiptarët, komikë, tragjikë...
(Titull rezervë: Në Tiranë kanë roitur)
Nga Vangjush Saro
E ndjej
të udhës të pohoj që në fillim të këtij shkrimi se këto radhë janë një opinion
vetiak dhe se nuk kam dëshirë t’i imponohem askujt; por në të njëjtën kohë,
askush nuk na ndalon dot sot, të shprehemi dhe të grishim për debat në çështje
që dhembin. Tani më ndjeni për pyetjet e mëposhtme. Por ç’njerëz jemi ne
shqiptarët? Komikë? Tragjikë? Me cipë? Pa cipë? Të flashkët? Robër ideologjish?
Gjytyrymë?...Që s’rrimë dot pa diktaturë mbi kokë? Çfarë po ndodh me ne, me
vendin tonë, me atë palo-shtetin tonë, me historinë dhe kulturën, me gjuhën dhe
letërsinë, me ekonominë, ekologjinë dhe trashëgiminë?
Më e
keqja po ndodh. Prandaj duhet thënë se jemi në skeç...Po lozim skeç. Në
kryeqytet, pritet një “tërmet” tjetër kundër trashëgimisë kulturore dhe atij
pak gjelbërimi që ka mbetur. Ekspertët e mjedisit dhe të trashëgimisë thonë se
i ashtuquajturi Plan Rregullues i Tiranës parashikon për ndërtim edhe parkun më
të madh që ka qyteti brenda tij, ai i ndërtuar tek ish-fusha e Aviacionit, po
ashtu lulishten pranë Kullave Binjake, atë pranë ish-Partizanit të panjohur,
etj. Gjithashtu, në plan mungon…lartësia e objekteve që do të ndërtohen;
kuptohet pse. Gjelbërimin do ta bëkan majë pallateve(!) Këta që s’janë në
gjendje të mbjellin një pemë e një lule, por veç beton hedhin mbi tokën e
shkretë.
Ky lajm
shumë i keq, vjen pasi atij që bënte fjalë për copëtimin me sqepar dhe vjedhjen
si suva të veprave të Onufrit, ndërkohë që shteti i gjashtëmujorëve hesht dhe
zgërdhihet. Më parë kemi bërë sehir se si e marrin një përmendore dëshmorësh
(bie fjala atë të heronjve të Vigut) dhe e shpien në vendderdhjen e plehrave. E
nuk ndodh asgjë. Unë e kuptoj ndryshimin në mënyrën se si përceptohen shumë
episode të së shkuarës, kam shkruar për qetësim dhe kthjellim, larg urrejtjeve
të pamenaxhuara. Por gjithsesi, nuk kemi pse e përdhosim një monument; tek e
fundit, mund ta vendosim gjetkë apo, më e keqja, ta çojmë në derë të asaj force
politike që i del për zot, sikur edhe në oborr të ndërtesës së vet ta mbajë,
pasi që t’i shpjegojmë se një Këshill a Komision i caktuar, që e ka tagrin, ka
venduar të mos jetë më në sheshin qendror të qytetit...E pse nuk e kemi ne kaq etikë? (Nuk dua të bëj paralele
me atë çka ndodhi në Preshevë, pikëllimin e konstatuan të gjithë; por edhe për
ato monumente që turpërohen në Shqipëri, shumëkujt i dhemb.)
Sot,
heshtja dhe përçmimi po shoqërojnë edhe rënimin e objekteve muzeale e
ndërtesave me vlera të rralla; (kujtojmë rënimin e disa kështjellave, si ajo e
Ali Pashë Tepelenës, të cilit këta “të djegurit” për patriotizëm duan t’i
sjellin nga Turqia kokën; shikoni sa të prapë, horror dhe anakronikë janë). Në
një reportazh të botuar te “Zemra Shqiptare”, kam folur dikur për rënimin e
shtëpisë së Mihal Gramenos në Korçë, për mungesën e një shenje të Aleksandër
Moisiut në Kavajë (qyteti ku aktori i madh ka lindur), dhe përgjithësisht për
memecërinë në përcjelljen e trashëgimisë së gjithanshme në qytetet tona
kryesore. Nuk paska derman kjo punë. (Më falni për atë fjalë, e di që s’është
shqip.) Por së fundi, po vidhiset edhe shtëpia ku është mbajtur Kongresi i
Lushnjës. Sipas mediave, muret janë çarë pothuajse të gjitha. Çatia është gati
në të rënë. Në katin e dytë nuk mund të hipin më shumë se 5-6 persona...Vazhdon
skeçi, hë?
E
ndërkaq, qeveria shqiptare i gjen paratë për të shpëtuar pushtetin e korruptuar
dhe tashmë larg parimeve e praktikave demokratike të Sali Berishës dhe klanit
përqark tij. Me taksat e qytetarëve shqiptarë, paguhen kompani të huaja, të
cilat bëjnë shërbime lobimi për autokratin e pandreqshëm në prag të zgjedhjeve
të 23 qershorit. Babiloni! Dhe nuk mjafton kaq. Në skeç, korentet janë nga më
të ndryshmet. Indeksi i korrupsionit i Transparency International, për vitin
2012, tregoi se Shqipëria ishte një prej vendeve me nivelin më të lartë të
korrupsionit në Europë. Kurse Global Financial Integrity, një grup avokat i
anti-korrupsionit me seli në Washington, na tregoi se elita e korruptuar e
vendit nxorri 1.3 miliardë nga Shqipëria, në periudhën e viteve 2005-2010. Kemi
dëgjuar të përgjigjet apo të japë shpjegime dikush për gjithë këto akte të
rënda? As që bëhet fjalë; sepse ata që e drejtojnë Shqipërinë na e kanë marrë
dorën: Ecë ecë, thonë ata, se një tufë budallenjsh kemi përpara...
Lajmet aspak
të mira ndjekin njëri-tjetrin. “Reporterët pa Kufij”, në raportin e tyre për
lirinë e shtypit në botë, e rendisin vendin tonë në vendin e 102-të, 6 pikë më
poshtë se një vit më parë. (Por ndjehemi mirë që së paku Kosova renditet e
85-ta, duke u ngritur një pikë. Të shpresojmë, dikush të na shpëtojë emrin dhe
nderin...) Dhe dëgjoni, nga programi i Maturës Shtetërore, janë hequr
Shekspiri, Wollt Witmani dhe Kadareja. O Zot, të mendosh se dikur jemi
përpjekur të tallemi me të ashtuquajturin Revolucion Kulturor Kinez...
Por skeçi
nuk mbaron as këtu. Shikoni ç’absurd: Dalin në ekranet televizive dhe
ankohen...dhomat e huaja të tregtisë, Dhoma Amerikane dhe Dhoma Gjermane,
ndërkohë që dhomat shqiptare rrinë gojëkyçur, nuk e di askush, rrojnë a
s’rrojnë, janë në hije e në turp, për shkak se pushteti iu ka vjedhur
pavarësinë, kompetencat, i ka shkelur me këmbë; sikundër ka bërë edhe me një
sërë institucione të tjera që...do të duhej të jepnin pamjen e një shteti
demokratik, të ndërtuar sipas parimeve të demokracisë dhe ekonomisë së
tregut(!) E dini sa biznese ka Tirana? 40 mijë më së paku. Dhe e dini sa
anëtarë ka Dhoma e Tiranës, që për muaj të tërë nuk paguan dot punonjësit e
vet? Nja 300-400 anëtarë...Kemi institucione, jo llafe. Bir Selman i nënës,
ç’të të qaj më parë...
Edhe në
çështjen kombëtare, deri më sot, ka vetëm propagandë dhe prirje për përfitime
vetiake a partiake. Siç e kam shkruar edhe në një tjetër analizë, në gjendjen
që jemi, ne nuk mund t’i ndihmojmë dhe t’iu shërbejmë si duhet Kosovës, shqiptarëve
në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në Preshevë e gjetkë. Kjo për shkak se ata na
shohin ne në një gjendje absurdi, si dhe në një luftë të egër për pushtet (jo
për Shqipërinë, jo për objektivat demokratike;) gjithaq sepse drejtuesve të
Shqipërisë duket sikur dikush ua tërheq litarin nga kryeqytetet fqinje, në Veri
dhe në Jug; paçka se kanë bërë aq shumë lëshime, me det e me toka, me tendera
dhe me përfitime të tjera politike. Mbase koha është që çështja kombëtare
kërkon Ministrinë e vet tashmë; dhe programe bashkëpunimi konkrete e në të
gjitha fushat.
Ja edhe
një fakt i fundit dhe po i vë pikë. Siguria dhe punësimi nuk kanë asnjë
përmirësim, në mos kanë shkuar drejt degradimit. Kryeministri Berisha dhe
kolegët (miqtë, armiqtë, çfarë i ka) opozitarë bashkë me të, duhet të dinë se
aq shqiptarë sa janë punësuar në Shqipëri për gjatë 22 viteve të pluralizmit
dhe ekonomisë së tregut, po kaq janë punësuar vetëm në Itali(!) Mjafton kjo e
vërtetë përvëluese, për të kuptuar se demagogjia e punësimit është më e errëta
ndër ato që përdor pushteti i sotëm.
Për ta
sheqerosur sadopak gjithë këtë pamje për të qarë e për të qeshur, për ta bërë
skeçin edhe më skeç, prodhohet pareshtur propagandë. Kohët e fundit, një e dy,
bëhen peticione si të kohës së diktaturës, kur njerëzit detyroheshin të
firmosnin për marrëzira që pushtetit i zgjatnin jetën; ishte fjala për ato
familje që shteti i konsideronte të afërta me të, që si ta themi “nuk ia
prishnin dot Partisë”. Sot po ndodh e njëjta gjë, madje edhe më paturpësisht,
sepse (mburremi që) jetojmë në një rend të ashtuquajtur demokratik e ku flitet
për ekonomi tregu. Por peticioni për ndotjen e Gjirit të Vlorës nuk u lejua. As
për zbrazjen e plehrave të Evropës këtu...në këtë çikë vend, referendum nuk
bëhet...Jemi në skeç edhe në një skeç të trashë, ku vetë aktorët qeshin e
zgërdhihen, kurse spektatorët ngrenë supet.
Po cilët
janë spektatorët? Shqiptarët e tjerë jashtë kufijve administrativë. Diaspora.
SHBA-të. Evropa. Me keqardhje, më duhet të them se në diasporë ka ende njëlloj
entuziazmi nga kujtimet e fillimit të viteve ‘90 dhe, sidomos, një glorifikim
të zhvillimeve të para demokratike në Shqipëri; çka ndodh më pas, vështrohet me
ftohtësi, pse jo edhe në mënyrë të gabuar. Sa për qëndrimin e ndërkombëtarëve,
le të kujtojmë ç’thanë para zgjedhjeve vendore të shkuara, që nuk do të bënin
asnjë lëshim, do të kërkonin vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme; më pas,
ata u fshehën pas termave të zbutura, me të cilat “përkëdhelin” vende
gjysmëdemokratike si Shqipëria. Në një nga veprat e shquara të dramaturgjisë së
lashtë, në tragjedinë “Prometeu” të Eskilit, thuhet diku: “ Është një mundim
për mua të rrëfej, është një mundim që të hesht, sidoqoftë është një mjerim.”
Nga duhet
të fillojmë për t’i ikur skeçit dhe për ta ndryshuar pamjen? Së pari, nga
rotacioni: ai politik dhe ai organizativ, pra ndërrimi i drejtuesve të
korruptuar dhe të shfytyruar, mbeturina të komunizmit, Berisha, Ruçi, Gjinushi,
si dhe largimi i njerëzve me dosje, që prej 22 vjetësh janë në politikë, nëpër
zyra të rëndësishme, madje edhe thjesht persona publikë. (Kjo kërkon shkundjen
e strukturave të vogla dhe ndërgjegjësimin e të rinjve për detyrat që iu
takojnë sot, në mënyrë urgjente.) Së dyti, ekspertë të huaj, të pavarur, për të
ekzaminuar (mbi bazën e gjithë informacionit që ka në Parlament, në KLSH, në
media, në institucione të tjera) rastet më flagrante të korrupsionit. Së treti,
rikthimi në sallat e drejtësisë i një sërë çështjeve gjoja të mbyllura:
Gërdeci, Remzi Hoxha, 21 janari, aferat korruptive më të prekshme, etj., për të
vënë përpara përgjegjësisë jo vetëm qehajallarët, por më së pari urdhëruesit,
si dhe për t’u bërë mësimi mësim. Më tej, programe të gjera dhe të vërteta
bashkëpunimi në planin kombëtar, të tilla që të shohin larg, në bashkimin e
shqiptarëve në kuadër të BE-së. Më në fund, rishikimi i raporteve edhe me miqtë
dhe monitoruesit, për të mos u menderosur e servilosur pas çdo fjale e gjesti
të tyre, por me iu dhënë aq vend sa iu takon dhe duke kërkuar më shumë dinjitet
e vetëveprim.
Detyra të
vështira, hë? Epo, thamë të dalim nga skeçi...