E diele, 04.05.2025, 01:49 AM (GMT+1)

Kerko: Remzi Salihu

Remzi Salihu: Pikëtakimi konvencional i rrëfimit

E hene, 21.01.2013, 08:28 PM


PIKËTAKIMI KONVENCIONAL I RRËFIMT REALIST

Nga Remzi Salihu

1

Pearl S. Buck u lind më 26 qershor të vitit 1892 në Virgjinia të Amerikës. Që nga mosha shumë e re, tre mujore, bashkë me prindërit u largua nga vendlindja për të jetuar në Kinë. Babai i saj  vepronte si misionar nëpër atë vend të largët. Shkrimtarja Buck i kaloi dyzet vite atje, pos disa vite studimi në Angli. Kjo shkrimtare u bë e njohur në botë me disa romane e shkrime eseistike, sidomos, me prurjen e shumë ngjarjeve interesante nga Kina. Fama e saj ndërkombëtare nxiti mediat e kohës të kthejnë vëmendjen kah kjo autore e veçantë dhe më 1938 u laureua me shpërblimin më të lartë Nobel, gjegjësisht me vlerësimin më të lartë tradicional që u jepet shkrimtarëve për letërsi. Vitet e fundit të jetës shkrimtarja Buck do t’i kalojë në Danby të Amerikës, ku edhe do të përfundojë së rrahuri zemra e saj më 1973.

 

Dy janë arsyet e mia motivuese, nxitëse, kërkuese, që t’i kthehem kësaj autore për vlerësim. Arsyeja e parë është se në vitin 2012 shpërblimin më të lartë për letërsi e mori një shkrimtar kinez, që për mua është akoma i panjohur tërësisht, si dhe skandali qortues i hierarkisë së mendimit vlerësues e shkencor të disa shkrimtarëve dhe studiuesve drejtuar komisionit të shpërblimit Nobel, për autorin e laureuar Mo Yan, (shkrimtar kinez që u kurorëzua me këtë çmim të lartë). Arsyeja e dytë është shkrimtarja Pearl Buck, që emri i vërtetë të saj është Pearl Walsh, nee Sydenstricker, ka sjellë një kolazh romanësh e shkrimesh nga jeta dhe kultura kineze, si ngjarje të veçanta për botën perëndimore, të cilën kulturë e ka njohur dhe vlerësuar realisht. Qortimi dhe vlerësimi parë vjen me arsyen e njëanshme të disa studiuesve dhe disidentëve kinez. Liao Yiwu i habitur për këtë vlerësim të pa merituar. Piktori Wei Wei do ta kuptojë si  zgjedhje e kritikuar. Shkrimtarja Herta Myler do të thotë se ky autor nuk ka qenë në prioritetin e saj, Elke Heindereih do ta vlerësojë si një çmim politik. Petar Engud thotë:  “është një pjesë e Kinës. Eva Myler(nga Umbolt Univerziteti në  Berlin), i gëzohet akademisë për këtë përzgjedhje të këtij autori. Ajo madje thotë se që nga vitet 80 Mo Yan është autori më i lexuar në Kinë. Arsyeja kryesore është se ky autori i ka dhënë rëndësi emancipimit të gruas, e cila ka qenë mjaftë e shtypur dhe anashkaluar nga shoqëria.  Andrea Rimenshniter (profesoreshë e Gjuhës dhe Letërsisë Moderne në cyrih), do të thotë se Mo Yan është një shkrimtar gjenial....

Të gjithë ata që ishin kundër këtij shpërblimi, hidhërimin e fokusojnë në bindjen e tyre të njëanshme të fiksuar në mendje se ky shkrimtar ka qenë gjoja “lojal” ndaj pushtetit  diktatorial aktual të kohës sonë. Por, përkundrazi, ka pasur edhe mendime pozitive për këtë autor se veprat e tij qëndrojnë në një nivel të lartë kreativ, të realizuar artistikisht, kështu do të mendoj edhe njohësja e mirë e autorit në fjalë profesoresha nga Zvicra Andrea Riemenshniter, e cila vlerëson pozitivisht artin, rrëfimin dhe simbolikën artistike të këtij shkrimtari. Nga kjo sjellim një përfundim të mendimit, të keqkuptimit dhe “gabimit”, se akademia vlerësuese e shpërblimit Nobel, nuk bie peng i mendimeve dhe thashethemeve të njëanshme të opinionit se vetëm disidentët dhe të persekutuarit duhet ta fitojnë këtë  shpërblim të madh ekzistues. Por kjo ngjarje jep mundësi shprese se çdo gjë duhet shikuar nga vlera dhe arti i veçantë që i sjell një shkrimtarë opinionit lexues. Këtu, në këtë komision, a thua vallë bëhen lëshime në vlerësim? Unë them gjithsesi se po, ngase bota krijuese ka autorë shumë më të mëdhenj, që nuk e kanë marrë shpërblimin e vërtetë, e që e kanë merituar. Por ka edhe prej atyre që janë kurorëzuar me meritë me këtë çmim, si dhe ata që e kanë refuzuar një çmim të këtillë. Edhe kjo mund të jetë ndoshta një politikë e sofistikuar kohe dhe shije që vendos për masat e kriteriumit nominues kohor për vlerësim.

2.

Tërë ky vokabularë mendimesh i mbarështuar artistikisht në rrëfim për vlera e nxitë qasjen time për vlerësimin e romanit të autores Pearl Buck-ut  “Fryma e perëndimit, fryma e lindjes”. Në këtë roman kryqëzohen dy rima kundërshtuese kulturore e që janë interesante për opinionin lexues. Protagonistët qëndrojnë në një situatë të vështirë morale të vendosjes jetësore të bashkëjetesës. Dilemat e tyre të shumta bartin në vete një kompleks të rrallë njerëzorë, tradicional të jetës së trashëguar, me shumë rrethana e dimensione zakonesh, që filhall dhe me lehtësi dalin në shkrimin kreativ të autores, për të sjellë në kohë ngjarjet kulturore të një vendi të izoluar, pasi autorja e njeh shumë mirë këtë realitet të përjetuar. Kështu që një pjesë e madhe të veprave të Pearl Buck-ut shpalojnë ngjarje interesante nga jeta, doket dhe zakonet e shumta kineze. Duhet thënë se ajo ka hyrë thellë në gjurmimin, mentalitetin dhe jetesën e njeriut të asaj ane, prandaj edhe ka trajtuar me përpikëshmëri tema të tipizuara mirë, me një eksperiencë të lirë e të përjetuar gjatë kohë në atë vend. Aty shihet qartë pasuria dhe vërtetësia epike e përshkrimit të jetës fshatare kineze bashkë me mjeshtërinë e rrëfimit biografik të kryeveprës së saj.

Romani “Era e lindjes, era e perëndimit” ka dalë para lexuesve me një frymë spontane të të rrëfyerit, të kësaj natyre të veçantë kulturore, ku jepen detaje të shumta të shoqërisë dhe të individit në rrethin ku jeton e vepron. Në të ftillohet imagjinata për jetën dhe rëndësinë e saj për të. Dhe në mënyrë të vëmendshme jepet përqendrimi shpirtëror i njeriut me rregullat e zakonshme në shoqëri. Shkrimtarja  fikson në syzheun e romanit një temë me kodim interesant për jetën njerëzore të atij rajoni deri në thellësitë më të fshehta të një kulture. Aty përshkruhet një ambient “fisnikësh” kinez, të cilët bënin veprime jetësore konzervative, të izoluara shoqërore, sipas kodeve të imponuara të klisheut tradicional. Realiteti jetësorë i përcaktuar bindshëm me fanatizëm, siç është trashëguar nga gjenerata në gjeneratë, që për botën e civilizuar kjo joshje e “këndshme” jetësore, e përtërirë me fanatizëm, vë në spikamë gjykimi këto veti tipike të izoluara të asaj ane, e që sot merren si veprime kulturore prapanike të tejkaluara për njeriun e kohës sonë. Emancipimi i femrës qëndronte peng brenda ndërgjegjes së kufizuar të asaj vetëdijeje konzervative kolektive,  që edhe para lindjes bëhej kontratë martesore për fëmijët e tyre. Vetëm sipas porosisë së besuar brenda familjeve lidhej kurorëzimi në mes dy të rinjve. Kështu do të veprohet edhe me vajzën Kuei-lan, personazh kryesor, e cila forcohet nga kontratat ndikuese dhe dëshirat e prindërve, me një djalë të fisshëm dhe me traditë të theksuar kineze. Buri i saj qe një djalë i ndritur me përvojë kulturore, që kishte kaluar disa  vite në perëndim për të studiuar mjekësinë. Pos ngritjes shkencore, ai, atje përballet me shumë ndryshime të dallueshme kulturore e shoqërore, të cilat nuk i kishte parë në vendin e vet, por që donte t’i kultivoj e plasojë si gjëra të vlefshme, përparimtare, në vendin e tij. Prandaj ai me çdo kusht i jep detyrë vetes për ndryshime dhe këtë e bënë me përkushtim e dinjitet të theksuar njerëzorë, duke u nisur që nga familja e tij. Ky personazh me sakrificë të vendosur sjell në vendlindje ngritjen shkencore dhe kulturore të perëndimit, e cila për traditën dhe mesin e satanizuar nga tradita vet, si e tillë ishte e huaj për të, e pa përfillshme.

3.

Personazhi kryesor që mban boshtin e rrëfimit në vetën e parë, -“Unë rrëfim”. Kryesisht është Kuei-lan. Ajo tërë jetën e saj femërore e rinore e kaloi duke u edukuar nga e ëma, se si duhej të sillej në jetën e re me burrin e vet, me normat dhe përshtatjet e femrës së përkulur sipas traditës dhe vendit. Për të ardhmen familjare në koordinim me kërkesat, ndjenjat dhe moralin e burrit të saj, të preferuar detyrimisht nga familja. Këtu ndeshemi me probleme të mëdha psikologjike të individit në shoqërinë e kufizuar, e cila në rrethin intim të bashkëjetesës, qe e ngarkuara me emocione e shqetësime të mëdha brenda shpirtërore. Kundërshtitë kulturore emancipuese kishin futur në dyshime të thella ndjenjat e çiltërta të këtij çifti bashkëshortorë. Në këto ndjenja e rrethana individuale atakuese përplasen në konflikt efekte intime të mbyllura dhe shqetësuese për qenien arsyeshme njerëzore, e cila ishte burgosur në paragjykimet e shumta të njohjes dhe mosnjohjes së personalitetit. Në këtë traumatizim ndjenje të pa definuar tërësisht, rrotullohet një shakullinë mosbesimi cvilizues brenda njerëzorë. Andaj midis ndjenjës dhe realitetit bëhet një luftë e brendshme, psikologjike shpirtërore, deri në ftohje të skajshme të intimitetit, ngase Kuei- lan, sipas traditës dhe këshillave të së ëmës, duhej të mbajë peng kontunuitetin familjar provincial me formalitet të theksuar tradicional. Të bëhej grua sa më e pëlqyeshme për burrin e vet dhe e dëgjueshme për të gjithë. Përkulja, nënshtrimi dhe mos shfashatimi i këmbëve të saj krijonte ndasitë e mëdha midis ndenjës dhe kuptimit të jetës bashkëshortore. Ky çift gjatë martesës një kohë të gjatë ndejën bashkë si të huaj. Jeta e tyre në fillim nuk kishte kuptim, por jepte një ngrirje dhe moskuptim në marrëdhënie dashurie  midis vete. Druajta e madhe për akte intime sillte keqkuptime psikologjike e të acaruar. Që të dy nën vetëdije kundështuese arsyetonin ndjenjat dhe qëllimet e veta kërkuese, por ata nuk kishin efektin e përshtatjes së duhur jetësore midis vetes. Nusja duhej të “ rruaj qetësinë e lules përpara burrave dhe të dijë të tërhiqet në çastin e favorshëm, pa shfaqur konfuzion”. Në bindjen e nuses ishte krijuar klishe tradicional të përkuljes së kokës me dy duart e paluara përpara, kur ajo gjendej para burrit, pa komentuar asgjë, asnjë fjalë kur ai është duke folur. Buri i ngritur intelektualisht këtë veprim të nuses së tij nuk e shihte si perspektivë të drejtë të një jete të realët e të barabartë. Ai donë të zbatojë një jetë të re, moderne, të cilën gjë e kishte mësuar e kultivuar në perëndim. Por përkundrazi kjo heshtje brenda tyre e brengoste dhe errësonte situatën edhe më shumë. Nusja nën vetëdije mendonte, se ndoshta kjo heshtje, ky veprim, para partnerit do të ishte si një grua e pa vlerë, e veçantë, që duhej të ndërmarrë diçka për të ndryshuar nga jeta. Kështu që nëpër këtë bindje ekzotike, të errët, martesa e tyre dukej si e huaj, e pa vlerë. Edhe pse nusja e pispillosur dhe e veshur me “saten ngjyrë pjeshke”, me perla të qëndisura në flokë, posa të krehura, për atraksion flertues kundrejt partnerit, por pa efekt të bindshëm tërheqës. Andej ndjenja e saj ishte ngarkuar me pikëllim shqetësues, sepse edhe pas një muaji, dhëndri i dukej se nuk e përfillte, nuk e afronte, atë pamje të saj të bukur, në gjirin e afrisë, e cila mbetej si formë e jashtme e dukjes, nga parimet e theksuara intime të partnerit të vet. Sipas vetëdijes së saj formale kërkonte mundësi  të shumta vështrimesh atraktive për të bërë tërheqjen e të shoqit kah vetja, por pa sukses, në këtë përpjekje artificiale të sakrificës së madhe. Në këto dyshime e paragjykime ndasie, nga zhgënjimi kërkon ngushëllim dhe evokon të kaluarën e ndritur familjare, gjyshen dhe stërgjyshet, që ua shkundnin zemrat burrave të tyre me kënaqësi dhe lumturi. Me këtë formë të urtë të të jetuarit tradicional, jetonte nusja e re, që për burrin e saj ishin të pa vlefshme dhe jo sensacionale. Bile, ajo, më tej evokon edhe katragjyshen e saj  Yang Kuei- fein, e cila kish sjell tërmet ndjenjash te buri me bukurinë e saj. Kurse kjo si pasardhëse dhe me të njëjtin gjak të këtyre zonjave të nderuara e të preferuara të familjes, të respektuara nga të tjerët, duhej ta kishte po të njëjtin tretman, respekt, kërshëri apo përfilljeje nga i shoqi. Si dukej nëpër shumë detaje, sipas bindjes së saj, se as veshja, e as perfeksionimi i vetullave, apo pispillosja me ditë të tëra në pasqyrë, nuk bindte e trazonte sytë e burrit. Kuei –lan, madje shkonte edhe më larg në thellësitë e shqetësimit të saj, duke gjykuar se mendimet e burrit të saj me vështrime dhe synimet e tij, ndoshta, ishin orientuar diku tjetër nëpër botë, aty “ku ajo nuk ishte duke pritur”, apo diku në thellësi shpirtërore të pa kuptueshme të intimitetit, apo nëpër skaje e vende enigmatike të ndjenjës së përvjedhur, apo te ndonjë grua tjetër që mund t’i shërbente si konkubinë argëtuese, siç ishte me rastin e babait të saj.  Pasi babai pos nënës së Kuei-lanit mbante edhe gra tjera për dëfrim e argëtim, si nevojë shpirtërore e toleruar nga ajo shoqëri. Këto veti e doke në të kaluarën merreshin si standarde e kritere jete tradicionale të përvetësuara dhe të lejuara në familje. Po në të njëjtën mënyrë është fejuar edhe i vëllai i saj, që ishte duke u shkolluar në Pekin, e që pastaj, ai, do të largohej për studime në Amerikë. Forcimi i tij me një vajzë ishte bërë midis dy familjeve të njohura të atij vendi. Familja Li ishte po aq e njohur në atë provincë. Vajza kësaj familje kishte qenë tri vite më e vjetër se i vëllai i Kuei –lanit. Por pas largimit të vëllait në dhe të huaj, në Amerikë, ku edhe takohet me një vajzë tjetër të huaj, atëherë brengat e familjes do të shtoheshin edhe më shumë. Nëna që nuk pajtohet me këtë vendim të të birit do të sëmuret, ngase djali i vetëm saj, ka thyer ligjet familjare tradicionale.

4.

Romani me një përshkrim trivial apostrofon shtegun e zakoneve dhe dokeve “të aristokracisë” kineze, e cila ishte e ngarkuar dhe përqendruar kryesisht në trashëgiminë e jetës tradicionale të këtij populli, por tani më që përballej me një ndryshim e kërkesë kundërshtie nga të rinjtë, që donin të adaptonin “frymën e jetës së re perëndimore”, e gjithë kjo kundërshti ishte kthyer në keqkuptime të shumta morale devijuese, politike, për ambientin dhe njerëzit. Ngjarja është tërheqëse që nga fillimi e deri në fund. Këtu nuk mund të flitet për ndonjë roman të rëndë me kuptim e me detaje motivuese të komplikuar dhe me një standard artistik L’art- pur –l’art. Por ky rrëfim i “lehtë” zhvillohet me një rrjedhshmëri të rëndomtë konvencionale, ku gjuha dhe shprehja realiste shpalohen me lehtësi tërheqëse deri në faqet e fundit. Romani sjell një përvojë interesante të autores për jetën zakonet kineze të përjetuara. Aty hasen edhe elemente didaktike edukuese. Në pikëtakimin e syzheut personazhet kultivohen sipas normave dhe familjeve kineze tradicionale. Kjo shpalohet mjaftë mirë  në skenën rrëfimit dhe përshkrimit me sinqeritetin më të madh. Me që lidhja e këtyre të rinjve ishte bërë sipas kontratës miqësore të prindërve. I fejuari i saj i kishte dhjetë vjet kur lindi ajo. Për shtatëmbëdhjetë vjet përkujdesej e ëma për këtë synim madhështor. Në fillim çdo gjë ishte pa kuptim, pa efekt normal të ngjizur drejtë nga jeta, e cila vetëm pas një kohe arriti përshtatje, sidomos pas lindjes së djalit të saj fillon të dashuroj dhe kultivoj ndjenja intime, pasi gjithçka deri atëherë ishte çdo gjë e pa kuptimtë. Ajo njëanshëm kërkonte kënaqësi nga jeta dhe krejt mësimi për të ishte përqendruar në qëllimin e shenjtë, për tu bërë një grua e turpshme, fisnike dhe e ndershme, ashtu siç e do ajo dhe tradita. Mjeku pretendonte ndikim tjetër emancipues, që kulturën e tij të bartur nga jashtë, ta futë në këtë familje të sapo  formuar. Mjeku me çdo kusht kërkon të afroj në shpirtin dhe ndjenjën e tij një grua moderne në bashkëshortësi. Edhe pse këto ide për gruan e tij të re ishin të huaja dhe të pakuptueshme, ngase këtu nuk bëhet fjalë vetëm për dy njerëz, por vëmendja përqendrohet te të dy kulturat ekzistuese të pa pranueshme për kohën dhe ambientin. Të duket se autorja këtu sjell elemente biografike të përjetuara gjatë qëndrimit të saj me familjen si misionare në Kinë.

Pers Baku pasi ka njohur mirë të dy kulturat, të lindjes dhe perëndimit, konfliktin e ngjarjes e sjell të fiksuar në një mendje të veçantë, në personazhin e saj, duke përshkruar dilemat e shumta të gruas fanatike, që të gjitha paragjykimet konzervative të imponuara në vetëdije, t‘i largoj nga vetja dhe bindjen e saj ta kthej  në një jetë normale, të re emancipuese, dhe gjithsesi se përshtatjen e saj për jetë bashkëshortore ta integroj  te Buri i saj, që kishte marrë kulturë në perëndim. Por problemi i gjithë kësaj përditshmërie kundërshtuese nga dita në ditë rrezikohej në tërësinë reale të familjes kineze. Autorja me anë të kësaj fotografie realiste, pak si në  realizëm socialist, sjell gjendjen tipike shoqërore të Kinës. Rrëfimi bëhet në vetën e parë. Këtu nëpër këto ngjarje del hapur tradita kineze për martesën  e dedikuar të të rinjve edhe  pa u pyetur, njoftuar e kuptuar midis vete. Të duket se ky roman ka edhe elemente biografike të autores, e cila ndoshta del nga ajo përvoja e saj që ka jetuar një kohë të gjatë në Kinë.

Romani ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë shtrohen të gjitha peripecitë dhe konfliktet familjare, për bindje intime e kthesa kulturore, ku në rrëfim dominon fryma tipike e lindjes, kurse në pjesën e dytë përplaset fryma e re e perëndimit. Romani deri në fund të mbanë të etshëm për lexim të pa ndërprerë, deri në rrjedhshmëri të mirëfilltë të ngjarjes, konfliktit të përfunduar dhe këtë e bën me një efikasitet të lehtë të shprehjes paksa konvencionale për lexuesin e informuar, i cili mund të njoftohet drejtë me jetën dhe traditën e një populli, ku nëpër disa detaje ngjarjesh jepen përmasa zakonesh jetësore, ku mund të shihen edhe disa elemente kulturore të njëjta, trashëguese, si te popujt tjerë të rruzullit tokësor.

Autorja duke e njohur mjaftë mirë traditën dhe kulturën e populli kinez me vitalitetin e saj krijues ka futur në shërbim imagjinatën dhe shprehjen  e saj realiste për të nxjerrë në veprim jetën njerëzore me të gjitha format e saj të konfliktit, disponimit dhe shqetësimit. Në romanin “Fryma e lindjes, fryma e perëndimit” të Pearl Buckut shpalohet një jetë reale kineze për emancipim të drejtë shoqërorë. Ndërkaq, duke pasqyruar një realitet jetësor të këtillë, autorja, vë në spikamë frymën dhe rrugën realiste, duke kërkuar lirinë e individit për ta jetuar jetën ashtu siç e kërkon ai vetë, pa ndalesa e paragjykime të kushtëzuara nga rrethi e shoqëria e vendi.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx