Kulturë
Remzi Salihu: Dy net burg me Pano Taçin
E premte, 14.09.2012, 08:28 PM
DY NET
BURG ME PANO TAÇIN
Nga: REMZI SALIHU
1.
Koha ngulmon me trashëgiminë e të mirës dhe të shëmtuarës, dhimbjes dhe qejfit të ngushtuar në heretizëm. Detyrimi ndjenjës shpërthen guximshëm papandehur në kërkimin e shpresës humbur. Ferri e shpie larg në vetminë e neurozës së historisë së përhumbur nëpër kohë, në burg. Fluturimi imagjinar i dëshirës së tij thyen grilat e intimes personale. Del prej vetes, pastaj hynë përsëri thellë në vete. Ateron stoikisht në qiell të hapur me pak dritë sfond, në kërkim të lirisë, në kërkim të dashurisë. Kurse në anën tjetër të medaljes së zymtë të jetës sistemi ulurin, hingëllon ose dënon, apo paditë në tollovi njeriun për njollosje të sistemuar. Hapësira gri vë zinxhirët e njëmendësisë dhe trupëzon forcën e regjimit të ashpër në kohë. Përditshmëri e sëmurë me skenë për psiko- patologjinë e Frodiane. Civilizimi si fuqi e autoritetit bashkëkohorë bën kërkesat e veta me ashpërsinë e bindjes kolektive. Drita përmbytet në errësirë. Prania e individit zverdhohet në neveri. Humbëtirë shoqërore shpërlahet brenda sojit të vet njerëzor. Grinden fshehtësitë e shpirtit me realitetin e vrazhdë të vetmisë. Rrugëtimi i hijes së qenies acaron bindjen e ekzistencës së vet në distancë, kurse “blerim i thinjur” mbulon stinën e ikur me fjolla të bardha ëndrrash të pa realizuara nëpër vite të ikura padiktueshëm. Tragjik në jetë, por i pa përkulur në qëndresë. I pa diktuar gjatë kohë nga “vdekja e paguar” në terr shfarosës. Sfidim situate me muskujt e durimit. “Sa pak qiell” sa pak frymëmarrje për shtegtime të gjata. “Pani Plak” me dromca lirikash të tetuazhuara nëpër trup. Vezullon si siluetë nëpër dejtë e meditimit të çiltërt. Bagazh i rëndë motesh ia gërvishtin fshehurazi “shpirtin e zbathur” nëpër brigje të plaguara dallgësh të quajtur det jete të ngulfatur. Lë gjurmë ekzistimi të një përjetësie arti të mësuar nga tradita. Tabuti prej letre vendstrehimi i përhershëm i tij. Pak zhurmë, pak ritëm në simfoninë intime të çasteve të preferuara për dashuri. Mban peng prirjen e helmuar me narkozë të gjatë letrare. Në mëngjes, në mbrëmje nëpër kontejnerët e metaforave kërkon praninë e ekzistencës. Në asonancë i aborton koha e kufizuar nga mbarsmi i çiltërsisë së fjalës së thënë. Vargjet lindin spontanisht në metrikë. Në stacion “orgazmash” ngjizen motivet e rralla të frymëzimeve. Detyrimi bëhet normë e kurorëzuar në lirikë. Në “Muzg” lirohet nga vetmia, por burgoset në agim detyrimisht me shpirt të ndezur nga vargu e poezia. I pa kursyer në gjuhë dhe shprehje, Vargu intimes së tij “ Flokë në terr” të kallur, që mbanë gjallë bukurinë dhe“hukamën e venusit në humnerën e thellë të përjetimit “lakuriq”, në art poetik të realizuar mjeshtërisht. Me çiltërinë e shpirti krijon “del-arin” e ndritur të guximit të përkushtuar për sakrifica. Ankthi i vetmisë së madhe nuk e përkul, As lakmitë urbane nuk ia burgosin dëshirën dhe shpresën, për shtegtim të mbarë në qiell të ndritur si hokatar, në bar nate. Ndjenja kureshtare i shpalonte kërkesa të mëdha, por kurë nuk tregonte urinë për diçka të munguar nga jeta. Qëndronte vertikalisht me motivet e gjetura në aurën mbrojtëse të dashurisë.
2.
Vene hiç nga
kujtesa informacione të gjithanshme, me pak mundësi lirie për disa çaste në shpirt
koha ndalet. Ndalet në zenitin e kujtesës, bashkë me ngjarjet që na rrethojnë. Njeriu
ndërron vendin, del prej guaskës burgosur të
mërzisë, për të lëçitur përtacinë
e ditës së bezdisshme nëpër grila, ndërron kërkesat e veta kundrejt gjërave të tjera
fantastike. Noton në dëshirën e kallur rinore nëpër çastet vijuese brenda
realitetit dhe mendimit të imponuar nga rrethanat e kohës. Për ta vrarë monotoninë
e dehur në tmerr ndërkëmbëzash e grilash të kurdisura nga intrigat dhe shpifjet
e imponuara nga të tjerët, nga mjeshtrit e vdekjes së dhunshme. Hynë i vetmuar
me pa përkulshmëri në pasqyrën e ndodhive të shumta. Politika bënte pauzë,
poezia merrte frymë lirshëm me freskinë e kohës. Etika e punës ngrin nën “Rrap”
afria e “Ashikut” saldohet me mall në oazën
e dashurisë së arsyes . Vjeshta sjell frytin e freskët të fisnikërisë festive
përballë fortesave rigide. Merr flakë lirika. Është koha e poezisë së pakufi. Kohë e grishjeve të mëdha letrare në sofrën e bujshme të fjalës
së gjallë midis poetësh...
Radioja
vepronte me pengesa valësh, kanalet nuk kuptohen, jehona e frekuencave të stacioneve
të pa qëlluara ishte e largët. Tingujt vinin të përçartë nëpër dhomë. Artikulimi
i harmonisë ishte në shënjestër të kakofonisë së imponuar pa dëshirë. Nëpër
grila të kufizuar mendimesh e bisedash dëgjohej vetëm zhurmë e radios, transistorit të pa kontrolluar
brenda katër mureve. Vargjet poetike nuk kanë censurë, kanë tension të lartë ironie.
Leximi bëhej pa detyrim të sofistikuar të klisheut manifestiv tradicional, por përzgjedhja bëhet
spontane nga dëshira dhe shpresa e
gjithsecilit, pa kursyer fjalët e lakuriqësuar nëpër visaret urbane të kalldrëmit
të Bit Pazarit, për t’i sjellë kësaj mbrëmje lirinë e ligjërimit poetik ...
Pano Taçi
do të shohë gjithçka nga bira e ngushtuar e këtij kozmosi të fokusuar në mendje
dhe në heshtje, të gjitha do t’i mbajë të burgosura për vete. Ai nuk flet. Një heshtje
e madhe brenda mureve. Një panoramë ekzotike e mbrëmjes përshkon kujtesën e tij. Një personalitet i pa përkulur sfidon
kohën e acartë nëpër historinë e përmbushur me ngjarje e vuajtje të tejskajshme.
Në ballin e tij të ngrysur me rrudha shtigjesh udhëkryqe vuajtjesh të shumta,
dhe heshtje e vdekur brenda katër mureve. Përvojë që të shpie në piramidën e
artit të veçantë të njeriut që di ta sundojë veten. Një figurë markante e
durimit dhe guximit, që sjellë përvojë nga jeta vrazhdësitë e sistemit,
ngjarjeve dhe skemave të trishta. Një ditar album ndjenjash intime shfletohet midis nesh, duke kërkuar
rehatinë e shpirtit nëpër vargje, para se të burgoset i arratisur në heshtje
dhe gjykim kërkon hapësirë të pa kufizuar mendimi, nga fiksioni i rrethuar me
ngjarje nëpër çiltërinë e vargut dhe mendimit të ngjeshur artistikisht shpërthen
intimja e pakufizuar nga monotonia e realtetit. Me metaforat dhe krahasimet e
tij, me maturinë e vargut dhe bashkë me satirat dhe erotizmin e tij të pa përmbajtur
nga fjalët e rralla rrëshqasin spontanisht në ritmin e mprehtë të ndjenjës së pa fuqishme, në kursim
motivesh të “egra” me yndyrë erosi nëpër
unin lirik, duke sjellë veçanti artisti
e këngëtimi nëpër etapa brishta
kohore. Ai ishte dhe iku si njeri i veçantë, iku se “një të mirë s’e pa në këtë
jetë”, por duke na lënë një fjalë të çiltër peng:
Do iki siç
ikën çdo shpirt
Siç më iku
edhe shpirti i nënës,
Çdo natë dal
t’ia shoh sytë
Mes syve
që i vinin rrotull hënës.
Kritik
dhe i pa përkulur nga fenomenet që e trazonin ndjenjën dhe bindjen e tij prej
poeti, njeriu, artisti, nëpër realitetin e shëmtuar të kohës. Nëpër cunamin
politiko kulturorë të një mendësisë së kufizuar të vërshuar sistematikisht. Befasues
me imagjinatën e tij kreative të vulosur e të shkruar nëpër notesët e
shkalafitura nëpër xhepa. Hap shtigje temash e motivesh të preferua nga
standardi artistik i traditës. Shkoi pas gjurmëve të mësuesit të tij, pas
Lazgushit të madh dhe pas frymës së vargut popullor. Solli nga yjet dashuri, për
dashnoret nëpër kasollet me intimitet shpirtrash të latuara me besnikëri. Plasoi nga koha në kohë “vargje të yndyrshme”, me
guxim absolut të të shprehurit të çiltër.
Fantazi e madhe e shpërlanë kujtesën e tij. Imagjinatë e frytshme sjell potencën
e dëshirave të pa kufizuar që mbron me aurën e saj vagulluese nëpër kërkesat të
thella e të fshehta intime. Poetik në arenë, me mallin dhe dëshirën e vet ndërton
monumentin intim të lirisë dhe dashurisë
njerëzore. I përndjekur nga regjimi gjithnjë, gjoja se paska pasur
sjellje të papëlqyeshme borgjeze, madje paska qenë propagandues dhe njeri i
rrezikshëm për shoqërinë, që donte të ikte nga vendi. Helmues i kohës që i
sillte zjarr mall e dashuri tek të rinjtë. Madje donte të ikë nga Atdheu që të shpëtojë
kokën nga padrejtësitë. U burgosë dhe u internua shumë herë, por mbeti
stoikisht gjallë me dashurinë e madhe për poezinë.
Kur u
lirua nga burgu u burgos në lirinë e pa liruar, duke mbajtur e mbrojtur distancën
e tij nga politika e përhershme në hapësirë dhe kohë. Tetuazhon para syve çdo
gjë, që i imponohet në analogji të përkushtuar me sens në të qëndisur në mendje,
për të sjellë ritmin e shumë nuancave të “orgazmës urbane” që vibronte me kujdes
artistik nëpër damarët e kohës përndjekjesh dhe duke shpërthyer lehtas në intimë,
nëpër pore e ëndrra lirie. Prej zhurmës së motorit e deri te lehja e qenit
dekorohet metafora e tij artistikisht me një kulturë të madhe kritike të njohjes
së rrethit, të njohje së jetës dhe artit.
Poeti sjell revizion arti me pyetje dhe përgjigje të
shumta. Për të shpaluar fshehtësinë e brendshme ndez epshin rinor. Dhe në këtë lakuriqësi relative hapësire univerzale
ngjizen kërkesat intime të njeriut që ka shije për të bukurën. Çdo motiv bëhet
një komunikim spontan i salduar me lexuesin dhe kërshërinë e tij. Arratisja nga
e keqja është përgjegjësi individuale dhe shoqërore që meditimet të aterojnë lirë
në një hapësirë pa kohë e orar . Vetëm përndjekja e shkrimit kurioz e çon
autorin në formësimin estetik të vargut,
ku gërshetohen forma me përmbajtjen. Rima me ritmin e akorduar në harmoni të ngjeshur
arti. Të gjitha vlerat ekzistuese kanë momente dhe kthesa nëpër etapa të ndryshme
kohore. Kjo vërehet më së miri nëpër analizat e ndriçuara të shkrimeve të shumta
ekzistuese për poetin. Pamja e larmishme e të gjitha atyre shkrimeve na futë nëpër
një kolorit ekspresionist të njohurive të trashëguara nëpër etapa të ndryshme
kohore. Me origjinalitetin e krijimeve të tij, poeti Pano Taçi ndërton aurën
reflektuese të mbrojtjes së veçantë artistike, si dhe të apostrofimit të shpirtit
në piedestal të pa mposhtur rebel., me kërkim të dashurisë së pa plotësuar tërësisht
nëpër vite. Tragjik dhe sfidues i së keqes, makabres së dukshme, në terr dite e
nate, me tatuazhin e trupëzuar në ndjenjë të apostrofuar njerëzore. Liria dhe
erosi i tij janë boshte të shijes së kultivuar në artin e mësuar nga artistë e
mjeshtër të verifikuar të poezisë. Pano Taçi qe njëri ndër poetët më skandaloz
dhe të vendosur për t’i qëndruar besnik
poezisë dhe dashurisë së tij, ishte Çarls Bukovski shqiptar, që lejonte
intervista vetëm nga gratë. Vetëm atyre
ua zhvishte këmishën e fshehtësive të veta të thella, për jetën dhe
artin që kultivonte e vërteta.
3.
Pos poezive erotike dhe satirike, një pjesë të vargjeve të frymëzuara ia kushtoi edhe atdheut, të cilin e donte ndryshe nga të tjerët, nga ajo mënyrë e vrazhdë që ia kishin plasuar dhe ndërtuar në ndjenjë sistemi dhe të tjerët. E donte atdheun, siç e donte ai të pa cunguar nga “sëpata e kobit”:
Ah kjo
tokë Arbërore
Lis
Dodone me pesë dega
Si pesë gishta
të një dore
Prerë e
ndarë në pesë brenga
Ç’sopatë kobi
ia krasiti
Lisit degët
me pesë copa
Tehun për
gjak ja kaliti
Në Berlin, putane Evropa.
Janë vargje
që shpalojnë kuptimin e mirëfilltë të bindjes
së poetit për trojet etnike e të cunguara tmerrësisht nga trungu shqiptar. Truallin
Arbërorë e donte ta shoh si tërësi të degëzuar natyrashëm, prandaj brenga e tij
e madhe nuk ishte brengë e mall i pa kuptimtë, por një dhembë e tmerrshme që e
shqetësonte dhe neveriste nga dita në ditë. Ai nuk donte kufizime shtresash
shoqërore nëpër kufijtë e kufizuar e trilluar të truallit shqiptar. Edhe pse i
pa strehë për vete, duke jetuar mizorisht në skamje, bile edhe vitet e fundit të
jetës i kaloi, si nëpër tendat e romëve, pa një përkujdesje normale njerëzore,
por kërkonte stoikisht çati të fortë për
atdheun e vetë, që “putane Evropa” e kishte lënë ngushtë, në këtë formë të kufizuar
e të cunguar “kobi”, me pasoja të mëdha politike e ekonomike robi. Të jetosh në
vendin më të bukur të Ballkanit, me kushte gjeostrategjike mjaftë të leverdishme
për ekonomi, kulturë dhe zhvillim tërësorë shoqërorë, dhe të jesh me standard të
kufizuar kushtesh jetësore të skajshme, për këtë etni të ndarë nëpër shumë shtete
e skaje, është një kufizim i mbrapsht dhe papjekuri strategjike globale e shoqërore.
Në poezinë tjetër “Populli im vulëhumbur” Pano Taçi do ta qortoj gjithsecilin që shanë popullin e vet, sepse edhe kur gabon, ai ka përherë të drejtë, ngase është populli më i lashtë i kësaj ane të quajtur Evropë. Ja si thotë poeti në një strofë katër vargëshe me rimë të abab kryqëzuar:
Mos ma
shani popullin që i bje gjoksit ,
Kujdes,
se me kallash t’ju qëllojë s’përton,
Paçka se
nga qulli u dogj e i fryn kosit,
Ai prapëseprapë për rrenacakët voton.
Mënyra
dhe lloji i diturisë së poetit, ashtu siç ngjizet mjeshtërisht në kuptueshmëri,
flet shumë për të arriturat e jetës së re. Bëhet një jetë me çiltërsi të trashëguar.
Pa u shminkuar nga klishetë e shumta të traditës. Horizonti i poezive të poetit
Pano Taçi nuk është një lëndinë eksperimentale, por është një shtegtim i frymëzuar
me vëmendje që i ka sjellë poezisë gjuhën dhe formën e vet të veçantë, me një qëllim
e synim, që ato të qarkullojnë lirshëm, pa ndonjë censurë të imponuar nga jashtë.
Aty ngjizet një diskurs që përmbledh kuptim emocional të salduar me luciditet të
përmbushur me ndjenja dhe mendim të ekzaltuar poetik, që vibron nga dëshira e
brendshme për të arritur efekt të caktuar tek lexuesi. Poezia e Panos ka një nuancë
trasencendale nga përvoja e të tjerëve. Ai me mjete poetike të përzgjedhura që metaforikisht
shpalojnë shpresën dhe fatkeqësinë e
individit të projektuara sipas ndjenjës dhe përjetimeve të veta, pikërisht nga
jeta dhe fryma e realtë e njeriut, shoqërisë. Ato në një far mënyre do të shëmbëllejnë
si ditar poetik të përjetuara të poetit nëpër etapa kohore. Ai në vargjet e tij
mbarështon një gjuhë dhe shprehje të kapshme e të kuptueshme, nga ndonjëherë po
thuaj se ato vargje i laton lirshëm edhe me perde të dukshme humori e satire. Ky
poet preferonte stilin e vet të këngëtimit, të
ndërtuar me veçanti mjeshtërore dhe me një simbolikë të kapshme e të gjetur
për të gjithë.