Kulturë
Drita Lushi: Vals me të bardha
E enjte, 13.09.2012, 07:55 PM
VALS ME TË
BARDHA
(Kushtuar babait tim të mrekullueshëm)
Nga Drita Lushi
Kisha
ngelur aq e hutuar në mes të rrugës, sa vetëm një makinë, që kaloi aty pranë me
shpejtësi, më solli në vete. Shoferi,
pas një borie të forte, diçka shau nëpër dhëmbë, duke nxjerrë kokën nga
dritarja e makinës.
Nuk e dëgjova
çfarë tha. As që më nteresonin fjalët e tij, le të kishte sharë; mjaftoi ajo
zhurmë e egër, nevrike, e zërit që më kumboi në veshë me forcë e më trembi. Atëherë
u kujtova se duhej të kaloja në anën tjetër të xhadesë e të merrja një të tatëpjetë me kthesa të forta.
Isha
kthyer në një copë dru të ftohtë, si në një kallkan janari. Letra që mbaja në dorë
ishte zhubravitur plotësisht. Pa vetedije, e kisha mbështjellë shuk. As më interesonte
më ajo letër pas fjalëve që më kishte thënë doktori kur e takova në rrugë.
- Etleva,
– m’u drejtua doktori - nuk ka kuptim ta gënjeni veten e as të tjerët kot. Një gjë e tillë duhet pranuar pa ushqyer
iluzione. Unë ju njoh familjarisht, ndaj dua të flas qartë me ty. Kjo diagnozë nuk
ka shërim.
- Doktor,
po sikur ta shihni dhe njëherë? Çdo gjë mund të ndodhë. Sa gabime janë bërë e bëhen
nëpër laboratore?
Ai më vështroi
në heshtje pa reaguar.
- Po
sikur të përsërisim prap analizat?- u mundova të kapesha qoftë dhe pas një fije
shprese të vetme, pas një gabimi të mundshëm të laboratorit, por vetëm të vërtetën
jo, ate nuk arrija ta pranoja.
- Vendos
në duhet t’u thuash të vërtetën edhe të tjerëve, apo jo. Bëj si ta shohësh të arsyeshme.
Po patët nevojë për mua, më thuaj.
Më dha
dorën dhe u largua.
Unë e
kisha të qartë atë diagnozë, po gjithmonë njeriu e ka të vështirë të pranojë të
vërtetën, sidomos kur ajo nuk i pelqen, aq më shumë kur është e dhimbëshme dhe
kur në të përfshihet një pjestar i familjes. Prandaj edhe kisha shkuar të takoja
doktorin R, me të cilin njiheshim familjarisht. Rastisi që e takova në rrugë,
teksa shkoja në spital dhe…
Nuk di si
kisha arritur në shtëpi. Nuk mbaja mend me
ke isha këmbyer. Nuk mbaja mend gjë prej gjëje.
Veç kur
pashë motrat e mia më të vogla, u kujtova që kisha arritur në shtëpi.
Alda,
motra e dytë, sapo kishte vajtur në gjimnaz,
por kishte një pjekuri të parakohëshme krahasuar me moshatarët e saj. Ndërsa
Alketa ndiqte klasën e shtatë. “Do të dal pak”
– u kisha thënë, - do të dal të takoj doktorin për analizat e babit”.
Ato po më
shikonin sikur të kishin para ndonjë qenje të rrallë dhe të frikëshme. Kushedi
si isha bërë në fytyrë.
Pa u
kujtuar sa ishte ora, i pyeta veç për të thyer heshjen dhe vështrimet e tyre të
trembura:
- Mami s’ka
ardhur akoma?
- As
babi?- vazhdova të pyes pa pritur të merrja përgjigjen e pyetjes së parë.
- Ora është
njëmbëdhjetë e gjysëm - tha si me frikë Alketa. - Eshtë heret - vazhdoi ajo.
Ato me
kishin futur në mes dhe po më shihin të frikësuara. Duhej t’u thoja diçka, aq më
tepër që ato e dinin se kisha dalë enkas të takoja doktorin.
- Çfarë të
tha doktori? – m’u drejtua me gjysëm zëri Alda, sikur të kishte frikë nga përgjigja
që do të merrte.
Në të mijëtën
e sekondës mblodha veten dhe u kujtova se çfarë sekreti mbaja në vete.
“Zot, më ndihmo”!
– i fola vetes.
U mundova
t’i jepja fytyrës një të qeshur të lehtë dhe u thashë, duke iu drejtuar më shumë
Alketes, sesa Aldës që më kishte pyetur:
- Mirë. Jo
keq ... Kuptohet që babi duhet të shkojë disa herë në spital, mund të rrijë ca
dit, po në përgjithësi mirë.
- Na fute
tmerrin kur të pamë me atë fytyrë të zverdhur
kur erdhe!- Uf, çfarë lehtësimi! - vazhdoi Alda.
Alketa u
ngrit dhe erdhi më përqafoi. Unë e putha fort në faqe duke u munduar të mbaja
një gulsh lotësh, që po më rrëmbushnin sytë.
- A mund
të na thuash, çfarë pate, tani?- vazhdoi përsëri Alda - pse ishe zverdhur
ashtu?
“Zot, më ndihmo!”
– u luta përsëri me vete. Më duhej të shpikja një gënjeshtër tjetër.
- …Po ja,
– vazhdova - kur po kthehesha, takova një prind të një nxënësi, që më akuzoi se
ia kisha lënë pa të drejtë në klasë djalin e tij.
- Për
kaq?!- vazhdoi Alda mosbesuse. - Mos ke ndonjë problem tjetër? Je grindur me
Altinin?
Altini
ishte i fejuari im qysh prej një viti. Ishim njohur gjatë studimeve në Tiranë dhe
motrat e mia e donin si një vëlla të madh, ndoshta edhe pse ne nuk kishim vëlla. Babin e kishim pasur si
vëlla dhe si shok tërë këta vite. Dhe ai na llastonte aq shumë, sa ne mezi
prisnim që të kthehej nga puna. Ne ziheshim me njëra tjetrën se kush e kush ta
përqafonte më parë.
Mami
shpesh na thonte me të qeshur: - Po për mua,
ka pjesë?
E ne atëherë
qeshnim me të madhe.
Kur
Altini u bë pjesë e familjes sonë, të gjithë e pranuan me kënaqësi, sepse
ai ishte shume i thjeshtë dhe me shumë humor.
Motrat e
mia, kur grindesha ndonjëherë me Altinin, gjithmonë ma hidhinin fajin mua
e i dilnin krah atij.
- Mos u mërzit
Altin, se kjo aq e ka, pesë minuta, se helbete, kur ke lindur e para nga fëmijët,
kujton se e gjithë bota sillet rreth saj – i dilte në krah Alda.
- Jo jo,
asgjë nuk kam me Altinin, po thjeshtë ai prindi më foli me një ton, që më tronditi
pak.
- Ti je
budallaqe! - vazhdoi Alda dhe, për të parën herë pas kaq kohe, mori frymë e
lehtësuar.- Për këto gjëra mërzitesh ti, moj gocë? Ti punën tënde do bësh, kur
e meritojnë, edhe do t’i lësh në klasë. As mos e vrit mendjen - vazhdoi dhe u
ngrit e hapi frigoriferin dhe më dha një
coca- cola të ftohtë.
- Pije, –
m’u drjtua ajo - se je bërë qull në djersë. Ishte shumë vapë jashtë?
- Si
korrik, - iu përgjigja unë - ka kohën për
vapë.
Për herë të
parë isha pothuaj e gëzuar, që kisha mundur të ndërronim temën e bisedës.
Alketa ndërkohë
kishte hapur televizorin e po shihte një emision muzikor për të rinj, që sapo kish nisur të shfaqej.
Pasi
kalova në dhomën time, u shtriva dhe fillova të sistemoja mendimet.
Në mend më
vajti Altini. Duhej ta thërrisja patjeter. Duhej të bisedoja me të, t’i thoja të paktën atij të vërtetën. Nuk
mund ta mbaja këte peshë e vetme.
Dola dhe
vajta në postë pa u thënë gjë motrave përse po dilja. Jashtë ishte shumë vapë dhe
rrugët ishin pothuaj bosh.
Në postë,
gruaja e receptorit mezi më foli, dhe gjithë përtesë formoi numrin që i thashë.
E shikoja si pjestare të tronditjes sime e që ma shtonte bezdinë me atë fytyrën
gjithë djersë e kremin që i kullonte, në
mes të korrikut. Nuk kisha dashur të telefonoja nga shtëpija, se aty ishin
motrat.
Fola me
Altinin dhe i thashë, pa i dhënë asnjë spjegim, se duhej të vinte sa më parë. Gruaja,
që rrinte gjithë përtesë mbështetur me gjithë peshën mbi banak, i kishte
ngritur veshet pipëz për të dëgjuar ndonjë fjalë më shumë.
***
Kur pashë
mamin të hynte në derë, më zuri përsëri ankthi i pararadites.
E veshur
me të zeza nga vdekja e gjyshes, ajo m’u duk më e mplakur.
Ndjeva një
dhimbje si kurrë më parë. I kisha thënë që do dilja unë për analizat e babit. Tashmë
isha vajzë e rritur dhe i dija përgjegjësitë e mia. Isha në moshën kur e kuptoja mirë se çfarë do të thonte prind.
- O ma! -
i doli përpara Alketa - Babit i kanë dalë mirë analizat, kështu i tha doktori
Evës.
Ashtu të përqafuara,
mami hodhi një vështrim pyetës, dhe unë i qesha instinkvisht dhe pohova me kokë.
- Po po,
mami, - vazhdova - nuk është ndonjë problem i madh. Disa mjekime dhe pak kujdes
nga ne. Babit do t’i kalojë kjo gjendje.
As vete
nuk e kupoja nga më erdhi ai ton i
vendosur ndërsa i flisja mamit.
Tashmë unë
kisha krijuar një të vërtetë të re krahas së vërtetës së hidhur, që nuk doja ta
ndaja me të tjerët.
Kur erdhi
babi, u ulem të hanim drekë duke folur normalisht.
Pas dreke
të gjithë shkonim në dhomat tona për të pushuar pak në ato ditë të gjata e të nxehta
korriku. Edhe mami shkoi të shtrihej, sepse ajo edhe punën e kishte të lodhëshme.
Në guzhinë ngelem vetëm unë dhe babi.
Më dukej
sikur babi e ndjente që unë fshihja diçka.
- Më bëj
një kafe – tha ai.
U ngrita,
i bëra një kafe turke, siç e pinte im atë, dhe bëra edhe një për vete. Zakonisht
në atë orë unë nuk pija kurrë kafe. Ndërkohë ai kishte ndezur duhanin, që e
pinte qysh fëmijë.
U ula përballë
tij dhe mora një cigare nga paketa e tij. Ishte hera e parë që vija cigare në gojë.
Vështrimet
tona u takuan me frikë.
- Ti,
cigare!?- më pyeti butë im atë.
- Ndodh -
i thashë pa e shikuar.
Ai heshti.
Heshti gjatë.
- Çfarë kam?
– pyeti ai pastaj e mua m’u duk sikur u shemb një anë muri.
“Zot më ndihmo!”
- i thashë vetes për të tretën herë atë ditë.
Me babin
ishim kuptuar gjithëmonë me vështrime. Kishim folur përherë aq hapur, sa s’mund
t’i mbanim asnjë të fshehtë njëri-tjetrit.
- Babi, -
fillova unë dhe atë çast nuk di pse ndjeva sikur supet m’u kërrusën e isha bërë
papritë njëqindvjeçe.
Ai
nuk i ngriti sytë as për t’më parë përmes
tymit të duhanit, që kishte krijuar një perde gri mes nesh.
- Analizat
nuk kanë dalë mirë. Duhet të bësh ca mjekime. Duhet të të …
- Mos u
mundo t’i zbukurosh gjërat - foli ai butë, me qetësinë më të madhe, ashtu siç isha
mësuar ta dëgjoja gjithë jetën.
Unë e di çfarë
kam. Të gjithë lindim dhe vdesim, dikush më parë, dikush më pas.
Rëndësi
ka që po lë tre yje siç jeni ju.
Fiku
cigaren ende të papërfunduar dhe u ngrit
të shkonte në dhomë. U kthye dhe njëherë dhe tha :
- Besoj,
vetëm unë dhe ti, kështu?
Tunda kokën
në shenjë pohimi, se fjalët më kishin ngecur në grykë e lotët më rrëshqisnin faqeve.
Altini mbërriti
të nesërmën në mëngjes…
U
lehtesova kur sëmundjen e babit ia thashë edhe Altinit.
Dasmën e
lamë në tetor.
Babi gjatë
kësaj kohe kishte marrë disa mjekime dhe mbahej mirë.
Ishte
tetor. Muaji i dasmës time
Gjithë familja
gëzonte. Mami me këtë rast hoqi dhe të zezat.
Unë mora
dy fustane të mrekullushëm. Njërin ma bëri dhuratë Altini, tjetrin babi.
Erdhi
dita…
Babi hapi
dasmën. Zëri i dridhej nga emocioni. Ishte gëzimi i parë në familje.
Unë dhe
ai e dinim se për të do t’ishte i pari dhe i fundit.
Dy lot më
rrodhën paqtë. Të gjithë i morën si lot mallëngjimi, a gëzimi, që u dalin nuseve në ditën e dasmës. Veç babi m’i
kuptonte ata lotë.
E veshur
si një princeshë me të bardha në ditën time të madhe, ndjehesha jo si të gjitha
nuset e tjera.
Filloi
muzika. Babi u ngrit. Erdhi drejt meje me hap të vendosur. Zgjati dorën dhe,
duke qeshur, më tha: “A mund të kem nderin të vallezoj me ju, zonjushë”?
U ngrita.
U zumë dorë për dorë. Unë dhe im atë.
E veshur
me te bardha , nisem të kërcenim së bashku valsin e hapjes.
Ka qenë kërcimi
më i bukur që kam bërë në jetën time.
Shikonim
njëri tjetrin të heshtur .... Të heshtur ......
Vetëm
duartrokitjet e të ftuarëve na kujtonin se ishim në një gëzim.