Kulturë
Remzi Salihu: Poezi e thurjes spontane me unitet metaforik modern
E enjte, 16.08.2012, 07:35 PM
POEZI E
THURJES SPONTANE ME UNITET METAFORIK MODERN
Nga Remzi Salihu
Ngjeshja
kuptimore e fiksionit dhe realitetit të përjetuar në situatë të bukur apo të vrazhdë
bart frymën poetike të poezisë së Ali Podrimjes. Veçantia karakteristike e
lirikave të tij mbështetet në shprehjen ekspresioniste, figurative, ironike,
alegorike e simbolike me një ndërlidhje
të vëmendshme semantike precize e të pasur gjuhësore. Imagjinata e tij është shtresë
e asimiluar koncize, e përkushtuar në mendim me parabolë kuptimi lakonik. Fjalët
dhe mendimet sintetizuese apostrofojnë vokabularin origjinal të lirizmit të sensibilizuar
intimisht në tabanin e vërtetë kombëtar. Refleksionet e poezive podrimjane
derdhen me kujdes drejt veprimit metafizik, ekzistencial të njeriut në kërkim të
shpresës së munguar për të jetuar lirshëm dhe bindshëm brenda pranisë së saj
efektive e të përjetuar optimiste. Ai apostrofon dashurinë e qenësisë së një etnie,
e cila në arenë jete shëmbëllen e vetmuar dhe e përvuajtur, me plot kundërshti
e emocion të sistemuar filozofik. Poeti këtë atmosferë dinamike të dramatizuar
nga rrethanat, të jesh apo të mos jesh, e sjell në arenë specifike të dashurisë së kërkuar me një figuracion të pasur simbolik
e poetik të guximshëm. Çdo fjalë e varg ka semantikën emocionale, si dimension
shumë kuptimor i gjetur me sukses, bashkë me do filozofema befasuese të shprehjes
së kultivuar e të përjetuar saktësisht në përvojën e jetës.
Ali
Podrimja erdhi në letrat shqipe aty nga viti 60 me një porosi të madhe nga
paraardhësit e tij, për të ndryshuar, për ta ngritur artin e poezisë në një artikulim
më modern me ngjyra figurash befasuese. Ngritja e tij artistike e vazhdueshme përmbushi
këtë kërkesë, nga koha në kohë. Asimilimi mjeshtëror i formave të ndryshme të shprehjes
krijoi strukturën e dalluar të lirikës së tij me sentenca ndikuese edhe te poetë
të tjerë bashkëkohorë. Në fazën e parë të krijimit të tij nuk ishte aq i
kursyer në shprehje, por pastaj faza e dytë e kondicionit artistik u bë model i
“fjalës” së matur dhe e kultivimit të figurës me përmasa kuptimi emblematike. Por
gjithnjë duke pasur kriter, si nën vetëdije, patosin kombëtar. Kjo ndjenjë e
zjarrtë e Podrimes do ta përshkojë tërësinë e veprimtarisë. Vargjet spikatin
emocion të vazhdueshëm nga vepra në vepër. Pos realitetit dhe ngjarjeve të përditshmërisë
në lirikat e tij saldohet në mënyrë sugjestive mitizimi i legjendave dhe
ngjarjeve të caktuara historike të kohës. Tërë kjo strukturë ndërtimi formohej
me një gjuhë të posaçme, vetanake, por të universalizuar në kuptim plural mjaftë
shtresorë. Shumë fjalë dhe emërtime kthehen në simbol e që në funksion të koordinuar
me mendimin dhe ndjenjën shpalojnë efekt të konceptuar mirë në semantikë e në ligjërim
strukturor modern. Guri, cungu, kulla, lumi, drinia, zari, spitali, nevojtorja
etj. Komunikojnë simbolikisht brenda hapësirës ekzistenciale të qëndresës dhe
durimit kolektiv. Përmasat e këtij “drejtpeshimi” të qëndrueshëm mbrojtës përfshihen
figurshëm nëpër shumë segmente tradicionale të mbijetesës së njeriut nëpër
sprovat e jetës. Vargu i tij është komunikues dhe i standardizuar për lexues të
kultivuar. Nuk di pse ndonjë kritik mund ta quaj vargun e këtij poeti të pa
komunikueshëm, të pa kapshëm. Që nga fillimi i krijimtarisë e deri në fund të jetës
së tij Podrimja mundohej ta përsos shprehjen e tij për të sjellë në arenë konkurruese
letrare veçantinë dalluese të komunikimit stilistik modern. Ai gjithnjë ka
tentuar në ngritje dhe përsosje, ngase ishte fanatik i kësaj gjinie letrare
elitare. Motivet mund të huazohen e përsëriten gjatë tërë historisë së ekzistencës
së letërsisë, gjegjësisht në këtë rast motivet e huazuara të lirikës, por në thelb
veçantia e shprehjes autoktone e përzgjedhur mbetet gjithnjë te gjuha dhe mënyra
ndërtimit të strukturës poetike me një emocion individual të veçantë të përjetuar
nga gjithsecili. Këtë vetëdije Ali Podrimja na e shëmbëllen shumë mirë në krijimtarinë
e tij tërësore moderne.
Tematika
e tij e shumëllojshme poetike ndërtohet përmes dy vizione të përjetuara nga
rrethanat e kohës. E mira, e bukura në njërën anë, si dhe e shëmtuara, errësira dhe hidhura në anën tjetër. Këto dy kundërshti
realizojnë dukuritë e shumta të përjetuara të poetit në shoqëri. Shqetësimet
poetike të Ali Podrimjes nëpër vargje universalizohen dhe dhimbën personale me
mjeshtëri e kthen në shqetësim dhe brengë kolektive. Fryma ironike shëmbëllen
zotësinë, mjeshtërinë, vërtetësinë e poetit nëpër dukuritë e shumta të jetës
dhe të popullit të tij. Qëndron bindshëm deri në fund të jetës si fanatik i
lirikës. Këtë preokupim e mbante si letërnjoftim vetëdijeje me dashurinë e
sinqertë që kishte për artin dhe atdheun e tij të preferuar. Bashkë me gjakun
dhe pulsin e tokës së çmuar që nuk falet. Këtë truall ai e mban peng të salduar
në ndjenjë dhe i këndon me sensibilitet pa u shkëputur nga dhimba emocionuese
deri në frymën e fundit të jetës. Ishte kometë që befasonte figurshëm në qiellin
letrar, prandaj shndritja e tij artistike provokative e kultivuar me mjeshtëri
do të mbetet gjithnjë në kujtesën e lexuesit si shkëlqim i rrallë.
Poeti udhëtimin
artistik nuk e sheh si metaforë ekzistuese, por si kërkim e përballje kreative
e përjetuar figurshëm gjatë rrugëtimit të tij spontan letrar.
Gjendja e
popullit dhe individit në shoqëri është preokupim kryesorë i Podrimjes. Ai
truallin shqiptar e sheh si tërësi të pa shkëputur nga qenia kombëtare, andaj i
këndon me ndjeshmëri të rrallë secilit vend ku frymon shqip. Kufijtë e atdheut
i laton bindshëm me origjinën saj të lashtë, e cila me sakrificë e forcë mbijetoi
nga shfarosja nëpër rrebeshet e kohës dhe gjithsesi ngjeshi në vetëdije
sakrificë për të ekzistuar e dhe në të ardhmen, duke u përfshirë me kujdes në një
tërësi të fortë, si ishull i përbashkët me “fund të gëzuar” për të gjithë. Kredoja
e tij mbetet mbrojtja nga asgjësim i qenies, prandaj jo rastësisht evokon të kaluarën
dhe përkujton heronjtë e kombit bashkë me kullat e larta të qëndresës. Poeti do
të frymëzohet nëpër të gjitha viset ku flitet shqip. Kërkon “oazën” e shpëtimit
kolektiv. Fatin e tij e lidh nyje me fatin e shqiptarëve kudo që janë. Dukagjini
Arta Shkupi, Tepelena, Janina, Preveza Reka e Epërme, Ulqini, etj. Këto qytete
e territore, bashkë me njerëzit e
sakrificës për të, në frymëzimet poetike
të poetit, do të zënë një vend të caktuar të shpresës dhe dëshirës së pa
shmangshme të ekzistencës dhe mbijetesës, sigurisht, me bindjen e tij për të treguar
lashtësinë dhe praninë e një populli në këto hapësira që fatkeqësisht jetojnë të
shpërndarë e të ndarë nëpër shumë territore politike. Vetëm”Ishulli
Nëpër
labirintet e vargjeve të tij figurative shihet një përjetim përvjedhur njerëzor,
melankolik për gjërat e pa realizuara tërësisht në jetë, ngase ky kozmos është i
mbushur me shqetësime dhe befasi të mëdha dhe individi në këtë rreth pasigurie,
si dëshmi e gjallë e përplasjeve politike përballet me kundërshtitë jetësore si
“torzo” e pamundshme me kohën e vrazhdë. Këtë na e dëshmon me figurën simbolike
“botë kërpudhash” ku frenkfentonë njeriu Hamlet me vargjet “a ka për të më pranuar
gjaku im/apo duhet braktisur në botë kërpurdhash”
për të bërë një jetë parazitësh dhe të pa brengë, e të pëlqyer nga grupe të caktuara
njerëzish. Njeriu edhe pse është i përndjekur nga një “mace e zezë”, nëpër errësirë
kohe, me llom e ndyrësira të shumta, gjen rrugën e kalimit të vërtetë jetësor për
t’i buzëqeshur fati dhe të vendoset në qëllimin
e caktuar të shpresës. Sakrifica e individit, njeriut shqiptar, nëpër vrullet
dhe pasiguritë e kohës qëndron në reflekset poetike të poetit, si “dru i lart’ dhe
i bukur”, si cung i vetëm në pyll, bashkë me krenarinë e ngjizur që ka, si
ideal i qëndrueshëm kombëtar. Ai kërkon shtegun e rrugëdaljes kolektive. Pas
shumë vuajtjesh njeriu shqiptar mbet si Gjergj Elez Alia i plagosu, me shumë plagë
në trup, por me ideal të lartë, i pa përkulur, për ta mbrojtur nderin dhe
ekzistencën e vet. Sepse atdheu “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Prej
simbolikës së komplikuar poeti kalon në meditim e rrëfim spontan, por të fuqishëm
(Hija e tokës). Ai ndjenë dhembë për baticat dhe zbaticat e popullit të vet nëpër
rrjedhat e kohës në përmbledhjen poetike “Credo”, sidomos në ciklin e fundit “dëftore”,
ku simboli “gurë”, është çdo kund prezent, si simbol i peshës së madhe të qëndresës
së besueshme shumëshekullore. Fuqia e shprehjes podrmjane është gjuha e zhdërvjelltë
dhe loja fonetike në varg me një metaforikë të kornizuar në sistem. Tërë ky
segment njohurish teorike i kodifikuar në qëllim artistik, përfshinë gjuhën
gjeniale të ironisë së asimiluar drejtë në art të mirëfilltë. Figurat dhe
simbolet e tipizuara me gjuhën e çuditshme të trillit, tekave të vet sajuara në
atmosferë befasuese, e të përcjellë me atribute të veçanta, groteske, bile- bile
ngandonjëherë edhe të huazuar nga letërsia popullore, ndërtojnë veçantinë karakteristike
dhe tiparet e pasqyrimit modern të letërsisë me suaza kriteri e zhvillimi të veçantë
e të sistemuar. Kodeksi i vlerave të tij
rangohet ndërmjet simbolikës dhe ironisë. Ai trupëzon për të mirë kohën
me formën e tij të kritikës për sekurilitetin dhe shëmtinë makabre radikale
ndaj shoqërisë ekzistuese në njërën anë dhe trazon mall të moralit mbrojtës dhe
autoritetit bindës në anën tjetër për dinjitet shoqëror. Shprehja e tij s’rrudhos
lëndimin kulturor, që vjen nga mundësia e fiksimit, koncentrimit të ndjenjës së
absorbuar pas fasadës së fshehtë të kuptimit. Me këtë shpalim koherent të ngjizjes
së kundërshtive, në përmbajtje e qëllim, gjendet imazhi i trishtimit të integruar
në strukturën e rrëmujës së përjetuar. Përjetimet e tij betonohen në ritmin e
brendshëm të pulsit kohorë, ato ngjishen vëmendshëm në muskujt nostalgjik të kujtesës
së apostrofuar të poetit. Ato vijnë tek ai me lehtësi nëpër vargje, si sprovë e
përjetuar dhe japin imazhe tërheqëse me tema, motive e ndodhi të shumta. Formulimi
i ngjarjeve nëpër vargje motivohet dhe sjell tempon e rrugëtimit artistik të ngritjes,
drejtë ngjarjes së fiksuar e klasifikuar,
e cila për nga niveli artistik nuk të liron nga koha në kohë. Qëllimi i
rastësishëm i ndodhisë dhe kapja e motivit në kohë mbetet një kapje rrallë e
gjetjes mjeshtërore të poetit për të sjellë në letërsi befasi dhe nivel artistik
të rrallë. Tërë ky fenomen artistik nga thirrjet e kohës formon hije të gëzueshme
dhe shqetësuese e që kap probleme të shumta shoqërore dhe jep mundësinë e
ekzistimit të një letërsie të angazhuar, e cila korrespondon me rrjedhat
historike të vazhdueshme dhe me ndodhitë e shumta në praninë e vëmendshme të autorit.
Poeti Ali
Podrmja me shprehjet figurative ka qenë poet tipik modern, vargjet e tij kanë vepruar
si shembull sistem modeli artistik për shumë autorë tjerë pasardhës. Kështu në dimensionet
artistike vendoset njeriu dhe rrethi, që për autorin vjen si preokupim i përhershëm,
konflikti midis të mirës dhe të keqes, jetës dhe vdekjes, realizimit dhe
mosrealizimit të idesë së inkarnuar si nën
vetëdije, si shqetësim kolektiv i brendshëm, kështu që në këtë mënyrë poeti
korrespondon me individin dhe shoqërinë nga etapa në etapë, me të gjitha përmasat
filozofike që i plekset qenies, si vetëdije, kundrejt shoqërisë ekzistuese,
madje duke kërkuar dinjitet dhe ekzistencë në kohë dhe hapësirë.