E marte, 08.10.2024, 04:51 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Prezantimi i vlerave të karikaturës kombëtare në Pejë

E enjte, 16.08.2012, 06:09 PM


PREZANTIMI I VLERAVE TË KARIKATURËS KOMBËTARE NË PEJË

MESAZHI I KARIKATURËS SË MIRËFILLTË FISNIKËRON VLERAT INTELEKTUALE

Nga Sejdi BERISHA

Komuna e Pejës, e cila njihet me traditën dhe begatinë e vlerave shpirtërore dhe kulturore, këto ditë gushti opinionit i ofroi edhe një eveniment të rrallë kulturor, fushë kjo e cila në rrafshin kombëtar akoma nuk është lëruar dhe zhvilluar sa e si duhet, edhe pse në këtë drejtim janë bërë përpjekje të konsiderueshme që edhe kjo formë e artit figurativ dhe e kulturës të reflektojë profesionalisht dhe në aspektin intelektual më shumë dhe më me peshë mesazhi e metafore. Në saje të angazhimit të disajnerit dhe karikaturistit të njohur kosovar dhe mbarëshqiptar, Nexhat Krasniqi-Nekra, në këtë muaj, në Pejë u organizua dhe u hap ekspozita me titull “Karikatura kombëtare”, në të cilën, me punimet e tyre u prezantuan tridhjetë e një karikaturistë me afro njëqind punime, të cilat pasqyrojnë opusin e gjerë krijues në fushën e karikaturës.

Ngjarje kulturore me efekte të larta profesionale

Nëse i bëhet një vështrim kritik kësaj ekspozite e cila ende është e hapur në ambientet e Galerisë së arteve në Shtëpinë e kulturës në Pejë, atëherë mund të konstatojmë se përbrenda kësaj ngjarjeje janë prezantuar vlerat në fushën e karikaturës në Kosovë por edhe në rrafshin gjithëkombëtar, e që është edhe një lloj pasqyre edhe e punës profesionale, imagjinare, psikologjike mbase edhe shoqërore e secilit autor veç e veç. Kështu, në punimet e ekspozuara është arritur që të transmetohen tema aktuale, ecuritë shoqërore dhe politike pothuaj se në çdo mjedis, duke përfshirë këtu edhe paradokset shoqërore, të cilat mund të pasqyrohen dhe të luftohen më së miri përmes karikaturës dhe mesazhit të saj.

Në shumë punime-karikatura, është arritur niveli i kënaqshëm i efektit të karikaturës, dhe po ashtu, në të shumtën e rasteve edhe janë qëlluar temat të cilat janë aktuale dhe që e përcjellin përditshmërinë e zhvillimeve të përgjithshme. Në efektin profesional por edhe të shtjellimit e të prezantimit të temave përmes vijës dhe ngjyrës e të figurave në karikaturë, dallohen sidomos ata autorë të cilët në këtë fushë kanë një përvojë dhe punë më të gjatë profesionale, si, Nexhat Krasniqi-Nekra, Fahri Axhanela, Agim Sulaj, Gani Jakupi, Benjamin Haxha, Mehdi Bellortaja, Selami Taraku etj.

Tek karikaturat e Nekrës, të cilat tanimë e kanë “emblemën” e vetë, dhe kudo që prezantohen apo edhe botohen, dallohen se janë të këtij krijuesi artistik, i cili ka një stil dhe një veçanti të vizatimit dhe të shprehjes së temës që e trajton dhe që e zgjedhë. Kështu, në veprat e tij, përveç që na ofrohet një prezantim cilësor, reflekton edhe ana intelektuale e mesazhit, e shprehjes dhe e fuqizimit të temës dhe të problemit. E thash këtë, sepse, karikatura, përveç që duhet ta disponojë fuqinë dhe intelektualen e vijës dhe të ngjyrës, e kërkon edhe domosdonë e mesazhit dhe aktualitetin e kulluar të temës së shtjelluar. Këtë veçori, tek Nexhat Krasniqi-Nekra e kemi tani e sa decenie si temë të “pjekur” dhe material përherë aktual e të fuqishëm, i cili me intelektin krijues hapë dyert edhe jashtë kombëtares, pra, në sallonet dhe galeritë e karikaturës edhe në vendet e perëndimit, siç e kemi pasur edhe rastin vite më parë me punimet e Samir Bërlajollit në Galerinë Ndërkombëtare të Karikaturës në Gjenevë.

Leximi profesional dhe fuqia thumbuese e karikaturës

Po ashtu, edhe tek punimet e Fahri Axhanelës, përherë dallon fuqia thumbuese dhe mesazhi që kanë karikaturat, të cilat, ndonjëherë edhe me vetëm vija të thjeshta, e kanë leximin profesional të cilin e krijon vetë individi apo njeriu ku e hasë veprën e Axhanelës. Kjo, do të thotë, se në Kosovë tanimë janë rritur e formuar emra të njohur e të mirëfilltë, të cilët përveç se duhet të angazhohen që karikaturën ta bëjnë pjesë të jetës dhe veprimit të secilit individ, si begati shpirti dhe veprimtarie intelektuale, duhet edhe të angazhohen që të zbulojnë e përkrahin talent të rinj të karikaturës. Sepse, duhet thënë, se vendit tonë ende i mungon kultura dhe fuqia e porosisë dhe e leximit të karikaturës por edhe e shtruarjes së temave aktuale përmes moralit krijues të nivelit dhe profesional, që kërkohet kudo tanimë në botën e përparuar.

Në këtë manifestim kulturor, i cili karakterizohet si i veçantë sivjet në komunën e Pejës, ka edhe shumë krijues-karikaturistë të tjerë të cilët me punimet e tyre jo vetëm sa dallojnë, por shprehin edhe fuqinë e intelektit për temën e realizuar dhe për aktualitetin e saj, e cila, nëse nuk ecën me kohën, nuk e ka as vlerën dhe as fuqinë dhe thumbimin si kënaqësi mbase edhe përjetim, qoftë për tu kënaqur apo edhe qoftë për të komentuar.

Në këtë aspekt dallojnë dhe sikur kanë filluar të forcojnë gjurmët e tyre krijuese në këtë fushë specifike mbase edhe spirituoze të kulturës përgjithësisht, si Selami Taraku, Shpend Kada, Benjamin Haxha, Medi Bellortaja, Luljeta Goranci, Bujar Kapexhiu e shumë të tjerë.

Qasja ndaj karikaturës dhe nevoja për përgjegjësi më të madhe krijuese

Megjithatë, ekspozita “Karikatura kombëtare” në Galerinë e artit në Pejë, sikur lë përshtypjen se çështjeve të tilla në shkallë vendi duhet qasur më me përkushtim. Kjo, ngase, kudo në botë, nganjëherë, karikatura ka fuqi më të madhe mesazhi dhe aktualiteti se sa një gazetë e tërë, se sa një emision televiziv mbase ndonjëherë ka peshë dhe fuqi edhe më të madhe se sa një roman.

Për këtë arsye, krijuesit duhet edhe të angazhohen më me përkushtim që vlerat e tyre t’i afirmojnë në mjetet e informimi, ashtu siç duhet edhe mjetet e informimit që karikaturën ta stimulojnë në mënyrë më të veçantë.

Duke pasur parasysh të gjitha këto komponente, atëherë, edhe përgjegjësia krijuese e secilit artist, në këtë rast, karikaturist, duhet të jetë në nivel. Sepse, edhe pse, falë Nexhat Krasniqit-Nekrës dhe disa të tjerëve, edhe viteve të kaluara janë bërë përpjekje që të afirmohet kjo fushë krijuese, artistike dhe kulturore, duke organizuar edhe konkurse e ekspozita shpërblyese, të cilat, në fillim sikur e patën efektin, por më vonë jo edhe aq sa duhet dhe sa pritet të reflektojë kjo formë e punës dhe e përkrahjes krijuese.

Vlen theksuar se edhe përkundër përkrahjes së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës së Pejës, në Galerinë e arteve nuk takova edhe në numër vizitorësh. Kurse, në mbarim të vizitës sime kësaj ekspozite, dëshirova t’i shkruaj disa fjalë në librin e përshtypjeve, mirëpo, atë nuk e hasa askund!

Sido që të jetë, kjo ngjarje kulturore e ka rëndësinë shumëdimensionale, por edhe për atë se në Pejë punon dhe vepron me decenie Shkolla e Mesme e Arteve Aplikative, nga e cila, pothuaj se kanë dalë të gjithë piktorët, skulptorët, grafistët dhe disejnerët më të njohur jo vetëm të Kosovës.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora