Kulturë
Lucian Gruia: Lotët e bekuar të universit kosovar
E merkure, 15.08.2012, 07:56 PM
LOTËT E
BEKUAR TË UNIVERSIT KOSOVAR
(Dedë Preqi,
Bekimi i lotëve, Amanda Edit, Bukuresht 2012)
Nga Lucian Gruia
Ja edhe
një vepër e re që e pasuron spektrin e kulturës shqiptare në Rumani. Poeti Dedë
Preqi u lind në vitin 1955, në trojet e përlotura të Kosovës. Fillon të shkruajë
e botojë në vitet 1970, ndërsa nga viti 1981, për të siguruar ekzistencën e
familjes, vendoset në Zvicër. Traumat nëpër të cilat ka kaluar Kosova, kanë ndikuar
që si subjekt elementar i lirikës së tij të jenë padrejtësitë sociale, lufta,
patriotizmi, mërgimi, nostalgjia ndaj vendlindjes, virtytet e njeriut të thjeshtë,
dashuria dhe ekzili i kohës. Të gjitha këto motive letrare tubohen në një univers
të trishtë, në formë të lotit: “I ngarkuar me plot yje në shpinë/ rrugët ma falën
dhëmbjen,/ heshtjen e gurëve përgjysmë e ndava/ i luta, mos e mallkoni etjen!//
Me lotin e qepallave / brumin e laga si me dush,/ me ujë shiu sytë i shpërlava/
i teri malli i fëmijëve prush.” (Dola)
Uji përfaqëson
burimin, brishtësinë dhe perpetuimin e jetës. Transparenca e tij depërton në varg
përmes sinqeritetit me të cilin poeti i shpreh mendimet. Në qendër të universit
të lotit gjendet vendlindja e tij, Kosova, aq shumë e prekur nga rrethanat e
pamëshirshme të historisë: “Tokë e shtrenjtë/ Altar i shenjtë,/ Kosovë./ Me
shekuj drite të kam kërkuar,/ Ligësia kërcet gjithmonë/ Mirësia mugullon në përmendore.”
(Tokë e shtrenjtë).
Para nesh
kemi një shtegtim biblik të frymëzuar në botën e kurreshtjes. Përmbi të gjitha,
përmbi kodra e suka dhe brigje, përmbi lumenj, shpatije e bjeshkë, qëndrojnë engjëjt
dhe heronjtë, duke i ngritur në piedestal si do qenje të pavdekshme, duke i
prurë me devicion në memorjen tonë, për përkujtimin e përjetshëm të Kosovës dhe
martirëve të saj. Metamorfoza e tyre ndërlidhet, madje, edhe me yje dhe zogj: “Do
të kthehen zogjët që ikën.../ më të ëmbëlit e Nënës Loke,/ bijtë dhe bijat e kësaj
toke. (Monologu i Lokës).
Flatrat e
zeza të luftës e terratisin qiellin e krejt botës, që nga Lindja e Mesme, duke
e përkujtuar Palestinën dhe Izraelin, e deri në zemër të Ballkanit, atje ku fëmijët
e lodhur nga lufta, rriteshin nëpër zgafellat e tmerrit. Kush a ka kurdisur
luftën, pyet autori dhe përgjigjet alegorikisht, kur gjithçka është përmbytje,
kur ndërgjegja fajtorin s’e prek, kur njeriu po ngopet përditë «duke ngrënë substancën
e vet.» (Kush e shpiku luftën). Poeti e fton kushtrimin me zërin e ndërgjegjes
duke tentuar të gulçojë gjëmimin e armëve, duke i kënduar paqes dhe lirisë: “Aty, ku nuk je ti/ nuk ka jetë të vërtetë./ Aty
ku nuk je ti/ nuk ka dritë/ as rritë./ Ti nuk je lëmoshë/ që falet në sokak,/ nuk
blehesh as me grosh/ pa e thithë një pikë gjak.” (Liria)
Rruga e mërgimit
është shtruar me dhembje e trishtim: «Ndër mjegulla/ merr udhë pa kry,/ bëhësh
zog me kohën/ për etjen e gjethit/ e puth diellin në sy.» Dhe më tej: «Ato rrugë
të gjata/ me pak fije shprese,/ guri e druri shkrihen/ në pikën e një vese.” (Shtegtari).
Në çaste të meditimit, kujtimet e nënës e vërshojnë shpirtin e poetit: “E kanë lodhur
vitet/ e kanë kërrusur në shpinë,/ por, e regjur nga motet/ si shkëmbi nëpër
stinë.// Sa herë e shtron sofrën/ përshpëritë fjalët e saj,/ nganjëherë me këngë/
nganjëherë me vaj.// Mos bredhni kot/ O, pëllumbat e lokës,/ i ndihmoni atdheut/
mos bëhi therrë e botës!” (Fjalët e Lokës).
Dashuria
shqiptare është një ilaç i mirë që e përforcon shpirtin e poetit. Edhepse i
ndodhur larg nga nënqielli i vendlindjes së tij, poeti nuk e ka degdisur shpresën.
Besimi ndaj Zotit ia kallauzon jetën: “I falem Zotit/ dhe jam krenar,/ se më dha
emrin shqiptar.// E kam Nderin/ E Besën dhe Fjalën/ për Atdhe/ të gjithë do t’i
falim.” Sipas tij, shqiptarët nuk janë “Fundërrina
të motit,/ por gjak i bekuar i Gjergj Kastriotit.
Kalimi i
kohës përbën një tjetër temë madhore të lirikës së këtij mërgimtari të frymëzuar.
Nostalgjia e vjeshtës që vërshon jetën e poetit qartësohet në memorje si qenje
tjera humane, porsi fëmijët që e përmbushin zbraztinë e ekzistencës: “Bota është
e madhe sa një dritare,/ njerëzit hyjnë e dalin nëpër të,/ pa u hamendur fare.”
Bota dhe koha defilojnë nga vargu në varg, së bashku me fjalët e njerëzit që lëvizin
pa u ndalë, që “herë hedhin valle e bëjnë lojë/ me një copë bukë në gojë.” Sepse,
siç thekson autori: “Kur koha e bënë me barrë,/ e rëndon, e përcjellë në varr,/
loja nuk ndalet fare/ fëmijët luajnë në dritare. (Bota dhe koha).
I kapluar
nga një gamë mendimesh, meditimesh, kujtimesh, përfytyrimesh, aspiratash e
revelacionesh, autori e përfytyron nga një herë edhe Shekspirin, sipas të cilit
bota është një sqenë e hatashme ku secili njeri është nga një aktor. Duke
kultivuar virtytet dhe duke iu dedikuar promovimit të së vërtetës dhe të mirës,
Dedë Preqi vjen për herë të parë para opinionit tonë me një vëllim bilingv, dhe
luan rolin për mrekulli. Autori kultivon vargun e lirë, i përshtatshëm për
transmetimin e ideve humanishte. Stili i tij është i qartë, porsi loti që simbolizon
universin e lirikës së tij.
Poeti mbetet i qartë ngase nuk i ka tradhëtuar rrënjët: “Përmes grilave të hekurta/ shikon vetëm një dritë në largësi,/ i lutet diellit t’ia falë një rreze/ t’i ngrohë gjymtyrët e mërdhirë.// Si qiriri i plagosur/ kallet n‘mes qielli të sëmurë,/ qëndron në këmbë i pa sosur/ derdhet për dritën e bekuar.” Dedë Preqi i Dardanisë së zemrave tona, mburret me emrin e të parëve të tij të krishterë: “Emrin nuk e kam huazuar,/ gjyshi më pagëzoi,/ edhe babai i gjyshit quhej Ilir/ me këtë emër kurrë s‘do ta ndërroj. (Pafajshmëri). Përkthimi nga gjuha shqipe në gjuhën rumune, është realizuar në mënyrë të frymëzuar nga shqiptari i parë që e solli Kosovën letrare në trojet e bekuara të letërsisë rumune, Baki Ymeri.