E shtune, 15.06.2024, 04:47 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Christian Dior, historia e një miti

E marte, 01.04.2008, 08:27 PM


Nëse gjithë sekretin e bukurisë e quajnë mister, Christian Dior nga lartësia e artit të tij ka treguar gjysmë shekulli më parë të fshehtat e saj.

Nga Olti CURRI - Spekter

Nëse gjithë sekretin e bukurisë e quajnë mister, Christian Dior nga lartësia e artit të tij ka treguar gjysmë shekulli më parë të fshehtat e saj. Krijuesi virtuoz francez tregon se bukuria qëndron në të qenit interesant, sepse asnjë lloj bukurie nuk mund të jetë tërheqëse pa shkaktuar interes.

Emrin Dior nuk është e zakonshme ta hasim vetëm në parfumeri, siç ndodh në vendet në zhvillim ashtu si edhe te ne, sepse në kryeqytetet e mëdha të botës butikët me logon CD janë vende pelegrinazhi për femrat e pasura dhe elegante. Historia e këtij miti të pazëvendësueshëm në fushën e krijimtarisë së veshjeve nis dhe mbaron në një dekadë, por aq mjaftoi që Dior t’i përkasë përjetësisht të ardhmes. Gjithçka mori udhë kur revista amerikane e modës, “Harper’s Bazaar” në shkurt të vitit 1947 krijoi emërtimin “New Look”, frymëzuar nga krijimet e një stilisti 40-vjeçar aspak të njohur. Që nga ai moment, vetëm në dhjetë vjet (pasi stilisti vdiq më 1957-n) Dior iu imponua gjithë botës me idetë e tij në lidhje me veshjen. Një stil kushtuar luksit, bollëkut dhe elegancës që shkaktoi skandal në Francën e pasluftës të gjunjëzuar nga varfëria.

Funde të gjata, të shtrënguara pas beli e të realizuara nga duart e dhjetëra rrobaqepëseve të ateliesë së tij historike parisiane ishin punët e para që i falën atij famën.Dior është edhe krijuesi i këpucëve me taka të larta e të holla që ende sot janë në modë.Fatkeqësisht, vdekja e goditi herët jetën dhe karrierën e këtij gjeniu, emrin e të cilit e mbajtën gjallë me krijimet e tyre kolegu i Francës Yves Saint Laurent, pas tij italiani Gianfranco Ferre, dhe kohë më vonë anglezi John Galliano.Vetëm në vitin 2000 shtëpia e madhe Dior pa në krye të saj një stiliste femër, dhe ajo ishte Hedi Slimane.

Nis si zakonisht kështu historia e një artisti me shije fort të holla. Në fillim ishte nëna e tij me origjinë belge, e bukur elegante dhe gjithmonë e lyer me parfume ekzotike dhe ndjellëse. Në mendjen e një vogëlushi të vetmuar ajo ishte mbretëreshë. Aq më tepër, kur ai ishte lindur në një familje borgjeze dhe qysh fëmijë mbante në sy imazhet e mrekullueshme të damave të hedhura në telajo nga piktori i njohur Boldini. Pamjet e femrave atij i vinin gjithmonë nën vështrime misterioze të rënduara nga flokë të gjatë e të lëshuar mbi supe. Njëlloj nisi edhe për Christian Dior, i cili lindi 103 vjet më parë, më 21 janar 1905, i dyti nga pesë fëmijët e industrialistit Alexandre Dior dhe Madeleine Lefebvre, një zonjë elegante nga Deauville. Shtëpia e tyre ishte madhështore, e rrethuar me një park që shihte nga deti i Normandisë. Christian u përball me dizenjot e para të modës nëpërmjet vizatimeve që gjendeshin në faqet e gazetës “Le Figaro”. Flasim për vitin 1938, kohë lufte ku femrat vajtonin kohën e begatë dhe veshjet e ngarkuara me fjongo kilometrike. Pasi provoi me një galeri arti dhe kur falimentimi e detyroi të shesë edhe veprat e fundit, Christian nisi të skicojë modelet e para. Shtëpi të njohura të modës mjaft të njohura për kohën treguan interes të menjëhershëm për punët e tij.Gjithnjë e më shumë stilistë të njohur të atyre viteve ndjenë domosdoshmërinë për t’u rinovuar në modelet e tyre.

Ndaj  lista e shtëpive të modës që filluan të bashkëpunojnë me të riun Dior ishte e gjatë; aty numërohen Patou, Piguet, Balenciaga dhe Schiaparelli. Jeta ruan të papritura plot pasion për të gjithë, ndaj edhe Christian Dior e ndjeu se femrat janë të parat që përfshihen nga optimizmi dhe janë gati për të mirëpritur rinovimet. Vetëm një ditë u desh që Dior të pushtojë botën, pa përdorur luftë, strategji apo pazare sallonesh të lartë. Dior mbretëroi globin me shkëlqimin e thjeshtë të përsosmërisë, vezullimin fëminor të sensualitetit. Bota e njohu Diorin ditën e mërkurë të 12 shkurtit 1947 në një pallat gri, por që me rastin e sfilatës së tij të parë ishte shndërruar nga ideatori francez në një kuti ndjellëse xhevahiresh. Megjithëse ishte dimri më i egër që nga 1870 dhe Parisi ishte i zhytur nën dëborë, ku njerëzit raciononin bukën dhe mjetet e transportit mungonin, përsëri në ajër ndihej se koha po ndryshonte. Një lloj eksitimi, përzier me ndjenjën e pritjes, ishte atmosfera që rrethonte sfilatën e parë Dior, kambana e parë që njoftoi paqen dhe dëshirën për jetë. Gjithë kësaj energjie pozitive që transferohej si rrymë elektrike nga pasarela në rreshtat e para nuk mundën t’i shpëtojnë as gazetaret e tharta amerikane që, të pispillosura me kapele prej peliçeje gati thirrën “mrekulli” kur panë se Parisi po godiste në shenjë me një tjetër talent në fushën e modës. Ishte shtypi amerikan që, përkrah elozheve ndaj talentit Dior renditën edhe fjalën që përdornin fort rrallë, “revolucion”.Ishte paslufta dhe në botë po ndodhte gjithçka; politika ndërkombëtare ishte e ndarë dhe Lufta e Ftohtë ishte pranë.

Në këtë mënyrë i takoi detyra këtij krijuesi 42-vjeçar që, ndryshe nga etalonët e pamjes së stilistëve sot, me shëndetin dhe faqet e plota dukej më shumë si një prift fshati, që u  jepte një pamje të paharruar viteve 50. Ishte Carmel Snow, drejtoresha e revistës amerikane “Harper's Bazaar”, ajo që gjeti emërtimin New Look për gjithë atmosferën dhe idetë që përcillnin krijimet e Christian Dior, të cilat nuk ishin ripërpunim i modeleve të njohura, por krejtësisht risi. Bota vinte nga një epokë lufte, ku mbizotëronin uniformat dhe gratë dukeshin si ushtarë, me shpatulla boksierësh. Christian ndjeu nevojën t’u rikthehej kujtimeve të fëmijërisë, ku në tablo femrat ishin plot dritë, ndaj nuk u mendua dy herë dhe filloi t’i dizenjojë veshjet e tyre plot lule dhe ngjyra, me supe të përkulura dhe bel të nxjerrë në pah. Christian Dior e dinte se kërkesat e menjëhershme të grave lidheshin me ushqimin dhe se në kohë lufte moda ishte sajuar nga ato vetë, duke sajuar fustane bezeje dhe kapele letre, por megjithëkëtë e ardhmja i përkiste fantazisë. Paqja dhe rikthimi në normalitet nuk mjaftonte që femrat t’ u drejtoheshin stilistëve të vjetër, të cilët rrallë po jepnin sinjale rinovimi. Për këtë arsye, ato kërkonin një krijues që të mendonte njëlloj larg si ato. Ëndrrat e tyre shkonin larg, sepse e ardhmja nuk mund t’i gjente vetëm brenda shtëpisë duke ndrequr palët e pantallonave, por në krah të burrave në betejat për të ndryshuar botën. Për fat të keq, shkoi ashtu: burrat filluan të marrin mbi vete gjithçka. Ata e bënë të tyren çdo lloj pushteti dhe gratë përfunduan të palumtura edhe një herë, duke qepur e gatuar. Ishte vetëm Dior dhe stili i tij New Look, i bukur, i ëmbël dhe ëndërrimtar, që ua zbukuroi femrave “burgun” e ri të pasluftës.Humbjes në luftën për barazi me burrat Dior i vuri përballë sharmin dhe elegancën e modeleve që dallonin për fundet e ngushta dhe këmishët me dekolte të hapur në gjoks. Edhe sot, studiuesit e modës, kur u rikthehen modeleve të krijuara në vitet 50 nga Christian Dior mbeten të mahnitur nga përsosmëria e prerjeve simetrike në xhaketat prej mëndafshi të bardhë dhe fundet e zinj me bishtin prej 36 centimetrash që u vinte nga pas.Por ajo që krijonte Christian Dior ishte modë e lartë dhe, me gjithë kohën e madhe që kërkonte në përgatitje, i drejtohej vetëm një pjese të vogël elitare. Ndërsa pjesa tjetër e femrave mundeshin vetëm ta ëndërronin dhe ta kopjonin atë mënyrë veshjeje, pa arritur të afroheshin te cilësia e lartë e materialeve prej të cilave bëheshin prodhimet Dior, të cilat mund të konsiderohen si një projekt i mirëfilltë arkitektonik.

Në dhjetë vitet kur Christian Dior udhëhoqi gardërobat e femrave milionere dhe shtëpiake, ai diktoi në çdo koleksion, që nga gjatësia e fundeve (deri në tokë më 1947, nën pulpë më 1948 dhe pak nën gju më 1953) e deri tek emrat që u vuri modeleve të tij, si Envol, Zig-Zag, Aimant, Libre ose Oval, Oblique dhe Tulip. Gjithë bota në dhjetë vite u mbështoll me krijimet Dior; Rita Hayëorth, princesha Margaret, Brigitte Bardot, Zsa Gabor, dukesha e Windsor-it, princesha Rethy, gruaja e mbretit të Belgjikës, Ava Gardner dhe Marlene Dietrich. Tingëllon thuajse e pabesueshme që emra kaq të njohur ua besonin trupin një djaloshi shëmtarak, shumë të urtë, pak të mërzitshëm, i cili nuk bënte asnjë hap pa u këshilluar me një fallxhore të besueshme. Hyrjen në botën e modës Dior ia detyron mikut të tij intim Jean Ozenne, prerësit më të famshëm të të gjitha kohërave. Pasi punoi përkrah Pierre Balmain, Lucien Lelong, si dhe pas këshillimit me fallxhoren personale, Dior bashkohet me industrialistin tekstil Marcel Boussac, për të nisur prodhimin e veshjeve në seri. Boussac u bë gati të shiste kilometra copë dhe të bëjë parà me thasë nga numri i madh i shitjeve. Por paratë erdhën njëlloj, edhe pse veshjet që Dior krijonte ishin të pakta në numër dhe të drejtuara te një klientelë e rafinuar dhe milionere. Krijimet Dior të asaj kohe u përballën edhe me protesta, të cilat sot duken të drejta, po t’i mendosh ato vite kur, për shembull në Angli sapuni ishte i racionuar, ndërkohë që stilisti francez shpenzonte 50 metra copë për një fustan mbrëmje.

Mjaftuan dhjetë vite që emri Dior të shndërrohej në perandorinë që shtrihej deri në Amerikë. Shtëpia e modës Dior zotëronte 50 për qind të eksportit të veshjeve franceze në mbarë botën; për këtë arsye “Time” i kushtoi atij edhe një kopertinë. Shumë herët, pikërisht më 24 tetor 1957, u nda nga jeta Christian Dior, stilisti më rinovues në ide që bota njohu ndonjëherë.

Dior u nda nga jeta në një kohë kur ishte aq i fortë saqë emri i tij mund ta vazhdonte rrugën përpara edhe pa Dior-in.  Kalendari Christian Dior

1905 - Christain Dior lind në Granville të Gjirit St’Malone në brigjet e Normandisë. Ai është djali i dytë i pesë fëmijëve të një artizani.

1910 - Familja Dior u transferua në Paris dhe Christian regjistrohet në liceun Gerson.1923 - Për t’ia bërë qejfin të atit, Christian zgjodhi të studiojë në “Ecole des Sciences Politiques”, që në të ardhmen të kishte mundësinë për të ndërmarrë karrierën diplomatike.

1928 - Me financimin e të atit e së bashku me një mik Christian hapi një galeri arti modern, Galeria Jacques Bonjesn.

1931 - Biznesi i familjes Dior u përfshi nga depresioni botëror ekonomik i atyre viteve. I detyruar ta mbyllte galerinë, Christian mbijetoi duke i shitur pjesët ekoleksionit të artit dhe skicat e tij për rrobaqepësit e mëdhenj të kohës.

1938 - Stilisti Robert Piguet e punësoi Christian Dior si  dizenjues në dyqanin e tij të ri.

1939 - Kur Lufta e Dytë Botërore filloi, Christian u rekrutua në ushtrinë franceze dhe u kthye në shtëpi pas një viti, kur ushtria franceze kapitulloi. Familja Dior atë vit jetonte në fermën e tyre në Porvence.

1941 - Christian u rikthye në Paris për të punuar si dizenjator, por këtë radhë për krijuesin Lucien Lelong.

1946 - Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Christian Dior e bindi industrialistin Marsel Boussac që ta mbështesë atë financiarisht për të hapur dyqanin e tij të parë.

1947 - Më 12 shkurt të këtij viti Dior prezantohet me  koleksionin e tij të parë. Krijimet e stilistit të talentuar francez ranë menjëherë në sy të kritikëve të modës.Revistat franceze dhe, si rrallëherë ato amerikane, u shprehën me lëvdata të pakursyera për siluetat dhe copat me dizenjo përrallore, me të cilat Dior kishte ideuar dhe punuar. Ky vit është edhe koha kur u hodh në treg parfumi i mirënjohur edhe sot, Miss DIOR.

1948 - Christian Dior synoi dhe arriti të triumfoi në tregun amerikan, duke hapur një butik me veshje në New York. Në këtë vend, pak vite më vonë ai hodhi në treg parfume të reja, si dhe vendosi kushtet e tij në licencën mbi të drejtat e emrit Christan Dior për linjën e prodhimit të të brendshmeve, kravatave dhe aksesorëve.

1950 - Dior dizenjoi veshje për divën Marlene Dietrich në filmin “Stage Fright”, të drejtuar nga regjisori Alfred Hitchcock. Edhe pas një viti Dietrich, në filmin “Nohighway in the sky” zgjedh të vishet me elegancën e vulosur Dior.

1954 - Pas disa vitesh suksesi në veshjet e modës së lartë, Dior zbuloi drejtimin e tij të  ri, duke krijuar edhe për një target klientësh, le të themi “të zakonshëm”.

1955 - Yves Mathieu-Saint-Laurent u bashkua me Dior si asistent dizenjator. Në atë vit “Grande Boutique” u hap në Avenue Montaigne dhe Dior prezantoi atje linjën e kozmetikëve.

1956 - Dior dizenjoi një duzinë fustanesh për Ava Gardner në fimin “Little Hut”.

1957 - Christian Dior ndërroi jetë nga një atak në zemër, pasi aksidentalisht u mbyt nga një halë peshku, ndërsa drekonte në kohën kur ishte me pushime në Montekatini, Itali. Në varrimin e stilistit pati më shumë se 2 500 njerëz. Yves Saint Laurent është quajtur pasuesi i Diorit dhe koleksionin e parë, nën këtë emër, e nxori në janar të vitit 1958. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora