Shtesë » Shoqëria
Rrëfehet Frani i Rulës: Historia ime e dashurisë me 58-vjeçaren greke
E shtune, 09.02.2008, 01:40 AM
Historia e bujshme e miliarderes greke, Rula Vorohopulu me shqiptarin nga Nënshtati i Shkodrës, Fran Shtjefni, vazhdon të tronditë sërish.
GREQI/ Marko Caka
Frani me ish-bashkeshorten ne diten e marteses |
Fran, në fillim ju falënderoj që pranuat të jepnit intervistën tuaj të parë në media, si greke dhe shqiptare, për gazetën “Panorama”!
Edhe unë ju falënderoj për iniciativën e mirë që keni marrë për të mësuar të vërtetën e historisë sime. Të them të drejtën vendosa të flisja me ju, se e di që jeni një nga gazetarët më të mirë, që me punën tuaj tregoni një seriozitet të madh ndaj të ftuarve të gazetës suaj dhe jo për qëllime keqdashëse dhe dezinformuese. Dua të sqaroj se kjo është intervista e parë, për shkak se disa media greke kishin për qëllim të injoronin martesën time pa mësuar se kush isha në të vërtetë. Pastaj për mua është nder që intervistohem në faqet e gazetës suaj prestigjioze pas ish-kryeministrit Berluskoni dhe të futbollistëve të famshëm, yllit Kaka dhe Nistelroi, që për mua janë idhujt e mi të futbollit.
Meqë ra fjala te futbolli, dhe gruaja juaj Rula Vrohopullu flet se ju e doni shumë futbollin dhe luani dhe vetë...
Po, është e vërtetë se futbolli është hobi im. Është pjesa më argëtuese e imja. Duhet të dini se vij nga një zonë e Shkodrës, ku futbolli për shkodranët është gjithçka. Kam mendimin se shkodranët pa çdo gjë mund të rrinë, por pa futboll nuk mund të rrinë. Kudo e ndjej futbollin. Pa të nuk mund të jetoj dot, saqë për gjëra të sigurta mund dhe të vë dhe baste, ngaqë e ndjej nga brenda të gjithë mrekullinë e saj se çfarë mund të ndodhë. Madje, disa herë me parashikimet e sakta kam shumëfishuar dhe paratë që vinte Rula në pikat e basteve greke.
Jeni cilësuar si seks-simbol i ekranit të televizionit grek për vitin e kaluar. Nuk është një vlerësim ky që i bëhet mashkullit shqiptar, kur dihet që imazhi i shqiptarëve nuk ka qenë dhe aq i mirë në Greqi?
Nuk preferoj që të jem në qendër të vëmendjes. Nuk pëlqej të pozohem, apo siç i themi ne në Shkodër, me u duk. Por kur i lë gjërat, në atë pikë ku të të vlerësojnë të tjerët, është tjetër punë. Pra, me pak fjalë, nuk më pëlqen të vlerësoj veten, por që më bën të ndjehem mirë për shqiptarët, sepse janë meshkuj shumë të bukur, kjo as që ka diskutim. Madje, në shumë ambiente miqsh kur prezantohesha, fjala e parë që thosha ishte se jam shqiptar dhe njerëzit nuk donin të besonin se dhe shqiptarët janë të gjatë, simpatikë dhe të mirëmbajtur. Por kam mendimin që dhe femrave greke u pëlqen shumë e bukura dhe po të jesh i sinqertë që në fillim, ato të pranojnë me të gjitha, ashtu siç je. Pra, nuk ka gjë më të neveritur se sa të jesh i bukur me karakteristika shumë të mira dhe t’ia identifikosh këto virtyte një vendi tjetër. Unë di shumë shqiptarë të bukur, që vetëm për hir të dashurisë dhe për të mos humbur të dashurën e tyre gënjenin, duke thënë se janë italianë, vetëm e vetëm se këtyre të fundit u ka dalë nami si dashnorë latinë.
Fran, meqë jemi te dashuria, ju keni pasur një lidhje me një grua të moshuar, Rula Vrohopulu, saqë shkuat deri dhe në altarin e martesës. Mund të na thoni a kishit me të vërtetë ndjenja dashurie për këtë grua?
Fran Shtjefni |
Disa martesën tuaj e interpretojnë se ju e bëtë vetëm për para? A qëndron kjo?
Absolutisht jo. Nuk e di se si e kupton gjithsecili menjëherë sapo mëson për një lidhje disi të çuditshme. Për ata që s’më njohin, kjo lidhje të lë të kuptosh se unë e kam bërë për para, ngaqë njerëzit e kanë nga eksperiencat e tjera. Por për mua paraja nuk është gjithçka. Këtë ia kam thënë dhe ish-gruas sime, para se të martoheshim, se unë vij tek ti jo për paratë e tua, por që të më ndihmosh të ndërtoj një biznes të vogël timin, që të ndjehem më mirë. Pra, me atë isha i sinqertë që në fillim, se me pak para që do të më ndihmonte, do të kisha mundësi të hapja edhe unë një punë timen, ose më mirë të mbahesha me këmbët e mia. Dhe kurrë nuk e kam menduar të bredh dhe të shijoj me paratë e të tjerëve, se nuk është edhe në karakterin tim. Nuk mund ta logjikoj veten time të rri parazit pa punuar dhe të mos shijoj atë që fitoj me djersën time. Madje dhe shkaku që unë u ndava nga gruaja ime ishte po kjo, se nuk realizoi premtimin që më kishte dhënë. Por ajo më donte vetëm të jetoja mbi fletë me dafina, pa punuar dhe për seks, sado që paratë shkonin si lumë. Unë e them dhe me besë burrash, se ne nga Shkodra nuk e presim fjalën. Lidhjen time me greken e pasur, kurrën e kurrës nuk e kam parë për t’i marrë paratë asaj. Por e kam shikuar si një shans për të përmirësuar jetën time. Se kam kaq vite në Greqi dhe kurrë nuk m’u dha mundësia të hap një punë timen, por gjithë jetën po punoj si argat te pronarët dhe kurrë nuk marr mundin e djersës sime. Por kur më doli Rula përpara, thashë se ky është fati im që mund të dal nga skamja dhe fukarallëku. Se duke hapur aktivitetin tim privat, e di më mirë se sa fitoj dhe nuk shfrytëzohem nga ndokush. Por të gjitha premtimet që më tha gruaja ime, nuk u realizuan. E keqja është se kur njerëzit nuk të njohin nga afër mund të thonë çfarë të duan, ashtu si ndodhi me grekët, që sapo mësuan për lidhjen tonë, se Rula është lidhur me shqiptarin, nuk vonuan dhe lëshuan llafet se do t’i hajë pasurinë e saj.
A mund të na thoni se kush ka ndikuar në prishjen e planeve tuaja?
Me thënë të drejtën, që në fillim Rula e kishte vullnetin e mirë të më ndihmonte, që unë të krijoja diçka timen. Por kur ajo shkonte për të kryer veprimet me plotësimin e procedurave të hapjes së biznesit, nëpunësit e këshillonin që të mos e bënte, se ai është shqiptar dhe e bën vetëm për para. Me të vërtetë mua më shqetësonte jashtë mase kur këtë frymë të kultivuar te grekët ua etiketonin shqiptarëve si shpërdorues. Grekët këtë reagim kaq negativ e kanë nga eksperiencat e tyre, kur dihet që këta bëjnë gjithçka për të rrjepur pasurinë e tjetrit. Di raste kur prindërit e tyre të moshuar i kanë braktisur dhe kur kanë vdekur janë interesuar që ta marrin pasurinë e tyre. Ndërsa unë as që mund ta konceptoj dot që t’ia grabisja paratë Rulës dhe ta lija atë në mes të rrugës, ashtu siç i thoshin grekët. Isha i betuar me jetën time se kësaj gruaje do t’i shërbej deri në fund të jetës, që të mos bredhë rrugëve pa ndihmën e askujt. Por ishte shumë e vështirë që t’ua argumentoja qëllimet e sinqerta të mia, që unë e doja Rulën si njeri në radhë të parë, sepse ajo në fillim jepte gjithçka për mua. Dhe pastaj e pashë si një mundësi që me një shumë qesharake të saj, të hapja një aktivitet timin dhe asgjë tjetër.
Sa ishte pasuria e gruas suaj Rula Vrohopulu?
Se sa para ka gruaja ime nuk e di fare, se kurrë nuk isha i interesuar për këtë. Ajo më thoshte për pasuritë marramendëse të saj, por unë as që doja t’ia dija. Unë isha i kënaqur edhe me pak para, mjafton që ato do t’i investoja për një biznes të vogël. Kurrë nuk më shtynte kureshtja për të pyetur për shumën e parave të saj, paçka se ajo m’i tregonte të gjitha kartat bankare që ishin të arta dhe pa limit. Di këtë, se ajo kishte pothuajse gjysmën e dy zonave më të pasura të bregdetit të Athinës në Glifadha e Vula, ku ajo i ka lëshuar me qira dhe u merr frytet e tyre. Madje, më kërkonte që të shkoja e të kontrolloja pasuritë e saja dhe t’u merrja qiratë, por e kundërshtoja dhe i thosha që ta kryente më mirë ajo vetë. Me hollësi nuk isha i interesuar për shumën ekzakte të llogarive të saj bankare.
Por ju jeni burri i saj dhe është normale që edhe duhet të jeni në dijeni se çfarë ka gruaja juaj?
Besoj se flasim seriozisht së bashku. Ç’punë kam unë të mësoj për pasurinë ekzakte të saj, kur ajo është pasuria e saj dhe jo e imja. Pastaj kjo del se unë jam i etur vetëm për paratë e saj, kur unë të thashë se isha i kënaqur vetëm me pak. Doja të përmirësoja vetëm jetën time dhe ta bëja më modeste dhe jo të mbytesha me paratë e gruas sime. Pra, doja të qëndroja me këmbë në tokë.
Fran, kur e filluat lidhjen tuaj me Rulën dhe kush e mori iniciativën e parë të njohjes?
Njohja e parë me Rulën ishte në raportet e një ustai me klientin e tij. Kështu nisi dhe njohja me të, ku unë isha porositur nga pronari që t’i shërbeja si kliente e imja. Rula Vrohopullu kishte nevojë për pajisjen me duralumin të vilës së saj në një ishull dhe unë isha i detyruar t’i shërbeja deri në fund për instalimin e tyre.
Po lidhja e dashurisë si lindi ndërmjet jush?
Siç jua thashë, unë e cilësova afrimin me Rulën në raportin e mësipërm, ndërsa për Rulën kishin lindur ndjenja të tjera, që më vonë për të u bëra i pandashëm. Sipas saj, ajo më thoshte se unë isha gjithçka për të, pra isha jeta e saj. Në fillim ia besova dhe prandaj pranova që këtë grua mos ta lë të vuaj nga ana shpirtërore. Që këtu mund të them dhe jam krenar që lidhja ime nuk ishte në iniciativën time për qëllime djallëzore. Por atë e krijoj vetë Rula, e cila thoshte se pa ty nuk jetoj dot. Po të më lësh, unë do të vras veten dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Pra, nuk isha unë që iu ngjita Rulës, por ishte ajo që nuk bënte dot pa mua. Dhe unë e arsyetova shumë mirë, duke thënë se në jetë njeriut i jepen shumë pak shanse për të shpalosur vetveten dhe për të rregulluar veten e tij. Prandaj me anë të Rulës mendoja se edhe unë mund të bëja diçka timen. Edhe atë ta bëja të ndjeheshe mirë shpirtërisht, edhe unë do të ndjehesha më i sigurt sikur të kisha një punë timen…
Vijon nesër...
•
Rula Vrohopulu tregon lidhjen me shqiptarin Fran Shtjefni
Miliarderja: Franit ia bëja qejfin kudo, por ai mua më donte për paratë
Pak kohë më parë, në intervistën e saj për gazetën “Panorama”, miliarderja greke, 58-vjeçarja Rula Vrohopulu, ka shpjeguar lidhjen e saj me shqiptarin e varfër. Njohjen me të si usta i duraluminit, dashurinë me shikimin e parë, takimet, martesën, lidhjen që zgjati rreth një vit dhe ndarjen që, sipas saj, erdhi për shkak të Franit, i cili i kërkoi të nënshkruante në emër të tij shtëpinë në ishullin e Kefalonjase, si dhe xhipin dhe 200 mijë euro, ndryshe do të largohej. Një pjesë nga kjo intervistë, e miliarderes Rula Vrohopulu, po e ribotojmë sërish.
Mund të na thoni si u njohët me Franin?
U njoha në verën e vitit 2006. Isha në bregdetin e Glifadhës dhe një shok i tij i tha se është Rula e “The world”, një emision reality tepër i shikuar në vitin 2003. Mirëpo, Frani më kishte ndjekur gjatë kohës që unë isha protaganiste në këtë emision të suksesshëm të kanalit televiziv ANT1. Unë kisha bërë porosi për disa dyer alumini për vilën time dhe Frani si usta në këtë zanat m’i solli në shtëpi. Sapo e pashë nuk e dija që ishte ai dhe më thotë për ustain e aluminit. Dhe unë i them: lëre ustain tani, se po bisedoj me një djalë të bukur. E pashë dhe me shikimin e parë më ra «tjegulla në kokë». E dashurova që në takimin e parë.
Po Frani si e priti këtë gjë? A ishte i dashuruar, kishte ndonjë lidhje tjetër?
Gjatë kësaj kohe Frani kishte një lidhje me një shqiptare 32-vjeçare të bukur, që banonte afër shtëpisë së tij. Më prezantoi tek ajo, si shoqe e mamasë së tij, sepse nuk donte të tregonte për lidhjen tonë, megjithëse deri atëherë nuk kishim kryer ndonjë kontakt seksual. Gjatë kësaj kohe Frani më thotë se do të shkonte në Shqipëri, sepse familja i kishte gjetur një vajzë për ta martuar. Unë nuk doja t’i thosha për ndjenjat e mia, kisha frikë se mos reagonte negativisht dhe e humbisja. Por gjatë gjithë kohës që ai ishte në Shqipëri, unë çdo ditë shkoja në kishën katolike në qendër të Athinës dhe lutesha që Frani të mos gjente nuse tjetër. Kur u kthye, më tregoi se nuk ishte gjetur nuse. Unë nuk durova dot dhe i thashë se doja të fejoheshim. Ai menjëherë reagon: a je mirë si mund të fejohemi me këtë diferencë moshe që kemi. Por i tregova se sa shumë e doja dhe kjo zgjati vetëm 3 ditë. Më pas i thashë të shkonim në kazino Lutraki (kazinoja është në gjakun tim që kur jetoja në Amerikë dhe luaja black-jack) aty fitoj 14 mijë euro dhe i them se do t’i ndajmë 7 e 7, se që tani je burri im. Kishim rënë dakord me njëri-tjetrin se do të martoheshim pas një viti. Por nuk durova dhe i thashë se doja të martoheshin muajin tjetër, më 4 nëntor 2006. Dhe kjo ditë ishte dita e dytë më e veçantë e jetës sime. Njëra është ditëlindja e djalit tim, 31 korrik 1989 dhe tjetra është dasma me Fran Shtjefnin, më 4 nëntor 2006.
Përse mendoni se burri i juaj, Frani, e trajtoi ndryshe martesën?
Solla gjithë familjen e Franit në vilën time nga vendi ku jetonin në Athinë dhe u detyrova të bëhem shërbëtore e të gjithëve, të gatuaj dhe të laj rrobat e tyre, meqenëse mamaja e tyre shkoi në Shqipëri për të bërë dokumentet. Frani më kishte thënë që në fillim se nusja në anët tona gjithnjë është me familjen. Dhe nga dashuria e madhe me Franin preferova më mirë të zbatoj zakonet e tyre dhe të largoj djalin tek babai i tij në Kretë se sa të sjell shqetësim tek njerëzit e burrit tim shqiptar. Kur mamaja u kthye nga Shqipëria filluan dhe problemet e mëdha mes nesh. Burri im, Frani filloj të largohej dhe vinte 2-3 orë vetëm sa për të fjetur. Doja që çdo mëngjes të zgjohesha dhe ta shikoja sesi po flinte dhe t’i përgatisja mëngjesin. Pra, e ndjeja brenda në zemrën time dhe e kisha si mbret. E shihja si të madhin Zot. Kudo ia bëja qejfin. Shkova në Paris, në Londër dhe në Krociera vetëm e vetëm ai të ndjehej shumë mirë. Por unë shihja se ai ishte tjetërkund dhe nuk më ndjente fare, vetëm e vetëm qëndronte për paratë e mia. Pas një viti më thotë se në qoftë se nuk më shkruan shtëpinë që kisha në ishullin e Kefalonjase si dhe xhipin dhe 200 mijë euro, unë për dy muaj do të largohem.
• “U ndava se Rula nuk e mbajti premtimin që më dha”
Fran Shtjefni, shqiptari 27-vjeçar nga Nënshati i Shkodrës, në vazhdim të rrëfimit të historisë...
•
• Vijon nga numri i kaluar...
• Marko Caka / athine
•
• ... së dashurisë me miliarderen greke, Rula Vrohopulu, tregon detaje të reja të rëndësishme për lidhjen e tyre. Për herë të parë për gazetën "Panorama", emigranti shqiptar bën me dije opinionin e nënës dhe vëllezërve të tij, për martesën me 58-vjeçaren greke, opinionin e familjarëve dhe bashkëfshatarëve. Po kaq edhe reagimin e të birit të Rulës. Shtjefni vendos të tregojë në vijim të kësaj interviste, botuar që nga numri i djeshëm në gazetë, arsyet e ndarjes nga lidhja e tij njëvjeçare me miliarderen greke. "Ndarja erdhi vetëm nga Rula, se unë nuk pashë aspak ndryshime në jetën time. Pas tetë muajve martese, pashë që ajo nuk mbajti premtimin. Për ta nxitur më tepër, unë i kërkova me ultimatum se, në qoftë se nuk më shkruan dy pasuritë e patundshme që ka në ishujt e Kefalonjasë dhe të Poros si dhe xhipin 'Toyota Lands Rover' prej 85 mijë euro, unë do të largohem nga gjiri i saj", shprehet Shtjefni.
•
• Për vendimin tënd të martesës me një grua më të moshuar se ju, a diskutuat me nënën apo vëllezërit? Cili ishte reagimi i tyre?
• Me të vërtetë nuk besoj se ka nënë që do i vinte mirë për lidhje të tilla kaq ekstreme. Eshtë e qartë që nënës nuk i erdhi mirë, se vetëm ajo e di se si na ka rritur dhe gjithmonë mendon vetëm për të mirën tonë. Jam shumë krenar që kam një nënë fisnike, që i ka bërë ballë vështirësive të jetës pa kujdesin e babës sonë, që na la që të vegjël. Sidoqoftë për vendimin e lidhjes me të moshuarën greke, atë e kisha marrë vetëm unë dhe unë isha përgjegjës për veprimet e mia. Prapë se prapë, nëna, sado që ne fëmijët e lëndojmë pak, ajo kurrë nuk ma prishi, por pranoi për hir të asaj që ky veprim më bënte të ndjehesha i lumtur. Dhe nëna si një grua fisnike dhe e emancipuar e respektoi gruan time si të ishte një nuse e re, duke i dhënë vendin e merituar. Ndërsa vëllezërit e mi janë pak më të vegjël dhe si një kryefamiljar ata më kanë dëgjuar gjithmonë. Kështu që dhe këtë radhë ata ishin të ndërgjegjshëm se unë po e kryeja një veprim me shumë përgjegjësi dhe me maturi.
•
• Dihet që Rula ka një djalë student me burrin e mëparshëm. Po ai si reagoi kundrejt martesës së nënës së tij me ju. Si ishin marrëdhëniet tuaja me të?
• Djali i Rulës, Nikola, është rreth 20 vjeç dhe është një djalë i shkëlqyer, i gjatë dhe shumë i bukur. Ai studion për diplomaci, por ka një karakter të atillë që rrallëkush e ka. Përveç se është shumë i përgatitur, ai ka çiltërsi në vetvete. Me të vërtetë në fillim ai nuk e priti mirë martesën time me nënën e tij për shkak të moshës sime të re dhe ishte shumë e rëndë ta përballonte në shoqërinë e tij. Por kur ne u njohëm nga afër së bashku, ai u bë shoku im më i mirë dhe i pandarë. Kjo siç duket erdhi nga që më njohu se kush isha, prandaj edhe tani ai sillet shumë mirë me mua. Madje, ne akoma shkëmbejmë telefonata si dhe urojmë njëri-tjetrin në raste festash. Për mua ai është një djalë shumë koherent dhe është krenari që ta kesh shok, sepse mbi të gjitha ai di të vlerësojë të tjerët pa asnjë dallim.
•
• Po prezantimi i dasmës suaj tek të afërmit dhe bashkëfshatarët tuaj si u prit? A u ndjetë i rënduar para tyre kur u paraqitët së bashku me gruan tuaj në vendin e lindjes?
• Absolutisht jo. Thashë dhe njëherë se unë isha i ndërgjegjshëm për gjithçka që kisha bërë. Pastaj, unë nuk kisha bërë mëkat. Madje, dashuria dhe me fe nuk njeh aspak kufij. Përkundrazi, sipas Zotit të madh, njeriu duhet të dashurojë derisa të vdesë dhe nuk ka limit moshe. Nuk më bënte fare përshtypje që unë kisha në krah një grua me diferencë në moshë, sepse në fund të fundit, në qoftë se dikush të do më shumë se jetën e saj, siç ishte Rula, për mendimin tim duhet ta respektosh deri në fund. Kështu e shihja unë, se ajo më donte si e marrë dhe unë duhej ta respektoja deri në maksimum. Pastaj të gjithë të afërmit e mi nuk e kishin fare problem dhe këtu e pashë se sa të emancipuar jemi ne shqiptarët, sado që gjërat i bëjmë tepër tragjike. Të gjithë donin të më ftonin në shtëpinë e tyre së bashku me gruan time dhe e respektonin deri në maksimum, se më njihnin se kush isha. Me ata isha rritur. Bashkëfshatarët e vlerësonin si nusen e tyre, saqë donin ta shihnin dhe me rrobat karakteristike të trevës sonë, me veshjen e mrekullueshme zadrimore.
•
• Një mashkull si ju tërheqës, gjithmonë pëlqehet nga femrat. Gjatë kohës që ishit së bashku me Rulën, a shihnit tek ajo shenja xhelozie?
• Xhelozia për mendimin tim ekziston gjithnjë, aq më tepër te një grua e madhe, që sheh se ka në krah një djalë të ri. Rula ishte shumë xheloze ndaj meje, se mendonte që gjithnjë unë gjendesha nën ngacmimet e femrave. Me pak fjalë, ajo i trembej paraqitjes sime të jashtme.
•
• Po ndarja si erdhi?
• Ndarja erdhi vetëm nga ajo, se unë nuk pashë aspak ndryshime në jetën time. Pra, ato që ëndërroja unë nuk u realizuan. Pas tetë muajve martese pashë që ajo nuk mbajti premtimin e saj. Atëherë për ta nxitur më tepër, unë i kërkova me ultimatum se në qoftë se nuk më shkruan dy pasuritë e patundshme që ka në ishujt e Kefalonjase dhe të Poros si dhe xhipin "Toyota Lands Rover" prej 85 mijë euro, unë do të largohem nga gjiri i saj. Pra, i dhashë një afat dymujor për ta trembur dhe për të arritur diçka nga ajo që kishim rënë dakord më parë. E bëra që ajo të shtrëngohej, meqenëse premtimi për të hapur aktivitetin tim privat ishte shumë larg planeve të saj.
•
• Si mendoni ju, përse lidhja dhe ndarja juaj me Rula Vrohopulun bëri kaq shumë bujë mediatike?
• Rula Vrohopulu ishte një person publik para se unë të lidhesha me të. Ajo ishte bërë e dashur për publikun grek që vite më parë në emisionet e kanaleve greke. Kjo ishte dhe ajo që më shqetësoi në jetën time private. Sepse nuk e doja që lidhja jonë të ishte publike, sepse është një e drejtë e imja private dhe nuk ka kush të drejtë të bëjë koment mbi veprimet e mia dhe mbi jetën time. Kurrë nuk e mendova që do të bëhesha personazhi më i lakuar i mediave greke. Dhe unë gjithnjë jam treguar i kujdesshëm, që të mos flas kurrë për gjërat që s'u takojnë të tjerëve. Ndërsa për daljet e ish-gruas sime, ajo është një e drejtë e saj dhe këtë e respektoj dhe se nuk i diktoj unë veprimet asaj. Unë flas vetëm për veten time dhe nuk më takon mua të komentoj veprimet e saj.
•
• Kjo që ju po më thoni, shumë pak e gjen te meshkujt, të paktën shqiptarët do të ishin pak më të ashpër ndaj gruas së tyre që të shfaqet para ekraneve?
• Po e përsëris edhe njëherë, se unë reagoj vetëm për veprimet e mia dhe se nuk dua të paragjykoj se si reagojnë shqiptarët apo dhe grekët. Gjithsecili ka formimin e vet dhe gjithsecili tregon emancipimin e vet. Unë e kam gjykuar kështu dhe e mendoj më të drejtë. Sidoqoftë tani ka ardhur koha që gjithsecili në këtë jetë ka vendin e vet dhe se nuk ka kurrkush të drejtë që ta bëjë pronë të tij. Gruaja ka vendin e vet dhe rolin e vet në jetë. Në qoftë se diçka nuk shkon, është më mirë t'ia sqarosh dhe të ndahesh me mirëkuptim, sesa të mendosh se është pronë e jotja dhe duhet t'i marrësh dhe jetën. Kjo për mua është shumë absurditet dhe se shqiptarët e kanë kuptuar shumë mirë që jeta duhet jetuar dhe se është e shenjtë për këdo. Rula ka lirinë e saj private dhe se publiku e vlerëson për atë që bën dhe gjykon ajo dhe jo me anë të saj të vlerësohem dhe unë. Është në karakterin tim që të mos jem publik dhe i palëkundur ndaj veprimeve të mia.
•
• Pas këtij publiciteti të madh që i është bërë personalitetit tuaj, a mendoni se ka ndryshuar jeta juaj?
• Jo, aspak. Unë kam qenë gjithnjë i vëmendshëm dhe kurrë nuk më kanë marrë mendtë erë. Kam preferuar që të jem ky që jam. Kuptohet se nuk jam ai që kam qenë vite më parë dhe tani të gjithë më njohin dhe duan të më përshëndesin për karakterin tim të fortë. Të them të drejtën nuk është e lehtë të jetosh kështu kur je një person publik dhe njerëzit të njohin kudo. Nuk mundem që të pi një kafe apo të argëtohem me shokët e mi, se të gjithë duan të më flasin. Kjo të bën dhe mirë, por ka dhe anën e keqe të saj, se kudo ndjen bezdisjen e paparacëve, që edhe ata duan një informacion për median e tyre. Duke qenë dhe person kaq publik, të shpeshta kanë qenë dhe ofertat për intervista kundrejt shumave të majme, si dhe që imazhi i mashkullit të përdorej në disa spote të fuqishme greke. Por unë të gjitha këto i kam refuzuar, se më pëlqen njerzillëku dhe thjeshtësia.
•
• Meqë ra fjala, çfarë përshtypjesh keni për gazetarët?
• Unë nuk kam marrëdhënie të këqija me gazetarët grekë, se fundja punën e tyre bëjnë si dhe zbatojnë urdhrat e eprorëve të tyre se cila gjë shet më mirë në treg. Por unë kam qenë i kujdesshëm me ta, se nuk më pëlqen që të shpërdorojnë dinjitetin tim si dhe emrin e mirë të shqiptarëve. Por jam treguar gjithnjë i matur, që dhe unë si shqiptar mund të jem i paarsimuar, por mbi të gjitha kam vlera burrërore shqiptare dhe që nuk e shes dinjitetin tim me asgjë, por punoj me djersën e ballit. Ndërsa për gazetarët shqiptarë nuk kam ndonjë marrëdhënie, përkundrazi ju jeni gazetari i parë shqiptar që njoh nga afër si dhe i pari që jap një intervistë. Kam mësuar për gazetarin e emisionit "Zonë e Lirë", Arian Çani, i cili për mua mbetet gazetar shumë i aftë, se diti të ruante vlerat e familjes sime, si dhe diti të trajtonte historinë e gruas sime, Rula Vrohopulu, ashtu si duhet për t'i treguar teleshikuesve të shumtë shqiptarë se cila është ajo dhe të veçantat e saj. Kjo bëri që dhe këtu në Greqi, intervista e Arian Çanit që i bëri Rulës, të merrte përmasa shumë të mëdha dhe vlerësohej shumë cilësore. Kjo më bën dhe krenar, se dhe ne shqiptarët kemi gazetarë kaq cilësorë dhe profesionalistë.
• Në disa media martesën tuaj, përveçse e përflisnin, ata shkuan deri aty saqë dhe ta satirizojnë. Si e keni pritur dhe nëse ju ka shqetësuar kjo gjë?
• Patjetër që nuk të vjen mirë kur gjërat e tua personale bëhen publike dhe përfliten. Por unë nuk mbaj mëri, gjithsecili ka të drejtën e tij që një çështje ta përdorë si të dojë. Këtu në Greqi mediat greke nuk janë marrë dhe aq shumë me mua dhe me familjen time absolutisht jo. Më tepër ata janë marrë me Rulën, ngaqë ishte dhe person publik më përpara. Por ajo që më ka shqetësuar është se përse emisioni shqiptar "Portokalli" të satirizojë nënën time pa e njohur fare atë, për tiparet fisnike të saj. Pra, pa mësuar më parë se kush ishte me të vërtetë ajo. Kurrën e kurrës nëna ime nuk bën ashtu, siç e kanë paraqitur ata. Karakteri i saj është shumë i fortë dhe me dinjitetin e saj të lartë ajo na rriti me gjithë vështirësitë e kohës, pa i shtrirë dorën askujt dhe jo tani që ne jemi bërë burra, që s'pranon lëmoshë nga askush. Ajo s'pranon kurrë të shesë vlerat e saj të një nëne burrëreshë me asgjë në botë.
•
• Të gjithë njerëzit, kush e mëson, u duket absurde se përse Frani nuk bën prapa të kthehet te gruaja e tij, kur dihet që tani ajo jep gjithçka bashkë me pasurinë dhe jetën e saj... Ndihet pendimi i saj?
• Jam i vendosur mbi vendimet e mia. E thashë që në fillim, se mua nuk më blen as paraja dhe as luksi i tepërt. I varfër kam lindur dhe i varfër do të vdes, nuk më bën fare përshtypje. Përkundrazi më i lumtur ndjehem kur vdes me nder. Dua të sqaroj dhe ta ripërsëris, se veprimin tim për lidhjen me Rula Vrohopulun nuk e bëra kurrë për paratë e saj, por si një mundësi për të ndërtuar jetën time modeste, duke qëndruar me këmbët e mia. Unë i dhashë shqelmin gjithë luksit që donte të më krijonte gruaja ime pa punuar dhe i dembelizuar. Unë jam krijuar për të punuar dhe dua të vdes duke bërë diçka timen duke punuar. Dhe këtë premtim që më dha Rula në fillim nuk e bëri realitet, por dëgjoi të tjerët, që për mua tani më është bërë e neveritshme. Më mirë pranova të kthehem ashtu siç isha, sesa të jem rob i një diçkaje që do më skllavëronte gjithë jetën time.
•
• Dhe së fundi, cilat janë planet tuaja në të ardhmen?
• Ëndërroj që të kthehem së shpejti në Shqipëri. Dua të hap një punë timen, në zanatin që mësova dhe e ushtrova me vite të tëra në Greqi. Kam kaq vite që pajis vilat e grekëve me duralumin dhe tani ka ardhur koha t'i shërbej vendit tim dhe të pajis dhe shtëpitë e shqiptarëve me teknologjinë e re, se të gjithë së bashku duam të shkojmë drejt një të ardhme më të bukur dhe të lumtur, siç është familja evropiane...
•
•
• “Pas tetë muajve martese pashë që ajo nuk mbajti premtimin e saj. Atëherë për ta nxitur më tepër, unë i kërkova me ultimatum se në qoftë se nuk më shkruan dy pasuritë e patundshme, unë do të largohem nga gjiri i saj”
•
• “I varfër kam lindur dhe i varfër do të vdes, nuk më bën fare përshtypje. Përkundrazi më i lumtur ndjehem kur vdes me nder. Unë i dhashë shqelmin gjithë luksit që donte të më krijonte gruaja ime pa punuar dhe i dembelizuar”
•
•
• Rula: Doja të bëja fëmijë me të
• “Frani donte të martohej, vetëm që t’i nënshkruaja pasurinë në emrin e tij”
•
• Në rrëfimin e saj rreth një muaj më parë për gazetën tonë, miliarderja greke Rula Vrohupulu, është shprehur se lidhja e saj me shqiptarin është kurorëzuar me martesë pas dëshirës së Fran Shtjefnit. "Në fillim ishte po Frani që donte të martohej, por ka mundësi që ai të ketë rënë dakord me familjen e tij, që të martohej me mua vetëm e vetëm që unë të shkruaja pasurinë në emrin e tij dhe pastaj ai të kërkonte divorcin", shprehet Rula, një pjesë nga intervista e të cilës po e ribotojmë sot.
•
• Përse mendoni se burri juaj, Frani, e trajtoi ndryshe martesën?
• Në fillim ishte po Frani që donte të martohej, por ka mundësi që ai të ketë rënë dakord me familjen e tij, që të martohej me mua vetëm e vetëm që unë të shkruaja pasurinë në emrin e tij dhe pastaj ai të kërkonte divorcin. Unë pasurinë time nuk e kisha menduar asnjëherë të ndarë me Franin, madje si burri im juridikisht, ka të drejtën e gjysmës së pasurisë time dhe nuk kishte nevojë të ngutej duke dëgjuar të tjerët. Madje, unë doja të bëja dhe fëmijë me të, por ai ishte i kujdesshëm për lidhjen tonë, vetëm për pasurinë time.
•
• Historia juaj e dashurisë me shqiptarin si u trajtua në të gjitha mediat greke?
• Duhet të dini se unë isha shumë e njohur për publikun grek si protagoniste në emisionin më të shikuar të kanalit ANT1 në vitin 2003 dhe publiku kishte shfaqur një dashuri ndaj figurës sime. Kjo histori mori shumë famë, sepse unë besova shumë te mediat televizive për zgjidhjen e çështjes sime. Por kjo ishte dhe një shembull për të gjitha ato gra të moshuara që duan njeriun e tyre të shtrenjtë, pa dallim të diferencës së moshës me djem të rinj. Për këtë arsye, thashë se edhe unë dua të shpreh atë që ndjej në zemrën time, pa asnjë tabu, për të demonstruar vuajtjen time shpirtërore dhe jo si një padi ndaj burrit tim shqiptar. Me të vërtetë kjo ngjarje bëri bujë të madhe mediatike, duke më bërë si personi më i kërkuar i shou bizit në televizion. Madje, më e çuditshmja, ishte se duke parë për numrin rekord të audiencës, filluan që edhe kanalet e mëdha të kërkonin që të bëja marrëveshje për të firmosur kontratë me emisionet e tyre. Revistat më të mëdha greke filluan të publikojnë në faqen e parë foton time me Franin dhe intervistat e mia për martesën me shqiptarin.
•
• E gjithë kjo bujë mediatike a ndihmoi ndopak në zgjidhjen e çështjes suaj?
• Mund të them se tek unë nuk ndihmoi aspak, se Frani nuk po kthehet në gjirin tim. Me njerëzit veprimi im bëri më mirë. Tek të gjithë gjeta mbështetjen e tyre, për origjinalitetin tim dhe për dhunimin tim shpirtëror që po kaloja. Ndërsa për veten time e mendoj se jam bërë rezil vetëm për atë që një grua bën si e marrëzuar për një djalë të ri, të qajë para kamerave dhe të kërkojë ndihmë që t'i kthehet burri i saj mbrapa. Por ai ishte ëndrra ime dhe ishte Zoti im…
•
• Vazhdoni ta doni Franin dhe a besoni se do të kthehet ndonjë moment?
• Jo, jo. Besoj se nuk do të kthehet më kurrë, sepse mendoj shumë se ju shqiptarët nga Veriu keni një kokë që nuk bën kurrë prapa dhe nuk pajtohet kurrë. Pra, me kuptimin e mirë të fjalës janë kokëfortë, që nuk bëjnë as majtas, as djathtas, por vetëm drejtë. Por unë do të përpiqem që të mos i jap divorcin, sepse dua të ndjehem me dokumente gruaja e tij dhe shqiptare përjetë. Dhe këtë e besoj dhe sikur t'i firmos të gjithë pasurinë time, me kokën që ka ai nuk do të kthehet tek unë. Dhe një nga arsyet përse nuk e bën këtë është se opinioni do t'i thotë se shkove për para tek një plakë 58-vjeçare.