Shtesë » Shoqëria
Gjigantë në “dyluftim”
E shtune, 09.02.2008, 02:26 AM
Microsoft, Yahoo dhe Google
Microsoft duhet të lejohet që të blejë Yahoo-në dhe Google-i duhet të lejohet që të “kundërluftojë”
Ashtu si Microsoft, Google ka pushtet shumë të madh në tregun e vet, kështu që vigjilenca është e domosdoshme. Por deri tani, askush nuk ka treguar se Google është duke abuzuar me këtë pushtet. Kështu që, edhe Google duhet lënë e qetë dhe të gjithë duhet të përgatiten për një betejë epike mes dy titanëve të teknologjisë.
Kjo ishte java që duhej të konfirmonte ekuilibrin e ri të pushtetit në industrinë e teknologjisë. Puna në kompjuter është duke u zhvendosur drejt internetit, larg tryezës dhe larg Microsoftit, gjigantit të prodhimit të programeve të kompjuterëve, në drejtim të Google, mjeshtrit të kërkimeve online. Vendosmëria e Microsoft për të mos humbur betejën u bë shumë e qartë, kur ai parashtroi ofertën prej 44.4 miliardë dollarësh në para dhe në aksione për të blerë Yahoo, një gjigant i internetit që aktualisht ndodhet në vështirësi. Nëse i shkohet deri në fund marrëveshjes, ajo do të shkaktojë një tjetërsim të industrisë teknologjike si dhe do të hapë rrugën për një luftë të drejtpërdrejtë ndërmjet Microsoft dhe Google, një betejë për dominim në epokën e internetit. Por, në të njëjtën kohë, suksesi apo dështimi i Microsoftit në këtë sipërmarrje të fundit, ndryshon edhe mënyrën se si perceptohen të tre kompanitë.
Statusi i Yahoo-së, si një prej kompanive që dukej e destinuar të trashëgonte internetin, por që nuk arriti të ecë me ritmin e kohërave teknologjike në ndryshim duket i çimentuar. Microsoft, që asnjëherë nuk ka bërë asnjë blerje të përmasave të tilla, praktikisht ka pranuar se nuk mundet që të konkurrojë me Google i vetëm; oferta e tij nxjerr në pah dobësinë e Microsoft, po aq sa edhe atë të Yahoo-së. Ndërkohë, kundërshtimi i Google për marrëveshjen e propozuar, i bazuar në ligjet antitrust, ndonëse kombinimi i Microsoft me Yahoo gjithsesi do të qëndronte shumë prapa, si për sa i përket kërkimit në internet, ashtu edhe reklamave, tregon se firma nuk ka arritur të kuptojë se pikërisht ajo dhe jo Microsoft, shikohet sot si gjiganti i kësaj industrie.
Microsoft është kompania më e madhe për sa i përket madhësisë që zë në treg, sigurisht, pasi ka një vlerë prej 270 miliardë dollarësh amerikanë, krahasuar me 160 miliardë dollarët që është vlera e Google. Por tregu i programeve kompjuterikë në të cilin operon kryesisht Microsoft ofron perspektivë rritje shumë më të dobët se sa tregu i ndërthurur i kërkimit dhe reklamimit në internet, që dominohet nga Google. Epërsia e gjigantit të kërkimit në këto fusha nuk është e lidhur me një “dryn” teknologjik, çelësin e të cilit vetëm ai e ka në dorë (përdoruesit e internetit mund të ndërrojnë lirisht motorët e kërkimit); pjesa e tregut që zë Google është shumë më e vogël se 90 përqindëshi që Microsoft zë në sistemet e operimit të kompjuterëve si dhe programet e punës dhe nuk është një monopolist i dënuar. Kështu që, ta quash Google si Microsoftin e ri është në shumë drejtime e padrejtë. Por, nga ana tjetër Google është pa asnjë dyshim kompania, të cilës shumë kompani të tjera teknologjike, përfshirë edhe vetë Microsoftin, i tremben më shumë. Rritja e pjesës së tregut që zë në kërkim dhe reklama Google e bëjnë atë pa dyshim të pandalshme.
Në kërkim të madhësisë
Ajo çfarë shqetëson në mënyrë të veçantë Microsoftin është mundësia që në një të ardhme, programet kompjuterike të ofrohen përmes internetit, mbështetur nga reklamat e biznesit. Google ofron tashmë disa shërbime të tillë dhe është duke u futur në rrugën e Microsoftit. Kundërsulmi i kompanisë së Bill Gates nuk ka tërhequr shumë vëmendje. Pavarësisht disa rilançimeve, motori i tij i kërkimit zë një pjesë të tregut global që është vetëm 2.9%, krahasuar me 62.4% të Google. Po kështu, shumë i vogël është edhe tregu i reklamave që i përkasin Microsoftit. Kjo është edhe arsyeja e ofertës së majme që gjiganti ka bërë për të blerë Yahoo-në, numri dy në kërkimin në internet.
Të dy kompanitë folën për një bashkim apo partneritet në 2006-n dhe në 2007-n, por në atë kohë Yahoo vazhdonte të shpresonte se Panama, një sistem i ri i vendosjes së reklamave përkrah rezultateve të kërkimeve në internet, do t’i mundësonte që të kapte Googlein. Panama nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë dhe rezultatet më të fundit të Yahoo-së bënë që vlera e aksioneve të saj të bjerë në një nivel shumë të ulët në janar. Microsoft u hodh në kohë. Nëse nuk do të ketë një ofertë nga ndonjë rival, gjë që nuk ka shumë gjasa, duket shumë e mundur që Microsoft të dalë fitues.
Por, sa jo konkurrues do të ishte një kompani e lindur nga bashkimi mes Microsoft-it dhe Yahoo-së? Është e vërtetë që kompania e re do të dominonte tregjet për sa i përket teknologjisë së “instant messaging” si dhe atë të e-maileve, por asnjëra prej këtyre nuk është shumë fitimprurëse. Në tregjet që kanë me të vërtetë rëndësi, kërkim dhe reklamim, kombinimi Microsoft-Yahoo, gjithsesi do të ishte sërish shumë prapa Google, e cila po shpreson që të çojë më përpara dominimin e vet në kërkim dhe reklamim, pasi ka nisur përpjekjet për të blerë DoubleClick.
Mbetet rreziku që Microsoft të shfrytëzojë në një farë mënyre monopolin që ka në programet kompjuterikë për të lënë mënjanë Google. Po si? Microsoft mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme nga ligjvënës dhe nëse do të ekzistonte ndonjë mënyrë për të përdorur këtë monopol të vetin kundër Google, me siguri tashmë do ta kish bërë. Blerja e Yahoo-së nuk e ndihmon aspak në këtë drejtim dhe marrëveshja në çdo rast bart me vete rrezikun që të shkaktojë një kundërplasje. Micrtosoft nuk ka bërë kurrë më parë një bashkim të këtyre përmasave dhe të dy kompanitë kanë kultura shumë të ndryshme: Mund të ketë një eksod inxhinierësh në drejtim të kompanive të tjera, përfshirë Google.
Nga këndvështrimi i ligjvënësve janë dy vendime që duhet të merren. Ai më i menjëhershmi, a duhet lejuar apo jo bashkimi Microsoft-Yahoo, është shumë i thjeshtë: Krijimi i një kundërpeshe më bindëse ndaj Google do t’i bënte mirë konkurrencës. (Nga ana tjetër, një bashkim mes Google dhe Yahoo-së do të përbënte një përqendrim shqetësues të pushtetit). Nëse Microsoft përpiqet të përdorë ndonjë prej marifeteve të vjetra, duhet të ndëshkohet. Sa për pyetjen më afatgjate, çfarë duhet bërë me Googlein?, përgjigja është në thelb e njëjtë. Ashtu si Microsoft, Google ka pushtet shumë të madh në tregun e vet, kështu që vigjilenca është e domosdoshme. Por deri tani, askush nuk ka treguar se Google është duke abuzuar me këtë pushtet. Kështu që, edhe Google duhet lënë e qetë dhe të gjithë duhet të përgatiten për një betejë epike mes dy titanëve të teknologjisë.