Mendime
Edita Kuçi-Ukaj: Shqiptarëve u duhet një strategji unike nacionale
E marte, 03.07.2012, 08:05 PM
Shqiptarëve
u duhet një strategji unike nacionale
Nga Edita Kuçi-Ukaj
Shekulli
XXI, shqiptarët i zgjoi me përplot probleme, të cilave nuk ju shihet fundi. Përkundër
faktit, se shumica e çështjeve politike, janë zgjedhur, kombi vazhdon të ketë probleme
të shumta dhe shumica të karakterit të brendshëm. Shqipëria u lirua nga diktatura
e egër, ndërsa Kosova fitoi pavarësinë, ashtu sikurse edhe shqiptarët nëpër hapësira
tjera, fituan lirinë, mirëpo shqiptarët ende mbeten me probleme të shumta dhe çështje
të pazgjidhura. Tani ballafaqohemi me të këqija, që nuk janë jashtë nesh, por që
janë brenda nesh dhe në ne. Me korrupsion të përmasave dramatike, me demokraci
të brishtë, me klane dhe politikë të ndërtuar mbi interesa sekondare, klanore
dhe personale, me ide të paqarta për orientimin e kombit dhe me institucione
jofunksionale si dhe me një elitë të nëpërkëmbur e pa dinjitet. Këto janë një pjesë
e madhe e problemeve, por jo krejt problemet. Shqiptarët kanë filluar të humbin
besimin në të ardhmen. Andaj, po i nënshtrohen një politike të verbër, që për
shumë vite i mban në agoni.
Një determinues
i padiskutueshëm, që po pengon zhvillimin tonë pozitiv, mbetet tash e sa kohë,
mos aftësia për të qenë unikë në projektet nacionale, drejt realizimit të aspiratave
për prosperitet. Së këndejmi, po paraqiten edhe sot e gjithë ditën ndasi, po
dalin sfida brenda vetë kombit, dhe çka është më e keqja, më shumë po merremi
me njëri-tjetrin, se sa me të ardhmen. Në këtë mënyrë, nuk po arrijmë të ndërtojmë
raporte të fuqishme politike, kulturore, me kombet e mëdha, mirpo po bëhemi
vasal të gjithfarë ideve që na vijnë në forma të ndryshme. Për fat të keq, as
sot, ende nuk zhvillohet një debat publik nga opinioni i gjerë, për ta gjetur
shkakun, për të kërkuar alternativa, për të shtuar dilema, për t´i analizuar të
gjitha trendët, pa kurrfarë emocionesh, pa kurrfarë paragjykimesh, por me qasje
realiste dhe me analiza të mençura. Shqiptarët, në tërësi, që nga e kaluara e
largët, u janë ekspozuar sundimeve të huaja, të cilat, për arsye të njohura,
kanë rezultuar me prurje të modeleve të ndryshme kulturore, që si të këtilla
kanë shënjuar deformime të shumta brenda etnisë, fenomene këto që na kanë përcjellë
dhe na përcjellin edhe sot e gjithë ditën në rrugën e konsolidimit nacional. Si
pasojë e gjithë kësaj, ne sot kemi shumë divergjenca shumë të fuqishme që na pengojnë
të jemi unikë në proklamimet tona për të ardhmen, nuk na lejojnë të hartojmë njëherë
e përgjithmonë idealin shqiptar. Së këndejmi, mund të vërehet se edhe vetë ideja
e nacionit nuk është kuptuar dhe nuk kuptohet esencialisht. Patriotizmi, ka më shumë
përgjegjësi se sa dashuri folklorike, nëpër retorika kafenesh e odash. Kështu,
edhe koncepti i nacionales, po ta analizojmë racionalist, është redaktuar dhe
tkurrur brenda një qarku shumë të vogël, pa qenë vetëdije kombëtare. Për këtë,
dashamirët e pasionuar të idesë nacionale, gjatë historisë kanë apeluar për
bashkim, duke kërkuar të flakën dallimet. Shumica e lëvizjeve, qoftë politike,
qoftë kulturore, qoftë ushtarake për liri e prosperitet, janë bllokuar në gjysmë
të rrugës. Për pasoja të gjithë kësaj, shqiptarët në shek. XXI hyjnë më përplot
kontekste të natyrave jo vetëm politike, por të natyrave identitare dhe
kulturore. Një problem që e rëndon çështjen shqiptare edhe sot e tutje mbetet
psikologjik. Ka humbur besimi. Idealet tona janë humbur dhe zëvendësuar me
interesa dhe egoizëm. Madje është edhe për keqardhje që asnjë debat nuk
shtrohet në mënyrë racionale, duke iu qasur problemit në zanafillë, për të ardhur
tek ato që na rëndojnë sot, në mënyrë që të hapim premise për të ardhmen. Por
se vazhdon të na përcjell logjika e shtrembër, se e keqja nuk është aspak e në ne
dhe e jona, nuk është kurrë pjesë e mendësisë sonë, por gjithmonë e adresuar të
te tjerët, madje të shumtën e herëve duke justifikuar me “armiq”, ne e kemi vështirë
të ecim drejt dhe me vetëdije nga e ardhmja. Në këtë mënyrë, të krijohet përshtypja
se e gjithë bota qenka kundër nesh, gjë kjo që nuk përkon aspak me interesimin
e bashkësisë ndërkombëtare për ne. Duhet, prandaj, të hapemi si shoqëri,
opinioni ynë politik, kulturor, ai i mediave duhet të jetë vetëkritik më shumë se
kritik ndaj tjerëve. Më duket se Qeveria e Kosovës, asnjëherë nuk ka menduar
dhe pak ose aspak nuk ka bërë për qytetarin e rëndomtë. Si duket, asnjëherë nëpër
histori nuk kemi menduar esencialisht për problemet nacionale, asnjëherë nuk
kemi pasur projekt unik në kërkesat dhe aspiratat nacionale. Absurdi bëhet edhe
më i pakuptimtë, ngase qarqet e “intelektualëve” tanë janë përplot me ngarkesa,
ata e kanë gojën e retorikën përplot patriotizëm, të bëra më tepër për nam se
sa për dashuri ndaj atdheut. Ai që e do atdheun, e dëshiron avancimin e tij, e
jo shkatërrimin. E si zë fill ideja nacionale te ne? Jo nëpër kabinete,
institute, në akademi, por nëpër kafene. Prandaj, edhe ideja nacionale,
patriotizmi i kafeneve mbetet brenda këtyre kornizave. Tek ne, më shumë zhvillohet
“luftë” ndaj njëri-tjetrit, se sa kreativitet për ti shpejtuar proceset përpara.
Dhe sa herë që të gjendemi në situatë të palakueshme, fajin ua adresojmë tjerëve,
në këtë rast, ndërkombëtarëve. Tani që fatin e kemi në duar tona, ku vallë do
ti adresojmë fajet? Mos vallë, do të ndodhë atëherë tension i përmasave të mëdha
nder shqiptare.
Prandaj,
idetë nacionale duhet të jenë të shëndoshë, të artikuluar qartë, me konsensus të
përgjithshëm nacional, nga dashamirët e
mendjet e ndritura të atdheut, të bëra dhe zhvilluara nëpër kabinete,
institucione, e jo dokrra rrugaçesh. Është koha, të arrijmë konsensus kombëtar në çështjet kruciale, jetike nacionale, ku
nuk duhet të kemi mospajtime, të kemi ndasi dhe përçarje. Koncepti nacional,
duhet të jetë i zhvilluar në premisa të artikuluara, që ndërlidhin kujtesën historike, me gjendjen e tashme
politike. Vetëm në ketë mënyrë, kombi ynë do të avancohet dhe do të ec krahas
kombeve të zhvilluara të familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës kemi qenë
qe dy mijë vjet.