E marte, 03.12.2024, 03:15 AM (GMT)

Mendime

Albana Melyshi Lifschin: Një firmë e madhe u hodh...

E marte, 03.07.2012, 06:54 PM


Një  firmë e madhe u hodh...

4 Korrik 1776 - Shpallja e Pavarësisë së SHBA

Nga Albana Melyshi Lifschin

Në 7 qershor 1776 Riçard Henri Li nga Virgjinia i ofroi Kongresit të dytë kontinental mocionin në të cilin nëpërmjet të tjerave thuhej se "kolonitë e bashkuara, janë dhe kanë të drejtë të jenë shtete të lira të pavarura, të shkëputura nga çdo detyrim me Kurorën Britanike."

Por përderisa ende shumë delegatë nuk ishin gati për një hap kaq drastik siç ishte ai i pavarësisë, Kongresi e shtyu vendimin edhe tre jave të tjera duke u dhënë kohë të mendoheshin. Ndërkohë Kongresi caktoi pesë delegatë për të hartuar projektin e Deklaratës se Indipendences, midis të cilëve Tomas Xhefersonin,( me i riu nga ta) e bashkë me të Xhon Adams, Benxhamin Frenklin, Roxher Sherman dhe Robert Livingston.

Tomas Xhefersonit i takon merita e Deklaratës se Pavarësisë së SHBA. Në deklaratë Tomas Xhefersoni pasi bënte analizën e pakënaqësisë së kolonive ndaj Britanisë së madhe rendiste arsyet që justifikonin shkëputjen e kolonive amerikane prej saj. Në Deklaratën e Pavarësisë thuhej se "qeveria egziston vetëm për të mbrojtur të drejtat e popullit dhe kur ajo dështon ...atëherë populli ka të drejtë ta heqë atë qeveri e të zgjedhë një tjetër që i përgjigjet aspiratave të tij"

Në mëngjesin e 1 Korrikut rezolucioni i Riçard Henri Li u lexua përsëri e u hodh për aprovim. Debate të zjarrta u bënë në datën 1 dhe 2 korrik. Në mbyllje të datës 2 korrik, përfaqësuesit e 12 kolonive u shprehën në favor të rezolutës së Riçard Henrit për shkëputje të kolonive nga Anglia. Atëhere deklarata e shkruar nga Tomas Xhefersoni u lexua edhe një herë dhe u analizua me kujdes pjesë pjesë. Me pak ndryshime të vogla deklarata u aprovua ashtu siç e kishte shkruar ai. Deklarata shpallte se " të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe nga Krijuesi u janë dhënë të drejta të pamohushme si jeta liria dhe kërkimi i lumturisë."Këto ishin të drejta themelore të cilat nuk mund tua merrte askush.

Në mbrëmjen e 4 Korrikut 1776, Kongresi Kontinental aprovoi Deklaratën e Pavarësisë me miratimin e 12 kolonive. Nju Jorku e shtoi votën e tij më vonë, kur përfaqsuesve të tij u erdhën udhëzimet.

Erdhi momenti i firmosjes. Firmosja kërkonte kurajo. Përfaqësuesit ishin të ndërgjegjshëm se me firmosjen e këtij akti, nëse Anglia do ta shtypte lëvizjen, ata kishin firmosur vdekjen e tyre. I pari që hodhi firmen ishte Xhon Henkoku (John Hancock) përfaqsuesi i Masaçusets. Ishte një firmë e madhe

"Në këtë mënyrë, mbreti s'do ketë nevojë të vërë syzet për ta parë" u shpreh ai pasi la penën.

Me firmosjen e Deklaratës së Pavarësisë nga përfaqësuesit e kolonive, më 4 korrik 1776, një shtet i ri, i pavarur u lind. Të trembëdhjetë kolonitë angleze krijuan Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësuesit e popullit, sipas fjalëve të Tomas Xhefersonit betoheshin se do ta mbronin pavarësinë me jetën e nderin e tyre. Kopjet e Deklaratës së Pavarësisë u nisën menjëherë për tu shpërndarë në të 13 kolonitë. Në datën 9 Korrik Deklarata e Pavarësisë mbërriti në Nju Jork. Ajo iu lexua trupave të gjeneral Uashingtonit dhe ushtarët duke thirrur "Urra" hodhën kapelet në erë. Atë natë statuja e mbretit Xhorxh III, në Bowling Green, në Menhet’n u rrëzua nga piedestali.

Për ironi të fatit, pikerisht në 4 korrik 1776, kur Këmbana e Filadelfias shënonte firmosjen e Deklaratës se Pavarësisë  nga perandoria britanike, mbreti i Anglisë, Xhorxh III, shkruante në ditarin e tij:

"4 korrik 1776. Asgjë me rëndësi"

Këtë lajm shumë të rëndësishëm, që përbënte një pikë kthese jo vetëm në historinë e marrëdhënieve të Britanisë së Madhe me Amerikën por edhe në historinë botërore, mbreti do ta merrte vesh dy muaj më vonë.

Pak fjalë  mbi Tomas Xhefersonin autorin e  Deklaratës së Pavarësisë

Në 1962, Presidenti Xhon Kenedi, gjatë një darke në Shtëpinë e Bardhë me një grupi fituesish të çmimit "Nobel", tha: Ky është koleksioni më i shquar, i talentit dhe kulturës njerëzore, që është mbledhur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë, me përjashtim të Tomas Xhefersonit që hante bukë veç"

Tomas Xhefersoni (Thomas Jefferson) ishte një nga idhujt politikë të Xhon Kenedit. Historian, arkitekt, avokat, muzikant, shkencëtar, filozof, diplomat, fermer, autor, guvernator i Virxhinias, sekretari i parë i shtetit amerikan dhe me vonë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishin tituj e ofiqe me të cilat ai u nderua gjatë jetës së tij. Por ajo që e ngre Xhefersonin mbi të gjithë të tjerët është autorsia e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (4 Korrik, 1776)

Si guvernator i Virxhinias ai filloi të zbatojë menjëherë parimet e Deklaratës, autor i së cilës ishte ai vetë. Si legjislator ai shkroi kushtetutën e shtetit të vet, siguroi lirinë e besimit duke i hequr statusin zyrtar kishës anglikane si e vetmja kishë, reformoi kodin kriminal dhe eliminoi ligjin që i jepte të drejtën fëmijës së parë për të trashëguar të gjithë pronën e familjes. Eliminimi  i tij bëri të mundur vendosjen e drejtësisë në familje dhe rriti numërin e pronarëve.

Në zgjedhjet e vitit 1800, Tomas Xhefersoni u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fjalimi i inagurimit të tij në 4 Mars 1801, sipas Xhon Kenedit ishte nga më të shkëlqyerit që është dhënë ndonjëherë nga presidentët amerikanë. Tomas Xherfersoni i bëri thirrje popullit amerikan për t'u bashkuar në një të vetëm, për të restauruar harmoninë e dashurinë pa të cilat liria dhe vetë jeta humbasin. "Le të bashkohemi me një mëndje e një zemër.  Mendimet e ndryshme nuk përbëjnë ndryshim në parime, … ne të gjithë jemi republikanë dhe të gjithë jemi federalistë " tha ai.

Si president, Xhefersoni u përpoq ta bënte qeverinë sa më pak të kushtueshme duke shkurtuar taksat, masën e ushtrisë etj. Gjatë tetë vjetëve të presidencës së tij, ai zvogloi debitin kombëtar në një masë të konsiderushme. Ai rivendosi aktin e shtetësisë për emigrantët nëpërmjet së cilës shtetësia amerikane fitohej brënda 5 vjetëve (gjë që është trashëguar deri në ditët tona). Talenti i jashtëzakonshëm i të shkruarit e ndihmoi Xhefersonin të spjegonte qëllimet e tij. Parimet e tij të shprehura në mënyrë elokuente nuk mbetën fjalë por u shëndruan në fakte nëpërmjet zbatimit të tyre në praktikë.

Nga natyra, Tomas Xhefersoni ishte modest. Ai besonte me sinqeritet që vlerat e njeriut nuk kanë nevojë për pompime e ceremoni të tepruara. Kur u bë president ai nuk ndoqi formalizmat e presidentit të mëparshëm dhe minimizoi efektet e jashtme ceremoniale formale në në pritjet e përfaqësuesve nga Evropa. Gjatë darkave ai i jepte krahun çdo zonje që rastiste të ndodhej pranë tij duke e vënë atë në krahun e djathtë. Zakonisht presidenti Xheferson jepte darka të vogla, jo ekstravagante, por për Vitin e Ri dhe Ditën e Pavarësisë, dera e Shtëpisë së Presidentit* ishte e hapur për të gjithë. Të gjithëve u rezervohesh e njëjta pritje, të pasurve e të varfërve. Në demokraci s'kish të trajtime të favorizuara. Të ftuarit mund të uleshin ku të dëshironin pa u kushtëzuar nga zgjedhjet paraprake. Gjatë punës, kur priste kongresmenë apo zyrtare të lartë, i priste ata sipas orës që arrinin në zyrën e tij, jo sipas rangut. "Parimi i shoqërisë sonë- thoshte ai, është të drejta të barabarta për të gjithë. Askush s'duhet të jetë mbi ju, apo ju mbi të tjerët."

Tomas Xhefersoni ishte një politikan i zoti. Ai njihte personalisht çdo kongresmen. Ai njihte jo vetëm pikëpamjet e tyre politike por edhe forcën apo dobësitë e karakterit të tyre. Pavarësisht në ishin republikanë apo federalistë, ai i bëri të gjithë bashkë pasi besonte se midis tyre nuk kishte diferenca të papajtueshme. Bashkimi i tyre në një kamp të vetëm e ndihmoi Xhefersonin të arrinte suksese në vitet e presidencës së vet e i dha një fitore të lehtë në zgjedhjet e dyta si president. Madje edhe Xhon Kuinsi Adams, i biri i presidentit të dytë i cili qe mundur në zgjedhjet presidenciale nga Xhefersoni, u bë xhefersonian. Por arritja më e madhe gjatë presidencës së tij ishte blerja e Luizianës nga Franca që zgjeroi territorin e SHBA dyfish. Në politikën e jashtme Xhefersoni nuk ishte dhe aq i sukseshem pasi duke u përpjekur ta mbante atë neutrale me Evropën, veçanërisht në periudhën e luftës Anglo-Franceze, kjo politikë e izoloi Amerikën nga tregjet ekonomike.

Në 20 vjetët e fundit të jetës së tij Tomas Xhefersoni jetoi në Monteçelo, duke u marrë me fermën e tij. Njerëzit e thërrisnin atë me respekt “Mënçuria e Monteçelos." Në shtëpinë e tij vinin vizitorë të panumërt dhe ajo i ngjante me shumë një hoteli se një shtëpie. Një nga vizitorët më të shquar të saj qe Markezi Lafajet që erdhi qëllimisht nga Franca të shikonte mikun e tij të vjetër në vitet e pleqërisë. Nga veprat më të fundit të Tomas Xhefersonit qe themelimi i Universitetit të Virxhinias më 1819.

Para së të vdiste Xhefersoni kishte lënë porosi që mbi varrin e tij të shkruhej:

Këtu është varrosur

THOMAS JEFFERSON

Autor i Deklaratës së Pavarësisë

dhe

Ligjit të Virxhinias për Lirinë e besimit

dhe

Babai i Universitetit të Virxhinias.

 

* atë kohë shtepia e bardhe quhej  'shtëpia e presidentit'

 

Nga libri i autores "Udhëtim në historinë e Amerikës", bot 2003, ribot.2006 dhe 2011

(Solli për botim në ZSh, redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora