E enjte, 01.05.2025, 07:32 AM (GMT+1)

Editorial

Arben Llalla: Lufta për të drejtën e trashëgimisë së Maqedonisë gjeografike

E premte, 29.06.2012, 04:15 PM


LUFTA PËR TË DREJTËN E TRASHËGIMISË SË MAQEDONISË GJEOGRAFIKE

(Gara e grekëve, serbëve dhe bullgarëve për të paraqitur sa më shumë popullsi të etnive të tyre gjatë shekujve të kaluar)

Nga Arben LLALLA

Shpeshherë historia na ofron gjëra të pashpjegueshme, ajo është një tunel i pafund, ku herë ka dritë për të shikuar të shkuarën dhe herë është errësirë, në shumicën e këtyre raste historianët dhe studiuesit na i ofron gjërat ashtu siç e kërkon politika fituese e kohës.

Historia në rastin e Maqedonisë Antike është burimi i konflikteve për të drejtën e trashëgimisë së saj. Kjo gjë, sot vazhdon ende të shfrytëzohet për të legjitimuar projektet politike dhe qëndrimin sa më gjatë në pushtet të atyre që çirren si trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të kombit të lashtë maqedonas dhe të Aleksandrit të Madh.

Që në kohët e lashta Maqedonia gjeografikisht ka pësuar vazhdimisht ndryshime duke përfshirë me këtë emër shtrirje të ndryshme gjatë periudhave historike. Pra, emri Maqedonia Gjeografike që nga kohët e lashta e deri më sot ka pësuar tkurrje duke e humbur madhështinë e saj. Pretendimet për emrin Maqedoni dhe historinë e saj që nga koha antike vazhdojnë të sjellin probleme historike dhe territoriale ashtu si në shekujt e mëparshëm. Prej kaq vitesh me emrin Maqedoni kemi tre territore: 1). Maqedonia greke, 2). Maqedonia bullgare, 3). Republika e Maqedonisë që është themeluar nga Tito më 1945, ku jetojnë rreth 2 milion banorë të etnive të ndryshme, pra një shtet shumë etnik.

Robert d’Angely, në librin Enigma shkruan se: “Thuhet se shteti me emrin Maqedoni është themeluar nga fundi i shek.IX para K., duke e zgjeruar hapësirën që shënonte emri i tij. Nën mbretërimin e Filipit II, atit të Aleksandrit të Madh, ai u shtri nga Mali Orbel te Mali Olimbit dhe nga vargmali i Pindit deri te lumi Nestos. Në epokën romake Maqedonia u përfshi në Illyricum. Dhe kjo ndarje nuk na duket arbitrare; ajo shpjegohet nga fakti se emri Illyricum përfshinte një popullsi homogjene, të përbërë në atë kohë vetëm nga pellazgë, që mbanin emra të ndryshëm si maqedonë, epirotë, albanë(toskë, etruskë dhe gegenë), dalmatë, dhe të tjerë ilirë, dhe flisnin po atë gjuhë: pellazgjishten ose shqipen”.

Akademiku Kristo Frashërit në një punimin e tij për Maqedoninë shkruan: “Në shek.I-II të erës sonë ekzistonin dy provinca romake me të njëjtin emër-Maqedonia e Parë(Macedonia Prima) me qendër Selanikun dhe Maqedonia e Dytë(Macedonia Secunda) me qendër Durrësin. Te vepra e gjeografit Aleksandrin të shek. II, Klaud Ptolemeu (Geographia, Libri 12), Maqedonia e Dytë, pra provinca e Durrësit shtrihej në veri deri në derdhjen e lumit Drin, në lindje përtej Liqenit të Ohrit deri te qyteti Heraklea i Lynkestëve, kurse në jug, përtej Vlorës deri në malet Akroceraune të Himarës. Më vonë, Maqedonia e Dytë u quajt provinca e Epirit të Ri (Epirus Nova) me qendër Durrësin dhe përfshinte, sipas njoftimeve që ndeshim në Notitia Dignitatum (III, 13) edhe një pjesë të Maqedonisë historike (Epirus nova et pars Macedonia Salutaris). Për këtë arsye, shpeshherë në burimet historike mesjetare, savante europiane, Arbëria është identifikuar me Maqedoninë (Albania sive Macedonia) dhe shqiptarët e provincës së Durrësit, janë quajtur maqedonë. Përkundrazi, banorët sllavë pasi u vendosën në Maqedoni në fillim u quajtën skllavinë dhe më vonë bullgarë, kurse vendi i tyre në fillim Skllavini dhe më vonë Bullgari. Është e vërtetë se herë pas here emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur, por zhvendosja ka ndodhur kryesisht drejt Lindjes deri në Selanik e përtej dhe asnjëherë drejt veriut, në kurriz të provincës së Dardanisë”.

Me Maqedoninë e vjetër, lidhen vetëm shqiptarët. Emri Maqedoni nuk është me prejardhje sllave në masën që nuk ka origjinë greke. Personazhi eponim i Maqedonisë, Maqedoni (emrin e të cilit e mban Maqedonia) është bir i “Ilirit Lykaon”). (p.Grimal, 1951), pra birit të pellazgëve, emrin e të cilit mban populli pellazg.

Ajo që bie në sy, sipas të gjitha burimeve të mitologjisë greke, pellazgët nuk kanë kurrfarë lidhje etnike me helenët apo me ndonjë popull tjetër. Kurse ilirët lidhen aq shumë etnikisht me pellazgët, sa disa autor marrin shpesh pellazgët për ilirë, ose anasjelltas.

Profesori i historisë në Universitetin Franche-Comtesë Arsim Spahiu për çështjen e Maqedonisë thotë: “Grekët e parë, kur erdhën në Ballkan (shek.XVIII-XVII para e.s), e kanë gjetur vendin të banuar nga popujt joindoevropian, të mbizotëruar nga pellazgët. Emrat e qyteteve si Athina, Teba etj., dhe toponime të tjera të Maqedonisë, si dhe të krahinës që më vonë ka marrë emrin Helladë, apo Greqi, shpjegohen jo vetëm me mitologjinë dhe letërsinë e Greqisë së vjetër, por edhe me mitologë, mitolografë dhe historian modernë.

Sipas albanologëve të mëdhenj, ndër të cilët shquhen Taul Kretschmer, Norbert Jokl dhe Eqerem Çabej etj., Maqedonia bën pjesë në territorin e formimit të gjuhës shqipe. Ndër burimet e pakta historike mund të zgjerohet rrethi i të dhënave të duhura me të dhënat toponimike.

Ndryshimi më i dukshëm ndër popujt e Maqedonisë vihet re mes shqiptarëve dhe sllavëve maqedonas: ndërsa të parët gëzojnë lidhje etnike me pellazgët, të cilët kanë populluar Maqedoninë që në mijëvjeçarin e tretë para e.s., sllavët janë dukur në veri të Rumanisë dhe të Hungarisë në Shek.VI-VII para e.s., dhe kanë zbritur pas disa shekuj deri në Maqedoni”.

Ambasadori amerikan në Ballkan(Greqi dhe në Mal të Zi) më 1914, George Fred Williams, do të shkruante për shqiptarët: “Shqipja qe gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake. Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedisë, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Evropian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në token Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë”.

Me pushtimin e Ballkanit nga Perandoria Osmani ndryshoi edhe harta etnografike e Maqedonisë. Shqiptarët në rreth 70% përqafuan islamin, ndërsa ata shqiptar që mbetën ortodoks dhe katolik mbetën në mëshirën e fatit përballë presioneve për asimilim nga grekët dhe sllavët. Turqia Osmane ju dha shumë të drejta grekëve, serbëve, bullgarëve, vllehve, hebrenjve të cilët i përkisnin besimit fetar ortodoks. Ata gëzonin të drejtën e shkollimit në gjuhët e tyre amtare dhe të drejtën e gjuhës në kishë, vetëm shqiptarëve nuk ju dha e drejta e hapjes qoftë të ndonjë shkollë në gjuhën shqipe edhe përse ata ishin ushtarë të denjë të Perandorisë Osmane.

Rritja e nacionalizmit Evropian të shek. XVIII, çoi në zgjerimin e idesë Greke në Maqedoni. Shtylla e saj kryesore gjatë shekujve të sundimit osman ishte popullsia greke në Maqedoninë jugore. Nën ndikimin e shkollave greke dhe Patriarkanës së Stambollit (Kostandinopojës) grekët filluan asimilin e ortodoksëve sllavë, shqiptarë dhe vllehve në territoret urbane duke u shqyer tek këta të qenit qytetar me kulturë greke. Gjuha greke u bë një simbol i qytetërimit dhe mjeti themelor i komunikimit ndërmjet ortodoksëve. Procesi i greqizmit ishte përforcuar gjithnjë e më shumë pas heqjes së Kryepeshkopatës Bullgare të Ohrit në vitin 1767. Megjithatë varfëria e fshatarësisë ortodokse dhe mungesa e udhëzimeve të përshtatshme në fshatrat e Maqedonisë u shmang mundësia e greqizmit të plotë të këtij rajoni.

Sllavët në Maqedoni vazhdonin ta quanin veten bullgarë gjatë katër shekujve të parë të sundimit osman dhe u përshkruan si të tillë nga historianët osmanë. Gjuha sllave u ruajt në mjediset e disa manastireve duke qëndruar e pathyeshme përballë propagandës fetare të ortodoksizmit grek. Epërsia e bullgarizmit të Maqedonisë filloj pasi u themelua Patriarkana bullgare më 1870.

Procesi i greqizmit në fillim të shek.XIX, kishte prekur vetëm një pjesë të kufizuar të popullsisë. Rilindja Bullgare në mesin e shek.XIX ishte shumë e shkurtër për të formuar një ndërgjegje të plotë bullgare përballë përfitimet financiare të dhënë nga propaganda greke dhe serb. Shpeshherë fshatra të tëra e ndryshonin kombësinë dhe shtetësinë e tyre në greke, serbe dhe bullgare në pak vite.

Shqetësimet për Maqedoninë dhe banorët e saj, u shfaqën dukshëm nga sllavët pas afrimit të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Serbisë edhe pasi fillon rilindja kombëtare bullgare. Tendencat e dy qeverive, bullgare dhe serbe, u përplasën mbi terrenin perëndim-verilindje e asaj që ata e quanin Maqedoni, domethënë në krahinat lindore dhe verilindore të Shqipërisë. Pra, fronti i një lufte gjithnjë e më të ashpër sapo kishte filluar të shoqëruar me propagandë, literaturë dhe etnografinë e Maqedonisë.

Nga fundi i shek.XIX Greqia, Serbia dhe Bullgaria financonin njerëz të cilët merreshin për të përpunuar të dhëna rreth gjetjeve të rrugëve nga do të kalojë ushtria, fshatrat, numrin banorëve, etninë dhe besimin fetar të tyre. Pra, parapërgatitje të terrenit për luftën që do ti shpallej Perandorisë Osmane për zgjerimin e territoreve të tyre në të ardhmen. Këta misionar mundoheshin që të ulnin numrin e popullsive të tjera dhe rritnin numrin e popullsisë së tyre, pra gara për të paraqitur sa më shumë banorë të etnisë serbe, bullgare dhe greke sapo kishte nisur.

Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktati i Shën Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive Evropiane të cilat bënë traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit Bullgar të projektuar dhe vuri në heshtje kërkesat e Rusisë për të pasur një port në detin Mesdhe. Serbia, Rumania dhe Mali i Zi u shpallën shtete të pavarura. Një hartë e kohës së fundit do të tregojë se traktati e la një copë të Ballkanit akoma nën sundimin turk, e cila shtrihej prej Adriatikut deri në Stamboll dhe përmblidhte Bosforin, Selanikun, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Skllavëria dhe robëria e të shkretës Shqipëri nuk u bisedua, kjo ishte viktima e parimit të kësaj diplomacie të Evropës.

Vendimi në Kongresin e Berlinit për të lënë Maqedoninë brenda kufijve të Perandorisë Osmane u kthyen shpejt në zonën e kontestit mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Lufta e pamëshirshme, e qasjeve propagandistike nxitën më shumë dhunën dhe pamundësinë e fuqive të mëdha për të siguruar një zgjidhje të kënaqshme dhe përfundimtare për territorin e Maqedonisë, ndryshe nga shumica e territoreve të diskutueshme të cilat u zgjidhën përfundimisht.

Maqedonia ishte një çështje e bindjeve politike dhe përfitimeve financiare, të asaj që u konsiderua si politikisht korrekt në kohë të caktuar. Shumë diplomatë dhe udhëtarët rusë e perëndimore kanë përcaktuar si maqedonas banorët sllavofonas, por duke shënuar se ju mungon një ndërgjegje kombëtare të përshtatshme.

Përpjekjet serbe vazhdonin propagandën dhe veçanërisht puna e Cvijiç kishte arritur të ushqente në mënyrë të vendosur konceptin e sllavëve maqedonas në opinionin publik Evropian dhe emri sllavo-maqedonas gjeti përdorim të gjerë në ato vite. Por edhe bullgarët nuk kishin mbetur mbrapa me propagandën e tyre për popullsinë bullgare në Maqedoni. Studiuesit pro-bullgarë si H. Brailsford dhe N. Forbes argumentonin se sllavo-maqedonasit janë bullgarë dhe jo serb për nga kultura dhe gjuha

Studiuesit sllavë dhe grekë që u morën me etnografinë e popullsisë së Maqedonisë Gjeografike të Perandorisë Osmane në shpërbërje nga viti 1880 e deri në përfundimin e luftërave Ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore, kanë përdorur haptazi trukun e vjetër duke i njësuar me vetëdije shqiptarët myslimanët shqiptar si turq, ndërsa shqiptarët e krishterë si grek. Kjo metodë ishte mjaft e njohur për ato vite në Ballkan dhe qëllimi për ti identifikuar shqiptarët mysliman si turq kishte synimin për të përhapur tezën se shqiptarët janë të huaj në Ballkan, ata janë të ardhur nga Azia, vend në të cilin duhen të kthehen përsëri pas shpërbërjen së Perandorisë Osmane. Ndërsa për shqiptarët ortodoks u mbetej për të mbijetuar vetëm rruga e asimilim në grek ose sllavë. Teoria që shqiptarët mysliman duhen përzënë për në Turqi deri diku u zbatua në terren hapur me nënshkrimin e Traktatit të Lozanës më 30 janar 1923, për shkëmbimin e popullsisë greke dhe turke, dhe kundrejt deklaratës së delegatit grek i cili tha se Greqia nuk kishte qëllimin të kryente ndonjë shkëmbim të myslimanëve me prejardhje shqiptare që banonin në një rajon të papërcaktuar, mijëra shqiptar mysliman përfunduan dhunshëm në Turqi.

Grekët ishin të etur ta hiqnin qafe pakicën shqiptare myslimane brenda kufijve të tyre, ndërsa elementin shqiptar të krishterë ajo do ta asimilonte në njëfarë shkalle në mënyrë që pretendimet e Shqipërisë për territorin shqiptar që Greqia i kishte marrë më 1913 mund të binin në heshtje. Turqia, që e kishte përkrahur shkëmbimin, kishte për qëllim të rimëkëmbte popullsinë e saj, të pakësuar nga lufta me Greqinë, dhe nuk pritej që ajo të refuzonte myslimanët, për më tepër, prona që ata linin pas u bë një pasuri në llogari të saj me Greqinë.

Pak vite më vonë, më 1938, Turqia do të nënshkruante me mbretërinë e Jugosllavisë Konventën për dëbimin e shqiptarëve mysliman nga kjo mbretëri për në Turqi. Ata ranë dakord në një afat prej gjatë viteve të zhvendosen 40 mijë familje shqiptare nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi në zona të zbrasta të Anadollit.

Si pasoja të pastrimit etnik afatgjatë dhe kolonizimit të hapësirave shqiptare në Ballkan, ka ardhur deri te ndryshimeve të rëndësishme në strukturën etnike të popullatës. Për shkak të zbatimit të masave të dhunës të grupeve etnike ndër vite raportet e etnive mbeten të tensionuara veçanërisht ndërmjet vendaseve, shqiptarëve dhe kolonialistëve sllavë, serbëve, malazezëve, sllavo-maqedonasve, që sollën deri në luftërat ndër etnike në vitin 1999 në Kosovë, 2000 Preshevë-Medvegje-Bujanoc dhe 2001 në Republikën e Maqedonisë-FYROM.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx