E enjte, 01.05.2025, 10:05 AM (GMT+1)

Editorial

Lavdrim Lita: Humnera e trishtimit

E marte, 22.05.2012, 06:22 PM


Humnera e trishtimit 

Nga Lavdrim Lita

Gjithë Shqipëria mbajti frymën pasditen e djeshme. Një tragjedi e tmerrshme, për aq sa dihet, e pashpjegueshme. Një zbraztësirë në viset e relievit malor jugor mori në një aksident jetë njerëzish. Një autobus i nisur nga Elbasani për në Sarandë humbi kontrollin pranë qafës së Vishës duke rënë kështu në humnerën e thellë. Numri i vdekurve mbi dhjetë dhe i të plagosurve sa vjen e shtohet. Janë studentë të universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, nga fakulteti i Gjuhë-Letërsisë, që po shkonin për një ekskursion dy ditor. Qytetarët janë tronditur pas mësimit të lajmit. Të gjitha familjet që kanë pasur fëmijët në universitetin Elbasanit kanë nxituar të telefonojnë të dashurit e tyre. Shumë studentë u janë përgjigjur telefonatave, por jo disa prej tyre, sidomos panafakët që ishin në udhëtimin tragjik për në Sarandë. Një ngjarje e dhimbshme. Ngushëllime.

Ne nuk dimë të sillemi përballë tragjedish e ngjarjesh të rënda. Nuk ka shkallë për dëshpërimin, sepse dëshpërimi është shkalla e ekstreme e dhimbjes. Por nëse do të ekzistonte një shkallë, kjo do të ishte në majë: një hekatombë me 12 studentë, vitalë e festues, që shkonin për një ekskursion përpara hapjes së sezonit të provimeve përfundimtare. 12 vdesin përnjëherë, disa hyjnë në koma, disa të tjerë janë të plagosur rëndë. Është një nga ato skena për të cilat nuk ka përgjigje në tokë, prandaj të bëjnë të ngresh sytë nga qielli. Njeriu nuk është i bërë për t’i mbijetuar vdekjes së fëmijës së tij, vdekja e fëmijës është një përmbysje e natyrës. Dhe këtu ka ndodhur një përmbysje jo natyrore për dhjetërave familje. Sigurisht për këto familje të prekura nga zia ekzistenca nuk do të jetë njësoj si më parë. Jetën e tyre do të pësojnë një devijim. Duke ndodhur në një moment, tragjedia do të ketë konsekuenca  përgjithmonë.

Sytë tanë dritëshkurtër që u mundën të shikonin në medie, nga pamundësia për të kuptuar janë të trishtueshëm në thellësi. Sa herë kemi dëgjuar për një automjet anonim si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, defekt teknik, për shkak të mjegullës, nga dehja, nga pirja e narkotikëve, apo pagjumësia etj. ka humbur kontrollin e për pasojë ka rënë në humnerë. Nga aksidenti kanë gjetur vdekjen e menjëhershme filan fisteku, e kështu më radhë. Në vendngjarje, mbërriti policia (e autoambulanca, helikopteri) cili ka kreu veprimet e para hetimore, nga ku rezultoi se shkak i këtij aksidenti, mendohet të ketë qenë…kronikë e zezë.

Tragjeditë përsëriten, kudo. Më parë kemi pasur humbjen e jetës së nxënësve nga Kosova, 8 vjet më parë, si  dhe  tragjedinë në Fushë Arrëz dy vjet më parë, ku një autobus i linjës i nisur nga Durrësi doli nga rruga, duke rënë në humnerë, me pasojë humbjen e 13 jetëve dhe 12 të plagosurve. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë ndodhin tragjedi të tilla, mjaft të kujtojmë tragjedinë e humbjes së jetës së 22 fëmijëve në Belgjikë, ku autobusi u përplas brenda një galerie. Ashtu si në Belgjikë, edhe sot në Shqipëri, njerëzit pyesnin kush ishte perëndia në ato momente?!!

Si gjithmonë patën dhe kësaj radhe spektakolarizimin e dhimbjes me televizionet informative 24 orë, duke u  kapur me një gjetje të pakuptueshme për t‘i larguar reflektorët nga dhimbja e për t‘i drejtuar gjetkë, tek demonstrimi i saj.

Por sa vlen reflektimi mbi jetën dhe vdekjen kur mëson për humbjen e tjetrit? Janë shumë gjëra që na nevojiten në këto momente. Me të vërtetë, jemi të varfër brenda këtij trishtimi dhe hutimi që na ofron një teknologji e informacioneve të njëpasnjëshme, që nuk na lejon të përqendrohemi seriozisht në dhimbje. Të tjerët krijojnë një kaos të kotë mendor që përfundon në mënyrat e njohura, që përdoren sot për të karakterizuar filozofinë e vdekjes dhe jetës.

Nëse ka ndonjë përvojë që, gjatë gjithë historisë dhe në të gjithë botën i lidh njerëzit me njëri-tjetrin, kjo është vdekja. Vdekja është diçka që të gjithë do ta përballojmë: s'ka as ushtrim, as regjim ose dietë, as teknikë meditimi, as ndonjë sasi parash që mund ta shmangë atë. Ajo është barazuesja e madhe.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx