Editorial
Gjon Neçaj: Intelektualët e rinj dhe diversiteti
E hene, 14.05.2012, 06:03 PM
INTELEKTUALËT
E RINJ DHE DIVERSITETI
Nga Gjon NEÇAJ
Ne jemi ndër vendet e pakta të demokracive perëndimore, ku rinia nuk ka asnjë lloj roli në vendimmarrje, si dhe nuk përbën forcën rinovuese të vendit, po tenton të largohet nga atdheu.Të rinjët që kanë studiuar duke investuar mundin e tyre familjet shqiptare, me sakrifica dhe vështirësi të shumta financiare, ku janë vlerësuar vlera të larta intelektuale, me nivele të lakmueshme edhe në fushën e formimit akademik, si dhe me aftësi të jashtëzakonshme integruese në jetën e shoqërisë së vendit, nuk vlerësohen dhe përkrahen as nga shoqëria as nga organizmat shtetërore.
Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tjera perëndimore por, akoma, në ditët tona, kjo dëshirë dhe nevojë nuk është realizuar duke na lënë në një faze ndërmjetëse që jemi mësuar ta quajmë tranzicion.
Në Shqipëri,
me të vërtetë u rrëzua rrëgjimi komunist
këtu e dy dekada më parë, si dhe u ndërrua
fytyra e formës qeverisëse, por pak
ndryshoi modeli, duke mbetur në modelin
e “vjetër” në formën e të vepruarit dhe të qeverisurit. E për këtë fajtore është
klasa politike shqiptare.
Prandaj, krahas impenjimit me përkushtim në thellimin e reformave në vend,
për të dalë nga tranzicioni vendi ynë ka
nevojë për një frymë të re, për një mentalitet
të ri qeverisës të personifikuar me demokracinë moderne perëndimore. Frymën e
re dhe mentalitetin e ri askush nuk e përfaqëson më mirë se rinia që po
shkollohet duke marrë eksperienca të drejtpërdrejta akademike dhe jetësore në demokracitë
perëndimore.
Prandaj, kjo rini që mbart vlera përparuese, zhvillimi dhe demokratizuese, duhet jo vetëm të vlerësohet, ashtu siç e meriton nga politika dhe shteti shqiptar, por edhe të përkrahet dhe të mbështetet për t’i dhënë hapësirat e domosdoshme, ku mund të jap ndihmën e saj për të bërë të mundur daljen e vendit tonë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur.
Të rinjtë shqiptarë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, nuk duhet ta lëmë fatin e atdheut në dorën e një klase poltike të demoduar e jashtë mode, që nuk mbart asnjë vizion modern në mënyrën qeverisëse dhe në thellimin e reformave integruese.
Ne duhet
të jemi të vendosur dhe të bindur se vendi ynë meriton të jetë si vendet e
tjera në Europë, duke qënë të rinjtë intelektualë
ata që do ta çojnë Shqipërinë, atdheun e tyre në vizionin e shekullit të ri, me
ndryshim nga paraardhësit e tyre, të një politike ndryshe, por sigurisht duke u
përkrahur nga shoqëria dhe opinioni mbarëpopullor.