E shtune, 27.04.2024, 05:43 PM (GMT+1)

Editorial

Lis Bukuroca: Ja pse duhet ndryshuar himni

E hene, 23.04.2012, 05:09 PM


Ja pse duhet ndryshuar himni

Nga Lis Bukuroca

A diskriminohet gruaja shqiptare në himnin kombëtar? Jo! Për t’ u diskriminuar duhet së pari të ekzistojë njeriu. Gruaja shqiptare nuk diskriminohet në himn, por i mohohet ekzistenca. Në himn ne jemi komb vetëm mashkullor. Në himnin e flamurit i mohet ekzistenca asaj, që kishte qëndisur flamurin. Por, pse u çnjihet  kjo e drejtë Elva Tares, Elsa Ballaurit  e Valbona Karakacit dhe grave tjera përfshirja në këngën e vetme, që është kodifikuar në kushtetutë, u arsyetua në shumë mënyra, u përligj me traditën, me të drejtën e autorit dhe u thanë shumë mendime me prejardhje dhe bindje heterogjene...

Austriakët e ndryshuan himnin se nuk dëshironin ta diskriminojnë gruan austriake apo për të mënjanuar një ndjenjë dhe një mundësi të tillë. Në himnin gjerman shkruan në mashkullore dy herë të bashkohemi vëllazërisht dhe dy herë kemi refrenin: “gratë gjermane, besnikëria gjermane. “ Asnjë fjalë për burra apo trima mashkullorë. Herë pas here kanë luftuar edhe gjermanët. Gratë gjermane nuk kanë marrë pjesë drejtë për drejtë në luftë, por gjermanët nuk u mohojnë grave të veta: nënave dhe motrave kontributin në shoqëri. Pse? E thjesht, himni nuk këndohet vetëm gjatë shkuarjes në luftë, mund të jetë njëra ndër arsyet. Ndoshta edhe pse paqja zgjat më shumë se lufta. Edhe këta dy popuj kanë pasur traditë diskriminimin, por nuk dëshirojnë ta helmojnë ashtu edhe brezin e ardhshëm. Për shumë veta tek ne, gjermanët dhe austriakët janë të prapambetur pse i duan gratë, nënat dhe bijat e veta, edhe me himn.

Kombi jonë për fat të mirë posedon edhe gra. Pas debatit televiziv tek “tonight Ilva Tare”, tek “oranwes”, nuk mund të thuhet më se himni duhet modifikuar, përmirësuar, por duhet zëvendësuar me një himn shqiptar. Mbetja e këtij himni, i përshtatur në shqip nga Asdreni, nga një poezi rumune, duke cenuar të drejtën autorit rumun, është një dëftesë e mjerimit intelektual shqiptar. Nëse Turqia paska pasur apo ka një himn shkruar nga një shqiptar, kjo mund të arsyetohet; ishim qytetarë të saj, por poeti rumun, nuk ka qenë kurrë qytetar i Shqipërisë. Për ta vlerësuar drejt himnin, nuk duhet gjykuar me emocione, por duhet të vendosë mendja e shëndoshë, jo duke e dëgjuar në një rast solemn dhe duke u ndikuar nga turma dhe shpirti i saj, por duke përpunuar semantikën e tij. T’ i lexojmë së bashku vargjet, dhe të shohim kuptimin e tyre, në këtë mënyrë kuptojmë edhe kohën, që e solli dhe koha që e pranoi dhe arsyen:

“Rreth flamurit të përbashkuar; Me një dëshir` e një qëllim,

Të gjith` atij duk` ju betuar; Të lidhim besën për shpëtim.”

Tek strofa e parë gati-gati mund të supozohet se kushtrimi vlen për të gjithë, por në vargjet më poshtë, shihet se me “të gjithë” mendoheshin vetëm burrat, sepse gratë nuk përfshiheshin askund në jetë. Ishte kohë kur fëmija nuk përqafohej, ishte kohë kur gruaja blihej e shitej, ishte kohë kur rrahja e gruas konsiderohej trimëri. Ishte kohë kur vrasja e njeriut quhej krenari: Kohë kur mësohej smira, hakmarrja, xhelozia, urrejtja, gjinofobia, mizogjinia, kurse dashuria konsiderohej krim dhe vepër penale...Edhe pse strofa e parë është e vetmja, që mund të konsiderohet e pranueshme, ky himn, me këtë tekst, nuk është himn kombëtar, por himn mashkullor, tej për tej. Të shohim më poshtë:

„Prej lufte vec ay largohet; Që është lindur tradhëtor“

Poezia rumune, e përshtatur nga Asdreni, presupozon se njerëzit mund të linden edhe tradhtarë. Bazuar në atë varg, shkencës i mbetet ta konstatojë këtë dhe t’ u bëhet analiza e gjakut foshnjave, pastaj e gjeneve dhe kështu, pasi të rriten, të përjashtohen nga politika shqiptare. Në anën tjetër, ata që nuk marrin pjesë në luftë, mund të arsyetohen shumë lehtë me fatalizmin: nuk i kanë fajet, kanë lindur tradhtarë! Ata nuk kanë pasur mundësi të zgjedhin. Ashtu si nuk ka njeriu faj pse lindet europian, aziat apo afrikan. Shkenca mirëpo thotë se njeriu nuk lindet as tradhtar, e as patriot, e as me identitet, por vetëm njeri. Dhe, siç kemi parë në Kosovë, një pakicë merr pjesë në luftë aktive, kurse himni jonë thotë se të gjithë burrat, që largohen nga lufta, janë ata që kanë lindur tradhtarë. Pra, pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës e moshës madhore, ka lindur tradhtarë. Bukur shumë! Pjesa e madhe e shqiptarëve në Shqipëri, që nuk ka luftuar, ka qenë tradhtare, me një përjashtim eklatant: Ahmet Zogun. Qeveria e sotshme e konsideron hero, në kundërshtim me himnin, edhe pse i pari ka ikur nga lufta. Mrekulli! Të vazhdojmë tutje:

“Kush është burrë nuk frikohet, po vdes, po vdes si një dëshmor!“

Pra burri nuk frikohet si Zogu, sepse nuk është grua dhe nuk shkon në luftë për të fituar dhe mbijetuar, por për të vdekur.“Po vdes, po vdes si një dëshmor.” Domethënë duhet të vdesin të gjithë burrat, që nuk duan të stigmatizohen si tradhtarë.  Dhe, nëse të gjithë burrat kanë pasur fatin të linden patriot, e jo tradhtarë, atëherë grave dhe fëmijëve,  u mbetet t’ i nderojnë ata dëshmorë dhe pasi të kenë rënë të gjithë në luftë, siç porosit himni,  atëherë pushtuesi mund të kthehet pa pengesa, sepse himni shumë i dashur, nuk është kushtrim për të shkuar në luftë dhe për të fituar, si origjinali në rumanishte, por për të vdekur. Dhe, meqenëse ai që është burrë edhe vdes, në paqe mbetet të qeverisemi nga tradhtarët, sepse vetëm këta mbijetojnë. Ai që nuk shkon në luftë është tradhtar, por ai që shkon, duhet edhe të mos kthehet i gjallë, “por vdes si dëshmor!”

Të vazhdojmë tutje me himnin e shenjtë:

„Në dorë armët t'i mbajmë, Mbrojmë Atdheun në çdo kënd,

Të drejtat tona ne s'i ndajmë; Këtu armiqtë s’ kanë vënd“

Në debatin televiziv u tha se “Të drejtat tona nuk i ndajmë” përligj mosndërhyrje në himn. Kjo u kundërshtua bindshëm. U krijua përshtypja se gabimi u kuptua, por më vonë u shfaq përsëri si argument. Aty shihet qartë se Asdreni nuk u referohej grave, por u drejtohej armiqve të mundshëm. Nëse shkëputet vetëm si varg jashtë kontestit, atëherë ky varg ka këtë kuptim: Ne burrat trima, që luftojmë për atdhe dhe që vdesim si dëshmorë, kemi lindur patriotë, të drejtat tona nuk i ndajmë me gratë, e pse? Sepse ne kemi luftuar deri sa gratë tona ishin duke vallëzuar nëpër dasma! Ne të drejtat tona nuk i ndajmë as me gratë tona, as me nënat tona, as me bijat tona, as me motrat tona, as me armiqtë tanë. E pse? Sepse ne aty-këtu perceptojmë gruan ashtu si edhe armikun! E kemi traditë! Jo shqiptare, por osmane!

Nejse, të vazhdojmë tutje dhe të shohim ç’ ka paska thënë Zoti dhe çfarë ploje paska paraparë:

„Se Zoti vetë e tha me gojë, Që kombet shuhen përmi dhe,

Po Shqipëria do të rrojë; Për të, për të luftojmë ne!“

Kjo këngë na “ngushëllon” edhe me një parashikim të madh: Zoti i paska çuçuritur në vesh Asdrenit dhe i paska thënë këtë: Do të vija dita, dita kur kombet do të zhduken, por vetëm ju shqiptarët do të mbijetoni. Mjerë ata që kanë lindur: italian, gjerman, amerikan, arab, hebre, e kinez! Zoti e paska thënë me gojën e tij. Zoti i kishte diktuar Asdrenit dhe ai vetëm e kishte skalitur. Racizmi nuk ka brirë. Nëse kjo nuk është racizëm, atëherë mund të thuhet se ai nuk ekziston. Se ishte raciste, pata vënë re kur shkrova artikullin e parë, jo më herët. E paska konstatuar më herët Kadare dhe tani nuk prish punë të vihet gishti edhe një herë mbi këto vargje të çuditshme, që i paska kënduar Zoti. Himni jo vetëm se mohon ekzistencën e grave shqiptare, por parashikon edhe vdekjen e të gjitha kombeve. Madje parashikon edhe zhdukjen tonë: Nëse lindemi të gjithë si atdhetarë, të gjithë shkojmë në luftë dhe duhet të vdesim të gjithë, sepse kush është burrë vdes dhe bëhet dëshmor. Bukuri, por të ecim tutje me flamur duke kënduar këngën raciste, kërdiparashikuese dhe kobzeze:

“Trim, burrë quhet dhe nderohet, Atdheut kush iu bë theror;

Për jet` ay do të kujtohet; Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!”

Tani përpiqet t’i  motivojë shqiptarët për luftë  dhe përsërit mendimin e mëparshëm, se “trim e burrë” mund të quhen vetëm ai që flijohet. Dhe merrni me mend psikikën e një nxënësi i cili me një nxënëse mëson këtë poezi, ku atij i ngulitet në kokë, se vetëm të qenit burrë, ka vlerë dhe mbivlerë?! E ç’ ka mendon nxënësja? Se ka lindur me gjini të gabuar apo të pa përshtatshme për këtë vend!

Po pse i paska pëlqyer popullit kjo poezi? Populli nuk ka pasur mundësi të zgjedhë një tjetër. Populli nuk ka vendosur për këtë. Popullit i pëlqen gati çdo këngë, që këndohet në raste solemne, e pse? Sepse ai beson se ata që kanë zgjedhur pikërisht këtë, kanë bërë zgjedhjen më të mirë. Kur të kihet parasysh koha, atëherë mund të arsyetohet pse himni nuk thërret për ta fituar luftën, por për të vdekur. Vdekja konsiderohej sublime, burrërore, madje qefini mbahej edhe në kokë...

T’ i kthehemi debatit dhe të shohim pse gratë nuk mund të përfshihen në këtë antipoezi të mjerë, që nuk nderon as Asdrenin, as poetin rumun, e as himnin shqiptar, as Kushtetutën Shqiptare. As ata që luftojnë për ta mbajtur për shkak të utilitarizmit apo psikologjisë hedoniste mashkullore.

Në bazë të debateve dhe mendimeve të shprehura nëpër intervista mund të shkoqitet kjo e vërtetë e madhe: himni është një përshtatje nga një poezi rumune dhe të gjithë e konsiderojnë artistikisht të pavlerë. Për përshtatjen ditkan të gjithë, por në asnjë libër shkollor, nuk tregohet kjo e vërtetë. Kështu edukojmë edhe nxënësit. Vjedhjen e pronës intelektuale e quajmë përshtatje, vjedhjen materiale: Marrje! Dezertimin e Zogut, largim. Përshtatja është një shprehje kurtuazie, për ta fshehur plagjiaturën. Sikur ta kishte ditur këtë poeti rumun, do të kishte pasur të drejtë të revoltohej, të alarmohej, sepse ka strofa që janë njënjë në shqip dhe në rumanisht. Nëse ka ditur për kopjimin, duhet dokumentuar këtë:

Ja origjinali i poezisë rumune marrë nga gazeta“Sot“:

Në luftën e rëndë trembet ay, Që vetë është mendje-arratisur, Po ne të bashkuar në çdo kohë

Do jemi, do jemi mundës, Dhe në librin e përjetësisë shkruan, Se shumë kombe do humbasin,

Po Rumanija jonë e Shtrenjtë, Përjetë, përjetë do lulëzojë, O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,

Te ty betohemi këtu, Për Rumaninë,`atdhen` e shtrenjtë, Për nder` edhe lavdin` e tu. Trim, burrë quhet dhe nderohet, Atdheut kush iu bë theror; Për jet` ay do të kujtohet,Mi dhet, mi dhe si një shenjtor.

Ja versioni i Asdrenit:

Prej lufte veç ay largohet, Që është lindur tradhëtor, Kush është burrë nuk frikohet,

Po vdes, po vdes si një dëshmor! Se Zoti vetë e tha me gojë, Që kombe shuhen përmi dhe, Po Shqipëria do të rrojë; Për të, për të luftojmë ne! O flamur, flamur, shenj` e shenjtë, Te ty betohemi këtu, Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë, Për nder` edhe lavdimn` e tu. Trim, burrë quhet dhe nderohet, Atdheut kush iu bë theror; Për jet` ay do të kujtohet, Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!

E lexuat? E kuptuat? Në origjinalin rumun, atdhetari shkon në luftë për të fituar, në himnin shqiptar për të vdekur. Tek rumunët kush nuk merr pjesë në luftë, është i krisur, tek ne është i lindur tradhtar. Në poezinë rumune në librin e përjetësisë shkruan: shumë kombe do të humbasin, himni shqiptar i përshtatur nga Asdreni, thotë: kombet do të shuhen. Jo disa, por të gjithë! Në vargje tjera, sipas dëshirës së Zotit dhe Asdrenit, i pari komb që shuhet, është kombi rumun, nga morëm himnin dhe zëvendësohet me kombin shqiptar.

Nga këto vargje shihet se poezia rumune nuk është përshtatur në shqip, por ka vargje të tëra të kopjuar. Pyetja shtrohet tani kështu: A duhet mbajtur një himn rumun? Përgjigja e parë është, po. Duhet mbajtur sepse një himn i kopjuar dhe i shenjtëruar edhe në kushtetutë, ka krijuar traditë dhe ne rrëqethemi kur e dëgjojmë. Mirëpo, nuk dihet akoma pse rrëqethemi: Pse e kemi vjedhur apo pse kemi frikë se mund të zihemi me presh në dorë?! Nëse në Kushtetutë mund të kemi diçka të përvetësuar padrejtësisht, pse nuk duhet të vjedhin edhe politikanët, kur kjo fisnikërohet nga libri i parë i shtetit? Meqenëse është shenjtëruar, atëherë duhet intervenuar edhe në Kodin Penal; vjedhja nuk duhet të sanksionohet si vepër penale, por mosvjedhja. Ne kemi edhe shumë doktoratura, që janë përshtatur si kjo poezi dhe njerëzit quajnë veten doktorë të shkencave. Pse mos të respektojmë traditën? Ne vjedhim edhe paratë publike, por edhe kjo nuk quhet vjedhje, por marrje. Këto strofa të kopjuara, duhet të na ndriçojnë dhe të mos pezmatohemi kur të tjerët na vjedhin Skënderbeun apo Nënë Terezën, sepse këta neve nuk na i vjedhin me kushtetutë, por janë disa “studiues” të Ballkanit, që përpiqen ta bëjnë këtë.

Pse qenka sakrilegj dhe herezi të përfshihen edhe gratë shqiptare në këtë himn të përshtatur nga rumanishtja? U arsyetua me traditën, u përligj me mospjesëmarrjen e gruas shqiptare në luftë. A ka marrë pjesë një grua shqiptare në luftë? Po! Po nëse vetëm një grua ka marrë pjesë, atëherë nuk mund të thuhet se vetëm burrat kanë luftuar, sepse përjashtimi krijon rregulla. Kundërshtarët thonë se gruaja duhet të trajtohet mirë në shumë fusha tjera dhe të bëhet e barabartë, por të bëhet e barabartë me burrin edhe në himn, kjo nuk shkon, nuk bën assesi. Nuk e kemi traditë! Natyrisht se ndryshimi apo përmirësimi i himnit nuk mund të pritet nga ata që kanë lindur në vitet e 30 të shekullit të kaluar. Ata vetëm teoritikisht i ofrojnë barazi gruas shqiptare. Ata janë mësuar ta shohin shqiptaren nën presion, me qindra hektopaskal, të shtypur, sot, me emancipimin e saj, u duket se po degjenerohet bota. Ne nuk e kemi traditë dashurinë, por nënshtrimin, dominimin, sepse ne kemi shumë amorofob (nuk ekziston si fjalë, por na duhet), ksenofob, seksofob, madje edhe homofob! Po a nuk qenka traditë shqiptare edhe Teuta? Po a nuk qenka traditë shqiptare Shota Galica? Po a nuk qenka traditë shqiptare Nënë Tereza, që ka bërë aq shumë për imazhin shqiptarë në botë, sa dhjetëra divizione intelektuale, me qëndrime, bindje dhe paragjykime shoviniste mashkullore e provinciale?

Tradita që nuk pasurohet, dëmton një komb, prandaj quhen disa popuj, popuj të prapambetur. Gratë shqiptare nuk kanë luftuar kundër armikut sa dhe burrat,  por gratë shqiptare gjenden akoma në luftë kundër patriarkut. Gruaja shqiptare lufton duarthatë. Kundër padrejtësisë në shtëpi pikë së pari. Në kohën kur është pranuar ky himn, ajo ka qenë pronë e burrit: Rob! Pa të drejta as në kodin penal, as në kodin civil. Himni pasqyron për mrekulli vitin 1912. Ajo trajtohej si gratë romake tre katër shekuj para Krishtit: ku gratë barazoheshin me shurdhmemecët, kriminelët dhe skllevërit. Ajo mund të rrehej prej burrit në çdo çast dhe sa herë që dëshironte ai. Gruaja në kohën romake nuk kishte as të drejtë të pronës. Dikur te ne nuk ishte të drejtë as të zgjedh burrin, por martohej me atë që i pëlqente të atit! Dikur nuk kishin as të drejtë të lëvizjes. Ajo dilte jashtë e përcjellë nga një tutor. Edhe pse e moshës madhore, tradita mashkullore, e shpallte të mitur. Ajo nuk kishte të drejtë as të zgjedhë profesionin. Dikur nuk kishte të drejta as të mendojë: Lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes...Asaj i ishte imponuar turpi i të qenit grua! Inferiore, labile, shkurt e shqip: “Flokëgjatë dhe mendjeshkurtër!” Nënat tona! Motrat tona! Gratë tona!

Derisa ne po bënim debat tek Ilva Tare, poshtë në ekran rrëshqitnin njoftimet majtas, ku njoftoheshin shikuesit se shqiptari qëlloi me sëpatë gruan. Ne po përpiqeshim për të sensibilizuar shoqërinë për një ndryshim formal, për t’i dërguar burrave shqiptarë, që besojnë në traditë, se gruaja është e barabartë në të gjitha fushat, edhe në himn, por shkronjat e gjalla poshtë, na bënin të ditur se shqiptari me traditë, lufton gruan si armikun dhe se ai, nuk është i gatshëm “t’ i ndajë të drejtat me askë.” Mu ashtu si thotë edhe himni i mbushur me krenari shoviniste mashkullore. Derisa po shkruaj këtë shkrim, bëhet e ditur se në Lushnjë, burri vrau gruan...dhe ky nuk i “ndan të drejtat me askë.” Aty-këtu të jesh shqiptare, është tepër vështirë. Por, do të vija dita, dita kur gratë shqiptare, me të cilat kemi shumë arsye të mburremi,  do ta ulin kokën dhe nuk do ta këndojnë më këtë himn. Nuk është edhe i tyre. Himni është përmendore për burrat , që mezi arritën ta krijojnë një Shqipëri diku katër herë më të vogël se sa duhej. Për fajin e burrave, jo të grave.

Ndoshta edhe nuk duhet futur në himn ato që përditë humbin luftën nga burri i lindur patriot. Çdo e treta rrahet, sa për qind keqtrajtohen shpirtërisht, nuk dihet, por sipas neurologëve, nuk ka dallim në mes dhembjeve shkaktuar nga lëndimi dhe ofendimi verbal, pasi që aktivizohet i njëjti areal në tru. Ajo po lufton për të drejtat e veta, po revoltohet, por aty-këtu po vritet, aty-këtu po masakrohet dhe ekzekutohet. Me sëpata, me thika, me lopata, me bishta lopate, me grushte dhe me shqelma. A nuk është kjo luftë? A nuk është turp pa pushtues të luftohet për dinjitet dhe liri? E ne jemi ata burra që themi: Gruaja nuk ka vend në himn, jo, nuk bën të bashkohemi dhe të jemi të njënjëshëm si gjermanët, francezët, austriakët etj. Ne burrat që kemi kapërcyer kufijtë edhe me fustan grash, të pa qime dhe të rruar si lëvozhgë shalqiri, apelojmë në traditë dhe shesim moral në rolin e patriarkut, që mendon se populli është turmë e pa tru dhe në çdo çast i duhet këshilla të tejkaluara. Si nga koha, ashtu edhe nga shkenca.

“ Mostra të lindur...apo kreatura me defekte” do t’ i quante Arsitoteli i madh gratë. “ Vetëm burrat janë krijuar drejt për drejtë nga zotërat dhe kanë një shpirt...”, do të thoshte në Athinë Platoni, filozofi i madh deri sa përdhelte mjekrën e gjatë.  “Gruaja nuk është e aftë as për punë intelektuale, as për punë fizike...”, mendonte Schopenhauer duke shëtitur nëpër rrugët e Frankfurtit mbi Majn.  “Është krijuar për t’ i pëlqyer burrit...”, thoshte iluministi i madh me flokët kaçurrela Rousseau, madje edhe Freud, duke parë nga dritarja shiun e imët, tha vet me vete: “tridhjetë vite punë me gra dhe nuk i kuptoj.” Sigmund Freud edhe pse pat ndikuar shumë në emancipimi seksual të gruas, gaboi. Thua se të gjitha gratë kishin një identitet, një personalitet, një ego, e jo çdo njëra trurin e vet me 100 miliard qeliza nervore dhe gjysmë trilioni lidhje. Apo pse kishte menduar se do të zbulonte teorinë relative të gruas si Einstein të relativitetit dhe do ta përkufizonte gruan me një formulë të sigurt matematikore, ashtu si nuk mund të definohen as burrat. Johan Gottfried Herder, njëri ndër klasikët gjerman, do të jetë akoma më konkret: “Një pulë, që këndon si gjel dhe një grua e arsimuar, janë paralajmërues të së ligës: duhet prerë të dyjave kokën!” Ndoshta kjo ishte arsyeja pse përfaqësuesja e ekzistencializmit, e dashura e Sartrit, Simone de Beauvoir, pohoi: Keqtrajtimi i gruas nuk vjen nga natyra, por është i ndikuar nga kultura...

Këta shembuj tregojnë se njerëzit e mëdhenj, kanë bërë gabime të mëdha në kohën e vet dhe, i të qenit i madh në një fushë të caktuar, nuk të bën të pagabueshëm në tjetrën. Mirëpo, edhe ata gjeni, kanë lindur nga gratë! Arsyen e atyre rrëshqitjeve të mëdha, mund ta gjejmë tek psikologu francez Pierre Dacco, që në librin e tij “Les prodigieuses victoires de la psychologie moderne“, shitur në 2 milion kopje, thotë përafërsisht kështu: Njeriu për t‘ u bërë floktar mëson tre vite, për t‘ u bërë prind asnjë ditë...

Ilva Tare ishte sovrane në udhëheqjen e programit, e mençur, e bukur, me shprehje elegante dhe shëmbëlltyrë e shqiptares moderne, që nuk guxon t’ i mohojë askush përfshirjen në himn. Ajo, neve burrave, kundër traditës, na e ndërpriste fjalën herë pas here. Në kohën kur u soll ky himn, një zonjushë shqiptare, jo se nuk do të kishte mundur ta ndërpresë një burrë, por nuk kishte të drejtë as ta hapë gojën. Ky himn ishte i arsyeshëm atëherë, sot është ofendim për gratë shqiptare, është ofendim për poetët shqiptarë. Detyrën e vet e ka përfunduar.

Pse nuk e ndryshoi himnin Enver Hoxha?

Ky himn i shkonte për shtati edhe pushtetit komunist nga frymëzohej për të prodhuar tradhtarë, pikë së pari ata që nuk kishin marrë pjesë në luftë. Pastaj për t’ i shpallur tradhtarë edhe ata që kishin mbijetuar luftën, mu siç kërkon himni. Diktatori jonë ka pasur guxim ta përjashtojë edhe Zotin, që kishte folur me Asdrenin, por këtë himn, nuk e ndryshoi sepse i përshtatej konceptit të tij ideologjik. Ky himn i shkon për shtati atyre që vjedhin sot, edhe atyre që bëjnë tradhti sot, sepse këtu gjejnë mbështetje, tek kjo vjedhje, tek lindja fataliste.

Gjatë atij debati u mësua edhe një gjë shumë e rëndësishme, të cilin nuk e kisha kapur si fakt në jetë: Aty ku dominon patriarkalizmi, aty për barazinë e gruas nuk duhet luftuar vetëm kundër shovinizmit mashkullor, por edhe kundër maskilizmit femëror. Dhe ky maskilizëm femëror, është më i rrezikshëm, se sa ai mashkullor, sepse ajo edukon djemtë duke diskriminuar bijat. Ajo prodhon patriark të rinj duke luftuar kushtetutën dhe duke rritur djalin si princ dhe bijën si skllave të stërvitur mirë, që nesër, të depersonalizohet dhe nënshtrohet më lehtë.  Ne, ishim disa burra të “ndriçuar” që përpiqeshin t’i kthejnë grave shqiptare diçka që ne burrat ua kemi marrë duke u bazuar në forcë. Jo në mendje. Qëllimi jone është t‘ i kthehet gruas dinjiteti i nëpërkëmbur, aty ku mundemi ne, sepse ne nuk mund të intervenojmë në familje, por të sensibilizojmë duke synuar t‘ i pengojmë vrasjet e grave, rrahjet e tyre, përbuzjen, mosmirënjohjen. Mirëpo, në debat u pa se kundërshtarët kryesor ishin dy gra! Zonja Elsa Ballauri dhe zonjusha Valbona Karakaci. Ndryshimi apo modifikimi  i himnit nuk ndryshon gjendjen e grave në shtëpi, por u dërgon një mesazh shovinistëve mashkullor se ajo është e barabartë edhe në himn. Se ne kemi arsye të mburremi me gruan shqiptare, po jo aq shumë me këtë burrë të pa “aktualizuar” dhe të mbetur mbi maje plehu si gjel, që me shekuj reciton këngën e njëjtë: Këngën e mizogjinisë dhe gjinofobisë me paragjykime të gatshme, me paragjykime të trashëguara nga e kaluara. Të formuluara jo për gratë e sotshme, por për të djeshmet.

Ne u qytetëruam për fat të mirë çuditërisht shpejt, dhe pranuam se ekzistojnë edhe homoseksual shqiptarë. Pse ndryshuam bindjet fikse kaq shpejtë? Këtë e bëmë sepse presim shpërblime nga dikush, por kjo tregon edhe një fakt tjetër: ne tregojmë më shumë mirëkuptim ndaj homoseksualëve se sa ndaj grave. Është e mundur se ne kundërshtojmë barazinë e grave pse jemi mizogjin, urrejmë aq shumë gratë, apo pse i konsiderojmë qenie inferiore, të padenja, apo pse jemi shumica homoseksual dhe të mirë i konsiderojmë vetëm burrat dhe të denjë për himn?

Po nëse e kërkon këtë ndryshim Europa, ishte një pyetje tjetër? Jo, na u rekomandua, sepse ne nuk e kemi zakon t’ i dërgojmë gratë në luftë, por t’ i mbrojmë, siç i kemi mbrojtur edhe në Kosovë!

Po homoseksualët a duhet përfshirë në himn? Jo, ata edhe pse kanë orientim tjetër seksual, kanë gjininë e vet, mashkullore ose femërore. Njerëzit e planetit tokë, të ashtuquajturit homo sapiens, tani nga psikologët e sociologët edhe homo rationalis, (për Ballkanin mund të thuhet homo emotionalis) konstatojnë gjininë e njeriut në bazë të organeve gjenitale, jo në bazë të preferencave erotike...

Është qesharake te themi se himni nuk mund të modifikohet, sepse cenuaka të drejtat e Asdrenit, kur dimë se poezia është thjeshtë një përshtatje. Pse i lejohet Asdrenit të cenojë te drejtat e Ioan Barsanit, e nuk na lejohet neve në emër të dashurisë, mirënjohjes dhe barazisë ndaj nënave tona,  grave tona, bijave tona, të intervenojmë aty dhe ta përshtatim edhe ne pak? Këtë nuk mund ta bëjnë njerëzit që janë rritur dhe formuar duke kënduar këtë himn, pa analizuar dhe pa lexuar tekstin në heshtje, pa muzikë, pa turmë rreth vetes dhe pa ngjarje solemne. Sepse emocione nuk shkakton poezia me patosin e vet, por kori që e këndon dhe festa që festohet. Emocione dhe rrëqethje shkakton kurdo dhe kudo “Shqipëri oj Nëna ime” ( ja edhe një fakt për ta përmirësuar himnin sepse Shqipëria është femërore, jo mashkullore), himni jo kur e dëgjojmë vet, apo jo aq sa kur jemi në një festë. Pse njeriu emocionohet kur dëgjon himnin, këtë mund ta shpjegojnë më mirë psikologët, që merren me studimin e turmës, reagimet e saja dhe motivet. Por i  shenjtë nuk është dhe të shenjta janë vetëm vlerat universale: barazia në mes njerëzve...

Murkullim:

(Një popull, dy kombe: Kombi mashkullor dhe kombi femëror. Një shtet, dy sisteme: Kushtetua dhe mendësia!)

Ky himn i shkon për shtati një shoqërie shoviniste mashkullore, sepse ky u garanton epërsi kundrejt grave dhe motrave. Kontroll dhe dominim. Arrest shtëpiak. Deri diku nënvizon apo dokumenton raportet asimetrike gjinore. Ajo që u lejohet burrave, nuk u lejohet grave. Madje aty-këtu edhe në dasma ndahen, nga frika se mund ta kafshojnë një tjetrin.  Aty-këtu gruas nuk i lejohet pjesëmarrja në një kortezh të përmortshëm. Për gruan ka moral tjetër dhe rregulla tjera, për burrin tjera, fakultative. Për kombin femëror ka sanksione tjera, për kombin mashkullor tjera dhe kemi dy sisteme, jo një si në Perëndim, ku populli orientohet në kushtetutë. Ne kemi mendësinë tonë, kushtetutën tonë private dhe gjinisë femërore mund t’ i pezullojmë sa herë të duam të drejtën e lëvizje, të drejtën e mendimit, të drejtën e profesionit, të drejtën e jetës, të drejtën e zgjedhjes së burrit, sepse mendësia (kushtetuta private, tradita) është më e rëndësishme se e vërteta. Ne jemi komb i përçarë qysh në shtëpi. E pse? Pse kemi dy sisteme: një publik që bëhet sa për sy e faqe dhe kodifikohet në kushtetutë, në letër, që nuk e respekton as politika vet, por ne kemi edhe sistemin privat (mendësinë), që injoron të parin në vepër dhe mund të pezullojë të gjitha ligjet, që barazojnë gruan në kushtetutë. Ne jemi komb lehtë i thyeshëm, sepse kemi dy rende shoqërore: dy kode civile, dy kode penale. Në përplasje e kacafytje të përhershme në mes vete. Familja shqiptare vazhdon të mbetet patriarkale:  Patriarku nuk ndryshoi në monarki, nuk ndryshoi në komunizëm, nuk ndryshon edhe në demokraci. Ai është mbikëqyrës dhe garantues se nuk do të ecet para. Në mendësinë shqiptare, gruaja mund t’ i realizojë ato të drejta që i lejon patriarku, jo ato që ia garanton kushtetuta. Në perëndim nuk ka dy sisteme brenda një kombi e një shteti, as komb i ndarë në gjini mashkullore dhe femërore, sepse ligjet ndikojnë direkt në familje, sepse prindi nuk mund t’ ia ndalojë bijës, atë që ia garanton Kushtetuta. As ta diskriminojë, jo.

Nëse mbetet edhe një kohë ky himn, në të gjitha librat shkollor, duhet shkruar se himni është një plagjiaturë dhe të shkruhet emri i poetit rumun apo edhe emri i tij krahas Asdrenit. Kjo nuk është vetëm çështje pikëvështrimi, por e perceptimit të drejtë.

Për aq kohë sa do t‘ i bëjmë rezistencë ndryshimit, ku do të përfshihej edhe gruaja shqiptare, për aq kohë do të jemi popull me dy kombe, edhe zyrtarisht: me kombin mashkullor dhe me kombin femëror. Ne mund të jemi atdhetarë të mëdhenj, ne mund edhe të rrezikojmë jetën për atdheun, por dëmtojmë shtetin pa vrarë ndërgjegjen. E konsiderojmë qyp privat. Çndukjen e shtetit, e përligjim me dashurinë ndaj atdheut. Në një farë mënyre shteti duhet të na e paguaj dashurinë e investuar për mëmëdheun. Ne nuk kemi sa duhet vetëdije shtetërore dhe ligjore, nuk e kultivojmë këtë ndjenjë. Atdheun e përjetojmë si diçka sublime, shtetin i cili duhet t’ i garantojë mbijetesë atdheut, e konsiderojmë si armik, që përpiqet të na kufizojë lirinë tonë: shovinizmin mashkullor, vetëgjyqësinë, sadizmin, provincializmin dhe traditën primitive. Kur ta kuptojmë se pa shtet të fortë, atdheu është vetëm iluzion, atëherë do ta duam më pak atdheun, por më shumë shtetin, që i jep kontura të gjalla atdheut. Atdheu pa shtet të fortë dhe të drejtë, është përrallë, kështjellë rëre. Atdhe është edhe Çamëria dhe Lugina, por shtet shqiptar nuk ka. Në Gjermani fjala atdhe dëgjohet rrallë herë dhe gati vetëm në himn, por çdo ditë dëgjohet fjala shtet.

Nuk mund të kërkohet ndryshimi i himnit nga ata, që nuk njohin shpirtin femëror, universin e saj, deliktashmërinë, fragjilitetin, përkushtimin, emocionet e saja, dhembshurinë dhe vuajtjet. Nuk mund të kërkohet nga ata që shohin gruan vetëm si objekt seksual. Jo nga ata që nusja u ka mbirë në shtëpi si këpurdha dhe nuk kanë përjetuar kurrë dashurinë, nga dashuria e madhe për ”traditën shqiptare”. Ndryshimi i himnit nuk mund të kërkohet nga ata që ushtrojnë dhunë në familje, por nga ata që i besojnë dhe u mësojnë fëmijëve dashurinë, mirëkuptimin, ndjesën. Ata që u mësojnë fëmijëve smirën, diskriminimin gjinor, inatin, xhelozinë, urrejtjen, hakmarrjen, gjakmarrjen, ata nuk mund të bëjnë një kërcim të tillë, sepse ata janë relikte të vjetra dhe mund të krahasohen vetëm me qypat romak. Po pse kanë mbetur të tillë edhe në këtë shekull, në kohën digjitale, në kohën kur shkencëtarë arrijnë të krijojnë jetën artificiale? Kjo mund të shpjegohet më së miri me Nastradin Hoxhën:

“Sa vjet i ke Nastradin?

“Dyzetë!“

Pas tridhjetë viteve.

“Qenke mplakur o Nastradin. Sa vjet i mbushe?”

“Dyzetë!”

“Si është e mundur? Ti diku para tridhjetë vjetëve ishe dyzetë vjeçar?”

“Burri flet një herë”, përgjigjet Nasradini dhe vazhdon tutje.

Kështu po flasin edhe burrat tanë...



(Vota: 18 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora