E diele, 28.04.2024, 01:18 AM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Edhe një herë rreth mënyrës se si shprehet zoti Edmond Haxhinasto

E merkure, 11.04.2012, 08:00 PM


EDHE NJË HERË RRETH MËNYRËS SE SI SHPREHET ZOTI

EDMOND HAXHINASTO

Shkruar nga:  Mërgim Korça

Pikërisht një vit të shkuar u detyrova edhe nuk ndenja dot pa e hartuar dhe botuar  një shkrim me titullin :

Për një koherencë të pohimeve të një personaliteti shqiptar

me të kaluarën historike të vëndit tij .

Ësht’e qartë se të vendosësh të polemizosh duke i hequr vërejtjen një  zëvëndës Kryetari të Këshillit të Ministrave të Atdheut tënd, i cili mbulon edhe funksionin e Ministrit të Punëve të Jashtëme, në parim nuk është një kënaqësí.  Vetëm një arësye madhore mund të të shtyjë t’a marrësh një vendim të tillë !

Mirëpo kur mbas një viti, i gjëndur së rishmi para një situate relativisht të ngjashme me të parën, e detyrohesh së rishmi të mos heshtësh por të shprehesh, lëkundja pa as më të voglin dyshim ësht’edhe më e madhe.  Pse ?  Për vetë faktin se gjëndesh para një mëdyshjeje jo të papërfillëshme e cila konsiston në një pyetje madhore që duhet t’i drejtosh vetes tënde :  A ia vlen t’ia hysh edhe një herë dhënjes mendimeve kur e shikon se subjekti ose nuk e përfill fare pikëpamjen tënde ose, ç’kishte për të qenë akoma m’e trishtë, kur egziston edhe mundësia që personit në fjalë mundet t’i mungojë formimi i tillë sa që të jetë në gjëndje të të kuptojë pa le pastaj edhe të njësohet me sa i sugjerohet ?  E këto, duke mos dashur në asnjë mënyrë as t’a ze në gojë një eventualitet të tretë, ku lidhur me këtë qëndrim të jenë të ndërthurura pastaj interesat e dy shteteve historikisht të interesuara në shkëputje territoresh themelisht shqiptare, njeri kufitar verior e tjetri jugor !

Vitin që shkoi u detyrova t’i drejtohesha z. Edmond Haxhinasto, lidhur me një deklaratë të tijën të cilën, atyre që nuk e kanë parasysh po u a rikujtoj se sa i takon Kosovës ai pohoi që “... Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar, apo lëvizja e kufijve, ësht’e dëmshme si idé për shqiptarët dhe si veprim për rajonin.”  (Në qoftë se ndonjë lexues ka kërshërí t’a lexojë, mund t’a gjurmojë në www.aafhsite.com).

Këtë herë, përgjatë intervistës z.Edmond Haxhinasto dhënë televizionit Vizion Plus, ndeshemi me një gafë tjetër të rëndë të kreut të diplomacisë shqiptare.  Si në shtyp edhe në faqet e internetit, shumë është shkruar lidhur me mosnjohjen nga ana e kreut të Diplomacisë Shqiptare të historisë kaluar të popullit tonë e gjithashtu edhe të mungesës njohurive rreth gjeografisë territorit Çam.  Kurse unë, mbasi lexova edhe çfajësime si nga ana e kryediplomatit shqiptar e gjithashtu edhe nga ana e dikasterit që ai drejton, pa rënë në gabimin që t’a ndjek në sipërfaqe problemin, ashtu si po trajtohet,  dua të ndalem duke e shikuar më objektivisht por ama më gjer’e gjithashtu edhe më thellë problemin.  Për t’ia arritur këtij qëllimi patjetër që duhet t’i referohemi vetë Casus Belli-t, pra shkakut të sherrit !   U referohemi pra thënjeve të zv/Kryeministrit si edhe Ministër i Punëve të Jashtëme të Shqipërisë, z.Edmond Haxhinasto, dhe pohimeve të tija u vemë lentën zmadhuese, i gjykojmë sa më paanësisht që të mundemi dhe doemos nxjerrim pastaj edhe përfundimet tona.

Zoti Haxhinasto është shprehur “...Në mënyrë konkrete mund të them se pala greke ka shprehur qëndrimin e saj, se ajo njeh atë toponimí e cila është paraqitur në formë zyrtare nga ana e saj në OKB, pra është paraqitur një listë e caktuar emrash për territorin e rajonit të Greqisë, që janë benda territorit grek, dhe pala greke do t’i ketë në një formë të caktuar.  Dakord.  Kjo pikëpamja si edhe kërkesa e palës greke.

Shikojmë tashti se si e shikon këtë qëndrim ministri jon’i Punëve të Jashtëme i cili shprehet lidhur me listën greke të toponímeve “ ... kjo listë themi që tashmë ka marrë edhe fuqí ligjore, pasi ka mbi dhjetë vite që është paraqitur në Kombet e Bashkuara dhe fjala Çamërí nuk ekziston ... ky është një detyrim që ne ta trajtojmë këtë çështje dhe do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës ...”.   I a shtrojmë tashti pyetjen tonë z.Haxhinasto :  Pala greke, listën e saj me toponimet e caktuara prej saj e ka dorëzuar pranë O.K.B.- së, apo gabohemi ?  Nga ana tjetër, ju vetë shpreheni, z. ministër, se mendoni që ajo listë tashmë të ketë marrë fuqí ligjore.  Nga cila logjikë, pa lé praktikë diplomatike mendoni se niseni ju që, në vënd që t’a ngrini fuqishëm problemin në fjalë në O.K.B., të ktheheni e duke i u lutur palës greke, t’a diskutoni çështjen me të ?   Pa lé që edhe shtoni se do t’a shtroni duke treguar fleksibilitetin përkatës !(???)  Ju, PALA SHQIPTARE TË TREGOHENI FLEKSIBËL ? Mos e dhëntë Perëndia !  Trysnía greke na mbyti, na e mori frymën, na ka futur në të gjitha shtigjet ku ka dashur ajo vetë duke na bërë jo vetëm t’a humbisnim orientimin por edhe dinjitetin tonë, në mos tjetër por së paku para bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Greqi q’e ndjejnë veten tamam jetimër sa i takon mbrojtjes së të drejtave të tyre nga SHTETI AMË !

Vazhdojmë edhe me një “xhevahir tjetër” të ministrit tonë të Punëve të Jashtëme zotit Haxhinasto, i cili shprehet integralisht si vijon :  “ ... Fakti që Republika e Shqipërisë gjuhën e saj të dokumentave zyrtare e ka gjuhën shqipe dhe nuk mund të vejë versione të caktuara nga kushdo që kërkohen, por gjithashtu është e vërtetë që dokumentet që lëshohen p.sh. pasaporta biometrike është në përdorim jashtë territorit të Shqipërisë dhe si rrjedhim duhet të ketë parasysh edhe kërkesat që mund të kenë vënde të caktuara përsa i përket mënyrës së paraqitjes së toponimisë.  Ky është një nga problemet do të thoja të cilin kemi predispozitën t’a zgjidhim dhe jemi në ndjekje të zgjidhjes me palën greke.”

Duke u munduar t’a ruaj etikën e një polemike brënda kufinjëve të mirësjelljes,  nuk i shmangem dot shtysës që t’ia theksoj spektatorit televiziv, (q’e ka ndjekur intervistën e k/diplomatit tonë), ose edhe lexuesit të pohimeve të tij, të ndershëm dhe të paanshëm, se me këtë pohim të fundit z.Haxinasto qëllimisht dhe shumë dashakeqësisht, kërkon t’a devijojë vëmëndjen e tyre nga thelbi i problemit.  Cila teknika e përdorur prej tij ?  Fillimisht duket sikur ai trajton gjuhën, e cila është FORMA QË PËRDORET NË PASAPORTAT SHQIPTARE BIOMETRIKE.  Në vazhdim ai fut në lojë MËNYRËN E PARAQITJES TOPONIMISË, por pa e nënvizuar pa lé edhe theksuar se territori i emërtuar ç’prej qindra e qindravjeçarësh me emrin ÇAMËRI, ËSHTË ZHDUKUR NGA LISTA TOPONIMIKE E QEVERISË GREKE !  Pra, nga njera anë kemi të bëjmë me një KRIM TË FTOHT’E TË PARAMENDUAR NGA ANA E QEVERIVE GREKE, kurse nga pala e jonë me një  SI URDHËRONI ku, ç’do gjë mund të thuhet për të por jo GABIM SHPREHJE !  Kjo më bën të revoltohem jashtë mase dhe t’a theksoj edhe një herë se nuk bëhet aspak fjalë për gjuhë sipas së cilës janë hartuar pasaportat shqiptare.  Por thelbi i problemit është se pala greke e ka zhdukur territorin e ÇAMËRISË nga harta gjeografike e Greqisë, në një kohë që ne merremi me MËNYRËN E PARAQITJES TOPONIMIKE TË TERRITORIT GREQISË nga ana e palës greke ! Duke u shprehur kësisoji nënkuptohet sikur toponimía nuk ka të meta kurse mënyra e paraqitjes, po.  Në një kohë që problem themelor është vetë përbërja e listës !  E për t’i vënë kapak pastaj na vjen edhe shprehja e kryediplomatit tonë i cili na tregon se pala e jonë do t’a ruajë edhe fleksibilitetin përkatës ndaj kërkesave greke !(???)   Deri tashti folëm për faktorin subjektiv ku ndjenja kombëtare e shqiptarëve, të cilëve zemra gjithmonë u rreh për Shqipëri, lëndohet rëndë nga pohimet e z.Haxhinasto.

Për t’ia zgjeruar tashti disi këndvështrimin z.Haxhinasto me të kaluar historike ku marrëdhënjet me grekët kanë qenë gjithmonë problematike për të tjerët, më vjen në ndihmë shprehja e vënë në gojën e Laokoontit nga ana e Virgjilit të famshëm, (Libri i II-të i ENEIDËS), kur ishte puna të pranohej apo jo futja e kalit të drunjtë në Trojë dhe Laokoonti thotë : “TIMEO DANAOS ET DONA FERENTES”, që përkthyer merr kuptimin :  U a kam frikën Danajve edhe kur sjellin dhurata, (e Virgjili e përdor cakun gjuhësor Danaj në mënyrë homerike duke e identifikuar popullsin’e lashtë të Argosit si sinonim të grekëve).  Zotit Haxhinasto mund t’i duket ky krahasim i bërë i tepërt (nga që ai e dinte), pa lé sikur t’a krijojë përshtypjen se e bëra t’i tregohem i lëçitur.  Jo z.Haxhinasto aspak, sepse kur un’e kam bërë shkollën e mesme, në klasën e parë të gjimnazit të asaj kohe, që sot i takon të jetë klasa e VI-të e tetëvjeçares, i kemi mësuar në faqet e historisë Greqisë Lashtë këto kalime.  Por që t’ju a shpjegoj se përse e bëra këtë paraqitje krahasuese, duhet t’ju them se egziston edhe shprehja tjetër e quajtur CASUS FOEDERIS, (krahas CASUS BELLI q’e kam përmëndur më lart), në kurthin e të cilit uroj nga zemra edhe lus Zotin mos t’ju fusë politika e ndjekur prej jush me Greqinë, duke qenë të dyja palët anëtarë të NATO-s ! (Prandaj qëmtojeni se ç’nënkupton CASUS FOEDERIS dhe vetëm përvojë pozitive do të përfitoni).  E theksoj këtë veçorí se nuk do të kisha aspak dëshirë t’i drejtohesha në vijim z.Haxhinasto me një shkrim edhe për të tretën herë !  Proverbi i mënçur latin thotë :  NJERIU I PARALAMËRUAR GJYSËM I SHPËTUAR !

Do t’i mbyll këto radhë kritike ndaj z.Edmond Haxhinasto, me disa hollësí teknike që patjetër k/diplomati shqiptar i di por dëshiroj që, edhe lexuesi që nuk ka informacion  të kësaj natyre, të përditësohet.

Nga të dhënat e O.K.B.- së bëhet e ditur se funksjonon Grupi i Ekspertëve të Kombeve të Bashkuara lidhur me Emrat Gjeografikë (grup i emërtuar GENUNG, në trajtë akronimi).  Arësyeja e krijimit të këtij grupi është se përdorimi i njëllojtë për nga trajta i emrave të krahinave gjeografike (TOPONIME-ve), të pa ngatërrueshëm ndërsjelltas, përbën një element themelor për arritjen e një komunikimi funksjonal të ndërsjellë në shkallë botërore.  Si pasojë favorizohet zhvillimi shoqëror-ekonomik si edhe ruhen vlerat kombëtare.  Sa për dijeni, ky grup ka zhvilluar thuajse rregullisht konferenca ndërkombëtare një herë në dy vite ku temat e trajtuara, sa për shuarje të kureshtjes, kanë qenë p.sh.në Strasburg më 1 Shkurt të 1995-sës rreth Deklaratës të të Drejtave të Personave që bënin pjesë në Pakica Kombëtare ose Etnike, Fetare si edhe Gjuhëfolëse.  Ose p.sh. më 20 Tetor të vitit 2005 u zhvillua në Paris konferenca me objektiv trajtimin e problemit të Mbrojtjes si edhe Promovimit të Ndryshueshmërisë në Shprehjet Kulturore.

Duke i a vënë në dukje kryediplomatit shqiptar të metat e tija, (gafat), sipas pikëpamjes sime, si i ka konfiguruar ai qoftë problemin e së ardhmes Kosovës, (më vete apo e bashkuar me Shqipërinë), ose gjithashtu si e ka trajtuar problemin e listës toponimike GREKE,  ku nuk egziston territor i emërtuar ÇAMËRI, qëllimi im i vetëm dhe qëndror, ka qenë të analizoja gabimet por edhe të bëja sugjerime se si mos të përsëriten gabimet e kaluara.  Kjo themelorja.

Por nuk mundem mos të ve në dukje edhe anën tjetër të medaljes ku sot, thjeshtë për të fituar kredí elektorale, P.S. e kritikon edhe ajo ministrin e Punëve të Jashtëme z.Haxhinasto, ndonëse me fjalë të përgjithëshme e pa as më të voglin sugjerim lidhur me rrugë zgjidhjeje të problemit toponimisë greke, e prandaj unë nuk shmangem dot pa e vënë në dukje faktin se ajo listë e toponimísë Greqisë i qe dorëzuar O.K.B.-së kur qeverija ishte e drejtuar nga socialistët e kësisoji natyrshëm më lind pyetja : mirë po e kritikojmë, dhe me plot të drejtë i a dënojmë pikëpamjet z.Haxhinasto, po kur qenë socialistët në pushtet, si vepruan ?

Ky këndvështrimi i një shqiptari nga mijëra kilometra distancë prej Atdheut !

 

Mërgim Korça

10 Prill 2012



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora