Editorial
Valon Kurtishi: Pasojat e dhunës ndëretnike – shpërbërja e shtetit shumëetnik
E diele, 11.03.2012, 04:04 PM
QUO VADIS FYROM?
Pasojat e dhunës ndëretnike – shpërbërja e shtetit shumëetnik
Nga Valon Kurtishi
Përdorimi i formave të ndryshme të presionit si mjet për zgjidhjen e sfidave me prapavija etnike është përdorur nga aktorë të ndryshëm në periudha të caktuara shndërimesh e vlimesh shoqërore. Në raportet mes aktorëve politikë dhuna përdorej dhe me raste përdoret akoma sot nga pushteti për të heshtur opozitën apo nga kjo e fundit për të denoncuar politikat e padrejta dhe presionet e regjimit.
Përpos konflikteve brenda llojit, në shoqëritë shumëetnike dhuna përgjithësisht është përdorur në funksion të terrorizimit të popullatave minoritare apo edhe të atyre shumicë por që nuk posedojnë pushtetin politik ose forma tjera të garantuara të mbrojtjes ligjore. Sulmi i dhunshëm përdorej nga kolonistët për të intimiduar autoktonët, ose indigjenët për të frikësuar dhe larguar kolonizatorët. Në raste, pushteti ose grupet shoqërore që kontrollojnë pushtetin në kuptim të mekanizmit të dhunës së institucionalizuar përdorin elementë të ndryshëm me bekgraund kriminal për të aritur qëllime të caktuara. Këto synime mund të jenë pastrimi i zonave të caktuara, territoreve me interes të veçantë apo zona strategjike siç quhen, krijimi i situatave të pasigurta për grupin objekt i sulmeve me synim që ai të largohet nga ajo zonë, e deri tek përpjekjet e orkestruara e të qëllimshme për të tensionuar situatën e përgjithshme të sigurisë në vend. Ata që qëndrojnë prapa veprimeve të këtilla, si zakonisht kanë strategjitë e parapërgatitura për veprim të mëtutjeshëm. Dhuna me motive etnike në shoqëritë shumëetnike ka të bëjë më shumë me projektet e pashpallura për shpërbërje të shteteve me konfiguracion të tillë. Në përplasjen mes grupeve, entiteve, njësive antagoniste shoqërore si zakonisht të humbur dalin ata që nuk i paraprijnë tensionimit me planet dhe veprimet vetanake.
Incidentet e javës së fundit në IRJ të Maqedonisë duket se kanë të bëjnë me të njëjtën strategji konfliktuoze dhe tensionuese që është parë edhe në situata tjera të ngjashme të konflikteve grupore. Duket se parimit integrues të shpallur publikisht nga politika aktuale i korespondon në praktikë një strategji armiqësimi, dezintegrimi dhe copëtimi. Ka një periudhë më të gjatë kohore që dhuna ndaj shqiptarëve këtu është shndëruar në një fenomen të gjithëpranishëm dhe shumë të shpeshtë. Përveç eliminimeve të bujshme dhe të mediatizuara si rasti me komandantin e ish Ushtrisë Clirimtare Kombëtare Harun Aliut, ku autorësia e Policisë së shtetit u pranua publikisht madje me një dozë të kënaqësisë arogante dhe kriminale bashkë, një numër i qytetarëve shqiptarë e kanë pësuar në vazhdimësi nga grupe të organizuara ose jo të civilëve maqedonas.
Të kujtojmë këtu sulmet e këtyre kriminelëve ndaj qytetarëve shqiptarë në Nerez të Shkupit, ku qëllimi duket ishte segregacioni apo ruajtja e pastërtisë etnike në disa lagje periferike të Shkupit; sulmin ndaj një numri të të rinjve shqiptarë në qendër të Shkupit, ku njëri prej tyre mbeti i plagosur rëndë nga goditja me mjete të forta; vrasjen e një nxënësi shqiptar në një shkollë të mesme po atje; sulmet e vazhdueshme me një persistencë të çuditshme ndaj nxënësve shqiptarë në linjat e transportit urban ku më i rëndë ishte sulmi i para disa ditëve ndaj grupit prej 15 nxënësish që u rah brutalisht nga individë deri më tani të panjohur, etj. Dje një djalë i ri ka mbetur i lënduar rëndë nga goditja me mjete të mprehta ndërsa një grup i studentëve shqiptarë me origjinë nga Dibra është sulmuar nga një numër i të rinjve maqedonas poashtu në Shkup. Në incidentet më të fundit të lajmëruara nga mediat ka pasur tre incidente tjera me motive etnike në disa qytete të vendit. Tashmë spiralja e dhunës ndëretnike rrezikon të dalë tërësisht jashtë kontrollit shoqëror.
Duke bërë një përmbledhje të këtyre rasteve të dhunshme me pasojë lëndimet e rënda të të rinjve shqiptarë në sulme të organizuara nga të rinj maqedonas, shihet se këto ndodhin si zakonisht në zona apo qytete ku shqiptarët janë pakicë e popullsisë. Më herët ndodhnin në Manastir, Prilep apo Strugë. Kohëve të fundit rastet e këtilla janë gjithnjë e më të shpeshta në kryeqytetin e vendit, Shkup. Në këtë duket se kontribuon ritja e numrit të nxënësve shqiptarë në shkollat e e mesme të qytetit dhe venndodhja e shumicës së këtyre shkollave në distrikte që banohet nga shumicë maqedonase e popullsisë. Kjo bashkë edhe me një edukim nacionalist të rinisë maqedonase që për dekada me rradhë është indoktrinuar me urejtje të shfrenuar ndaj shqiptarëve, sjell këtë situatë aspak normale në vend.
Regimi i strukturave policore përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe garantimin e integritit fizik të qytetarëve lë shumë për të dëshiruar. Duket se pjesa etnike maqedonase e këtyre strukturave nuk është e interesuar në kontrollimin apo neutralizimin e grupeve kriminale që kryejnë akte të këtilla barbare. Policët shqiptarë në këto organe sidomos në Shkup ku edhe ndodhin shumica e këtyre rasteve, duket që janë të paktë në numër dhe të pafuqishëm para kësaj vale të re të dhunës me prapavijë etnike.
Faktori politik shqiptar vuan tradicionalisht nga mungesa e iniciativës në luftën politike dhe nga një mospasje e qartë e asnjë projekti konkret politik si në qeverisje ashtu edhe në reagimin e mundshëm ndaj keqësimit të situatës së sigurisë. Mungesa e vëmendjes së partive shqiptare sidomos e atyre qeveritare ndaj problemeve serioze të sigurisë me të cilën përballen qytetarët shqiptarë është sa pasojë e mungesës së kuadrove profesionale me ndërgjegje kombëtare në gjirin e tyre aq edhe e mungesës së vetëdijes kolektive dhe kohezionit social e nacional që fatkeqësisht karakterizon komunitetin tonë sot.
Raporti qytetar – pushtet politik që në shoqëritë demokratike ndërtohet mbi bazën e llogaridhënies dhe afatizimit të premtimeve dhe pastaj shpërblimit apo dënimit në varësi të realizimit praktik akoma nuk njihet në shoqërinë tonë. Kështu ndodh që pushtetmbajtësit e njëjtë të dështuar që kritikohen 4 vite rradhazi për dështim në mbrojtjen e interesave të qytetarëve votohen përsëri në zgjedhjet e rradhës duke fituar kështu një legjitimet të pakontestueshëm popullor. Mungesa e reagimit qytetar në kutitë e votimit i bën qeveritarët tanë komodë të aktrojnë gjoja meren me politikën e madhe të integrimit euro-atlantik, në të njëjtën kohë kur në realitetin e hidhur në teren nuk mund të garantojnë as integritetin fizik të zgjedhësve të tyre. Siguria fizike, ushqimi dhe strehimi janë parakushte kryesore për mbijetesë biologjike të qenies njerëzore. Edhe me rastin e ngjarjeve të fundit të dhunshme në vend, shpaloset qartë dezorganizimi i plotë dhe çoroditja gati totale e qeveritarëve shqiptarë e përzier me një apati dhe moskokëçarje kriminale për fatin e qytetarëve tanë.
Përtej kësaj gjendje të çuditshme të dhunës permanente me prapavijë etnike, ekziston rreziku i eskalimit dhe daljes së situatës jashtë kontrollit të qarqeve politike, qofshin ato pjesë e pushtetit apo opozitë ndaj tij. Eskalimi mund të çojë drejt realizimit në praktikë të skenarëve të ndryshëm për të cilët duket se shqiptarët janë më të papërgatitur nga gjithë në Ballkan. Këtu do të sprovohet edhe serioziteti i partisë shqiptare në qeveri. Gjasat janë që kjo të dështojë në mbrojtjen e interesave kolektive siç kemi parë të ndodhë zakonisht viteve të fundit.
Në këtë situatë të padurueshme, kur pjesëtarëve të komunitetit shqiptar veç diskriminimit të fortë institucional, tanimë i kanoset edhe rrezikimi i dinjitetit njerëzor dhe integritetit fizik, kërkohet një mobilizim i plotë shoqëror. Nëse pushtetet e ndryshme dhe organet shtetërore si qeveria, policia dhe shërbimet e sigurisë, gjykatat supozohet të “pavarura”, partitë politike, organizatat e ndryshme civile apo edhe vetë prania europiane këtu nuk mund të menaxhojnë situatën, zgjidhje e vetme e mundshme mbetet ndarja e qetë dhe e civilizuar mes dy komuniteteve që nuk gjejnë dot rrugë dhe mënyrë për të jetuar me/pranë njëri-tjetrit. Ndarja do të vijë jo me fajin e shqiptarëve. Ajo duket se është zgjidhja më e mirë e mundshme për IRJ të Maqedonisë, që do të garantonte paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Europën juglindore. Paradoksalisht, incidentet e fundit ndëretnike e përafrojnë edhe më shumë këtë mundësi.