E hene, 29.04.2024, 11:39 AM (GMT+1)

Editorial

Arben Llalla: Mendime të paqarta dhe të turbullta të profesorit të vizatimit Savash Veliu...

E shtune, 03.03.2012, 09:04 PM


Mendime të paqarta dhe të turbullta të profesorit të vizatimit Savash Veliu për librin e tij “E VËRTETA MBI PERANDORINË OSMANE DHE SHQIPTARE PREJ VITIT 1400-2011”

 

Mendoj që autori Savash Veliu gjatë përpilimit të librit duhet të ketë qenë i përgjumur, i turbullt sepse ngatërron fenë me racën si në mesjetë. Kjo është një metodë e mirë për përçarje, dhe për të  ngjalluar dyshime në identitetin e një kombi.

 

Nga Arben LLALLA*

 

Lexova me vëmendje librin e mësuesit të vizatimit Savash Veliu me titull: “E vërteta mbi perandorinë osmane dhe shqiptare prej vitit 1400-2001”. Në një libër prej 115 faqesh, mësuesi i vizatimit tenton të tregohet një studiues i mirëfilltë i historisë së Perandorisë Osmane dhe të fantazisë së tij për ekzistimin e perandorisë shqiptare.

Unë nuk e di ku e ka lexuar z.Savash se shqiptarët paskan patur perandori të tyre!? Në një libër të vogël mësuesi i shkollës 8 vjeçare ka kaluar 611 vite histori të dy perandorive siç pretendon. Në këtë libër shkruesit i cilit i mungon njohja e gjuhës letrare shqipe hedh vrerë mbi shumë figura kombëtare shqiptare. Ai hedh balt  mbi Skënderbeun e deri tek Enver Hoxha, Rugova, Thaçi, etj.

Në faqen 8 autori i pasionuar pas gënjeshtrave shkruan: “personalitetet e shquara shqiptare si: Gjergj II Basha, Teodor Muzaka, Andrea Gropa, Gjon Kastrioti et. Ata mbajtën anën e katolikëve si dhe të sllavëve të pa besë. Shkaku ishte tek babai i Gjergjit , Gjoni i cili ishte katolik, dhe nëna suvale ortodokse”.

Në radhë të parë ata nuk ishin personalitete të shquar, por Princa, e dyta nuk ishin katolik, por ortodoks shqiptar dhe Gjon Kastrioti nuk ishte katolik, por ortodoks. Ju, Savash me këto shtrembërime ku e dërgoni ujin kur shkruani se nëna e Skënderbeut ishte sllave!?

Shkruesi amator Savash Veliu duhet të lexoj më shumë për themelimin e perandorisë së Bizantit dhe të përhapjen e kristianizmit ortodoks. Sepse ishte shqiptari Kostandini i Madh nga Nishi në atë botë kur nuk kishin ardhur sllavët në Ballkan që themelojë Perandorinë e Bizantit. Ishin shqiptarët që e përhapën ortodoksizmin në Ballkan, atëherë ku nuk ishte besimi Islam këtu. Shuma e emrave ortodoks të shënjëtorve në botë shpjegohen vetëm në gjuhën shqipe edhe emri Kristo është në gjuhën shqipe sepse rrjedh nga fjala KRIST(në lashtësi ST dhe SK shqiptoheshin në shqip SHT dhe SHK). Nejse, nuk të vej shumë faj se nuk e njeh gjuhësh shqipe mirë, ndoshta se ke gjuhën e mëmës!

Z.Savash Veliu në librin e tij ngatërron fenë me racën si në mesjetë. Mendoj që autori gjatë përpilimit të librit duhet të ketë qenë i përgjumur, i turbullt kur e ka shkruar këtë dhe shumë broçkulla të tjera. Të ngatërrosh fenë me racën një metodë e mirë për përçarje, dhe për të  ngjalluar dyshime në identitetin e një kombi. Tetovari Savash Veliu e di mirë se shqiptarët andej dhe këtej kufirit gjithnjë kanë vënë në rend të parë besimin kombëtar kur ka qenë në pyetje kombi. Sepse në të gjitha luftërat për çlirim kombëtar shqiptarët e krishterë kanë luftuar në krah të shqiptarëve mysliman.

Është e vërtetë se gjatë pushtimit osman disa herë shqiptarët ortodoks luftuan kundra shqiptarëve mysliman, pra, kundra njeri-tjetrit, por kjo ishte një luftë fetare. Shqiptarët ortodoks i luftonin shqiptarët mysliman sikur të ishin osman dhe jo shqiptar, ndërsa shqiptarët mysliman, i luftonin shqiptarët ortodoks sikur të ishin sllavë apo grek dhe jo shqiptar. Këto kanë ndodhur deri në Lidhjen e Prizrenit. Më tej parulla e rilindësve dihej FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA.

Unë nuk e kuptoj nga buron kjo metodë e urrejtjes së Savash Veliut ndaj harmonisë fetare që ekziston midis shqiptarëve kudo në botë!

Naim Frashëri ka thënë: “Shqiptarët nuk shquhen për ndjenjë të fortë feje, ata njihen si gegë dhe toskë. Të gjithë ne jemi një fis i vetëm, një familje e vetme, jemi të një gjaku e të një gjuhe”.

Ndërsa Roberto Moroco della Roka, profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin e Kalabrisë do të shkruaj: “Në mënyrën analoge dëshira për të ruajtur indentitetin kombëtar mund të ketë favorizuar fenë e Kur’anit në Shqipëri. Turqit ishin larg gjeografikisht, dhe armiqtë kryesor të shqiptarëve nga të cilët këta friksoheshin për një thithje etnike, ishin popujt fqinjë sllavët dhe grekët”.

Në faqen 9, Savashi shkruan se: “pas shumë luftërave të panevojshme, shqiptarët kuptuan se, për ta osmanët ishin çlirues të drejtë dhe paqësor. Fisnikët e shumtë shqiptarë, nxituan të hynë nën vasalitetin e sulltanëve. Pas rënies nën Osmanët, jeta e popullit shqiptar u lehtësua edhe më shumë. Pas lirisë ekonomike dhe politike, u bë kalimi në besimin islam. Po në kohën e osmanëve u shkruajtën “dokumentet e para shqipe”.

Islamizimi i shqiptarëve në masë të madhe filloj në fillim të viteve 1700. Pra, nga viti 1400 e deri 1700, kemi 300 vjet luftë me osmanët.

Të mjerë stërgjyshërit tanë sa të trashë paskan qenë, u janë dashur 15 breza që të kuptojnë se osmanët janë paqësor, miqtë tanë dhe jo pushtues!

Si shqiptar dhe historian do të isha shumë i gëzuar nëse Savashi do më vërtetonte me faksimile kur ka dalë dokumenti i parë në kohën osmane në gjuhën shqipe, pra fjala është për dokument zyrtar shtetëror. Unë nuk di ndonjë popull të jetë i lumtur kur e sundojnë atë, pra në këtë rast shqiptarët të kenë qenë të lumtur nën pushtimin osman. Atëherë, o burra mbi përmendoret dhe librat tanë kombëtarë, ti djegim, ti shkatërrojmë se Rilindasit paskan bërë gabim që kanë luftuar me penë dhe pushkë pushtuesit osman. Poshtë stërgjyshi im Bajram Ligu që vrau më 13 mars 1908, osmanin Bimbash Turkun(shiko filmin LIRI A VDEKJE). Poshtë stërgjyshi tjetër Beqo Llalla që është njëri nga themeluesit e Klubit Bashkimi në Gramsh më 1908. Urra, urra...(lexuesin kur do të lexojë këto rreshta të mos qeshi, ndalohet e qeshmia).

Savashi duhet ta dijë që sulltanët u kujdesën për kishat greke dhe serbe, ndërsa ato shqiptare i lanë ti uzurponin këta të fundit. Ende sot e kësaj dite qendra e ortodoksizmit është në Stamboll, Fanari. Disa herë sulltanët kanë nxjerrë fermane për kujdesen e kulturës greke. Po të na donin aq shumë sa pretendon Savashi, osmanët do na e kishin hapur ndonjë shkollë në gjuhën shqipe si mysliman që ishim dhe nuk do të lejonin që në Greqinë e Perandorisë Osmane të kishte qindra shkolla në gjuhën greke.

Në faqen 10, Savashi shkruan se djali i madh i Gjon K. “ishte Stanisha(emër sllav)i dyti Reposhi, i treti Kostandini(emër sllavë) dhe i fundit Gjergji (Gjeorgji-emër sllav, sipas dajëve)”.

I mjeri unë që kam besuar se qenkam shqiptar, por Savashi më zbulojë se origjina kombëtare u përcakton nga prejardhje e kuptimit të emrit. Por sipas emrave të gjyshërve të mij Nustretit dhe Maliqit qenkam osman.

Do dal që nesër nëpër shkretëtirë të tokës të kërkojë ku ekziston shteti dhe kombi osman. Më kot paskam punuar në pasurimin e kulturës shqiptare kaq vite. Zbulimi i ri qenka se shqiptarët në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup qenkan minoritet i vogël.

Rroftë Savashi zbulues i etnitetit në bazë të kuptimësisë së emrit!

Në faqen 12 dhe 14, Savash Veliu shkruan se flamuri ynë është i Perandorisë Bizante-Ortodokse dhe Skënderbeu nuk ka luftuar për kombin, por për të mbrojtur historinë, kulturën dhe vlerat kristiane dhe perëndimore.

Është e vërtetë që flamuri shqiptar është flamuri i gardës së Perandorisë së Bizantit sepse këtë perandori e themeloj iliri Kostandini i Madh prej Nishit. Sllavët dhe grekët bënë përpjekje të shëmtuar për ta kopjuar atë flamur.

Është e vërtetë që Skënderbeu është mbrojtësi i Evropës dhe i kombit shqiptar sepse në kohën e tij ende shqiptarët ishin 100% të krishterë.

Po e mbyllim me kaq kritikën për librin e Savash Veliu “E VËRTETA MBI PERANDORINË OSMANE DHE SHQIPTARE PREJ VITIT 1400-2011”, sepse deri në fund të faqeve të librit do na duhet të bllokojmë për një muaj gazetën për të replikuar broçkullat, gënjeshtrat dhe baltën e tij mbi personalitetet kombëtare shqiptare.

Cinizmi dhe primitiviteti nuk janë anë të jashtme të Savashit. Ato i kanë rrënjët në vetëdije dhe në nënvedije, në mentalitet, në dëshira e pasione, ku të shprehura, ku të pashprehura, të realizueshme e të parealizueshme, ato vijnë prej thellësive të historisë njerëzore të tij për të dalë në sipërfaqe në momente të caktuara.

Tentimi për të nxitur racizmin fetar midis shqiptarëve është një rrugë e kotë dhe e lodhshme sepse harmonia, respekti fetar që ekziston midis shqiptarëve nuk mund ta rënojë një Savash, por ai mund të jetë një pikënisje i porositur nga qarqet antishqiptare, të fqinjëve tanë të afërt dhe të largët.

Në librin e tij autori tenton të ringjalli perandorinë Osmane, kjo nuk është hera e parë që të gjallët i çojnë të vdekurit e mëdhenjë prej varrit që ti shfrytëzojnë për nevojat e veta, duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë.

Në përfundim i kërkojë ndjesë lexuesit për shprehjen e disa fjalëve humoristike në lidhje me shkrimin, por është për tu vajtuar kur botohen libra të tillë pa baza shkencore-historike nga njerëz që pretendojnë se i përkasin kombit shqiptar dhe e quajnë veten Profi. Unë mund të fal këdo, edhe atë që më ofendon nga familja kur e kërkon nevoja e atdheut, por askujt nuk mund tia fal kur ofendon kombin tim, figurat kombëtare. Pra, kur ngre dorë me prapavija dashakeqëse mbi çdo gjë shqiptare. Në qoftë se dhe vetë ZOTI po të tentonte ta bënte një gjë të tillë unë do ta kundërshtoja sepse e dua kombin tim të dashur që i përkas.

 

*Historian dhe Publicist



(Vota: 13 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora