E premte, 19.04.2024, 02:29 AM (GMT+1)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Kambanat e alarmit po bien

E marte, 06.03.2012, 09:01 PM


Kambanat e alarmit po bien

 

Një liri e munguar për shekuj, për shqiptarët u sendërtua në fundshekullin XX. Lëvizjet e ndryshme botërore dhe shembja e sistemeve politike të sajuara mbi ideologji rrënuese, përfundimisht i zgjoi shqiptarët nga gjumi letargjik, me çka rezultoi që shqiptarët të çlirohen nga prangat e robërisë (Kosova nga Serbia, e Shqipëria nga diktatura komunisto-lindore)...

 

Nga Ndue Ukaj

 

...Prandaj, lëvizjet e fundshekullit XX, sikur në Shqipërinë postkomuniste, po ashtu në Kosovën e robëruar, patën një synim bazik: shkëputjen e shqiptarëve nga ndikimet orientale dhe kthimin e tyre kah perëndimi. Ishte kjo rrugë, e cila në vitet e 90-ta bashkoi tok shqiptarët, duke promovuar dhe proklamuar një identitet unik dhe jo gjysmakë. Ende janë të freskëta kujtimet kur qindra mijëra demonstrues në Tiranë, atëbotë kur diktatura e egër jepte shpirt tek brohorisnin “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. E, kjo lëvizje, mirëpo me përmasa krejtësisht tjera, në Kosovë u konsolidua fuqishëm nga lideri historik i shqiptarëve, Ibrahim Rugova, i cili platformën e tij nacionale, e ndërtoi mbi elementet bazike: kthimin e shqiptarëve në shtratin e natyrshëm europian, nëpërmjet rrugës së lirisë, demokracisë dhe shtetit të ri shqiptar.

 

Shqipëria nga kjo kohë, numëron një distancë prej dy dekadëshe, ndërkaq Kosova ka kaluar më tepër se një dekade lirie. Kanë kaluar vite që kur synimet tona janë sendërtuar, ndërsa dy shtetet tona, ende përballen me probleme elementare të shtetndërtimit, siç janë demokracia, zgjedhjet, liria e shprehjes, institucionet e pavarura, etj. Kjo gjendje kaotike, nuk ka sesi t’mos ngacmoi vëmendjen e vëzhguesit të jetës shqiptare dhe të ngreh dilema, nëse shqiptarët e kanë të qartë rrugëtimin e tyre ka integrimet, rrugëtimin ka shteti stabil në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, apo luajnë me shtetin, si me një plaçkë lufte. Në përgjigje për këtë dilemë, e cila si e tillë, po shqetëson gjithë opinionin dashamirës dhe inteligjencien që demonstron një ndërgjegje të pastër kombëtare, mund ta kërkojmë tek pyetja e mëposhtme që shtronte Branko Merxhani në vitet e 30-ta: “Pa e ditur se nga vijmë, pa e ndjerë e pa gjyrmuar “si”-në dhe “përse”-në e gjendjes së krijuar, a është e mundur të mendojmë dhe të kuptojmë se për ku shkojmë”?

 

Shqiptarët, këndej e andej kufirit, presin me ankth raportet që harton Komisioni Europian për vendet tona. Shqiptarët këndej e andej kufirit, përcjellin me shqetësim vizitat e delegacioneve të vendeve në të cilat aspirojmë të integrohemi, në vendet tonë dhe anasjelltas dhe anasjelltas vizitat e liderëve tanë në këto vende. E këtu nuk përfundon kalvari i kthimit të shqiptarëve në perëndim, sepse shqiptarët shumë shpesh lexojnë me ankth opinionet, lajmet dhe artikujt e mediave të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare, me fokus problemet shqiptare, ku zakonisht atakohen qeveritë tona për paaftësi që të luftojnë korrupsionin, paaftësi për të etabluar demokraci të mirëfilltë, paaftësi për të zhvilluar një ekonomi liberale dhe paaftësi për të mbajtur zgjedhje të mirëfillta demokratike. E, më e keqja, akuzohen se ngufasin demokracinë, janë të korruptuar dhe shfaqin prirje despotike, duke ngulfat demokracinë. Nga vjen kjo fotografi e zymtë për kombin? Thjesht, kjo flet qartë për një politikë të diskredituar, që jeton për qejfet e veta dhe që synim parësor ka pushtetin me çdo mjet, model ky i shteteve joperëndimore, prej të cilave kombi ynë ka bë përpjekje gjigante të shkëputet, tash e dekada më parë.

 

Shqiptarët ndjejnë ankthshëm mungesën e një progresi të kënaqshëm kombëtar. E pikërisht për këtë arsye, gjithnjë e më shumë kanë filluar të shpërfaqën teza të gjithfarshme, prej atyre që ecin në drejtim të deformimit të ndjenjës së përkatësisë kombëtare, deri tek ato që “mëkatet” e kësaj gjendje i kërkojnë të “europa plakë”, e cila akuzohet pse s’i zgjedh me shkop magjik problemet shqiptare. Kanë kaluar vite, e ende adresa e mossukseseve tona kërkohet tjetër kund. Kjo ka bë që politika jonë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, preokupim kryesor të ketë sajimin e një “imazhi modern” para botës, duke u bë sa më kozmopolitë të jetë e mundur, vetëm e vetëm ta ruaj pushtetin. Kjo është edhe arsye pse shtetet tona “kujdesen” aq shumë për imazhin, e shumë pak për atë që realisht janë. Andaj, frikësohen kur të tjerët flasin për ne dhe tregojnë çfarë vërtetë jemi. Trishtohen kur lexojnë ndyrësirat që ju hedhin në shesh kabllogramet amerikane, të publikuara përmes Wikileaks-it.

 

Po t’i analizojmë zhvillimet tona shoqërore të këtyre dy dekadave dhe t’i studiojmë në prizëm të pyetjes së lartshkruar të B. Merxhanit, mund të nxjerrim një premisë të rëndësishme psikologjike dhe sociologjike, për të pohuar se çrregullimet tona kombëtare, iu dedikohen pikërisht paaftësisë me kuptuar rrugën nga vijmë, psenë e gjendjes ku jemi, pyetje këto që bëhen pengesa për të kuptuar rrugën ku po shkojmë.

 

Cilat janë këto forca të errëta që e pengojnë ecjen e natyrshme të shqiptarëve krahas kombeve të qytetëruara, në mos “truri i tyre është i lidhur me zinxhirë”, siç do të mund të thoshte Faik Konica.

 

Prandaj, që t’i jepet fund kësaj anarkie që sundon në vendet tona të mrekullueshëm; me i dhanë fund këtij dëshpërimi, që ka triumfuar mbi idealet tona; me i dhanë fund kësaj lufte politike të pashembullt që zhvillohet ndër me, pa asnjë parim e asnjë vlere; me i dhanë fund kësaj prapambeturi, këtij dembellëku të trashëguar nga armiqtë, inteligjencia e pastër dhe ndërgjegjja kombëtare, duhet me refuzua nënshtrimin.

 

Shqiptarët, pas peripecive të shumta, duke menduar se fundi i klithmave dhe vajtimeve ka përfunduar, edhe njëherë po sfidohen me dilema ekzistenciale. Këndej pari, me demaskua një ideologji te verbër qe po mundohet mi verbuar edhe njëherë shqiptaret dhe historinë e tyre, është detyre e inteligjencies se mbare. Është bë tanimë banale tendenca e disa grupeve të vogla, që insistojnë pa pabazë me mbjell nder shqiptar një histori te sajuar nëpër kuzhina te gjithfarshme, por, pa asnjë argument shkencor, historik, kulturor.

 

Tani duhet të ngrihet zëri i arsyes dhe guximshëm të kërkoj shkaqet e kësaj gjendje, duke i lënë anash arsyetimet banale se kemi pas armiq, se kemi armiq, se kjo e ajo, teza këto të stërvjetruara. Duhet t'i shikojmë kombet tjera si këndellen, konsolidohen dhe faktorizohen.

 

Ndërsa ne, vetnumërojmë, pa lëvizur një grime para, apo thënë me mire, ecim mbrapsht.

 

Ne këtë anarkinë tone kombëtare qe po na sundon, ne këto momente te liga neper te cilat po kalojmë, plot ankth e dëshpërim, plot zhgënjim e psherëtima, plot mllef e urrejtje, logjika në thotë se diku duhet kërkuar shkaqet. Kjo për faktin se kësisoj krijohet një parakusht që plagët tona kombëtare t’i kërkojmë dhe kurojmë drejtë. Nuk e thoshte kot Konica se Shqipëria po vdes nga politika, prandaj është koha e atyre idealisteve ta shpëtojnë kombin.

 

Kambanat alarmit kanë filluar të bien për ata qe kane vesh. Ndërsa përfundimisht, politika, ajo e cila është e thirrur për të zgjedhur probleme dhe paguhet nga tatimpaguesit për këtë, duhet të këndellet dhe të mos jetë bartëse e problemeve. Ajo duhet t’mos e zgjatë agoninë e përgjithshme dhe të ndërtoj platforma kombëtare për progres stabil, që deri tani nuk shihet në horizont.

 

Plagët kombëtare, shërohen duke i pranuar, duke i diskutuar dhe duke dashur që të tejkalohen, jo me diskurs patetik, por me veprime të menduara dhe në shërbim të kauzës së drejtë kombëtare dhe në funksion të progresit kombëtar.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora