| E merkure, 11.04.2012, 08:00 PM |
EDHE NJË HERË
RRETH MËNYRËS SE SI SHPREHET ZOTI
Shkruar nga: Mërgim Korça
Pikërisht
një vit të shkuar u detyrova edhe nuk ndenja dot pa e hartuar dhe botuar një shkrim me titullin :
Për një
koherencë të pohimeve të një personaliteti shqiptar
me të
kaluarën historike të vëndit tij .
Ësht’e
qartë se të vendosësh të polemizosh duke i hequr vërejtjen një zëvëndës Kryetari të Këshillit të Ministrave
të Atdheut tënd, i cili mbulon edhe funksionin e Ministrit të Punëve të
Jashtëme, në parim nuk është një kënaqësí.
Vetëm një arësye madhore mund të të shtyjë t’a marrësh një vendim të
tillë !
Mirëpo
kur mbas një viti, i gjëndur së rishmi para një situate relativisht të ngjashme
me të parën, e detyrohesh së rishmi të mos heshtësh por të shprehesh, lëkundja
pa as më të voglin dyshim ësht’edhe më e madhe.
Pse ? Për vetë faktin se gjëndesh
para një mëdyshjeje jo të papërfillëshme e cila konsiston në një pyetje madhore
që duhet t’i drejtosh vetes tënde :
A ia vlen t’ia hysh edhe një herë dhënjes mendimeve kur e shikon se
subjekti ose nuk e përfill fare pikëpamjen tënde ose, ç’kishte për të qenë
akoma m’e trishtë, kur egziston edhe mundësia që personit në fjalë mundet t’i
mungojë formimi i tillë sa që të jetë në gjëndje të të kuptojë pa le pastaj
edhe të njësohet me sa i sugjerohet ? E
këto, duke mos dashur në asnjë mënyrë as t’a ze në gojë një eventualitet të
tretë, ku lidhur me këtë qëndrim të jenë të ndërthurura pastaj interesat e dy
shteteve historikisht të interesuara në shkëputje territoresh themelisht
shqiptare, njeri kufitar verior e tjetri jugor !
Vitin
që shkoi u detyrova t’i drejtohesha z. Edmond Haxhinasto, lidhur me një
deklaratë të tijën të cilën, atyre që nuk e kanë parasysh po u a rikujtoj se sa
i takon Kosovës ai pohoi që “... Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar,
apo lëvizja e kufijve, ësht’e dëmshme si idé për shqiptarët dhe si veprim për
rajonin.” (Në qoftë se ndonjë
lexues ka kërshërí t’a lexojë, mund t’a gjurmojë në www.aafhsite.com).
Këtë
herë, përgjatë intervistës z.Edmond Haxhinasto dhënë televizionit Vizion Plus,
ndeshemi me një gafë tjetër të rëndë të kreut të diplomacisë shqiptare. Si në shtyp edhe në faqet e internetit, shumë
është shkruar lidhur me mosnjohjen nga ana e kreut të Diplomacisë Shqiptare të
historisë kaluar të popullit tonë e gjithashtu edhe të mungesës njohurive rreth
gjeografisë territorit Çam. Kurse unë,
mbasi lexova edhe çfajësime si nga ana e kryediplomatit shqiptar e gjithashtu
edhe nga ana e dikasterit që ai drejton, pa rënë në gabimin që t’a ndjek në
sipërfaqe problemin, ashtu si po trajtohet,
dua të ndalem duke e shikuar më objektivisht por ama më gjer’e
gjithashtu edhe më thellë problemin. Për
t’ia arritur këtij qëllimi patjetër që duhet t’i referohemi vetë Casus Belli-t,
pra shkakut të sherrit !
U referohemi pra thënjeve të zv/Kryeministrit si edhe Ministër i Punëve
të Jashtëme të Shqipërisë, z.Edmond Haxhinasto, dhe pohimeve të tija u vemë
lentën zmadhuese, i gjykojmë sa më paanësisht që të mundemi dhe doemos nxjerrim
pastaj edhe përfundimet tona.
Zoti
Haxhinasto është shprehur “...Në mënyrë konkrete mund të them se pala greke
ka shprehur qëndrimin e saj, se ajo njeh atë toponimí e cila është paraqitur në
formë zyrtare nga ana e saj në OKB, pra është paraqitur një listë e caktuar
emrash për territorin e rajonit të Greqisë, që janë benda territorit grek, dhe
pala greke do t’i ketë në një formë të caktuar.” Dakord. Kjo pikëpamja si edhe kërkesa e palës greke.
Shikojmë
tashti se si e shikon këtë qëndrim ministri jon’i Punëve të Jashtëme i cili
shprehet lidhur me listën greke të toponímeve “ ... kjo listë themi që
tashmë ka marrë edhe fuqí ligjore, pasi ka mbi dhjetë vite që është paraqitur
në Kombet e Bashkuara dhe fjala Çamërí nuk ekziston ... ky është një detyrim që
ne ta trajtojmë këtë çështje dhe do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën
greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës ...”. I
a shtrojmë tashti pyetjen tonë z.Haxhinasto :
Pala greke, listën e saj me toponimet e caktuara prej saj e ka dorëzuar
pranë O.K.B.- së, apo gabohemi ?
Nga ana tjetër, ju vetë shpreheni, z. ministër, se mendoni që ajo listë
tashmë të ketë marrë fuqí ligjore. Nga
cila logjikë, pa lé praktikë diplomatike mendoni se niseni ju që, në vënd që
t’a ngrini fuqishëm problemin në fjalë në O.K.B., të ktheheni e
duke i u lutur palës greke, t’a diskutoni çështjen me të ? Pa lé që edhe shtoni se do t’a shtroni duke
treguar fleksibilitetin përkatës !(???) Ju, PALA SHQIPTARE TË TREGOHENI
FLEKSIBËL ? Mos e dhëntë Perëndia !
Trysnía greke na mbyti, na e mori frymën, na ka futur në të gjitha
shtigjet ku ka dashur ajo vetë duke na bërë jo vetëm t’a humbisnim orientimin
por edhe dinjitetin tonë, në mos tjetër por së paku para bashkatdhetarëve tanë
që jetojnë në Greqi q’e ndjejnë veten tamam jetimër sa i takon mbrojtjes
së të drejtave të tyre nga SHTETI AMË !
Vazhdojmë
edhe me një “xhevahir tjetër” të ministrit tonë të Punëve të Jashtëme
zotit Haxhinasto, i cili shprehet integralisht si vijon : “ ... Fakti që Republika e Shqipërisë gjuhën
e saj të dokumentave zyrtare e ka gjuhën shqipe dhe nuk mund të vejë versione
të caktuara nga kushdo që kërkohen, por gjithashtu është e vërtetë që
dokumentet që lëshohen p.sh. pasaporta biometrike është në përdorim jashtë
territorit të Shqipërisë dhe si rrjedhim duhet të ketë parasysh edhe kërkesat
që mund të kenë vënde të caktuara përsa i përket mënyrës së paraqitjes së
toponimisë. Ky është një nga problemet do
të thoja të cilin kemi predispozitën t’a zgjidhim dhe jemi në ndjekje të
zgjidhjes me palën greke.”
Duke
u munduar t’a ruaj etikën e një polemike brënda kufinjëve të mirësjelljes, nuk i shmangem dot shtysës që t’ia theksoj
spektatorit televiziv, (q’e ka ndjekur intervistën e k/diplomatit tonë), ose
edhe lexuesit të pohimeve të tij, të ndershëm dhe të paanshëm, se me këtë pohim
të fundit z.Haxinasto qëllimisht dhe shumë dashakeqësisht, kërkon t’a devijojë
vëmëndjen e tyre nga thelbi i problemit.
Cila teknika e përdorur prej tij ?
Fillimisht duket sikur ai trajton gjuhën, e cila është FORMA QË
PËRDORET NË PASAPORTAT SHQIPTARE BIOMETRIKE.
Në vazhdim ai fut në lojë MËNYRËN E PARAQITJES TOPONIMISË, por
pa e nënvizuar pa lé edhe theksuar se territori i emërtuar ç’prej qindra e
qindravjeçarësh me emrin ÇAMËRI, ËSHTË ZHDUKUR NGA LISTA TOPONIMIKE E
QEVERISË GREKE ! Pra, nga njera anë
kemi të bëjmë me një KRIM TË FTOHT’E TË PARAMENDUAR NGA ANA E QEVERIVE
GREKE, kurse nga pala e jonë me një SI
URDHËRONI ku, ç’do gjë mund të thuhet për të por jo GABIM SHPREHJE
! Kjo më bën të revoltohem jashtë mase
dhe t’a theksoj edhe një herë se nuk bëhet aspak fjalë për gjuhë sipas së cilës
janë hartuar pasaportat shqiptare. Por
thelbi i problemit është se pala greke e ka zhdukur territorin e ÇAMËRISË nga
harta gjeografike e Greqisë, në një kohë që ne merremi me MËNYRËN E
PARAQITJES TOPONIMIKE TË TERRITORIT GREQISË nga ana e palës greke ! Duke u
shprehur kësisoji nënkuptohet sikur toponimía nuk ka të meta kurse mënyra e
paraqitjes, po. Në një kohë që problem
themelor është vetë përbërja e listës !
E për t’i vënë kapak pastaj na vjen edhe shprehja e kryediplomatit tonë
i cili na tregon se pala e jonë do t’a ruajë edhe fleksibilitetin
përkatës ndaj kërkesave greke !(???) Deri
tashti folëm për faktorin subjektiv ku ndjenja kombëtare e shqiptarëve, të
cilëve zemra gjithmonë u rreh për Shqipëri, lëndohet rëndë nga pohimet e
z.Haxhinasto.
Për
t’ia zgjeruar tashti disi këndvështrimin z.Haxhinasto me të kaluar historike ku
marrëdhënjet me grekët kanë qenë gjithmonë problematike për të tjerët, më
vjen në ndihmë shprehja e vënë në gojën e Laokoontit nga ana e Virgjilit të
famshëm, (Libri i II-të i ENEIDËS), kur ishte puna të pranohej
apo jo futja e kalit të drunjtë në Trojë dhe Laokoonti thotë : “TIMEO DANAOS
ET DONA FERENTES”, që përkthyer merr kuptimin : U a kam frikën Danajve edhe kur
sjellin dhurata, (e Virgjili e përdor cakun gjuhësor Danaj në mënyrë homerike
duke e identifikuar popullsin’e lashtë të Argosit si sinonim të grekëve). Zotit Haxhinasto mund t’i duket ky krahasim i
bërë i tepërt (nga që ai e dinte), pa lé sikur t’a krijojë përshtypjen se e
bëra t’i tregohem i lëçitur. Jo
z.Haxhinasto aspak, sepse kur un’e kam bërë shkollën e mesme, në klasën e parë
të gjimnazit të asaj kohe, që sot i takon të jetë klasa e VI-të e tetëvjeçares,
i kemi mësuar në faqet e historisë Greqisë Lashtë këto kalime. Por që t’ju a shpjegoj se përse e bëra këtë
paraqitje krahasuese, duhet t’ju them se egziston edhe shprehja tjetër e quajtur
CASUS FOEDERIS, (krahas CASUS BELLI q’e kam përmëndur më lart),
në kurthin e të cilit uroj nga zemra edhe lus Zotin mos t’ju fusë
politika e ndjekur prej jush me Greqinë, duke qenë të dyja palët anëtarë të NATO-s
! (Prandaj qëmtojeni se ç’nënkupton CASUS FOEDERIS dhe vetëm përvojë
pozitive do të përfitoni). E theksoj
këtë veçorí se nuk do të kisha aspak dëshirë t’i drejtohesha në vijim
z.Haxhinasto me një shkrim edhe për të tretën herë ! Proverbi i mënçur latin thotë : NJERIU I PARALAMËRUAR GJYSËM I SHPËTUAR !
Do
t’i mbyll këto radhë kritike ndaj z.Edmond Haxhinasto, me disa hollësí teknike
që patjetër k/diplomati shqiptar i di por dëshiroj që, edhe lexuesi që nuk ka
informacion të kësaj natyre, të
përditësohet.
Nga
të dhënat e O.K.B.- së bëhet e ditur se funksjonon Grupi i Ekspertëve të
Kombeve të Bashkuara lidhur me Emrat Gjeografikë (grup i emërtuar GENUNG, në
trajtë akronimi). Arësyeja e krijimit të
këtij grupi është se përdorimi i njëllojtë për nga trajta i emrave të krahinave
gjeografike (TOPONIME-ve), të pa ngatërrueshëm ndërsjelltas, përbën një element
themelor për arritjen e një komunikimi funksjonal të ndërsjellë në shkallë
botërore. Si pasojë favorizohet
zhvillimi shoqëror-ekonomik si edhe ruhen vlerat kombëtare. Sa për dijeni, ky grup ka zhvilluar thuajse
rregullisht konferenca ndërkombëtare një herë në dy vite ku temat e trajtuara,
sa për shuarje të kureshtjes, kanë qenë p.sh.në Strasburg më 1 Shkurt të
1995-sës rreth Deklaratës të të Drejtave të Personave që bënin pjesë në Pakica
Kombëtare ose Etnike, Fetare si edhe Gjuhëfolëse. Ose p.sh. më 20 Tetor të vitit 2005 u
zhvillua në Paris konferenca me objektiv trajtimin e problemit të Mbrojtjes si
edhe Promovimit të Ndryshueshmërisë në Shprehjet Kulturore.
Duke
i a vënë në dukje kryediplomatit shqiptar të metat e tija, (gafat), sipas
pikëpamjes sime, si i ka konfiguruar ai qoftë problemin e së ardhmes Kosovës,
(më vete apo e bashkuar me Shqipërinë), ose gjithashtu si e ka trajtuar
problemin e listës toponimike GREKE,
ku nuk egziston territor i emërtuar ÇAMËRI, qëllimi im i vetëm
dhe qëndror, ka qenë të analizoja gabimet por edhe të bëja sugjerime se si mos
të përsëriten gabimet e kaluara. Kjo
themelorja.
Por
nuk mundem mos të ve në dukje edhe anën tjetër të medaljes ku sot, thjeshtë për
të fituar kredí elektorale, P.S. e kritikon edhe ajo ministrin e Punëve të
Jashtëme z.Haxhinasto, ndonëse me fjalë të përgjithëshme e pa as më të voglin
sugjerim lidhur me rrugë zgjidhjeje të problemit toponimisë greke, e prandaj
unë nuk shmangem dot pa e vënë në dukje faktin se ajo listë e toponimísë
Greqisë i qe dorëzuar O.K.B.-së kur qeverija ishte e drejtuar nga socialistët e
kësisoji natyrshëm më lind pyetja : mirë po e kritikojmë, dhe me plot të drejtë
i a dënojmë pikëpamjet z.Haxhinasto, po kur qenë socialistët në pushtet, si
vepruan ?
Ky
këndvështrimi i një shqiptari nga mijëra kilometra distancë prej Atdheut !
Mërgim
Korça
10 Prill 2012