Editorial
Arben Llalla: Manipulimi i shqiptarëve mysliman në Maqedoni
E shtune, 12.05.2012, 04:24 PM
PROTESTUAN
SHQIPTARËT, POR JO ME KULTURË
Nga Arben LLALLA
Protestat
që u mbajtën të premten në disa qytete të Maqedonisë që banohen me shumicë nga
shqiptarët dolën jashtë kontrollit duke kaluar në degradim të plotë. Që në fillim
ata që organizuan protestat nëntokë dhe mbi tokë qëllimisht vunë si parullë kryesore,
myslimanet nuk janë terrorist, nuk janë radikal. Por në këto protesta nuk
protestuan myslimanët e asnjë bashkësi e kombësive të tjera që i përkasin fesë islame
në FYROM si: turqit, torbeshët, boshnjakët, romët, sllavomaqedonasit myslimanë.
Këta, nuk dolën në protesta për të vënë nderin e myslimanëve në vend nga
ofendimet dhe akuzat e pabaza të zyrtarëve shtetëror. Qeveria e Maqedonisë ka
deklaruar pak ditë më parë se janë arrestuar radikal islamik dhe kjo akuzë nuk
rëndon vetëm mbi shqiptarët mysliman, por mbi të gjithë myslimanët e Maqedonisë.
Myslimanët e kombësive të tjera nuk e prishën rehatinë nga këto akuza, përfaqësuesit
e tyre politik as nuk dhanë ndonjë deklaratë për të kundërshtuar këtë etiketim
për myslimanët në Maqedoni. E pra, dikush u ka thënë që i kemi vetëm me
shqiptarët mysliman akuzat për terrorizëm.
Askush
sot nuk e merr përgjegjësinë e organizimit të protestave edhe pse organizatorët
dihen, ata ishin në ballë të tyre me megafon duke drejtuar me fjali-parrulla
turmën e cila sapo kishte dalë nga shtëpia e Zotit, Xhamia.
Shqiptarët
protestuan në Shkup, në Tetovë dhe Gostivar me flamur kombëtar dhe me flamur të
Arabisë. Nuk e kuptoj se çfarë lidhje ka flamuri shtetëror i Arabisë me
shqiptarët, protestën? Disa protestues ulërinin Allahu Ekber dhe fjalë të tjera
që shumica e shqiptarëve në Ballkan nuk i dinë kuptimin e këtyre fjalëve arabe.
Dikush tha se: “Selamin” e morën ata që duhet ta marrin. Por askush nga
qeveritarët nuk mori “Selamin” përveç që ne, shqiptarët e Maqedonisë i treguan
Europës se jemi për NATO dhe BE, por me flamurin e Arabisë, pra duam të shkojmë
në Europë jo si shqiptar, por si arab. Pra, tashmë një pjesë e shqiptarëve kanë
vendosur që në çdo protestë, dasëm, synet, varrimi dhe xhami të valëvitet
flamuri i Arabisë dhe jo flamuri shqiptar.
E vetmja
protestë e cila kishte kuptimin e plotë se për çfarë protestohet ishe ajo që u
mbajt në Kumanovë me flamurin shqiptar dhe të BE. Organizatorët ishin në ballë të
saj me në krye axhën Idriz Sinani, kryetar i Forumit Ndërkombëtar i të Drejtave
të Njeriut. Pra, organizatorët diheshin, ishin në krye për atë se çfarë protestonin
paqësisht. Në Kumanovë u protestua qartë dhe qetë, me rregulla njerëzore dhe
demokratike ashtu siç e ka zakon shqiptari.
Protestat
e fundit nuk u përkrahën nga partitë shqiptare, as nga unionet studentore dhe
shoqatat joqeveritare, kjo tregoi qartë se shqiptarët duhen të distancohen nga
tubime të tilla që organizohen pas faljes të së Premtes dhe ku nuk tregohet
kulturë, por dhunë. Sllavët dhe grekët të mbështetur nga Rusia po i dërgojnë shqiptarët
drejtë kurtheve që ua kanë ngritur ndër vite dhe siç po shihet një pjesë e
shqiptarëve me britma arabe dhe flamur të Arabisë po shkojnë me dëshirë drejtë këtyre
shtigjeve të vdekjes. Jo rastësisht ministria e punëve të brendshme znj.Jankullovska
ishte një natë më parë në tv Alsat-M , veprime të koordinuara për nxitje edhe më
shumë për të protestuar me dhunë dhe ofendime. Në atë emision ajo i ra të njëjtës
daulle që i bien serbët dhe grekët prej shumë vitesh. Ministria e cila gjithnjë
hapët ka deklaruar se nuk dëshiron përkthim në gjuhën shqipe, me gjuhën e saj
politike nxiti edhe më shumë që shqiptarët të protestojnë të premten si
mysliman dhe jo si shqiptar. Nuk ishte rastësi dalja e saj në emisionin e Alsat-M,
pasi ishin paralajmëruar protestat, kaq gjë edhe bebet e kopshteve e kuptojnë.
Në protestat
e fundit u dëshmua dhunë, ofendime të cilat asnjëherë nuk janë parë në protestat
e mëparshme që kanë organizuar shqiptarët në Maqedoni. Është hera e parë që protestuesit
shqiptar në Maqedoni gjuajtën me gurë institucionet shtetërore, ofenduan vend e
pavend, kjo lloj proteste nuk është vërejtur asnjëherë. Prej 20 vitesh shqiptarët
kanë protestuar në Maqedoni për të drejta njerëzore, për universitet në gjuhën
shqipe, për ndalimin e vrasjeve enigmatike që kanë ndodhur, të qetë, me kulturë,
me parrulla demokratike, dhe gjithnjë në ballë të këtyre protestave kanë qenë burrat
e mençur me flamurin shqiptar.
Qartë duket
se protestat e së premtes janë nxituar nga qarqet antishqiptare të cilët
vrasjen e pesëfishtë duan tua veshin shqiptarëve duke i etiketuar terrorist të Ballkanit.
Sllavët financojnë milion euro prej shumë vitesh që islamizmi tradicional
shqiptarë të degradohet, të etiketohet si islamizëm që prodhon dhunë, urrejtje
dhe terrorizëm.
Shqiptarët
e së premtes protestuan sepse islami është quajtur terrorist radikal, por ka
disa vite që shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë protestuar kaq masovishtë për
vrasjet enigme të ish-komandantëve të UÇK. Shqiptarët nuk kanë protestuar
viteve të fundit përse gjuha shqipe nuk përdoret në bazë të MO, shqiptarët nuk
kanë protestuar për botimin e librave të shkollave fillore dhe të mesme ku
injorohet gjuha, kultura, historia shqiptare, shqiptarët nuk kanë protestuar që
me të hollat e tyre investohet në kulturën sllavomaqedonase dhe qytetet ku ata
janë shumicë dhe shteti nuk investon në qytetet shqiptare si Tetovë, Gostivar,
Kërçovë, Dibër etj.
Dikush po
i manipulon shqiptarët mysliman në Maqedoni, dikush po kërkon që ne të shkojmë drejtë
humnerës, drejtë Lindjes Sllave dhe jo drejtë Perëndimit Europian.
Kjo u kuptua edhe nga letra e një grupi të rinjsh shqiptar të cilët reaguan ndaj grupeve dhe individëve që keqpërdorën protestën, duke implikuar flamujt dhe thirrje fetare.