Kulturë
Gjekë Gjonaj: Një kurorë e artë për Kojën legjendare
E diele, 10.06.2012, 04:22 PM
Një kurorë
e artë për Kojën legjendare
Nga Gjekë Gjonaj
Të ndërmarrësh nismën hulumtuese për të nxjerrë nga errësira permanente tablonë e fshatit të lindjes dhe personazhet me të cilët ke lidhësi dhe afërsi të gjakut, për të ndriçuar atë që është e pranishme, por e panjohur, për të gjallëruar atë që ka ikur, vetëkuptohet që është një vështirësi e cila i ngjanë realizimit të një arkitekture të madhe të kujtesës njerëzore. I vetëdijshëm se brezat e tashëm dhe të ardhshëm kanë nevojë për këtë ndriçim mërgimtari e atdhetari Fran Gjeloshaj iu qas me shpirt e me zemër kësaj rruge të Sizifit dhe pas shumë vitesh pune të lodhshme në tokën e premtuar siç e quajnë Amerikën i dhuroi botës shqiptare librin monografik “ Koja ndër shekuj” i ndarë në dhjetë kapituj që shtjellohen në 318 faqe tekst e fotografi. Vargut të veprave monografike për vendbanimet shiptare të Malësisë iu është shtuar edhe ajo për Kojën, fshat ky që dha shumë për qenësinë shqiptare në kohërat më të hershme e deri më sot.
“ Këtë libër
nuk fillova ta shkruaj se isha i bindur
se kam informata të mjaftueshme, apo se do të gjeja shumë të reja, por më shumë
nga dëshira për të ruajtur nga harresa atë që dihet deri në ditën e sotme, në mënyrë që mos ta
humbasin rëndësinë dhe vlerën e vet,
sepse nëse është e rëndësishme për ne sot, do të mbetet e rëndësishme edhe për
gjeneratat që vijnë pas nesh”, shkruan
autori në hyrje të librit.
Vepra monografike “ Koja ndër shekuj” i shkruar me përkushtim, dashuri të madhe e ndërgjegje të pastër nga pena e një burri të meçur e fisnik malësor në moshë të pleqërisë Fran Gjeloshaj, i cili që nga viti 1993 jeton në Detroit, është një vepër me rëndësi të veçantë. Së pari për komunitetin që paraqet. Së dyti për literaturën dhe kulturën shqiptare. Së treti për historinë dhe krijimin e një tradite të shkrimit të historikut të fshatrave të Malësisë, e cila zatën i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë kulturës shqiptare në përgjithësi. Si rezultat i kësaj mungese ne sot kemi shumë pak libra për Malësinë tonë kreshnike, ku çdo gur i saj është një histori në vete. Në këtë formë ky libër monografik e historik, përveç se plotëson një boshllëk jo të vogël, është një lloj grishje për të filluar pasqyrimin e kohës, ngjarjeve e fenomeneve të gjithfarshme të vendbanimeve shqiptare të Malësisë.
Fran
Gjeloshaj me punën e tij aspak të lehtë,por të dobishme me këtë libër ka hapur rrugë edhe për shumë pena
të tjera që të ndjekin shembullin e tij
të vyer dhe domethënës. Në të vërtetë
kjo vepër e mirëfilltë kushtuar Kojës
legjendare ofron të dhëna
historike, gjeografike, gojore, etnografike, demografike, toponimike,
etimologjike, përkatësisht për lashtësinë
arkeologjike, gjenealogjike, fetare, traditën dhe kulturën popullore të vendlidjes
së tij. Autori në këtë libër
mbi të kaluarën dhe të tashmen e Kojës ka trajtuar shumë çështje, duke
filluar nga lashtësia e lavdishme ilirike e këtij fshati (bajraku) . Në këtë aspekt
autori paraqet informata mjaft të rëndësishme
për pozitën gjeografike të Kojës, lashtësinë, origjinën, doket, zakonet,
besimin e tyre, toponiminë, regjistrimin
e popullësisë, jetën arsimore, organizimin e jetës kulturore-shoqërore, vëllazëritë,
traditën dhe kulturën popullore, gjenealogjinë e fiseve të saj e të tjera. Vepra në fjalë shoqërohet edhe me të dhëna demografike
mbi Kojën, që nga shekulli I XV-të
e deri në shekullin XXI, dhe mbi emigrimin e hershëmn të kojasve jashtë vendlindjes në shumë vende të botës, kryesisht në Shtete të
Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar me
ngulmë nga ata dhe të gjithë mërgimtarët shqiptarë të kudo ndodhur të ruajnë traditat,
të kultivojnë gjuhën, identitetin e tyre, të ndërtojnë lidhje të fuqishme me tokën e të parëve.
Me këtë vepër zotëri Fran Gjeloshaj bëri të pamundurën, arriti të pasqyrojë historinë e lavdishme të Kojës dhe banorëve të saj për të cilin poeti popullor është shprehur “ Koja e vogël ni pakicë, muor bajrakun ën Deçiq”.
Njerëz të
tillë si Fran Gjeloshaj nderojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe
fshatin ku kanë lindur, vendin dhe kombin.
Vepra e tij modeste “ Koja ndër shekuj” për mendimin tim, është një kurorë e artë dafine për vendlindjen e tij, Sepse përfundimisht ia doli t’ua mësojë e rimësojë brezave se çfarë do të
thotë dashuria dhe nostalgjia për vendin
ku ka lindur, ku i ka mësuar fjalët e para të nënës dhe shkronjat e para
shqipe, ku është rritur, ku është edukuar
dhe ku
është brumosur dhe ushqyer me
ndjenjën e atdhedashurisë, bujarisë e fisnikërisë njerëzore. E mirë tjetër e këtij
libri është fakti se autori u la një “ testament” brezave të ardhshëm për historinë e Kojës dhe
të parëve të tyre, jo më pak i rëndësishëm
seç është përmendorja në qendër të fshatit e shtatë luftëtarëve kojas, të cilët ranë dëshmorë në Kryengritjen
e Malësisë, në Luftën e Deçiqit, më 6 prill
të vitit 1911.