Mendime
Ardian Ramadani: Maqedonia në sfidat globale të sigurisë
E diele, 15.04.2012, 04:03 PM
Maqedonia në sfidat globale
të sigurisë
Nga Ardian Ramadani
1. Ballkani, vështrim i shkurtër i një rajoni me një problematikë të
gjatë
Më
tepër se një shekull gadishulli ku jetojmë ne, e që njihet me emrin Ballkan,
është konsideruar si një bastion i problemeve, të këqijave, luftërave dhe
gjakderdhjes, e sidomos pas luftërave, që po sa i lamë pas, me një kujtesë
shumë të hidhur, duke lënë mbi 300 000 viktima të terrorit, krimeve të luftës,
të masakrave të mëdha, e gjenocidit të tmerrshëm.
E
thënë shumë saktë nga ish kancelari Bizmark, se ky rajon, është rajon që
prodhon histori, po shumë pak konsumon prej saj, Ballkani megjithë këtë imazh
shumë çoroditës që ka, ngërthen në vete edhe koncepte të tjera. Ky rajon, i
cili ngërthen në vete jo vetëm koncepin gjeografik me një pozitë të volitshme
gjeografike, me pozitën e tij të përshtatshme në paralelen e 40, me 270 ditë me
diell, me një klimë alpine kontinentale dhe mesdhetare, ngërthen poashtu edhe
konceptin e miteve, legjendave, idoleve, autoktonisë dhe origjinalitetit,
historisë, traditës, vyrtyteve e veseve, vlerave dhe antivlerave, si dhe me të
drejtë mund të themi bastion i mburrjeve dhe krenarive të tepruara.
Në
suaza të këtij territori kanë jetuar popuj dhe etni të ndryshme, që kanë lënë
gjurmë të pashlyshme në historinë e këtij rajoni, e që janë: shqiptarë, grekë,
serb dhe bullgarë. Kësisoj këta popuj në këtë rajon, nuk arritën kurrë të
kuptojnë se fati i kishte sjellur të jetojnë njëri afër tjetrit, duke mos e
ditur rëndësinë e këtij privilegji, e kësisoj ata duke mos mundur të kuptojnë
rëndësinë e diversitetit dhe alteritetit filluan të grindeshin pareshtur mes
veti, duke mos mësuar aspak të bashkëjetojnë dhe duke bërtitur në refren
“Rroftë nekrofilia (vdekja)”, për tjetrin, që ishte i ndryshëm.
Kjo e
detyroi edhe Bizmarkun të përshkruante këtë rajon si rajon ku popullata janë
vjedhës qengjash, mandej Marksin e detyroi që ta quajë bërllog etnik, ndërsa
shkrimtari Gëte do të shprehej në veprën e tij “Fausti” për Ballkanin: “atje
larg në Turqi, ku popujt ia thyejnë kokën njëri tjetrit”. Se a kishin pasur të drejtë ta quajnë kështu
këtë rajon problematik e grindavec këta njerëz, ne nuk do të hyjmë dhe nuk do
trajtojmë këtë gjë, por ama lypset theksuar fakti që ky rajon, ka gjeneruar
vazhdimisht kriza, konflikte e gjer edhe luftëra ballkanike dhe botërore.
Mjafton
të kujtojmë faktin se pikërisht nga ky rajon janë nisur luftërat ballkanike që
morën jetën e shumë e shumë njerëzve, ndërsa po nga ky rajon nisi edhe Lufta e
parë Botërore, si dhe u përshkallëzua Lufta e dytë Botërore. Po nga ky rajon
pas viteve 90, u ankorua alarmi i keq që reflektoi masakra të papara, gjenocid
e vuajtje që u menduan se ishin harruar.
Pra,
në suaza të kësaj duhet theksuar se në këtë rajon, që nga kuptimi don të thotë
përzierje mes gjakut dhe mjaltit (Ball mjaltë, kan gjak, vjen nga
turqishtja), duhet pasur një prudencë dhe maturi, duhet mbajtur nën vështrim
dhe vrojtim permanent ndërkombëtar, ngase ky rajon është potencial krize dhe
rrezik për shpërthim, krejt kjo sepse është rajon heterogjen, i përzier me
shumë grupe etnike, që nuk jetojnë në kufinj nacional të tyre, me shtete të
brishta dhe ende të pakonsoliduara demokratikisht, si dhe me institucione jo
stabile. Në këtë rajon ende mitet dhe realitetet gërshetohen dhe përzihen mes
veti si vaji dhe uji, por ama që rrezikojnë të mos ndahen mirë e mirë, sepse
disa shtete dhe kombe këtu, nuk janë ende koshient se nuk duhet shkuar përpara
me kokën mbrapa, ndërsa ende se kanë kuptuar se madhështia e shtet kombeve të
tyre nuk qëndron në ndërtimin dhe ngritjen e përmendoreve të mëdha për popuj të
vegjël, por në përmirësim të kushteve dhe standardeve të jetesës, në rritje të
mirëbesimit dhe politikave të fqinjësisë të mirë dhe në forcim të kapaciteteve
demokratike institucionale.
Në
këtë rajon, që e zuri nata me probleme dhe vështirësi, ndërsa e gdhiu dita me
sfida dhe luftëra, kronologjikisht janë krijuar e rrënuar shtete dhe perandori,
Republika federative e besa edhe konfederative, shtete surrogate e shtete
xhuxhe, të njohura e panjohura ndërkombëtarisht, me probleme në identitet e në
emër, me mosnjohje të grupeve të tjera etnike e deri në tendenca për anashkalim
të tyre..... Nuk do të dilnin faqet po të shkruaja për kronologjinë e rrënim
ndërtimeve të shteteve në këtë pjesë, por ajo që duhet cekur patjetër është se
ky rajon ka ndikim shumë të madh në sigurinë globale dhe më gjerë.
2. Maqedonia, rezime e problematikave dhe sfidave
Republika e Maqedonisë, ish-Republikë në kuadër
të ish-RSFJ, arriti të shkëputej nga Federata Jugosllave, në formën më të “lehtë”
për dallim prej shteteve tjera. Edhe sot e kësaj dite mbetet enigmatike, se si
arriti të shkëputet ky shtet me dy milionë banorë, me
Sido që të jetë ky shtet vazhdoi me ngulm
ndërtimin e raporteve duke mos respektuar të drejtat e gjitha popujve që
jetojnë këtu, e më konkretisht të shqiptarëve edhe pas pavarësisë së saj.
Megjithëse shqiptarët në përgjithësi, fill pas dështimit të referendumit mbi
Iliridën, pranuan në heshtje dhe në paalternativë këtë shtet, ngase të njëjtën
gjë e bënë edhe Shqipëria e asaj kohe, por edhe Kosova që në atë kohë gjendej
nën okupimin serb, por që kishte Presidentin e saj, ata mbetën në udhëkryq.
Pasi u organizuan dhe u rreshtuan nëpër parti politike, fillimisht në Partinë
për Prosperitet Demokratik, e më pastaj edhe në Partinë Demokratike Popullore,
ndërsa më vonë në Partinë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve, e njohur
sot si Partia Demokratike Shqiptare, shqiptarët po edhe ky shtet përjetuan
konfliktin më të rrezikshëm që mund të shformonte këtë shtet, atë të vitit
2001, ku ky shtet në rajone të caktuara u përfshi në luftë dhe në kryengritje,
e cila me të drejtë mund të quhet e pambaruar. Kjo kryengritje ishte dhe është
vlera më e madhe që e kanë arritur shqiptarët e Maqedonisë dhe mbetet njëra
prej kryengritjeve që do të radhitet në mozaikun e vlefshëm kombëtar, por ama
rezultatet e kësaj kryengritje do të zvetënoheshin më tutje nga politika
fragjile shqiptare. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, më 13
gusht 2001, palët në konflikt ranë dakord për ndërtimin e duhur të shtetit,
ngase tani me gjasa ishte eliminuar gjeneratori i krizës dhe konfliktit,
kushtetuta e këtij shteti, e aprovuar pa miratimin e shqiptarëve më 1991, si
dhe u krijuar shumë parti të tjera të vogla, që disa do të mbijetonin, disa do
të mbeteshin vetëm në histori, ndërsa partia që doli pas kësaj kryengritje,
Bashkimi Demokratik për Integrim, ende është e fuqishme dhe pjesëmarrëse në
pushtetin ekzekutiv, por pa rezultate. Se sa rrezikshmëri të lartë mbarte në
vete konflikti i vitit 2001 për sfidat e sigurisë globale, kjo mund të
shpaloset shumë lehtë, kur marrim parasysh faktin se në këtë konflikt po mos të
kishte ndërhyrë bashkësia ndërkombëtare me në krye SHBA të, me gjasa konflikti
do të mbartej edhe në tërë rajonin.
Kjo që e them bazohet në informacionet që flasin
se kishte tendenca të hapura për ndërhyrje nga shtetet fqinje Bullgaria, Greqia
dhe Serbia për pjesëmarrje në këtë konflikt. Pjesëmarrje indirekte vetëm
kishte, por edhe marrëveshje për këmbime dhe blerje armatimesh. Vlen të
theksohet se Maqedonia në këtë kohë, gjatë këtij konflikti duke blerë armë me
shuma marramendëse nga Ukraina dhe shtetet tjera proruse, dëshmoi interesin dhe
orientimin e saj antiEvropë dhe anti Nato.
Krejt kjo që është sipërthënë është bërë për të
vetmin qëllim, për të treguar ndjeshmërinë dhe senzibilitetin e situatës në
Maqedoni, e cila në rast përshkallëzimi mund të sjellë dëme të pariparueshme
për tërë rajonin, e në rast qetësie dhe respekti të ndërsjellë mund të jetë
shembull dhe model për rajonin.
Maqedonia, e cila ka një situatë mjaft të
volitshme gjeografike, ngase shërben si urë lidhëse mes dy kontinenteve, përmes
Bullgarisë për në Turqi, si dhe lidhet përmes Serbisë, për në Kroaci, direkt me
Evropën Perëndimore, duhet të rishikojë absolutisht politikat e saja në
drejtimin intra, respektivisht përbrenda. Pacifizimi i Maqedonisë përbrenda,
është garancion për zhvillim të mëtutjeshëm të demokracisë në këtë rajon,
ndërsa e kundërta është shkatërruese për të e rajonin.
Një gjë që duhet të thuhet publikisht dhe që është
fakt i pamohueshëm është ajo, se shqiptarët në këtë shtet që paraqesin shumicën
e përafërt me maqedonasit, janë faktori kyç për stabilitetin dhe sigurinë e
këtij shteti. Edhe pse me kokëfortësi establishmenti institucional dhe ai i
partive politike maqedonase, nuk e kanë kuptuar apo shtirren se nuk e kuptojnë
këtë, që është fakt i pamohueshëm. Mjafton të përmenden shumë raste dhe të
kthehet në retrospektivë, në mënyrë që të kuptohet se ky shtet ekziston falë
vullnetit të shqiptarëve të këtij shteti, por edhe vullnetit të Kosovës dhe
Shqipërisë. Edhe pse ky shtet ka probleme të shumta përbrenda, shteti dhe
identiteti maqedonas i këtij shteti është i kontestuar, së pari emri dhe
identiteti nga Greqia, për të cilën Maqedonia nuk është sa duket e vetëdijshme,
edhe pse e pagoi me mos anëtarësim në NATO në Samitin e Bukreshtit, mandej nga
Bullgaria kontestohet gjuha e maqedonasve, sepse pretendohet se ajo ëshët
dialekt i bullgarishtes, por edhe Serbia nuk pranon Kishën Ortodokse të saj. Të
vetmit që e pranojnë këtë shtet janë shqiptarët. Shpërblimi ndaj shqiptarëve
për këtë akt, është si vijon. Shqiptarët u shpërblyen
me Ladorishtën. Vijoi me aferën e armëve. Kur u sajua e ashtuquajtura “Afera e
armëve” shtetarët maqedonas menjëherë nxituan dhe fajësuan shqiptarët e këtij
shteti pa më të voglin dyshim. Këtë e paguan shtrenjtë shumë qytetarë, po edhe
disa politikanë. Mandej hiç më lehtë dhe shumë keq e përjetuan edhe qytetarët
shqiptarë me rastin e Bit Pazarit, me rastin e hapjes së Universitetit të
Tetovës, rastin e Gostivarit, me rastin e kryengritjes së vitit 2001 me ç`rast
u vranë shumë civilë shqiptarë të pafajshëm; me rastin e Rakovecit të harruar
dhe të Sopotit, me rastin e Brodecit dhe të Vaksincës, me rastin e Radushës e
shumë e shumë raste të tjera, për të ardhur deri ke rrahjet e fundit të
nxënësve shqiptarë dhe te vrasja e dy shqiptarëve në Gostivar nga ana e një
polici maqedonas, si dhe miratimi në Parlament i marrëveshjes për këmbim
policor me Serbinë, me ç`rast si prioritet u fiksua Serbia që konteston KO
maqedonase, e jo Shqipëria dhe Kosova që kanë pranuar këtë shtet pa kurrfarë
kondicionesh, si dhe duke u harruar përbërja etnike shqiptare e këtij shteti, e
cila është numeroze. Ajo që është shumë e dhimbshme dhe tronditëse është fakti
që burgjet maqedonase janë të stërmbushura me luftëtarë të kryengritjes
shqiptare të vitit 2001, ku sipas statistikave estimohet që ky numër shkon në
130 pjesëtarë të ish UÇKombëtare, prej të cilëve 15 janë të dënuar me burgim të
përjetshëm, përmes proceseve të montuara politike.
Edhe
pse ky shtet konsiderohej pas shpërbërjes së Jugosllavisë si “oazë e paqes” në
Ballkan, ngase ishte e vetmja Republikë që u shkëput pa luftë nga Jugosllavia
socialiste, me sa duket ka ende sfida që duhet t`i
kapërcejë pa më të voglin dyshim, në mënyrë që siguria e rajonit të jetë në
nivel të mos cenohet dhe rrezikohet.
3. Maqedonia dhe sfidat e sigurisë me rrezik
potencial në tërë rajonin e më gjerë
Edhe pse në dukje ka bërë hapa të suksesshëm
drejt reformave politike, demokratike, ekonomike dhe institucionale, duke iu
afruar kritereve të Kopenhagenit, ka përfunduar negociatat në kuadër të
Procesit të Stabilizim Asocimit, duke fituar statusin e vendit kandidat për në
UE, Maqedonia ka ende sfida shumë të mëdha përpara.
Ajo në planin e brendshëm duhet të përfundojë
zotimin për realizim të të drejtave të shqiptarëve, edhe pse kjo ishte e
paraparë me Marrëveshjen e Ohrit, e paraparë për realizim dhe implementim
praktik gjer më vitin 2004, por e
frenuar dhe e cunguar nga ana e politikës kryeneçe maqedonase.
Ajo duhet të rishikojë patjetër politikën e saj
përballë dhe kundrejt shqiptarëve që janë faktori kryesor për qenësimin e saj
si shtet, të hapërojë kësisoj drejt një modeli më të suksesshëm të
rirregullimit të marrëdhënieve me shqiptarët, ngase mosimplementimi me kohë i
Marrëveshjes së Ohrit, e paraparë që të realizohet gjer në fund të 2004, solli
situara dhe rezultate të pakëndshme për këtë shtet, dhe me gjasa mund të
rrezikojë më shumë qenësimin e tij. Rirregullimi i një forme tjetër të marrëveshjes
me shqiptarët përbrenda shtetit, duke ndërtuar një shtet model qytetar, ku
multikulturalizmi do të funksionojë ashtu si duhet, jo duke u anashkaluar një
etnikum e duke u priviligjuar tjetri, por duke u respektuar modeli i respektit
të ndërsjellë, si dhe duke u prioritizuar marrëveshjet me Shqipërinë dhe
Kosovën, ngase gjysma e popullatës së këtij shteti janë shqiptarë, andaj
marrëveshjet e këtij shteti me këto dy shtetet e lartëpërmendura, duke mos
anashkaluar shtetet tjera fqinje, duhet të jenë të patjetërsueshme për një
funksionim të mirëfilltë të këtij shteti. Ajo për të realizuar këtë që e ceka
më lart, duhe të marr modelin e shtetit të Kosovës, ku komuniteti serb edhe pse
pakicë, gëzon privilegje të papara duke pasur të drejta, po aq sa komuniteti
shumicë shqiptar.
Sfida e radhës për këtë shtet në planin e
brendshëm, përpos trajtimit të duhur të elementit shqiptarë përbrenda dhe atij
jashtë, është edhe sindromi tjetër i brutalitetit ndaj opinionit publik, ndaj
mendimit ndryshe, ndaj mediumeve dhe ndaj zërit kritik të opozitës. Siç do të
thoshte me një rast gjenerali i famshëm francez De Gol, « Demokraci është
edhe sundim i opozitës », në Maqedoni, koncepti demokraci është zvëtënuar
tej mase deri në mosekzistim, pikërisht për shkak të rrezikimit dhe cenimit të
zërit kritik të opozitës dhe mediumeve antiqeveritare, nga pushteti. Andaj
qeveria duhet të vëjë gishtin në kokë, si dhe të marr modelin e shteteve
demokratike. Presioni ndaj opinionit të ndryshëm publik dhe ndaj mediumeve
duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë. Jo rastësisht Maqedonia nuk u radhit
këtë vit në vendin e 102 nga 138 shtete gjithsejt për nga liria e mediave.
Në planin e brendshëm përpos këtyre që tham më
lartë ekzistojnë edhe probleme të tjera, që lidhen me Kriteret e Kopenhagës të vitit 1993: kriteret politike, ekonomike dhe
juridike si dhe ato të Madridit të 1995, si shtojcë apo suplement, e që janë
kriteret e kapaciteteve administrative të shtetit. Që edhe Maqedonia të mos
jetë rrezik për sfidat e sigurisë
rajonale dhe globale, duhet të promovojë dhe kultivojë raporte të mira mes
komuniteteve, të respektohen të drejtat e njeriut e shumë gjëra të tjera. Si
kritere politike llogariten këtu: stabiliteti politik, i cili mungon me
gjithë përparimet prej breshke, demokracia, si koncept më i përdorur
teorik nga goja e shtetarëve dhe nga politikanët e këtij shteti, me ç`rast
është dëshmuar se ende ky shtet është larg demokratizimit të duhur evropian, sundimi
i ligjit, ku dihet se kjo është pika më problematike për këtë shtet. Shtetarët
e këtij shteti janë të parët që sjellin ligje, që stërzgjasin procedurat
parlamentare, që i zgjasin fjalimet nëpër foltoret e parlamenteve, që sjellin
vazhdimisht ligje, por që nuk implementojnë praktikisht shumicën e atyre
ligjeve që sjellin, të drejtat e njeriut, që janë me rëndësi primordiale
dhe të patjetërsueshme, e dihet dhe shihet se ky kusht apo parim është më i
keqpërdoruri në këtë shtet, sepse ende cenohen dhe rrezikohen këto të drejta,
(për më tepër si shembull mund të marrim rrethanat aktuale, ku nuk ka natë që
nuk rrahet ndonjë shqiptar dhe nuk maltretohet). Si kritere ekonomike
llogariten ekonomia e lirë e tregut e cila duhet të jetë konkurruese me
ekonomitë e shteteve të UE-së, e dihet se ekonomia e këtij shteti është në
letargji, pikërisht ngase në vend të hapjes së vendeve të reja të punës
ndërtohen objekte të panevojshme që cenojnë marrëdhëniet fqinjësore në rend të
parë me Greqinë, e pastaj edhe me të tjerat, duke synuar përvetësimin e një
pjese të historisë dhe figurave historike, si dhe duke derdhur dhe shpenzuar
para në antikvizim dhe në kisha e manastire në çdo cep. Ekonomia e këtij shteti
ende është larg të qenunit në shkallën e duhur, ende prodhimet bujqësore nuk
shiten, ende bujqit janë kategoria më e ulët. Parimet juridike që kanë të bëjnë
me përshtatjen e legjislacionit kombëtar me atë të UE-së ende janë larg
të qenunit objektive dhe të implementuara praktikisht, sepse nacionalizmi
negativ ka zënë peng këtë shtet, e nuk mund të ketë përshtatje me
legjislacionin e UE-së. Dhe së fundi, kriteret administrative të shtetit kanë
të bëjnë me kapacitetin dhe gadishmërinë e shteteve për të implementuar
politikat dhe të drejtën e UE-së. Maqedonia në vend të perfeksionimit të
administratës shtetërore ajo partizon administratën shtetërore dhe monopolizon
atë, ajo në vend të standardizimit të institucioneve dhe afirmimit të kuadrit
cilësor, afirmon kuadro jo cilësore, analfabetë me diploma të blera dhe të
kontestuara, militantë partiak dhe pse jo edhe njerëz që diplomat i kanë marrur
me forcë apo në forma tjera koercitive, korrupsioni dhe nepotizmi janë ende
pjesë e pandashme e administratës shtetërore të këtij shteti, andaj nëse nuk
evitohen këto rreziqe dhe probleme, ky shtet do të jetë sfidë shumë e ndishme
për rajonin.
Në
planin e brendshëm megjithëse u mundova të cek shumë gjëra, Maqedonia posa të
rregullojë këto gjëra, duhet patjetër të mendojë edhe në rregullimin e gjërave
në planin e jashtëm. Ajo në planin rajonal, përpos që e cekëm më lartë që duhet
të fuqizojë marrëveshjet dhe tregtinë me Shqipërinë dhe Kosovën, vijon të ketë
problemin e emrit, i cili nuk duket të jetë sfidë e lehtë me Greqinë, që është
anëtare e BE së dhe mund të bllokojë çdo vendim pro Maqedonisë në procesin e
integrimit në BE, por edhe në NATO. Andaj pa realizimin e ndryshimeve dhe
reformave në planin e brendshëm dhe pa lëvizjen e pozicionit kokëfortë
nacionalist në raport me shtetet fqinje, e posaçërisht me Greqinë, ajo do të
vijojë të ketë probleme dhe pengesa, që mund ta dërgojnë në përmasa
shkatërruese dhe shpërbërëse këtë shtet. Edhe pse nga prognozuesit e ndryshëm
dhe nga telepatikët dhe futurologët prognozohet dhe dizajnohet e ardhmja e
këtij vendi në BE aty nga fundi i vitit 2012 dhe në vigjilje të 2013, realiteti
po tregon krejtësisht diçka tjetër, krejt kjo ngase aderimi në BE, nuk është
fryt i progonozve dhe dëshirave e vokacioneve, po sakrificë, përkushtim dhe
punë të palodhshme.
4. Një lidership përgjegjës me mendësi demokratike dhe evropiane,
çelësi i daljes nga rrethi vicioz i problemeve
Është
më se e qartë se secili udhëheqës ka dëshirë të arrijë diçka në jetë, por ata
lloj udhëheqës duhet të kenë ide se si të arrijnë deri aty për çka synojnë.
Lidershipi në Maqedoni, me gjasa një miks dhe përzierje e ish sistemit të
mëparshëm, por edhe djem të ish funksionarëve të mëparshëm në njërën anë, e në
anën tjetër një pjesë e lidershipit e rritur në rrethana pak më ndryshe, edhe
pse i takojnë ndoshta plejadës së re, ende nuk kanë arritur të xhvishen nga
petku i nacionalizmit dhe shovinizmit. Ata edhe sot e kësaj dite janë peng i
shërbimeve të ndryshme të huaja, si dhe peng i frustrimeve nacionaliste të
trashëguara nga prindët, funksionarë të dikurshëm ose të marrura dhe fituara
pas epokës së pavarësisë së këtij shteti, ku gjithçka shqptare shihet e keqe.
Për të qenë i suksesshëm një udhëheqës, ai duhet përpara se të arrijë atë çka
dëshiron, të jetë i përgatitur për gjithçka. Në radhë të parë të ketë ambicie
të justifikuara.
Megjithëse
udhëheqësia aktuale maqedonase e këtij shteti më shumë sillen si dublerë të Millosheviqit
se sa si demokratë, ata duhet të jenë koshient se stabiliteti i Maqedonisë
është kusht për stabilitetin e rajonit, po aq sa është edhe stabiliteti i
Mitrovicës dhe mosndarja e saj dhe e Kosovës. Edhe pse ndikimi i shërbimeve
sekrete serbe në Maqedoni, është më se i pranishëm dhe i ditur, e kjo vërehet
përmes proceseve të montuara politike ndaj ish luftëtarëve të guerrilës
shqiptare, si në Maqedoni, poashtu edhe në Kosovën Lindore, është me rëndësi të
thuhet se në këto loja dhe në realizimin e projekteve, kanë ndihmuar mjaft edhe
shërbimet e spiunazhit ndërkombëtar, por edhe linjat diplomatike botërore që
kanë dëshirë të ketë çrregullime, por edhe që kanë simpati për Serbinë.
Ashtu
si dihet botërisht, në shumë mjedise në Maqedoni veprojnë mbeturina të policisë
sekrete komuniste, që identifikohen me ish besnikët e regjimit të
Millosheviqit, e që përbëhen nga disa ish ushtarakë dhe eprorë të MUP it dhe të
KOS it serb. Ata nxisin probleme e tensione në këtë shtet, e kjo normalisht i
shkon për shtati politikës ksenofobe shtetërore maqedonase me ç`rast edhe
gjenerohen probleme, sikur që janë në vazhdimësi, rrahja e nxënësve shqiptarë,
vrasja e dy të rinjve në Gostivar, ndërtimi i Kishës në Kalanë e Shkupit,
mandej nxjerrja e Enciklopedisë famëkeqe, e njëjtë me Memorandumin e ASHAS, një
manifest i lëvizjes nacionalshoviniste serbe për krijimin e Serbisë së madhe.
Andaj
lidershipi i Maqedonisë, e posaçërisht ai maqedonas duhet të ketë
karakteristikat e një lloji të liderit demokratik, të një njeriu i cili nuk
vuan nga sëmundja kancerogjene e kultit të individit, të një njeriu i cili nuk
vuan për mbështetjen qind për qind nga masat e thjeshta, sepse është koshient
që nuk mund të ketë përkrahjen qind për qind nga masat, sepse kjo në një mjedis
demokratik është e pamundur. Them e pamundur sepse siç do të thoshte Gandi
“Bota nuk do të kishte kuptim pa diversitetin e theksuar dhe po mos të ishim të
ndryshëm”, andaj me këtë mëtoj të them që çështja e diversitetit, e
alteritetit, e mendimit pro et contra është çdoherë e pranishme dhe e
paevitueshme, andaj një lider duhet të mësohet që të respektojë mendimin pro
dhe mendimin contra. Koha e liderit kult ka mbaruar. Ata që mëtojnë të sillen
dhe të luajnë me këtë kartë janë të prirë që të vdesin politikisht dhe intelektualisht.
Rasti i të tillëve është jo edhe pak. Mirëpo ata janë pjesë e historisë së
shëmtuar, ndërkaq ata që sillen si lider po që respektojnë lidershipin, pra po
që se punojnë në ekip, që konsultohen për çdo vendim me këshilltarë
profesionistë, që pranë vetes kanë kuadro profesionale, që respektojnë
alteritetin, që krijojnë tampon zona mes nacionalizmit negativ dhe patriotizmit
nacionalist pozitiv, ata janë të prirë që të jenë të suksesshëm dhe të kenë
harmoni gjatë qeverisjes së tyre me masat popullore. Koha e liderëve pushtet (Shteti jam unë do të
thoshte Luigji i XIV i Francës), është në histori, ndërsa tani flet koha e
liderëve që janë pushtet i institucionit dhe kjo duhet të jetë karakteristikë
për këta liderë, koha e liderëve autokratik është e përfunduar, autokracizmi
dhe autarkia si forma të qeverisjes i takojnë llojit të njerëzve që kanë hyrë
në histori për të keq, përkundrazi koha e liderëve të rinj dhe modern sjell
liderin apo lidershipin demokratik, pranues e jo imponues, tolerant dhe elitar,
e joautoritarist dhe mediokër. Lideri dhe lidershipi nuk duhet të bëhen peng i
idesë, po duhet të ndjekin kohën dhe tempon e zhvillimeve, në mënyrë që sa më
shpejtë të ikë koha, ai të ngarendë pas saj. Kur një lider kritikohet apo
vlerësohet mëson t`i vlerësojë si duhet situatat dhe rrethanat politike, kur
ndesh në fatkeqësi ai mëson të vërtetat e botës reale dhe objektive. Jemi
mësuar të dëgjojmë se kush pëson mëson, andaj pësimi nuk duhet të perceptohet
si zhgënjim, humbje dhe tërheqje, por përkundrazi të mëson të bëhesh i
kujdesshëm, i hapur, stoik dhe i matur. Beteja për të fituar postin e liderit
të merituar, të lidershipit meritor, nuk do të thotë betejë rrugaçe, por betejë
institucionesh, vlerash, doktrinash, si një lloj gare vrapimi, por me vlera, e
jo me forcë, edhe pse kjo e fundit nevojitet çdoherë. Lideri dhe lidershipi i
duhur duhet të vlerësojë atë që i përshtatet së drejtës, e më pas ajo çka është
e drejtë, pra të kihet parasysh siç thoshte kardinali Rishelje, ish- udhëheqës
i Francës, respektivisht kryeministër i shkëlqyer, i cili solli impakte të
fuqishme epokale, pra në politikë për të qenë lider duhet të vihet në rend të
parë intelekti, arsyeja, racionaliteti e më pas moralja.
Andaj
që Maqedonia në sfidat e sigurisë rajonale dhe globale të reflektojë
pozitivitet dhe të gjenerojë vlera e demokraci, duhet patur parasysh këto gjëra
që u thanë më lart, e shumë e shumë të tjera që kanë mbetur pa u thënë, në
mënyrë që procesi i shpërbërjes dhe i konflikteve të mos rinisë, ngase me këtë
rrezikohet paqja në tërë rajonin, po edhe në tërë globin. Për këtë përgjegjësi
kanë gjithë spektri politik i këtij shteti, e posaçërisht pushteti qeveritar,
por edhe faktorët e tjerë direkt apo indirekt në politikë dhe këtë shtet.
Siç
do të thoshte Frederiku i Madh, “Pasionet e dëshirave mbarojnë atëherë kur
pasuesit janë të lodhur” , dua të përfundoj se edhe popujt që jetojnë në këtë
shtet janë të lodhur nga dëshirat e pajustifikueshme të kësaj klase politike në
qeveri dhe duan ndryshime, në mënyrë që edhe ky shtet të bëhet pjesë e
strukturave euroatlantike dhe institucioneve demokratike, po kur secili do të
ndihet rehat dhe mirë, i pacenuar dhe me dinjitet.
(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)
(Punim i prezantuar në Konferencën shkencore “Maqedonia në sfidat globale të sigurisë në kontekst të marrëdhënieve ndëretnike”, mbajtur në Tetovë, 5 prill 2012)