E diele, 28.04.2024, 07:57 PM (GMT+1)

Editorial

Nuhi Veselaj: Gjykimi i nxituar si bumerang

E hene, 10.03.2008, 06:59 PM


Gjykimi i nxituar si bumerang

(Lidhur me artikullin “JO ALFABETIM POR ALFABETIZIM”)

Nga Dr. Nuhi Veselaj                                                                 

Në një tribunë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 14. III. ’85 duke qenë i sfiduar nga një diskutues, akad. Rexhep Qosja, sa më kujtohet, pati thënë se “gjuhën e krijojnë shkrimtarët e jo  gjuhëtarët”, mendim ky që në të përditshmen “Rilindja”, mbase i stilizuar jo vetëm nga gazetari, tekstorisht doli i shprehur kështu:”Duke marrë pjesë në diskutim R. Qosja tha se përkitazi me gjuhën, ndërkaq, do thënë, se atë e krijojnë krijuesit e jo gjuhëtarët, të cilët në këtë plan na dalin konservatorë, sepse duan t’i ruajnë normat në mënyrë të ngurtë” (Aty, 16.III.’85. f.11). Natyrisht ndaj një gjykimi të tillë të paqartësuar mirë, si atëherë, ashtu edhe tashti, mund të shprehet rezervë e ligjshme, ngase, askush s’mund të pajtohet me konstatimin kuturu se gjoja vepra e gjuhëtarit nuk qenka krijuese, përkatësisht nuk marrkan pjesë në krijimin e gjuhës?!
S’do mend, se si në çdo fushë të organizuar të dijes në raport me normat shoqërore përgjithësisht, edhe në veprimtarinë gjuhësore, në vija të trasha veprimtarët mund të kategorizohen në tri grupe:
1.) Në grupin e parë, pra mund të radhiten “të dëgjueshmit”, d.m.th. ata që i zbatojnë apo edhe i ruajnë “normat në mënyrë të ngurtë”, të cilët edhe mund të cilësohen normalisht se ruajnë elemente konservatore.
2.) Në grupin e dytë mund të përfshihen “të kuptueshmit”, ata të cilët e zbatojnë normën dhe sa është e mundur nuk e shkelin atë, por njëherazi e kuptojnë faktin se çdo normë mund të pësojë ndryshime, plotësime, së paku në aspektin interpretues etj., varësisht nga rrethanat që imponohen në përputhje me zhvillimin e veprimtarisë së caktuar shoqërore.
3.) Grupin e tretë e përbëjnë veprimtarët “inventivë e kreativë”, të cilët janë të dëgjueshëm” sipas rastit, janë të kuptueshëm sipas arsyes, por njëherazi edhe vetë si krijues a risimtar u prijnë ndryshimeve a plotësimeve përkatëse që do të pësojë norma e caktuar shoqërore, qoftë nga shtytës të brendshëm, qoftë nga shtytëss të jashtëm.
Me fjalë të tjera normalisht edhe gjuhëtari i mirëfilltë duhet të jetë i pajisur me të tria këto veçori, sepse nëse mbetet vetëm si i dëgjueshëm lind droja që ai të ngelë si rob i normës dhe kështu vërtet e bën veten të mbetet në suazat e një konservatori, siç e cek R. Qosja, edhe në ato raste kur nuk duhet. Sigurish gjuhëtari si krijues për të qenë i kuptueshëm dhe inventiv, duhet ta njohë lëndën jo vetëm në gjerësi e thellësi, por duhet t’i njohë edhe prirjet e zhvillimit të dukurive të caktuara që mund të ofrohen, qoftë për shkaqe brendagjuhësore, qoftë për shkaqe jashtëgjuhësore dhe vetëm pastaj mund të japë gjykime e konstatime që qëndrojnë. Fundi i fundit, siç dihet, gjuhëtarët janë ata krijues sui generis me kompetencë dhe autoritet të veçantë, të cilët, pasi të bëhen paraprakisht, verifikimet e vlerësimet e nevojshme, ata më në fund kanë nderin të japin fjalën përfundimtare në (ri)formulimin gjuhësor të rregullave ndaj normave të reja në përgjithësi dhe të rregullave standarde gjuhësore në veçanti. Mirëpo, jo të gjithë gjuhëtarët arrijnë të cilësohen si gjuhëtarë të profilit inventivë a bashkëkohorë. Mjerisht ka raste që në pika të caktuara edhe ndonjë gjuhëtar i zellshëm dhe me ambicie pozitive padashje të mbete jo largpamës në ndonjë paraqitje. Kështu, mund të thuhet edhe për mesazhin e shprehur në artikullin “Jo alfabetim, por alfabetizim”, të botuar në gazetën Bujku, të datës 7.IV.’97, f. 11, ku autori nuk diskuton çështjen, por në mënyrë kategorike ia tërheq vërejtjen  akad. Rexhep Qosjes pse ky e paska përdorur disa herë në një libër të tij emërtimin alfabetim (alfabetimi i gjuhës) e jo paralel alfabetizim (alfabetizimi i gjuhës) dhe se me një veprim të tillë ai paska bërë shkelje të rëndë të normës letrare, saqë merituaka  t’i rikujtohet detyrimi, si të themi, qytetar se “zbatimi me përpikëri i normës letrare obligon të gjithë ata që e flasin shqipen, që nga qytetari i thjeshtë deri te akademiku” dhe përfundon me thënien e në autori italian: “Quaj njeri atë që është zot i gjuhës së vet amtare”. Me një qëndrim të tillë, që unë e quaj pamëdyshje të nxituar, më duket se autori i artikullit mbetet në nivelin që e cek akad. R. Qosja në gjykimin e sipërcekur të tij, pra ngel paksa nën korniza të një konservatori. Pse e themi kështu dhe ku qëndron arsyeja që gjykimi i autorit të quhet i nxituar, do  të përpiqem ta sqaroj më poshtë.
Së pari autori, për të dhënë gjykimin e tij nuk do duhej të mjaftohej vetëm me faktin se në Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe (1974) nuk e ndesh të regjistruar trajtën alfabetim, por vetëm atë afbetizim (alfabetizoj), trajtë kjo që del edhe FSHSK (1981), si barasvlerës i fjalës alfaberitanje (abecediranje) të serbishtes, nga se siç dihet, përvç kriterit drejtshkrimor, ka edhe kritere të tjera që duhet pasur parasysh në rastet kur përcaktohet norma standarde, siç është kriteri drejtfjalëformues, ai leksiko-semantik e të  tjerë.
Së dyti, për mendimin tim, para se ta jap një gjykim të tillë të prerë, autori është dashur të thellohet më shumë edhe në shkakun, siç e ka vërejtur vetë, pse trajta alfabetizim nuk del e regjistruar në FGJSSH (1980).
Së treti, nuk ka bërë mirë që nuk është përthelluar apo nuk është përpjekur të bëjë sado pak zbërthimin fjalëndërtues ndërmjet prejfoljorëve paralele kontestues: alfabetim (alfabetizim), duke pasur parasysh sistemin e përgjithshëm fjalëformues të shqipes, qoftë në aspektin tradicional, qoftë në atë aktual.
Siç dihet fjala alfabet (nga etimoni: alfa+beta) si fjalë ndërkombëtare me cilësi ndërkombëtarizimi që ka përhapje në shumë gjuhë të botës si p.sh.: fr. Alphabet, it. Alfabeto, serb. Alfabet etj., në shqipe e ka të fituar qytetarinë e një fjale aktive të fjalësit të gjuhës tonë, madje si e tillë mbi bazë të saj në shqipe janë zhvilluar dy mënyra vargje-fjalësh paralele:
1) me elemente të huazuara: alfabetiz/oj (fr. Alphabetiser, it. Alfabetizzare, serb. Alfabetirati): alfabet/ik (fr. Alphabetique, it. Alfabetico, serb. Alfabetski), alfabetikisht, etj. dhe
2) me elemente të shqipes alfabet/oj: alfabet/im, alfabet/are, alfabet/ues/e, alfabet/or/e, alfabet/isht etj.
Siç po shihet në kolonën e parë fjalët janë huazuar nga gjuhët e huaja, qoftë pjesërisht siç është folja: alfaetIZ/oj, alfabetikisht, qoftë plotësisht, siç është mbiemri alfabet+IK, sepse elementet-IZ- si dhe –IK këtë rast u takojnë gjuhëve dhënëse, prandaj edhe prej foljori alfabetizim del po mbi këtë bazë, ndërsa në kolonën e dytë të gjitha fjalët e prejardhura: folja, emrat, mbiemrat e ndajfolja janë formuar me elemente prapashtesore autoktone të gjuhës shqipe, pra edhe emërtimi alfabetim.
Kjo mund të jetë njëra nga arsyet pse në FGJSSH nuk i është vazhduar parezervë normëzime trajtës më –IZ-IM, edhe pse ishte e shënuar në Fjalorin drejtshkrimor, ndërsa ajo tjetra më –IM edhepse nuk del e shënuar, nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të zë vendin e merituar, ngase del e vetëkuptueshme se do të dalë më e favorizuar në saje të vetë strukturës tradicionale fjalëformuese të shqipes, sepse dihet si rregulla se çdo fjalë-emër mund të shërbejë si temë fjalëformuese për formimin e foljeve më –OJ, sipas modelit të mirënjohur: punë punoj, mund mundoj, rrugë rrugoj, lugë lugoj etj. etj., gjedhe kjo që, në të vërtetë, në letrarishten e sotme ka gjetur e po gjen përdorim gjithnjë e më të madh edhe mbi temat fjalëemra të huazuar, siç janë ndërkombëtarizmat, si p.sh.: nivel: niveloj, portret: portretoj, model: modeloj, profil: profiloj, alfabet: alfabetor etj. duke u konkurruar apo edhe duke i nxjerrë jashtë kur është fjala për të njëjtin koncept semantik, trajtat paralele më –IZ/oj; nivelizoj, portretizoj, modelizoj, profilizoj, alfabetizoj etë ngjashme, sepse në rastin e parë emri si temë fjalëformuese motivon drejtpërdrejt përfitimin e foljes, ndërsa në rastin e dytë te trajta më –IZ/oj. Te këto raste nuk duhet ngatërruar elementin IZ/O-e atë – O- me prapashtesën e mirëfilltë foljeformuese të shqipes – (ë)ZO, me të cilin mbulohet një koncept krejt tjetër semantik i foljeve në shqipe.
Prandaj edhe koncepti i shprehur në togfjalëshin: “bërje e alfabetit” apo “vendosje a themelim i alfabetit”, siç e përkufizon qartë autori, është e lejueshme të foljezohet (njëfjalëzohet) me trajtën alfabetor mbi bazë të emrit alfabet, fjalë kjo tash në funksion të temës së qartë motivuese fjalëformuese pa pasur nevojë të futet në përdorim huazimi alfabetiz+oj (me infiksin – IZ- të shpifur), që si temë fjalëformuese jomotivuese është përftuar, siç e pamë më sipër mbi bazë të trajtës foljore të gjuhës së huaj dhënëse.
Vërtet, është afrë mendsh, nëse gjuha jonë për arsye savante ka pasur, ka apo do të ketë nevojë të huazojë ndonjë emër me cilësinë e fjalës ndërkombëtare nga ndonjë tjetër, ajo njëherazi nuk ka nevojë as detyrim të huazojë b.f. të gjitha trajtat e kategorive të tjera morfologjike, siç janë trajtat përkatëse: foljore, mbiemërore, ndajfoljore, kur ato mund t’i krijojë shumë natyrshëm sipas modelit fjalëformues që ekziston në kuadër të sistemit të vet mbi bazë të emrit të përvetësuar temëprodhuese, siç u dëshmua edhe nga shembulli ynë i sipërvënë: alfabet alfabetoj, alfabetim, alfabetor, alfabetore, alfabetisht etj.
Është e vërtetë se sistemi foljeformues i gjuhës sonë, sipas burimeve normative, me sa di unë, ende nuk i del i studiuar sa duhet, madje ka raste që raporti i formanteve – IZ/O dhe – (ë)ZO e –O-, del ngatërrueshëm, prandaj nuk është çudi që edhe ndonjë gjuhëtar yni, sado zell e ambicie pozitive të ketë, pa dashje mund të nxitojë në gjykime apo të bjerë pre e ndonjë lajthitjeje të paqëllimtë.
Ta kemi të qartë, në gjendjen e sotme të gjuhës, nuk është kurrfarë “lëshimi” apo shkelje e normës nëse ndeshen në përdorim edhe trajtat më –IZ- të tipit alfabetizoj alfabetizim, mirëpo kur kemi të bëjmë për të njëjtin koncept semantik, atëherë duke qenë ndërtimisht më shqipe trajtat më – IM, të tipit: alfabetor alfabetim, atëherë është krejt normale që të parapëlqehen pikërisht këto të tipit të fundit, edhepse, siç u tha, ende nuk pasqyrohen sa duhet në burimet e caktuara leksikografike të letrarishtes së sotme.
Pra, me ndejtë shtrembët e me folë drejt, siç i thonë fjalës, le të gjykohet cilin “e stolisë” ndergjegjësisht më tepër kuptimi i shprehjes: “Quaj njeri atë që është zot i gjuhës së vet amtare” përdoruesin apo kritikuesin?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora