Editorial
Flet Gafurr Adili, zëdhënës Politik i Frontit për Bashkim Kombëtarë Shqiptarë (FBKSH)
E premte, 07.03.2008, 07:09 PM
Mbt: Flet Gafurr Adili, zëdhënës Politik i Frontit për Bashkim Kombëtarë Shqiptarë (FBKSH)
Gafurr Adili
ST: “Mitrovicën e shiti qeverita aktuale”
Nt: Pse Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar kërkon Referendum për Ribashkimin e të gjitha trevave shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar? Çfarë do të bëjë AKSH në rast aneksimi të veriut të Kosovës nga Serbia? Pse FBKSH nuk e njeh flamurin e ri të Kosovës? Në cilat zona të Kosovës është duke vepruar AKSH? Për këto dhe shumë të tjera, për gazetën “Nacional” flet Gafurr Adili, zëdhënës Politik i Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar
Nga Valdrin Krasniqi
Nacional: Më 10 qershor të këtij viti keni deklaruar që do të mbahet një kuvend mbarëkombëtar shqiptar i FBSHK-së, cili është qëllimi i mbajtjes së këtij kuvendi?
Adili: Planifikojmë që më 10 qershor 2008, me rastin e 130-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ta mbajmë Kuvendin Mbarëkombëtar, sepse që nga 25 nëntori i vitit 2006, në Tiranë është themeluar Këshilli Organizativ (17-anëtaresh), nga të gjitha krahinat e Shqipërisë Etnike edhe diaspora. Po punojmë që Kuvendin Mbarëkombëtar ta mbajmë në Prizren ose në Tiranë.
Nacional: Ju kërkoni Referendum për Ribashkimin e të gjitha trevave shqiptare në një shtet të vetëm. Sa ka gjasa për mbajtjen e një referendumi të tillë?
Adili: Ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë Londra 2, e cila fillimisht do të abrogonte (zhvleftësonte) të gjitha vendimet famëkëqia të Konferencës se Ambasadorëve të Londrës (1913) dhe përfundimisht edhe popullit shqiptar në Ballkan do t’ia njihte të drejtën e vetëvendosjes së popujve, një e drejte kjo e garantuar me dhjetëra konventa e rezoluta të OKB-së, dhe përfundimisht edhe populli shqiptar i Shqipërisë Etnike, jo “Shqipëria e Madhe”, të cilën kurrën e kurrës nuk e kanë kërkuar shqiptarët, sepse edhe sikur ta kërkonin kufirin në Danub, Istër dhe në Athinë, përsëri nuk do të mund ta quanin “Shqipëri të Madhe”, por qe kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë që kudo ku shqiptarët e përbëjnë shumicën dërrmuese të quhet Shqipëri, as e madhe dhe as e vogël, dhe përfundimisht të përmbyllej padrejtësia historike e Evropës Plakë, sepse Republika e Shqipërisë është i vetmi vend në botë, që nga të gjitha anët kufizohet me popullin dhe trojet e veta etnike.
Nacional: UNMIK-u AKSH-në e ka shpallur organizatë terroriste, cili është komenti juaj për ketë z. Adili?
Adili: Askush nga administratorët e OKB-së në Protektoratin Kosovë as nuk kanë pasur dhe as nuk kanë asnjë të drejtë juridike, nga e drejta pozitive ndërkombëtare, që strukturën ushtarake të FBKSH-së, Armatën Kombëtare Shqiptare (AKSH) ta shpallnin “organizatë terroriste”, sepse në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ekziston një Komitet Special, i cili obligohet, që jo vetëm t’i mbështes moralisht por edhe materialisht, të gjitha organizatat çlirimtare që luftojnë kundër kolonializmit, gjë që nuk e arriti ta realizonte as UÇK.
Nacional: Sa pjesëtarë numëron gjithsej Armata Kombëtare Shqiptare?
Adili: Kjo nuk është kompetenca ime, është e Shtabit të Përgjithshëm të AKSH-së. Armatën Kombëtare Shqiptare (AKSH), si strukturë ushtarake të FBKSH-së, apo më mirë të them, veprimet e saj luftarake, për të cilat vendosë Sekretariati Vendimmarrës i Kryesisë Qendrore të FBKSH-së, unë vetëm i mbroj politikisht, sepse veprimet luftarake matën me sukseset politike, jo vetëm të FBKSH-së por edhe të kombit shqiptar, siç ishin veprimet e tetorit (në fshatrat e Besianës) dhe të nëntorit 2007 (në pjesën veriore të Mitrovicës, në fshatin Boletin), që në Albanik sollën bazën amerikane. Pra, lufta është vazhdim i politikës me mjete të forcës, që fillon me politikë dhe vazhdon me mjete të forcës dhe që përfundon me mjete politike, që i projekton FBKSH, kurse AKSH vetëm i zbaton në terren.
Nacional: Në cilat zona vepron kryesisht AKSH?
Adili: Është sekret ushtarak.
Nacional: Çfarë do të bëjë AKSH në rast që veriu i Mitrovicës aneksohet nga Serbia?
Adili: Politikanët aktualë të Prishtinës e kanë shitur Mitrovicën, por këtë nuk do ta pranojë FBKSH. Se çka do të bëjë FBKSH-AKSH shumë shpejt do ta shohin, jo vetëm populli shqiptar, por, mbi të gjithë do ta shohin tradhtarët e kombit.
Nacional: Si e komentoni suspendimin e policëve serbë të SHPK-së nga detyra?
Adili: Dëshmi e dështimeve të shteteve multietnike, të atyre shteteve multietnike, siç dikur ishte krijesa artificiale me emrin ish-Jugosllavi, shkërmoçja e se cilës u pasua me plot gjakderdhje dhe tragjedi të kësaj krijese artificiale, që e kishte krijuar Evropa Plakë.
Nacional: Si e vlerësoni shpalljen e pavarësisë së Kosovës, mendoni se vërtet Kosova është e pavarur dhe shtet sovran?
Adili: Kosova gjithçka mund të quhet, por jo shtet i pavarur dhe sovran, siç u përpoqën ta paraqisnin tyxharët politikë të Prishtinës, dhe pas tyre edhe këta të Tiranës dhe të Shkupit. Kosova, krahas Protektoratit të deritanishëm të OKB-së do të jetë edhe Protektorat i BE-së. Shpallja e “Pavarësisë së Kosovës” i ngjan asaj shpalljes se Pavarësisë së Shqipërisë (më 28 nëntor 1912) nga Ismail Qemali, kur të lira ishin: Vlora, Elbasani dhe Fieri, kurse pjesët tjera të saj pushtoheshin nga pushtuesit sllavo-greke, dhe kur në Shqipëri na erdhi Princi Vidi, që sot në Kosovë quhet Pieter Fieth.
Nacional: Kosova ka një flamur të ri i cili ka dalë nga Kuvendi i Kosovës, a e pranoni ju flamurin e shtetit të Kosovës?
Adili: Nuk është asgjë tjetër, pos një leckë. Për fatin tonë nuk ka asnjë element kombëtar, siç kishte ai farë Flamuri i Rugovës, të cilin kur e dogjën bijtë e bijat e Kosovës, ka pas zëra se pse po digjet “Flamuri Dardan”. Lecka e Kosovës Protektorat, të asaj Kosove me 2-3 burra, sepse edhe nëse unë dhe të gjithë ne kemi dëgjuar që një burrë të ketë 2-3 deri në 7 gra (sipas Kuranit), nuk kemi dëgjuar që një grua (me emrin Kosovë) të ketë 2-3 burra siç edhe e ka, një të OKB-së, një të Be-së dhe një Serbinë, kurrën e kurrën nuk ka me e zëvendësuar FLAMURIN KOMBETAR SHQIPTAR, atë FLAMUR që fillimisht (sipas legjendës) ishte i bardhë dhe në luftëra e sipër, nga gjaku i dëshmorëve të kombit, fusha e tij edhe u bë e kuqe, fushë të cilën e kanë skuqur edhe dëshmorët me të rinj të kombit.
Nacional: Si e vlerësoni spektrin politik në Kosovë?
Adili: Politikanët, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Tiranë dhe në Podgoricë, në Preshevë dhe në Shkup kanë qenë dhe janë politikanë biznesi, janë mashtrues dhe hajdutë të popullit shqiptarë, të cilët para se të futen në politikë janë kockë e lëkurë bashkë dhe pas 6 muajsh behën me gusha, shëndoshën si gicat (derrat).
Box: Apeli
“Publikisht apeloj që të gjitha forcat progresiste shqiptare, si dhe atdhetarët shqiptarë, kudo që ata ndodhen, në trojet e Shqipërisë Etnike apo në diasporën shqiptare (në Evropë, SHBA, Kanada apo Australi) të na bashkohen dhe të na ndihmojnë në këtë mision sa të vështirë, por edhe aq fisnik qe kemi marrë mbi supet tona, që të bashkuar dhe vetëm të bashkuar ta mbajmë Kuvendin Mbarëkombëtar Shqiptar”.