Kulturë
Fabula nga Vangjush Saro
E hene, 02.01.2012, 08:10 PM
Vangjush SARO
Fabula
Dy gjethe...
Dy gjethe të verdha
(njësoj shumë a pak),
ditët ngrysin mërzitshëm
në park.
Era shtyn të parën
dhe e hedh
në truall;
ndërkohë që tjetra,
bën si e trishtuar:
"Më dhimbsesh,
moj motër,
e shtrirë në dhe.
Por kjo është bota:
ca lart
ca...atje.
S'dua të të mburrem,
por meqë ra fjala
unë kam qenë, kam qenë...
unë, si me ta thënë..."
Pa mbaruar fjalën
gjethja e lëvduar,
era fryn më fort
dhe e zbret
në truall.
Krimbi që u bë flutur
Një larvë e vogël
e urritur,
gjetheve mbeti
duke ngrënë e zvarritur.
Insektet përqark
qeshnin me të,
me zë edhe nën zë:
-Si zvarritet e mjera! Gjithnjë njësoj!
-Pa le,
ëndërron të fluturojë...
-Epo, s'na kanë zënë sytë më parë
një të tillë të marrë ...
-A nuk i themi "zvarrëikës"?
-Për nder, shoku, i ke rënë pikës!...
Po "E marra" vazhdonte papushuar
këmbë e duar...
gjersa dikur,
një tjetër gjë u zgjua.
Dhe zu të endej ndër lule.
Si...flutur.
O Zot!
Bota qenkej kaq e bukur!
Ata që e kishin vënë në lojë,
mbetën pa gojë...
Ketri ndryshe...
Në pemë e në degë lart, atje,
ketri gri e kishte një fole.
Por ai zbriste herë-herë
te një kazan me plehra;
zhytej dhe hante ç'të gjente.
të thuash, i harroi lendet.
Pak e nga pak, u bë i rëndë,
s'qëndronte dot më këmbë...
Por veten e gjeti mjaft të zgjuar,
kur tha pa u menduar:
"Kush gjuan lende orë e çast!
Kush ngjitet prapë atje lart!
Përse të cfilitem
kuturu?
Mirë është edhe këtu..."
Dhe zu të tallej me shokët e parë
që ropateshin kot për një farë.
"Ç'lodheni kështu,
o të mjerë?
Kazanët janë plot ngaherë..."
Një ditë,
në makinën e plehrave
u gjend rastësisht.
Që atëherë,
s'ia panë më
kokë e bisht.
Oqeani dhe varka
Një varkë e vogël,
shumë e vogël,
që dallga e zhbëu sakaq,
u shkalafit si të ishte lodër,
në udhëtimin e saj pa fat.
"Epo, duhet ta zgjedhësh mirë
me kë bën luftë apo lojë...",
tha dallga
tek përpinte dërrasat,
që s'kishin më as formë, as bojë.