Kulturë
Vangjush Ziko: Ankandi
E hene, 02.01.2012, 08:08 PM
ANKANDI
Vangjush Ziko
SHTËPITË E AUTOSTRADËS
Mbinë shtëpitë
në mes të arave,
buz' autostradave.
Jonxhat e gjelbra
u bënë mure.
Tapete,
livadhet.
Kangjella,
kallinjt' e grurit.
Buzë rrugës së madhe
janë radhitur
për të shitur
a për të lypur bereqetin.
Presin nemitur
djemt' e kurbetit.
KUKULLA
U thinj kukull e fëminisë
në këndn' e vjetër
të shtëpisë.
U thinj me gjyshen bashkë.
U bë kukull plakë.
Malli
në syçkat e saj ndrit
Në syçkat qelq a ebanit.
Gjyshja në prehër e nanuris,
I këndon përrallën e fëminisë.
Për qiraxhin' e Grebenesë
që në avion ia hipi mbesën.
Mbesën
dhe motrëzën e kukullës
mbi male,
dete
edhe fushëza.
Ku vetëm zil' e telefonit
mallit të tyre i bën jehonë.
Kukulla
me doçkën e saj plastike
I fshin lotin
që i ronitet.
ANKANDI
Nxorra në ankand shtëpinë.
Pres blerësit.
Shes fëmininë
dhe pleqërinë
njëherazi.
Gurët e rëndë,
vitet e mia.
Dritaret e qelqta,
kujtimet.
Strehët
u bëjnë hije mundimevet.
Trëndafilat
lotë vese pikojnë
mbi sofatin pas avllisë.
Shkruajn' epitafin e shtëpisë
dhe timin
Me hieroglifet e mërgimit.