Udhëpërshkrim
Kolec Traboini: Qofte Beogradi dhe gjeniu pa brekë - Në Panairin librit Tirana 2011
E shtune, 12.11.2011, 08:04 PM
Panairi i librit hapur me 9 nëntor 2011 në Tiranë.
QOFTE BEOGRADI DHE GJENIU PA BREKE
- Në Panairin librit Tirana 2011 -
NGA KOLEC TRABOINI
Pyes veten, anipse e di se kurrkush nuk më përgjigjet. E megjithatë në Panairin e Librit Tiranë tek Pallati i Kongreseve, vazhdon të qëndrojë një shënim me gërma të mëdha “Beograd”, me gërma sllave sigurisht se serbët e kanë alergji latinishten e gërmave që përdor mbarë Europa, gjithë kjo sepse ata që kanë në dorë çelsat e Tiranës ua kishin lëshuar lejen serbëve me shitë qofte e birrë shqiptarëve... Kuku moj nanë.....A jam në Beograd apo në Tiranë. Si nuk flet kurrkush kurrgja. Hë, mo, - të thonë - se qofte e salçiçe janë. Po edhe kënga serbe buçet në atë shesh e përzihet me erë tym salçiçesh. Kamarieri, një gjatojë që duket edhe si pronar, të flet serbisht. Në sheshin para pallatit të Kongreseve buçet kënga serbe si të vinte kah terrinat e mesjetës. E fortë paske qenë, moj Serbi!
Këtu nuk është problemi tek qoftet, tymi e kënga, por tek mentaliteti prej skllavi që kanë politikanët shqiptarë....që zgërlaqen tek shohin fjalën Beograd në ballë të Panairit të librit Shqiptar që në të vërtetë nuk është aspak shqiptar, sepse vetëm tre librave me lëng supe të Elena Kadaresë, Blendi Fevziut dhe Ben Blushit. Foto-busti i Blendi Fevziut shfaqet dukshëm në konkurencë me fotobustet e Enver Hoxhës në kohë të diktaturës. Nuk ka asnjë shkrimtar që në të gjallë t`i jetë bërë foto-busti kaq i madh sa i Blendi Fevziut, këtë megallomani ia ka ushqyer një universitet me emër të madh, por me reputacion të vogël, Universiteti Europian i Tiranës. Dhe natyrisht libri i fundit voluminoz i politikanit Ben Blushi, ku fiksioni përzihet me politikën krejt ngjashëm me lesh e linë që bën sot politika klanore shqiptare. Në tre këta soj libra gjysmetrosh, nxirren Kadareja, Shqipëria dhe Enver Hoxha pa brekë, tjetër gjë shqiptare nuk shihet kurrkund në këtë Panair. Duhet te shtohet dhe "Kurbani" i Edi Ramës që panairi të shfaq një kuadraturë solide të shkrimtarisë pa shkrimtarë.
Shkojnë e vinë shqiptarët dhe pasi blejnë libra të huaj që maten me metër (shqiptarët po përbuzin vetveten) kthehen e pijnë një birrë Stela dhe hanë qofte "Made in Beograd". E ju duket se janë në Serbi.
Megjithatë duhet me gjetë një farë mënyre me u kënaqë me këtë farë Panairi, se t`i shohësh gjeniut të letrave koqet nuk është pak....
E rri e mendon në të thella i shkreti gjeni i shpupluem prej të vetëve...të gjitha Helenat paskan qenë Trojë.
Në hyrje të Panairit gjoja shqiptar të Librit 2011, në Tiranë, një qofte-restorant tymi me emrin Beograd, ekipi flet serbisht dhe kënga serbe buçet në sheshin para Pallatit të Kongreseve.
Foto-busti i Blendi Fevziut në konkurencë me foto-bustet e Enver Hoxhës në kohë të diktaturës. Nuk ka asnjë shkrimtar që në të gjallë t`i jetë bërë foto-busti kaq i madh sa i Blendi Fevziut, këtë megallomani ia ka ushqyer një universitet me emër të madh, por me reputacion të vogël, Universiteti Europian i Tiranës.
Si të keni vizituar panairin gjoja shqiptar të librit, keni mundësi të ndjeni aromën e qofteve Made in Serbia.