E diele, 28.04.2024, 03:34 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Kastriot Frashëri: Shënime Udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar - në vendin ku takon historinë…

E shtune, 05.11.2011, 09:02 PM


Shënime Udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar në vendin ku takon historinë…

 

Nga Kastriot FRASHËRI*

 

Kur merr ftesë për të vizituar një vend, në analet e të cilit mund të gjesh të rujatura me kujdes gjurmët më sharmante të historisë së vendit tënd, siç është Mbretëria e Bashkuar, nuk mund të mos emocionohesh. Edhe pse atdheun tënd e lë në një betejë sa virtuale aq dhe alarmante, konfliktesh e deliktesh politike, joshja drejt vendit tjetër, historia e të cilit përcjell aq shumë mesazhe, është gati e papërballueshme. Mbi kryeqytetin shqiptar vera ende nuk e ka hedhur tej penelin e luleve dhe ngjyrave, por dimri ka filluar shpejt, në dy oborret e mëdhenj të politikës. Drithërimat e akullit të një zemërimi kronik, sikur duan të mbështjellin çdo qelizë të jetës shqiptare, në këtë vjeshtë të radhës.

 

Duke pritur avionin e linjës “British Airways” për të fluturuar drejt Londrës, shoh se si zhyten në horizont konturet e trishta të vendit të shqiponjave, që siç shprehen me të drejtë kancelaritë Euro-Atlantike, ka njëzet vjet që ka ngrirë nga politika e okulte e Tiranës zyrtare.  Fluturimi drejt Londrës është një fluturim drejt ëndrrës së bukur të një vendi simbol i demokracisë dhe vlerave njerëzore. Është një lloj terapie shpirtërore, një vetëpastrim nga smogu i një politike inatçore, që për dy dekada nuk ka prodhuar asgjë, përveçse dëshpërim dhe arratinë për shumicën e shqiptarëve. 

 

Më shumë se kaq, vizita në Mbretërinë e Bashkuar është rast për t’u takuar me historinë. Është vendi për t’i bërë homazh kujtesës historike, gjurmëve të atyre burrave  të shtetit që projektuan jo vetëm madhështinë e këtij vendi, por edhe vizionin e një miqësie të shenjtë midis dy kombeve tona. Pra, kësisoj, ke rast për të shprehur nderimin tend, jo vetëm ndaj jetës dhe veprës së miqve të vërtetë tëShqipërisë, por edhe për të shprehur mirënjohjen ndaj të gjithëve atyre që kontribuan për ideimin, themelimin, ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit sovran shqiptar. Ndaj një udhëtim për të njohur vendin e Lord George Byron; Lord Alfred Tennyson; Edward Lear, Lady Mary Wortley Montagu; Lucy M. J. Garnett; Mary Edith Durham, Colonel Aubrey Herbert (M.P) dhe nënën e tij Elisabeth Countess of Carnarvon; znj Ruth V. Pennington;  ish-ministrat dhe lordët: Harry Lamington e Willoughby Dickinson;  Eric Drummond; Lord Robert Cecile, Edward Boyle; Morton Frederick Eden; politikanët dhe gazetarët: Henry W. Nevinson, Charles Wood,  Harry Lamb, Henry Betterton etj e për të vijuar në ditët tona me John Grogan (MP), politikanin Dennis MacShane, Christopher Hitchens, Noel Malcolm, Bianka Jagger, General Sir Mike Jackson, Miranda Vickers, Antonia Young, Jammes Pettifer etj. është gjithmonë i shumëpritur dhe të ngjall ndjesi e impresione të forta.

 

Isha ftuar në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në takimin e përgjithshëm vjetor të Balkan Peace Park Project. Ky takim u zhvillua në “Reading International Solidarity Center”,  në qytezën e bukur Reading në Veri të Londrës. Vizioni i kësaj organizate është ekzistenca e një Parku Ndërkombëtar në një rajon të thyer malor ku përfshihet Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova. Është një simbol i paqes dhe bashkëpunimit ku komunitetet nga të gjitha vendet punojnë së bashku për të mbrojtur mjedisin, stimuluar punësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, për shtimin e aktiviteteve dhe vizitorëve në rajon. Një takim dhe bisedë e përzemërt mbi misionin dhe aktivitetet e tyre në rajon me Znj. Ann Kennard, Kryetare e B3P, por dhe me shumë anëtarë të tjerë të Komitetit të Parkut Ballkanik të Paqes si znj. Angela Selmani, z. John Milson, Arian Gjura, Richard Hargreaves, znj. Antonela Melonari, Maarja Hallick, Keith Bowden and  Dr. Tanja Tamminen, do më krijonin ndjesinë se ndodhesha në Shkodër apo rrethinat e saj e jo në zemër të Mbretërisë së Bashkuar.  Janë këto merita, përpjekje dhe arritje të B3P dhe stafit të saj që motivuan Institutin e Çështjeve Kombëtarë për të nderuar me Certifikatë Nderi këtë organizatë dhe presidenten e saj. Prof. Antonia Young.

 

Më tej, ishte miku im i vjetër z. Fatmir Terziu, botues  i revistës kulturore-informative online “Fjala e Lirë” dhe një kritik i njohur letrar, ai që më drejtoi në Qendrën “Ardhmëria” në Lomond Grove për të realizuar një takim të këndshëm me z. Lutfi Vata, Kryetar i Forumit të Bashkimit të Shoqatave Shqiptare.  Nuk  mund të mos ndihesh mirë kur shikon se si lëviz gjaku i botës shqiptare në zemër të botës moderne, se si intelektualët tanë në Londër e gjetkë janë integruar në qytetërimin e vendit pritës, me autencitetin e vlerave dhe traditave më të mira të vendit nga vijnë. 

 

Një takim me mikun e shqiptarëve John Grogan në West Brampton, Londër  ish-anëtar i Parlamentit Britanik dhe kryesues i grupit të gjitha partive parlamentare në Parlamentin Britanik për Shqipërinë nuk mund të jetë ndryshe, përveçse mbresëlënës. Këtu  biseda rrodhi natyrshëm tek situata dhe zhvillimet politike në Shqipëri, tek lufta që duhet të bëjnë shqiptarët, veçanërisht shoqëria civile, për t’i diktuar politikës së vjetër konfliktuale të Tiranës një frymë tjetër, frymë konsensusi e  bashkëpunimi, për hir të interesit kombëtar.  Zoti John, me atë ëmbëlsinë dhe dashamirësinë e tij që e karakterizon, më bëri të njohur se prej datës 5 deri më 8 Dhjetor 2011 do të vizitojë Shqipërinë, në krye të një delegacioni tregtar. Sipas burimeve tona, pas takimit në Ambasadën Britanike në Tiranë, vizita e delegacionit do të vijojë me takime të tjera në Dhomën e Tregtisë dhe Shoqatën e Investitorëve të Huaj, drejtues të politikës e me institucione të tjera të vendit. Tashmë është fakt i njohur se ndjenja britanike është shumë e fortë në këtë vend, kjo jo vetëm për shkak të mbështetjes që Mbretëria e Bashkuar dha për pavarësinë e Kosovës, por edhe për ndihmën dhe kontributin që ka dhënë për të ndihmuar Shqipërinë në anëtarësimin në NATO, integrimin në BE, konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e sistemit të drejtësisë në vend dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Ky delegacion  mbështetet nga Dhoma Britanike e Tregtisë në Shqipëri (ABCI),  DLAPiper,  CT Group Conference  dhe  Ambasada  Shqiptare në Londër.

 

Kryeqyteti britanik, Londra është vendi pritës, i përzgjedhur nga organizatorët, si vendi ku do të zhvillohen Lojrat Olimpike -2012.  Ndaj  vizitorë nga të gjitha vendet e botës mbushin këto ditë “Trafalgar Square”, për të fiksuar një moment në aparatin e tyre fotografik, memorialin e ngritur me këtë rast, i cili tregon në çdo çast afrimin e kohës kur do të startojë ceremonia e hapjes së këtyre lojrave.

Një vizitë në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në rrugën “Pall Mall”, 100, në zemër të Londrës, nuk mund të anashkalohej. Ishte miku im, studiuesi i mirënjohur, Bejtulla Destani, Zv/shef i Misionit ai që më rezervoi i pari këtë takim. Por ky takim nuk do të mbetej i vetmi, pasi shumë supriza të tjera do të më prisnin më pas. Ishin Dr. Muhamet Hamiti, Ambasador dhe zoti Arion Krasniqi, Sekretar i Parë i Ambasadës, të cilët u bënë miqtë e mi dhe nuk u ndamë asnjë ditë nga shoqëria e njeri-tjetrit, për të gëzuar suksesin e radhës. Revista e mirënjohur “Diplomat”, në numrin e saj të shtatorit, i kishte kushtuar Kosovës këndin kryesor të saj, në të cilin jo vetëm që evidentoheshin arritjet e këtij shteti të porsalindur, në zemër të Europës, por dhe vizioni i lidershipit kosovar për ardhmërinë e saj, njohjet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet ndërmjet UK dhe Kosovës. Një event për t’u përgëzuar.

Është e pamundur të ndodhë që të jesh në Mbretërinë e Bashkuar dhe të mos shijosh në çdo cep të saj një mozaik vlerash historike dhe kulturore, që të shpalosen përpara në çdo hap që hedh me madhështi. Nuk është vetëm rruga “Parliament St.” ajo që të mahnit me faktin se si ky vend ka nderuar në këtë mënyrë bijtë dhe bijat e tij me monumente, sheshe apo parqe, duke përjetësuar në memoriale gjeneratat e lavdisë, ata që kanë bërë historinë e saj apo kanë vendosur mbi fatet e botës.

Befasimet nuk kanë të sosur edhe pse nuk është vizita ime e pare në këtë vend, duke ia lënë radhën një vizite në në Ambasadën e Shqipërisë në UK, ku na priste supriza e radhës me shfaqjen e Filmit “Parullat”, organizuar nga Anglo Albanian Association (Komiteti Anglo-Shqiptar), ku shquhej z. Stephan Nesh, ish-diplomat i lartë britanik në Tiranë. Dr. Teuta Statova, Ministre Këshilltar në këtë ambasadë, si zonja e shtëpisë, pasi prej muajsh është titullarja e kësaj përfaqësie na pret buzë gaz. Nuk mund të mos përfitonim nga rasti që të bisedonim dhe të shkëmbenim mendime mbi çështje të ndryshme me të pranishmit, ku do të veçoja takimin me z. Stephen Nash, drejtues i Komitetit Anglo-Shqiptar; znj. Joana Hansoon; zj. Entela Gjika, diplomate; znj. Patricia Nugee, një zonjë e miënjohur që admiron Shqipërinë dhe zotëron një koleksion të çmuar antikuarësh me libra për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun; znj. Pat Swire, vajza e Joseph Swire, autorit tashmë të njohur të një libri interesant mbi historinë tonë; Z. Albert Kello dhe z. Agron Loxha.

Udhëtimi me linjat “District Line”, “Jubilee Line, “Victoria Line”, Picadilly Line”, “Bakerloo”, ia shtojnë bukurinë kësaj vizite. Ky udhëtim i këndshëm e prek kryeqytetin në çdo cep, për të shijuar parqet e shumtë, për të vizituar qendrat e artit dhe kulturës, biznesit dhe tregtisë, për të prekur rrugët e pastra dhe trafikun e orjentuar. 

Takimi me anëtarë të komunitetit shqiptar në Britani dhe bisedat për integrimin e tyre, distancimi nga trazirat që ndodhën në fillim të muajit gusht në disa zona të UK dhe dënimi i këtyre akteve ishte kryefjala e bisedave tona me z. Kastriot Rexhepi, Dritan Buna, Remën  apo Lirimin etj, por edhe një vizitë për të shijuar guzhinën shqiptare në Bar Restaurant “Koha” në “St. Martin’s Court” pronë e vëllezërve shqiptarë Maqedonaci në zemër të Londrës apo Restaurant “Tirana” në Ilford, East London apo …nuk mund të harrohen për nga rëndësia. Dhe e gjithë kjo realizohet falë insistimit dhe prezantimit të Dritan Bunës, këtij shqiptari të mbrekullueshëm që jeton dhe punon në këtë vend.

Action Town ishte stacioni im i radhës ku më priste takimi me mikun tim të vjetër, Asllan Qerimi, drejtues i komunitetit të Shqiparëve në Derby. Zoti Asllani njihet nga bashkëatdhetarët, jo vetëm për origjininën e tij nga Vushtia në Kosovë, por edhe si një aktivist i dalluar i këtij komuniteti. Ai ka krijuar familjen e tij prej mëse 30 vitesh në këtë vend dhe ka rritur tre fëmijë të mbarë, Vlorën, Ilirin dhe Antonin, dy prej të cilëve kanë përfunduar studimet universitare.

Në ditën e fundit të qëndrimit në këtë vend ishte South Tottenham stacioni i radhës, ku së bashku me mikun tim Dritan Buna na priste zonja Luljeta Nuzi, Drejtore Programi e Qendrës “Shpresa Programme-UK. Një takim emocionues, jo vetëm për faktin se kjo vizitë u krye pikërisht në një nga institucionet e arsimimit të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe për faktin se edhe pse ishte ditë e shtunë, ditë pushimi, mjediset e kësaj shkolle gumëzhinin nga tingujt e muzikës shqiptare. Kjo shkollë ka hapur dyert që fëmijët e komunitetit të përdorin ambjentet e saj për të mësuar gjuhën amëtare. Nga shtatë zona të ndryshme të Londrës i drejtohen çdo fundjavë kësaj qendre dhjetëra shqiptarë, duke sjellë fëmijët e tyre në këtë shkollë, për të mësuar jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe kulturën, këngën dhe vallet e saj. Ishin këta fëmijë të cilët që tani po përgatitin koncertin për mbrëmjen festive të Festës së Flamurit që do zhvillohet në fund të nëndorit…  E gjitha kjo realizohet falë kontributit të “Shpresa Programe-UK” dhe Znj. Nuzi, drejtores së saj të palodhur, e cila edhe pse në vështirësi, për shkak të mungesës së bazës didaktike, pasi ende, dhe pse është fillimi i muajit tetor, nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Puneve të Jashme, nuk kanë mbëritur librat për mësim, ia del mbanë.

Do të nisemi nga Londra me një peng të madh që nuk mundëm të takonim Prof. Noel Malcolm dhe Miranda Vickers, si dhe Petrit Kucanën, botuesin e gazetës se mirënjohur “The Albanian”, Meriman Braha, botuesin e forumit online “Zemra Shqiptare” dhe “Merbraha”, por dhe mjaft miq të tjerë, një takim që shton mallin dhe mbetet i hapur derisa të rikthemi përsëri në këtë vend.

Nëse Mbretëria e Bashkuar mund të konsiderohet një vend që të dhuron kënaqësi, Londra është një emocion që nuk mbaron kurrë. Nuk mbaron as për londinezin, jo më një vizitor si unë, të etur për të ndjerë pulsin e këtij metropoli gjigand. Këtu njeriu ndihet sikur ka një tjetër peshë specifike të trupit dhe shpirtit, pasi prek si me magji paqen, qetësinë dhe relaksin, gjen shijen dhe arrin lumturinë. Kushdo që ka fatin të vizitojë kryeqytetin nuk mund të mos vizitojë  “Buckingham Palace” apo “St. James’s Park”, Westminster Abbey”, National Gallery, British Library, “London Eye”  në rrëzë të lumit Thames, Gardens of Houses, Garden of Parliament”, “Trafalgar Square” apo “Picadilly Circus”, Hyde Park, Green Park,  National Park of Wales etj. Nga do që të hedhësh vështimin, se për të prekur cdo vend të saj është e pamundur, sikur të jetosh  edhe 365 ditë të tjera, e ke të pamundur të plotësosh dëshirën e lindur sërisht nga perceptimi i dehës i shqisave.

Nuk mund të mos nënvizojmë faktin se Mbretëria e Bashkuar është shkolla ku sheh se si funksionon shteti, zhvillohen dhe përparojnë marrëdheniet shoqërore dhe se si cdo gjë është në vendin e vet. Në çdo cep të këtij vendi do të shohësh shumë pak ose asnjë polic, por do të përballesh vetëm me një tabelë orjentuese apo urdhëruese, e cila është ligji. Askush nuk guxon ta nëpërkëmbë atë, sic ndodh rëndom në vendin tonë. Askush nuk merret me ty. Nuk të vjen askush me bilbil në gojë apo me potere, por pas disa ditësh të vjen me postë në shtëpi Bill-i (Fatura me fotografinë e Targës së makinës dhe orën ku tregohet se ke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor me gjobën përkatëse dhe nuk ke asnjë shans të mos e paguash), ndaj askush nuk guxon të parkojë në çdo vend që të del përpara edhe pse aty mund të vendosen edhe 50 apo 100 automjete të tjerë.

Në Londër është e pamundur që të gjesh një lokal ku shkelet ligji dhe mund të pihet sipas qejfit duhan, sepse ndalimi i cigares nëpër lokale është realitet.  Nuk është vetëm ky tregues që ka të bëjë me kujdesin e shtetit ndaj shëndetit, por edhe mbrojtja e mjedisit, eleminimi absolute i zhurmave dhe borieve të automjeteve që sigurojnë një standard të lartë të nivelit të jetesës në këtë vend, që pritet të kremtojë vitin tjetër 265 vjetorin e Mbretërisë.

Ndërsa kthehem drejt Tiranës, më rrëmben një trishtim për kohën e humbur të shqiptarëve që  më përshkron si një shtizë krahërorin, teksa avioni rrëshqiste mbi pistën e ndricuar nga rezet e diellit të aeroportit të Rinasit. Ëndrra londineze ishte aty, e gjallë dhe depërtuese deri në dehje, si një ftesë për të reflektuar, për të transformuar gjërat tona të ndërtuara kaq keq, pasi vetëm atëherë mund të ndërtojmë imazhin e një demokracie reale dhe të një kombi pa komplekse.

 

*Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare  



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora