E shtune, 20.04.2024, 12:00 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

89 vjet skuadër futbolli, Gëzuar ditëlindjen “Vllazni”!

E shtune, 16.02.2008, 07:28 PM


E meriton Vllaznia që në çdo 16 shkurt të përkujtohet me pak rreshta. “Vllaznia” është simbol jo vetëm i Shkodrës, por i gjithë Shqipërisë, jo vetëm se është shoqëria e parë sportive në vendin tonë, por edhe për kontributin e madh që i ka dhënë sportit shqiptar në dekada. Por si lindi “Vllaznia”?
Në Shkodër futbolli filloi të luhej që në vitin 1905, atëherë quhej topekambe, madje, në lagjen “Arra e Madhe” të Shkodrës u krijua edhe një skuadër e quajtur “Leka i Madh”. Më vonë u krijuan dhe skuadra lagjesh, të cilat në një marrëveshje midis tyre, në vitin 1912 formuan skuadrën “Independenca”. Një vit më vonë, (1913), “Independenca” zhvilloi takimin e parë ndërkombëtar me skuadrën Austro-Hungareze “Internacional”, e cila përfundoi 2-1, në favor të “Internacionialit”. Ky takim ka rëndësi të madhe historike (për futbollin), sepse shënon ndeshjen e parë ndërkombëtare në historinë e futbollit shqiptar.  Më vonë futbolli në Shkodër mori një zhvillim të madh. Patrioti Hilë Mosi, i cili qysh më 1909 ishte përpjekur të krijonte një Shoqëri Sportive, i ndodhur në Shkodër, në bashkëpunim me patriotët Luigj Gurakuqi, Bajram Curri dhe të tjerë, themeloi shoqërinë “Vllaznija”. Ja si shkruan shtypi sportiv i kohës: Shoqnija “Vllaznija”, mbledhjen e parë e bani ma 9 fruer (shkurt) 1919 në shtëpinë e patriotit Kel Marubi. Aty u vendos për emnin e Shoqnisë dhe për programin e saj. Mbas nji jave, më 16 të frorit 1919, (e diel), anëtarët e shoqnisë “Mustafa Pasha” dhe “Pashko Vasa” u bashkune tue formue Shoqninë “Vllaznija”, programi i s’cilës asht ky: Zgjimi i djelmenisë shqiptare në fushën letrare, teatrore, muzikore e gjymnastikore. Kryetar u zgjodh Hilë Mosi që pati rreth vehtes edhe bashkëpunëtor të vyer si Sali Nivicën, Mati Logorecin, Kel Marubi, kurse për degën e gjymnastikës u ngarkue Ragip Hoxha. Kjo Shoqni, më 1921, u bashkue me Shoqninë “Atdheu”, me inisiativën e atdhetarit Avni Rustemi, që siç shkruan organi i kësaj Shoqërie, gazeta “Agimi”, pati moton “për bashkimin e të gjitha shoqnive të viseve të Shqypnisë nën nji program, nën nji emën”.
“Sportizimi në Shkodër, -shkruhej më 1920- asht tue përparue çdo ditë e ma tepër. Mbas lojës së topekambës, prap më të 13 qershorit u organizue nji vrap kambasorësh 25 vetësh, 4 km e 200 m, deri në katundin Bardhaj.
Gjatë periudhës 1919-1922, Shoqnia “Vllaznija” u dha përparësi ndeshjeve të futbollit. Ato zhvilloheshin në mes lagjeve të qytetit, madje u mor iniciativa si ajo e vitit 1920, kur në shtator skuadra e “Juventusit” (e Shkodrës), ndeshet në Tiranë me skuadrën “Agimi” (të Tiranës). Shkodranët, kujton mësuesi veteran i edukimit fizik, Avni Zajmi, ja mbërritën me karrocë, pasi kishin kaluar me një mijë vështirësi, rrugët e këqija dhe një urë e prishur. Ata u pritën me gaz e dashuri, aq më tepër që njiheshin si mjeshtrit e parë në Shqipëri të kësaj loje të bukur.  Këtë e dëshmuan duke fituar 3-1. Ndeshja u kthye në festë sportive. Më 28 nëntor, për nder të tetë vjetorit të Pavarësisë u ndeshën përsëri me “Juventusin” dhe fituan 2-1.
Me shumë popullaritet janë zhvilluar gara e çiklizmit. Gara e parë, ajo e majit 1920, pati si itinerar Shkodër-Koplik e kthim. Më vonë u zhvillua gara Shkodër-Tiranë. Po kështu edhe gara Shkodër-Hani i Hotit.
Edhe grupi i atletëve, me Sandër Krajën, Ibrahim Dizdarin, Zef Franjën, Feti Dizdarin etj., kanë zënë vend nderi. Të gjitha veprimtaritë sportive të kohës do të zinin vend në gazetën “Sporti”, me drejtor përgjegjës veteranin Palok Nika dhe shkrimet e komentatorit sportiv Anton Mazreku.  Më 1920, në Shkodër u botua rregullorja e parë e futbollit. Në vitet ’20-’30 “Vllaznia” zhvilloi disa ndeshje me skuadra joshqiptare, si ajo e vitit 1922 me Cetinën të cilën e humbi 0-4; më 1924 mundi skuadrën “Cernagora” 1-0; më 1928 mundi skuadrën e Tivarit 6-1. Në shkurt 1946 ndeshet në Shkodër me “Hajduk” (Split), të cilin e mundi 2-1. “Vllaznia” në vitet 1945 dhe 1946 fitoi titullin Kampione Kombëtare dy herë rresht. Titulli Kampion i vitit 1946 ka një të veçantë: sepse këtë titull Vllaznia e arriti duke i fituar të gjitha ndeshjet e programuara, duke mos pësuar asnjë humbje dhe asnjë barazim, me golaverazh 42-3. Ky fakt është rekord për vendin tonë, vështirë se mund të arrihet nga ndonjë skuadër e vendit tonë.
Edhe diçka tjetër në Ballkaniadën e vitit 1946 në Tiranë, ku Shqipëria zuri vendin e parë, në përbërjen e Kombëtares Shqiptare, dy futbollistë ishin nga skuadra e Vllaznisë.  Në 68 kampionate kombëtare të zhvilluara deri tani në vendin tonë, Vllaznia ka arkivuar nëntë tituj kampionë dhe 5 kupa të Shqipërisë.
Edhe njëherë: Gëzuar ditëlindjen Vllaznia jonë e zemrës! Suksese!...

Gjovalin Pavaçi
Sportdashës i vjetër

Trofetë

Kampione e Shqipërisë:
(9 herë), 1945, 1946, 1972, 1974, 1978, 1983, 1992, 1998, 2001

Fituese e Kupës:
(5 herë), 1965, 1972, 1979, 1981, 1987
Fituese e Superkupës:
(2 herë), 1998, 2001

Talente të dala nga FK Vllaznia

Loro Boriçi, Muhamet Dibra, Xhelal Juka, Bimo Fakja, Met Vasija, Mehdin Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Ramazan Rragami, Ismet Hoxha, Esat Rakiqi, Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Astrit Hafizi, Hysen Dedja, Ferid Borshi, Seit Çanga, Avenir Dani, Astrit Premçi, Brikeno Bizi, Zamir Shpuza, Edi Martini, Vioresin Sinani, Klodian Duro, Saimir Patushi, Luan Zmijani, Hamdi Salihi, Xhevair Sukaj, Klodian Semina, etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora