Kulturë
Murat Gecaj: Akademiku Alfred Uçi publikon një libër jetëshkrimor, kushtuar Petro Nini Luarasit
E shtune, 27.08.2011, 07:58 PM
Në 100-vjetorin e vdekjes (1911-17 gusht - 2011):
AKADEMIKU ALFRED UÇI PUBLIKON NJË LIBËR JETËSHKRIMOR, KUSHTUAR PETRO NINI LUARASIT
Nga Prof. Murat Gecaj
Publicist e studiues-Tiranë
1.
Por, një vend të veçantë në këtë përvjetor të shënuar, zë libri jetëshkrimor i Prof. A. Uçit, i cili e ka titullin ”Petro Nini Luarasi, mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare, 1865-
Sigurisht, publikimi i këtij libri përbën një ngjarje të veçantë për historikun e arsimit shqiptar dhe të njohjes së figurave të tij të ndritura. Ndërsa kjo gjë shkaktoi kënaqësi për mua edhe për fjalët e ngrohta e miqësore, që më shënoi Prof. Uçi, në kopjen e parë të dhuruar, duke patur parasysh dhe shkrimet e publikuara këto ditë për Petro N.Luarasin, në shtyp e në qendra të ndryshme Interneti: “Prof. Murat Gecajt, pa ndihmën e të cilit nuk do të nderohej e kujtohej 100-vjetori i P.N.Luarasit. Në shenjë mirënjohjeje të thellë e miqësie të sinqertë, unë e Rozeta ia dhurojmë librin e parë, petroninasit të papërtuar, të mençur e të mirë, që na ndihmoi pa kursim e zotësi”-Tiranë, 18 gusht
Për kërshërinë e lexuesve, më poshtë po flasim shkurtimisht rreth përmbajtjes së këtij libri, të Akademikut Alfred Uçi.
2.
Libri hapet me një hyrje të shkruar nga autori A.Uçi, i cili ndalet posaçërisht edhe në shkrimet e ndryshme, që i janë kushtuar jetës dhe veprimtarisë atdhetare, arsimore etj. të Petro N. Luarasit. Ndër të tjera, ai nënvizon: “Këtij mendimtari, pedagogu, letrari, poeti e luftëtari të lirisë e pavarësisë, i kanë kushtuar shkrime e studime të pamuërta, të botuara e të pabotuara, prej të cilave ne kemi zgjedhur disa syresh, që dallohen për vlerësimin dhe thellimin e aspekteve të ndryshme të trashëgimisë kulturore të këtij rilindësi”.
Tashmë, janë të njohura disa fjalë lapidare të Petro N. Luarasit, që autori i librit i përsërit në faqet e tij. Ndër ato, janë shprehjet: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi në këmbë” ose fjalët drejtuar kundërshtarëve të tij: “Nëqoftëse më vrisni, ruajeni gjakun tim, që me të fëmijët ta shkruajnë gjuhën shqipe” Janë këto arsye dhe shumë të tjera, që e bënë Fan Nolin të shprehej: “S’ka dyshim që Petro Nini Luarasi luajti rolin kryesor në themelimin e shoqatës “Malli i Mëmëdheut”. Ish i pari pionier i Lëvizjes Kombëtare në Amerikë” (Letër e datës 21 korrik 1928).
Libri përmban 376 faqe, shoqëruar me disa fotografi dhe është ndarë në katër pjesë e në fund ka një epilog. Në pjesën e pare, jepen fakte e dëshmi të shumta për jetën e Petro Nini Luarasit, që nga vegjëlia dhe deri sa u nda përgjithnjë nga jeta. Këtu flitet gjerësisht edhe për përpjekjet e parreshtura, që bënë arsimdashësit shqiptarë për hapjen e shkollave në gjuhën tonë amtare, si dhe për disa nga këta veprimtarë të shquar, që nga Koto Hoxhi, Jani Vreto, Sotir Peci, Fan Noli etj. Këtu gjejmë dëshmi me interes për shkollat shqipe , që u hapën në Korçë, Kolonjë e Negovan, si dhe për Kongresin e Dytë të Manastirit. Bukur është përshkruar dhe periudha e qendrimit të Petro N. Luarasit në Amerikë, ku ai dha ndihmesë të çmuar atdhetare, në gjirin e Kominitetit Shqiptar atje. Veçse, tërë veprimtaria e përkushtuar për Atdheun e shkollën shqipe, Petro N.Luarasit i kushtuan atij përndjekje të parreshtura e tri burgime, deri dhe jetën, i vrarë.
Petro N.Luarasi ishte dhe vjershëtor e botoi artikuj të shumtë publicistikë e letrarë. Pra, për veprat e tij flitet gjerësisht në pjesën e dytë të librit. Veçojmë në këtë pjesë shkrimet e tij: “Pranvera shqiptare”, “Fjala e mbajtur në Kongresin II të Manastirit”, “ Si punojnë armiqrë tanë,” “Provimet në një mësonjëtore shqipe”. Në vazhdimësi, në pjesën e tretë të librit janë publikuar artikuj, studime e kujtime kushtuar Petro N. Luarasit. Ndër ta, mund të përmendim ato të Tajar Zavalanit, Branko Merxhanit, Prof. Mahir Domit e Prof. Zija Xholit, Gj. Rrapos, S.Shapllos, Th.Bezhanit e T.Dilos. Ndërsa Prof. Eqrem Çabej ka shkruar: “Mësonjës i popullit, me kuptimin e vërtetë të fjalës; nxënës i denjë i Koto Hoxhi Qestoratit e (shok idesh) i denjë i Papa Nergovanit, Petro Luarasi gjithë energtjitë e tij i shkriu për një ide e një punë kryesore. Kjo ishte përpjekja për përhpjen e shqipes në shkollën shqiptare e, përtej kësaj, edhe si gjuhë e shkrimit të përditshëm dhe literaturës”.
Një pjesë e rëndësishme e këtij libri interesant është kapitulli i katërt, ku janë publikuar shkrimet e Petro N. Luarasit: “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja (apologjia) e shqiptarit” (“Parathënje e brendosje” =hyrje; “Foshnjëria dhe mosha e njeriut”, “Çkishërimi dhe apologjia”). Ndërsa te “epilogu” është botuar shkrimi “ E vërteta e bën fenë dhe jo feja të vërtetën”.
Parë në tërësi, ky libër i ri, që është përgatitur me mjeshtëri dhe aftësi profesionale nga Prof. Alfred Uçi-Akademik dhe, siç shprehet ai, duke plotësuar një dëshirë a një peng të kahershëm të tij, është një “ringjallje” e Petro Nini Luarasit, në 100-vjetorin e vdekjes së tij, njërit nga atdhetarët e shquar dhe martirët e shkollës sonë kombëtare. Prandaj, me këtë rast, përulemi me nderim para jetës dhe veprimtarisë së tij dhe autorin e këtij libri e përgazojmë dhe e urojmë për përgatitjen e publikimin e tij!
Tiranë, 19 gusht 2011